Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Kapidani Gjonmarku I përmendet si kryeprijës i Mirditës në shekullin e XV

Dera princërore e Gjonmarkajve

Qëndresa ndaj pushtuesve turq dhe mbijetesa ndaj regjimit komunist

Aleksandër NDOJA

Mirdita, gjatë shekujve të kaluar ka nxjerrë burra të shquar që me jetën dhe veprën e lavdishme, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë shqiptare dhe më së shumti në Shqipërinë e Veriut. Shpeshherë njerëzit kanë qenë të interesuar të njohin nga afër ecurinë interesante të Derës së Madhe të Gjonmarkut të mirënjohur si Dera e Kapidanit të Mirditës, që nga zanafilla (shek.XV) e deri më sot, duke u mbështetur nga të dhënat historike, gojëdhëna popullore dhe literatura e pasur sot. Dera e Kapidanit të Mirditës, ka udhëhequr Mirditën, me urti, maturi, politikë e jetë normale, me sjellje të denjë burrërore dhe një guxim të madh në mbrojtje të interesave të popullit. Në këtë udhë ka udhëhequr Dera e Kapidanit që nga shekulli XV. Gjonmarku I, i ftuar nga populli, për t'i udhëhequr si kryeprijës i tyre. Ai u është shprehur hapur dhe në mënyrë demokratike Mirditës: "Nëse më pranoni për udhëheqës, unë dhe pasardhësit e mi do ta sundojmë e do ta drejtojmë popullin e Mirditës pa kurrfarë të drejte të dhetash, taksash, gjobash, xhelep, etj., por vetëm në bazë të së drejtës kanunore dhe do të respektojmë të drejtën familjare e pronës private të caktueme me gurë e kufi. Ju premtoj gjithashtu, se kam me vuejtë, me sakrifikue, me u djegë, me luftue e me dekë për Mirditë e bashkë me mirditas".
Qëndresa ndaj Perandorisë Osmane
Mirdita dhe Principata e Derës së Gjonmarkut, ishin pararoja e qëndresës kundër Portës së Lartë Turke asokohe, rrugë në të cilën vijuan edhe Dukagjini dhe Kelmendi në Malësi të Madhe, si një dritë e pashuar në të mirën e të drejtave kombëtare. Dera e Kapidanit të Mirditës, kishte një fuqi të fortë ushtarake në përbërje të cilit bënin pjesë mbi 1500 luftëtarë shumë të zot dhe besnikë të Kanunit dhe Derës që përfaqësonin, duke iu përgjigjur çdo thirrjeje me armë në dorë. Një shembull klasik i besnikërisë ndaj Principatës së Mirditës - Dera e Gjonmarkut - Kapidani, ka mbetur historia e lavdishme dhe e rëndësishme e skalitur në figurën e paharruar të Lleshit të Zi, një pinjoll i përkushtuar i Dinastisë së Derës së Gjonmarkut. Trimëria e tij veçohet më së shumti në planin e thekshëm atdhetar. Nga burimet historike dhe përmes veprës së Kapidanit të Mirditës, Ndue Gjon Marku me titull: "Mirdita Dera e Gjonmarkut, Kanuni" (Nju-Jork, 2002), ndër të tjera mësojmë, se ishte koha kur Turqia kërkonte që të dorëzoheshin të gjithë luftëtarët mirditorë, që kishin marrë pjesë aktive më armë në dorë e ndërgjegje atdhetare në Luftën e Kalasë (Rozafa) së Shkodrës ose në të kundërt do të fillonte ndëshkimin fizik me ekspedita ushtarake në të gjithë krahinën, duke vrarë, djegur shtëpi, sipas zakonit të përhershëm si pushtues në shekuj. Mirëpo Lleshi i Zi, falë zgjuarsisë së trashëguar e kuptoi veprimin dinak të çallmave të Bosforit, që nga çasti në çast po i kërcënohej Mirditës, prandaj lajmëroi Stambollin se: "përgjegjësia ishte e tij, se vetëm ai (Lleshi i Zi) duhej të dorëzohej, me kusht që Mirdita të mos prekej".
Gjonmarkajt dhe "Lidhja e Besës"
Dera e Gjonmarkut, gjithnjë kërkonte që të reflektonte kuptimin politik të kryengritjes së Mirditës dhe në të gjithë Shqipërinë e Veriut, të stimuluar drejtpërdrejtë nga Dera e Gjonmarkut. Ata krijuan ITIFAKU-n (Lidhja e Besës) në verë të vitit 1876, ku u bashkuan në Shën Pal krerët e 12 bajrakëve të Mirditës. Më pas, këtë shembull pozitiv e ndoqi edhe Puka, Dibra, Krasniqja, Mati etj. Turqia duke përfituar nga mosha e madhe e Kapidanit Gjon Mark Lleshit dhe nga mungesa e përkrahjes së tij asokohe, mundi me dredhi që të penetrojë në Mirditë, ndonëse krahina me luftë rezistoi për të ruajtur autonominë e saj. Edhe gjatë luftës kundër Turqisë në vitet 1872 - 1873 mirditasit u përfshinë në lëvizjet antiturke, ku spikati Llesh Gjoni, si një prijës i pashoq, me virtyte burrërie dhe drejtues i aftë e trim. Ai mbeti i vrarë si trimat dhe shembulli i tij përmendet me respekt në vendlindje. 3 vjet më vonë më 1876, dhe në vitet që pasojnë 1877, 1878, Mirdita, përsëri ngrihet me armë në dorë kundër Portës së Lartë, duke u bërë arenë e përleshjeve dhe filloi në këtë mënyrë serinë e pandërprerë të luftërave liridashëse të prirë si gjithnjë nga Dera e madhe e Kapidanit brez pas brezi.

