(Vijon nga numri i kaluar)
Njerëzit nuk duhet të
kenë më frikë nga fjala Shërbim Informativ Shtetëror. Kjo ishte detyra që i vuri vetes ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Kujtim Hysenaj, që në momentin kur presidenti Moisiu e emëroi në krye të këtij institucioni aq të përfolur në vitin 2002, pas largimit të Klosit. Merakun e tij, edhe pse nuk mundi për shkaqe natyrore ta realizonte gjatë, duket se ia ka lënë vartësit, Bahri Shaqirit, i cili prej pak muajsh ka marrë postin e kreut të SHISH-it. Diplomati Hysenaj arriti që të ndërmerrte disa reforma në këtë institucion, duke sjellë kështu teknologji të avancuara perëndimore apo teknika evropiane, të cilat zbatohen në vendet që tashmë janë bërë pjesë e Evropës. Por, fatkeqësisht, për shkak të një sëmundje të rëndë ai u nda nga jeta në janar të këtij viti. Posti i drejtuesit të SHISH-it vendoset t’i jepet një prej vartësve të tij, Bahri Shaqirit. Ky i fundit vazhdon të drejtojë aktualisht këtë institucion, po me parametra evropianë.
Në krye të SHISH-it, një diplomat
Pesë muaj pas shkarkimit të zhurmshëm të Fatos Klosit, presidenti Moisiu vendos të emërojë në krye të SHISH-it një diplomat, i cili kishte pasur një karrierë të suksesshme diplomacie. Më 19 nëntor të vitit 2002, kreu i shtetit vendos të emërojë si personin më të përshtatshëm për të drejtuar Shërbimin Informativ Shtetëror, Kujtim Hysenajn. Emërimi i Hysenajt në këtë detyrë, erdhi pas bisedimeve të presidentit Moisiu me kryeministrin Fatos Nano. Më 7 gusht 2002, Moisiu shkarkoi nga detyra drejtorin Klosi, pas propozimit që i çoi po kryeministri Nano. Gjatë kohës gusht -nëntor, të po atij viti, shërbimet sekrete i drejtoi zëvendësdrejtori, Ylli Alushi. Ndërkohë, pas emërimit të Hysenajt, shumë prej atyre që e vendosën në këtë post ishin të bindur se cilësitë e tij prej diplomati do t’i shfrytëzonte në shërbim të institucionit që do të drejtonte për shumë kohë. Pikërisht kjo eksperiencë e mëparshme e ndihmoi Hysenajn që të bashkëpunonte me një sërë shërbimesh homologe për të shkëmbyer eksperiencat, si dhe për të krijuar përgjithësisht marrëdhënie të mira me to. Me këtë arritje ai i dha vendit një rol parësor në luftën kundër dukurive kriminale në rajon. Në periudhën që drejtonte Hysenaj, SHISH-i ndërmori dhe një sërë hapash konkrete në luftën kundër terrorizmit, si dhe ofroi ndihmën e shërbimeve sekrete shqiptare për të luftuar këtë fenomen. Por jo vetëm kaq, po në këtë kohë miratohet një ligj shumë i rëndësishëm që, sipas specialistëve, do të ndihmonte SHISH-in për realizimin e shumë detyrave me sukses. Parlamenti vendos të miratojë ligjin për përgjimet e telekomunikacionit. Pretendohej se ky ligj, nga njëra anë, garanton mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe nga ana tjetër, do të ishte një instrument shumë i fortë në duart e shërbimit të fshehtë për të luftuar krimin e organizuar dhe format e tij të perfeksionuara. Kujtim Hysenaj, në të gjithë periudhën që drejtoi këtë institucion, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk pati sulme as nga opozita dhe as nga qeveria në pushtet. Për të mos thënë se drejtuesit e qeverisë në shumë fjalime flisnin me superlativa për punën që kishte bërë ai në SHISH. Edhe pse në një gjendje jo të mirë shëndetësore, Hysenaj nuk hoqi dorë për asnjë çast nga drejtimi i shërbimeve sekrete, derisa në fund të muajit janar ndërroi jetë.
Kreu i SHISH-it, me moshë më të re
Pak ditë pas vdekjes së Hysenajt, kreu i shtetit, Moisiu, vendosi të emëronte në krye të shërbimeve sekrete, ish-shefin e kabinetit të drejtorit Kujtim Hysenaj, Bahri Shaqiri. Ky i fundit është 35 vjeç, duke shënuar kështu drejtuesin më të ri që nga ‘91 e deri më sot. Shaqiri pati punuar me Hysenaj dhe pretendohet të ishte një nga njerëzit më të besuar të Hysenajt, i cili përkrahte idenë për sjelljen në institucionin e tyre teknologji dhe metoda bashkëkohore evropiane dhe perëndimore. Shaqiri mori detyrën e re më 2 shkurt të këtij viti dhe vazhdon të qëndrojë në këtë post. Ashtu si Hysenaj edhe Shaqiri po kontribuon në përmirësimin e imazhit të këtij institucioni, duke bërë që asnjë person të mos frikësohet kur të dëgjojë fjalën SHISH, por të kuptojë vlerën e vërtetë të këtij institucioni. Aktualisht, Shaqiri vazhdon të jetë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Kryespiunët nga
1991-2005
- Irakli Koçollari drejtoi zyrën e Shërbimit Sekret në vitin
1991 - 1992
- Bashkim Gazidede drejtoi Shërbimin Informativ Kombëtar në vitin 1992 - 1997
- Arben Karkini drejtoi Shërbimin Informativ Kombëtar në vitin 1997
- Fatos Klosi
drejtoi Shërbimin Informativ Shtetëror në vitin 1997 - 2002
- Kujtim Hysenaj drejtoi Shërbimin Informativ Shtetëror në vitin 2002 - 2005
- Bahri Shaqiri
që prej marsit drejton Shërbimin Informativ Shtetëror
Jetëshkrimi
Emri: Kujtim
Mbiemri: Hysenaj
Vendlindja: Fier
Arsimi: U diplomua në vitin 1969, në Fakultetin Histori-Filologji, dega e Gjuhës Frënge
1974 - 1977 vazhdon Fakultetin Juridik
1970 punon si referent në Ministrinë e Punës së Jashtme, respektivisht në Drejtorinë e OKB-së dhe e organizatave ndërkombëtare
1971 caktohet në delegacionin e Konferencës së Përgjithshme të FAO-së, kur vendi ynë u pranua anëtar i saj
1979 - 1980 caktohet këshilltar në misionin e Shqipërisë pranë OKB-së në Nju-Jork
1986 - 1992 caktohet ambasador i Shqipërisë në Beograd
1980 - 1985, këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Paris
2002 u dekretua ne detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror
Jetëshkrimi
Emri: Bahri
Mbiemri: Shaqiri
Ditëlindja: 8 qershor 1970
Vendlindja: Tiranë
Gjendja civile: I martuar, me një fëmijë
1988 - 1992 mbaron Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës
Eksperienca profesionale:
1992 – 1994, drejtor i policisë financiare
1994 – 2002, kompaninë “Adria Airwais Company & TNT Express”
2002, shef i kabinetit në drejtorinë e SHISH-it
2005, drejtor i SHISH-it
Gjuhë të huaja: anglisht, italisht
|