Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Intervista/Sulo Driza tregon se si u lindi ideja për të rritur shpendin e rrallë
“Si i sollëm shpendët nga Holanda”
Biznesmeni: Shpendët e rrezikshëm i sollëm me kapuç në kokë pas tre ditësh udhëtim

Dorina TOPOLLAJ
Armand JONUZI

Sulo Driza që prej dy muajsh mbarështon në fermën e tij 110 strucë, shpendë afrikanë më se dy metra të gjatë. Biznesmeni 30-vjeçar nga Fieri tregon se ideja për t'u marrë me këtë lloj tregtie i ka lindur babait të tij, Hiqmetit, i cili prej 10 vjetësh drejton biznesin e pulave të Patosit. "Duke u marrë me shpendë, erdhi dhe kjo ide", thotë 30-vjeçari, duke shpjeguar se bashkë me iniciativën e rrallë krah për krah qëndron edhe risku, sidomos kur bëhet fjalë për një tregti të paprovuar ndonjëherë në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", ai shpjegon se si lindi ideja për t'u marrë me këtë biznes, si u transportuan strucët në Shqipëri dhe si do t'i tregtojë ata.
Si lindi ideja për t'u marrë me rritjen e strucëve?
Faktikisht babai im ka qenë gjithnjë me ambicie për të provuar shpendë të rinj. Sigurisht duke u marrë me rritjen e shpendëve, prej vitesh kemi pasur kontakte me biznesmenë të huaj, të cilët merren me këtë fushë. Konkretisht ideja për strucët erdhi pas një kontakti të babait me një biznesmen holandez. Ai merrej me kultivimin e strucëve dhe e ftoi babanë të shkonte në Holandë. Pas vizitës, ata ranë dakord për projektin.
Struci është një shpend që rritet në Afrikë. A ka kushte të përshtatshme vendi ynë për rritjen e tyre?
Strucët duan temperaturë të ngrohtë. Por përderisa në Holandë, vendi ku i kemi marrë strucët, ka klimë më të ftohtë, Shqipëria është akoma më e përshtatshme. Plus që këtu në kompleks ne po investojmë që t'u krijojmë kushte sa më të favorshme për rritjen e tyre.
Çfarë njohurish kishit më parë për strucin?

Pothuaj të njëjtat njohuri që kanë të gjithë shqiptarët. Një shpend që rritet në Afrikë. Ndërsa tani kam mësuar shumë gjëra për ta. Struci është shpend i egër. Imagjinojeni, ka vetëm 20 vjet që kultivohet për mish në Evropë. Pra është biznes i ri jo vetëm për ne, por edhe për evropianët. Mishi është shumë i shijshëm dhe është pa kolesterol, lëkura përdoret për të bërë portofola, pupla për zbukurime. Janë gjëra që mësohen kur të lidh puna.
Si i transportuat strucët për në fermën tuaj?
Siç e thashë më lart, strucët janë shumë të rrezikshëm. Ata të qëllojnë me këmbë dhe kanë një forcë të jashtëzakonshme. Ne për t'i transportuar ua mbuluam kokën me një kapuç dhe i sollëm me maune që nga Holanda. Kemi transportuar 110 strucë. Të gjithë janë prindër dhe si raport janë tre femra me një mashkull. Kur i shkarkuam ishte dhe holandezi, pasi ai ka më shumë njohuri.
Për çfarë do të përdoren ata?
Ne i kemi marrë me qëllim tregtimi mishin e tyre. Do ta provojmë njëherë në tregun vendas, por qëllimi është eksportimi, pasi mishi i strucit është shumë i shtrenjtë dhe është pak e vështirë të ecë në Shqipëri. Gjithsesi është biznes me risk, pasi ne ende nuk kemi lejen për eksportin e tyre.
Sa kushton një çift strucësh?
Mund të them se çmimi është shumë i shtrenjtë. Dhe kjo është arsyeja që ne do përpiqemi ta realizojmë tregtinë tonë jashtë kufijve të Shqipërisë. Por kjo s'do të thotë që nuk do e provojmë edhe këtu.
Sa persona merren me mbarështimin e tyre?
Tani për tani merren dy persona. Këtu ka ardhur disa herë edhe një holandez, i cili ka dhënë instruksione për trajtimin e strucëve.