Ngritja e flamurit në Mirditë

Për herë të parë në Mirditë dhe më saktë në katundin Vinjollë, flamuri është ngritur prej patriotit Ndue Gjoni, vëllai i Kapidanit Marka Gjonit, më 25 prill 1902. Memorandumi pati një rëndësi të madhe se për herë të parë tronditi në themel rrënjët e kalbura të perandorisë së "pathyeshme" turke, e cila mendonte se pas kryengritësve të prirë nga mirditorët e Kapidanit, fshihej Austro-Hungaria. Edhe ardhja e xhonturqve nuk solli ndonjë ndryshim në strategjinë të ashtuquajtur liberale të turqve të rinj, të cilët ishin më fanatikë dhe konservatorë se etërit e tyre. Ata nuk morën asnjë hap për të qetësuar zemërimin e banorëve të Mirditës të udhëhequr nga Marka Gjoni kërkonin lirimin pa asnjë kusht të prijësit të tyre, Preng Bibë Dodës. Në situatën e re të krijuar dhe pasi filloi t'i çirret maska xhonturqve të rinj që erdhën në pushtet, për të treguar se janë "liberalë" u detyruan të lirojnë Preng Bibë Dodën, i cili u prit në qytetin bregdetar të Shëngjinit me një pritje shumë të madhe nga popullsia e Mirditës, Këthellës, Malësisë së Lezhës dhe Zadrimës. Ardhja e Preng Bibë Dodës në vendlindje solli një ripërtëritje të re të krahinës dhe rriti edhe më shumë moralin dhe shtrëngimin e radhëve rreth Derës së Kapidanit të Mirditës. Ky personalitet ndërmori një sërë masash të domosdoshme, falë eksperiencës politike, kulturore dhe frymës së shëndoshë fetare e atdhetare që kishte gëzuar nga të parët e tij të Principatës së Derës së Gjonmarkut - Kapidani.3

