Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Gjykata e Hagës shtyu dje marrjen e vendimit për ish- kryeministrin e Kosovës

Lirimi i Ramush Haradinajt në pikëpyetje

Zv/kryeadministratori: UMNIK është i gatshëm për mbrojtjen gjatë procesit

Mbetet enigmë lirimi me kusht i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Hardinaj. Gjykata Ndërkombëtare e Hagës shtyu dje marrjen e vendimit për “lirimin” e Haradinajt. Pritja e deklarimeve të prokurorisë dhe të mbrojtjes, është arsyeja e marrjes së këtij vendimi.
Seanca
Në seancën e djeshme, trupi gjykues dëgjoi, argumentet e organit të akuzës dhe të avokatëve, të cilët kanë kërkuar mbrojtjen në liri të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit akuzohet për krime lufte dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. Ndërkohë, në seancën e djeshme ishte i pranishëm edhe zv/kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës, Lari Rosin. Ky i fundit iu përgjigj disa prej argumenteve të ngritura nga prokuroria, të cilat kishin të bënin kryesisht me efikasitetin e policisë së Kosovës dhe në përgjithësi të organeve të rendit. Si dhe transferimin e kompetencave nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore. Në fund të seancës, gjykata vendosi që mbrojtja dhe prokuroria të paraqesin mocionet e tyre me shkrim lidhur me çështjet e ngritura nga prokuroria, duke e vendosur në pikëpyetje mundësinë që Haradinaj të rikthehet në gjykatë, nëse lejohet të mbrohet në liri. Madje, ka dyshuar edhe në aftësinë e UNMIK-ut për të garantuar për kthimin e ish-kryeministrit kosovar. Madje, organi i akuzës e ka shpjeguar këtë dyshim në aftësitë e UMNIK-ut, duke treguar se misioni i tij është në zbehje e sipër, dhe kompetencat po kalojnë nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore.
Garanci për lirimin e Haradinajt
Zv/kryeadministratori Lari Rosin i tha gjykatës dje, se në fushën e sigurisë në Kosovës janë bërë përparime. Madje, ai ritheksoi gatishmërinë e UNMIK-ut për të zbatuar të gjitha vendimet e Gjykatës së Hagës. Ndërkohë, edhe ish-kryeministri Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij se do të zbatojë ligjin dhe rregullin, në çdolloj rrethane. Ai theksoi gatishmërinë e tij për të respektuar kërkesat dhe vendimet e Gjykatës së Hagës. Madje, në Kosovë, vazhdon një fushatë për mbrojtjen në liri të Ramush Haradinajt, e cila përfshin edhe një peticion të nënshkruar nga qytetarët, që kërkojnë që ai të kthehet në Kosovë.

Kundërshtoi dy javë më parë

Vetëm 14 ditë më parë, në seancën paraardhëse, prokurorët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, kundërshtojnë lirimin me kusht të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas organit të akuzës, të cilët kanë në dorë dosjen “Haradinaj”, nuk e kanë pranuar kërkesën e ish-kryeministrit të Kosovës, i cili është dorëzuar në muajin mars në Gjykatën e Hagës, së bashku me shokun e tij, Fatmir Limaj. Sipas dokumenteve të lëshuara nga gjykata, tregojnë arsyet e moslirimit të ish-kryeministrit të Kosovës. Prokuroria nuk mendon se kreu i misionit të OKB-së në Kosovë, Soeren Jessen-Petersen, mund t’i mbështesë garancitë e tij, se Ramush Haradinaj do të kthehet në gjykatë kur të zhvillohet gjyqi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Edhe pse burimet pohojnë se marrëdhëniet e mira të punës së Jessen-Petersen me ish-kryeministrin e Kosovës, Haradinaj, ajo përsëri nuk është e sigurt për një gjë të tillë.