Agrobiznesi më i rrallë në vendin tonë

Kompleksi i rritjes së shpendëve në Patos të Fierit, me pronar Hiqmet Driza, është një nga shembujt më të rrallë të zhvillimit të agrobiznesit në Shqipëri. Hiqmet Driza filloi të vërë në praktikë idetë e tij në vitin 1994, pas privatizimit të pularisë së Patosit në Fier. Kompleksi i tij është një nga më modernët në vend. Biznesmeni Driza vazhdon të eksperimentojë në biznesin e tij. Përveç komplekseve për rritjen e pulave dhe të gjelave të detit, ai ka ndërtuar në një sipërfaqe prej 10 hektarësh edhe një kompleks tjetër. Por kësaj radhe jo më me shpendët që rriten në vendin tonë, por me strucë që rriten në Afrikë. Strucët e sjellë në Shqipëri nga biznesmeni do mbarështohen dhe do përdoren kryesisht për mish në tregun vendas, por edhe për t'u eksportuar jashtë vendit.

Shpejtësia, 70 km/orë

Struci është një shpend që jeton në savanë në Afrikën Lindore. Ai është zogu më i madh që jeton në tokë. Struci mund të arrijë një peshë prej 150 kilogramësh dhe një gjatësi prej 2.5 metrash. Ai është një zog vrapues shumë i shpejtë. Shpejtësia e tij arrin deri në 70 km/h. Shikimi i tij është shumë i mprehte dhe mund të shikojë shumë larg. Këmbët e tij janë të gjata dhe shumë të forta. Ato mbështeten në tokë, tek dy gishta të mëdhenj. Ai ka një qafë të gjatë dhe elastike. Cilësohet si shpend "budalla", pasi në rast se drejt tij turret ndonjë grabitqar, ai fut kokën thellë në rërë duke kujtuar se ngaqë nuk sheh vetë, nuk do ta shikojë as grabitqari. Në rast rreziku ai fillon të vrapojë me hapa që arrijnë një gjatësi prej 6-7 metrash. Brenda pak sekondash struci arrin një shpejtësi prej 70 kilometrash në orë. Ai vrapon duke ndryshuar drejtimin shpeshherë gjatë vrapimit. Struci gjithashtu mund të mbrohet edhe duke goditur fuqishëm me këmbë. Goditjet me këmbë mund të jenë edhe vdekjeprurëse.

 

Te dhena

  • 150 kilogramë arrin pesha e një struci
  • 25 vjet është jetëgjatësia e strucit
  • 2.5 metra është gjatësia e tij
  • 2 kilogramë peshon veza e tij
  • 70 km në orë është shpejtësia që mund të vrapojë

 