Vlerësimet e albanologëve dhe historianëve

Nëse do të citonim disa nga autorët më të njohur asokohe, mund të shtonim se shumë të rëndësishme kanë mbetur shënimet dhe vlerësimet shumë domethënëse të shkruar nga albanologu i mirënjohur asokohe, francezi Amy Bue, i cili në veprën "La Turque d'Europa" (Paris, 1880), ndër të tjera thotë se krahina, ka përfaqësues të denjë që njihen dhe respektohen nga të gjithë dhe ajo është Dera e njohur e Dinastisë së Kapedanëve të Mirditës. Principata ka gëzuar dhe gëzon respekt e autoritet, mbasi përdor me përpikmëri burimet e traditës vendase që mbështetet te ligjet e njohura ndër brezni të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që rregullon jetën e brendshme të banorëve me shtrirje në të gjithë Shqipërinë e Veriut e deri në Kosovë. Meshtari që njihte shumë mirë doket e zakonet shqiptare dhe jetën e Kapidanit, ka qenë Don Stefano Gaspari, një prift katolik shqiptar, i dërguar prej Vatikanit (Selia e Shenjtë) në Shqipëri në vitin 1671, ku në shënimet e tij përshkruan me hollësi gjendjen e mjerë të klerit katolik në krahinë. Ndërsa më vonë historiani Freng Poqeville (albanolog), konsull i Napoleonit I në Janinë (1806 - 1816) përmend për herë të parë, se: "Mirdita në vjetin 1550 ka zgjedhë Dinastin princore në personin e Gjon Marku I...", e cila ka mbërritur 82 vjet pas vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Historikisht Dera e Gjonmarkut, mundi që të trajtojë me mjeshtëri të rrallë gjithçka që ishte me ligjin tradicional të Kanunit, ku siguroi paqen, bashkimin, vëllazërimin dhe nivelin e admirueshëm të mirëkuptimit të popullit të Mirditës. Edhe albanologu tjetër Dometrio Camarda, në veprën e vet të titulluar: "Gramatologia Comparata" (1866), shkruan se malësorët qëndruan të bashkuar përballë pushtimit otoman, duke respektuar gjithnjë Princin e Mirditës me seli në Orosh, duke mos e ulë kurrë Bajrakun dhe Fenë e të parëve.

Mark Gjonmarku

Periudha më e zezë dhe më e rëndë që ka kaluar Dera e Gjonmarkut, është ajo e komunizmit. Dr. Mark Gjonmarku, është një ndër përfaqësuesit më të denjë të Derës së Kapidanit të Mirditës, që iu kundërvu regjimit të Enver Hoxhës. Ai dallohej për cilësi të spikatura në fushën politike, duke qenë ministër i Punëve të Brendshme në kohën kur kryeministër ishte Mustafa Kruja gjatë vitit 1942 - 1943. Aty nga viti 1946, në vendin e quajtur Përlat një batare plumbash e ndan atë nga jeta, ndërsa vala re një represioni të paparë ndaj kësaj dere shënohet sidomos, pas vrasjes së drejtuesit më të lartë të kohës Bardhok Biba, i cili ishte pjesëtar i derës së Gjonmarkajve, por me një drejtim tjetër në politikën e kohës.

GJON GJON MARKAJ

Ky është djali i tretë i Pjetër Preng Gjonmarkajt. Ai u lind me 16 gusht 1927.
Kur ishte në shkollën e mesme në Kavajë, ai fliste hapur kundër pushtimit fashist dhe ndonëse në moshë të re, dënoi gabimin e rëndë që bëri kapidani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, i cili përkrahu manovrat e pushtimit fashist, duke u bërë pjesë e qeverisë fashiste. Gjon Gjonmarkaj mbeti besnik i ideve patriotike e atdhetare për pavarësinë e Shqipërisë. Por ai dënon injorimin që i bëri kësaj familjeje regjimi komunist, duke e etiketuar si shtypëse dhe shfrytëzuese e popullit të Mirditës. Për disa vite ai ka punuar në Radio Vatikanin dhe sot jeton me familjen e tij në Romë.

 
 
DOSSIER


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005