Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 

Pronarët kërkojnë që vlera mujore e qirasë të jetë 20 mijë lekë

Brenda 3 vjetësh lirohen banesat e ish-pronarëve


Mirvjena DIZDARI

Brenda 3 vjetësh do të lirohen të gjitha shtëpitë e ish-pronarëve, të cilat aktualisht janë të zëna. Familjet që jetojnë në këto shtëpi do të strehohen në banesat me kosto të ulët, ose në banesat sociale me qira. Ndërkohë, këto familje do të paguajnë qira për kohën në të cilën kanë qëndruar në shtëpitë e ish-pronarëve. Sipas të dhënave nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, deri tani ende nuk është përcaktuar sesa do të jetë vlera e qirasë që do të përfitojnë ish-pronarët.
Pretendimi
Përfaqësuesit e Shoqatës Pronësi me Drejtësi deklarojnë se janë 3367 familje, të cilat banojnë në shtëpitë e pronarëve dhe ka më se dhjetë vjet që këto banesa i janë njohur pronarëve, por shteti nuk ka marrë asnjë masë për lirimin e tyre, si dhe strehimin këtyre familjeve. Ndërkohë që pronarët e përllogarisin vlerën e qirasë së një banese me 20 mijë lekë në muaj, vlerë kjo minimale sipas tyre, dhe kjo faturë i shtohet faturës së për-gjithshme që shteti duhet t'i paguajë pronarëve për kompensimin e pronave.
Ligji
Qiramarrësit do të vazhdojnë të paguajnë një qira të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave deri në 2 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas këtij ligji, qeveria duhet të sigurojë strehimin e qiramarrësve që kanë statusin e të pastrehëve, në-përmjet banesave me qira të ulët ose banesave me qira të kompensuar nga shteti. Ndërkohë, qeveria, brenda 60 ditësh, duhet të përcaktonte vlerën e qirasë që duhet të paguajnë familjet që jetojnë në banesat e pronarëve, por ende nuk është përcaktuar asnjë vlerë kon-krete. Aktualisht banorët paguajnë vetëm 150 lekë në muaj qira, vlerë kjo tepër e ulët, sipas pronarëve.

Te dhenat per banesat

  • 3 vjet është afati për lirimin e shtëpive të ish-pronarëve
  • 20 mijë lekë në muaj është vlera e qirasë që kërkojnë ish-pronarët
  • 60 ditë ka qenë afati për përcaktimin e vlerës së qirave
  • 3367 familje banojnë aktualisht në shtëpitë e ish-pronarëve

 

 

Poçi: Treni elektrik, pjesë në masterplanin e financuar nga BE-ja

Ministri i Transportit, Spartak Poçi, ka reaguar ndaj deklaratës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku theksohet se projekti i hekurudhës Durrës - Tiranë nuk është i leverdishëm. Ministri Poçi, me anë të një deklarate, thekson se projekti i modernizimit të linjës hekurudhore Tiranë - Durrës me lidhje Aeroportin e Rinasit, është pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare për zhvillimin e infrastrukturës, si një faktor kryesor në rritjen e zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. "Përzgjedhja e segmentit hekurudhor Tiranë - Durrës mbështetet gjithashtu edhe në konkluzionet bazë të studimit të masterplanit kombëtar të transportit, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i kryer kohët e fundit nga kompania e njohur ndërkombëtare Luis Berger", theksohet në deklaratën e Poçit. Sipas Poçit, ky është padyshim segmenti i hekurudhave shqiptare, ku investimi do të kishte rezultatin më të dukshëm dhe koeficientin më të madh të kthimit të investimit. Sipas kreut të transporteve, për këtë projekt, në mënyrë të veçantë me Bankën Botërore, FMN-në dhe me institucione të tjera prestigjioze ndërkombëtare, specialistët tanë të Ministrisë të Transportit dhe Telekomunikacionit dhe ekspertë të tjerë të fushës, kanë pasur kontakte të vazhdueshme dhe bisedime të frytshme lidhur me kryerjen e studimeve përkatëse të fizibilitetit për implementimin e këtij projekti. "Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme për këtë investim madhor, jo vetëm për koston e tij, por duke pasur parasysh rëndësinë e tij", thuhet në deklaratë. Poçi thekson se, si të gjithë investimet në fushën e infrastrukturës, nuk mund të pretendohet për një impakt të drejtpërdrejtë ekonomik të këtyre projekteve, sidomos në infrastrukturën dhe transportin hekurudhor.

 
 
EKONOMI


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005