 

Gjermania, në zgjedhje të parakohshme

GJERMANI - Qytetarët gjermanë deri në mes të shtatorit duhet të vendosin në zgjedhje të parakohshme parlamentare për fatin e qeverisë së Gerhard Shrëderit. Opozita mbështet planin e kancelarit për t´i afruar zgjedhjet parlamentare një vit. Këtë e njoftoi qeveria pas një takimi të kancelarit me kryetarët e fraksioneve të Unionit Kristiandemokrat, Kristiansocial dhe liberal. Është planifikuar që Shrëder, më 1 korrik në Parlament të votëbesohet, me synimin që të humbasë. Atëherë presidenti Horst Këhler ka mundësi të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja. Afati më i vonë i zgjedhjeve do të ishte 18 shtatori. Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Franz Müntefering, i cilësoi zgjedhjet parlamentare si vendim për marrjen e drejtimit social të Gjermanisë. Kryetarja e Unionit Kristiandemokrat Angela Merkel tha se fjala është vetëm se kush do të mund të sigurojë vendet e reja të punës.
Kandidatët
Partia Socialdemokrate dhe të gjelbrit kanë përcaktuar kandidatët kryesorë për zgjedhjet parlamentare. Socialdemokratët do të garojnë me kancelarin Gerhard Shrëder. Të gjelbrit siç pritej me ministrin e Jashtëm, Joshka Fisher. Liberalët u shprehën qartë për koalicion me unionin opozitar. Dy parti të tjera CDU dhe CSU do ta bëjnë vendimin zyrtarisht të njohur më 30 maj. Megjithatë, nuk ka aspak dyshim se kryetarja e opozitës, Angela Merkel, do të jetë kandidate për kancelare e unionit opozitar, pasi kryesia e unionit qëndron e vendosur pas saj.

Fëmija që hëngri ushqimin e qenit

ITALI - Është keq të kesh uri. Për këtë gjë njohuri ka një fëmijë 10-vjeçar. Ky i fundit nga uria që kishte, ka ngrënë ushqimin e qenit. I mituri, pas drekës i ka kërkuar nënës së tij që t’i çojë ushqimin kafshës shtëpiake. Por duke pasur uri, fshehtas prindërve, ai ka ngrënë ushqimin e përgatitur për qenin. Ndërkohë, këtë veprim të fëmijës e kanë kuptuar prindërit e tij, pasi qeni po kërkonte të “shpëtonte” drekën e tij. Dhe për të shpëtuar fëmijën e tyre nga një mbipeshë, prindërit e kanë dërguar tek një specialist për t’iu nënshtruar një diete shumë të rreptë.

Rekord përjashtimi i të miturve nga kopshtet

SHBA - Sipas të dhënave të fundit në SHBA, përqindja e fëmijëve që përjashtohen nga kopshtet është më e madhe se ajo e nxënësve nëpër shkolla. “Krimet” më të shpeshta të këtyre fëmijëve janë tentativat e helmimit të ushqimeve të shokëve dhe sulmimi me “shkelma” apo “kafshime” ndaj mësuesve. Skenat e përditshme që durojnë edukatorët variojnë nga kapriçiot tradicionale, deri tek sabotimi i kompjuterëve në klasë. Analizat e zhvilluara nga universiteti “Yale”, tregojnë se këto sjellje të pahijshme kanë krijuar një skenar shqetësues të prototipit amerikan të së ardhmes.

Depresioni te qentë dhe te macet

AUSTRALI – Sipas studiuesve, depresioni kohët e fundit ka filluar të shfaqet te qentë dhe macet. Simptomat që shfaqen tek kafshët janë: kafshimi i zinxhirit, ecje në formën e një rrethi, kafshim thonjsh apo kërkim të një pastërtie të tepruar. Veterinerët shpjegojnë se stresi tek kafshët, mund të vijë si pasojë e një faktori social. Nëse padroni mund të jetë i mërzitur, atëherë edhe kafsha mund të mërzitet dhe nëse padroni ka kaluar një ditë të gëzuar, atëherë edhe kafsha do të ndihej e gëzuar.

 
 
BOTA
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005