Si trajtohen speciet e rralla që kanë mbërritur prej dy muajsh në zonën myzeqare

Në fermën e Patosit, me 110 strucë

Si arritën në vendin tonë shpendët më të mëdhenj në tokë me origjinë afrikane

Nëse për shqiptarët deri pak kohë më parë struci ishte një shpend i rrallë që mund të shihej vetëm në televizor, tashmë atë mund ta shiko-jmë “live” në Patos të Fierit. Në fermën e Hiqmet Drizës, kanë mbërritur prej pak javësh 110 strucë nga Holanda. Tashmë çdo kureshtar mund të shikojë atje të vënë në praktikë shprehjen "fut kokën nën dhe si struci". Kompleksi gjendet në Patos, rreth 300 metra kur shmangesh nga rruga për në Berat. Për në kapanonin ku jetojnë prej dy muajsh shpendët e rralla, na shoqëron djali i Hiqmetit, që e thërrasin Luli. Për të shkuar atje duhet të ecësh për disa minuta përgjatë një fushe ku është mbjellur jonxhë me bollëk. Kapanoni i ngjan një sere gjigante: i lartë rreth 10 metra, me një çati ovale plastmasi që vjen deri në gjysmë të lartësisë. Që larg duken kokat e strucëve, që zgjaten mes hekurave të stallës. "Strucët duhet të rriten në temperatura të larta dhe prandaj kemi krijuar këto kushte", thotë Luli, i cili na shpjegon gjithçka shohim me sy. Ai na tregon se shpendi është mjaft i rrezikshëm dhe se po të qëlloi me këmbë ka aq forcë sa të të shkaktojë vdekjen. Kjo na bën të ngurrojmë, ndërsa u afrohemi shpendëve. Por ata zgjasin kokat që jashtë dhe mundohen të të prekin me sqep. Kanë një sqep kërcor shumë të butë, ndryshe nga shpendët e tjera. Lëvizin në stallë me dy këmbët e holla që përfundojnë në një taban me dy gishta të gjerë. Meshkujt janë më të lartë se femrat dhe dallojnë për nga ngjyra e pendëve. Ato anojnë më shumë nga e zeza. Gjithashtu duket se janë edhe më të egër. "Zihen me njëri-tjetrin se bëhen xhelozë", shpjegon me të qeshur Luli që tregon një ristelë të thyer më tutje.
Si rriten strucët
Ferma ku ndodhet kompleksi është rreth 10 hektarë dhe është e mbjellë me jonxhë, një nga ushqimet më të preferuara të strucëve. Dhe për t'i sjellë shpendët në këtë vend janë dashur tri ditë e tri net. "Kur i nxorëm nga maunet na duhej t'i ngrinim strucët, pasi ishin të lodhur dhe nuk kishin ngrënë". Por sapo kanë arritur në vendin ku parashikohet të jetojnë gjatë, me instruksionet e duhura, punëtorët i kanë ushqyer ata. "Ne i ushqejmë dy herë në ditë me 3 kilogramë misër dhe pastaj jonxhën ua lëmë për gjithë ditën", tregon Luli, duke shpjeguar mënyrën e ushqimit të strucëve. Për çudinë tonë, në kapanon ka edhe disa enë të mbushura plot e përplot me gurë. "Strucët i hanë gurët për të ndihmuar tretjen e ushqimit", sqaron Luli, duke marrë disa gurë të vegjël në dorë. Ai tregon se strucët, pas tretjes së ushqimit, gurët i nxjerrin përsëri. Në kapanon sistemi i ujit funksionon për gjithë ditën. Pranë çdo ndarje të stallës ka një enë në formë minigovate, ku strucët mund të shuajnë etjen. Stalla është e ndarë në 10 hapësira ku rrinë mesatarisht nga 11 strucë. "Vezët i mbajmë në frigorifer, pasi akoma nuk kemi ngritur inkubatorin", tregon Luli. "Kur të çelin zogjtë, pasi të ngrihen në këmbë, kemi vendosur t'i lemë të lirë fushës", shpjegon ai për projektet në të ardhmen. Ferma është e rrethuar dhe për këtë arsye shpejtësia e ecjes së strucëve me 70 kilometra në orë, nuk i frikëson mbarështuesit.
Projekti
"Atje do të ngremë inkubatorin", drejton gishtin tregues rreth 100 metra më tutje, Sulo Driza. "Ndërsa më tutje, një stallë tjetër", vazhdon ai duke thënë se ende është fillimi i projektit dhe ka shumë punë për të bërë. Synimi i biznesit të tij është që të arrijë të tregtojë mishin e strucëve, një shpend që jeton mbi 20 vjet. "Prindërit që kemi marrë do t'i lemë për vezët e pastaj do të rrisim të vegjlit për t'i tregtuar", shpjegon Luli. Për një vit, zogjtë arrijnë peshën 70 deri 100 kilogramë, kur parashikohet edhe koha për t'i bërë gati për në pjatë. Por është një pjatë e kushtueshme, pasi edhe ky lloj mishi është i veçantë. Prandaj, drejtuesit e biznesit mendojnë që tregtinë e tij ta zhvillojnë më shumë jashtë vendit, por jo pa e provuar më parë këtu. Largohemi nga Patosi, që ka shumë gjasa t'u japë të njëjtin emër strucëve, ashtu siç u dha pulave.

Veza e strucit

Strucët fillojnë të çelin vezët përgjatë periudhës prill - tetor dhe një vezë e tyre mund të peshojë rreth 2 kilogramë. Lëvozhga e saj është shumë e fortë, e ngjashme me një gur zalli. Sulo Driza na tregon se shpendët e rrallë bëjnë rreth tridhjetë kokrra vezë gjatë periudhës prill - tetor. Gjatë pjesës tjetër të vitit, ata nuk bëjnë më vezë. Sipas Drizës, struci fillon të bëjë vezë mbas katër vitesh, që nga lindja e tij. Veza më pas do vendoset në një inkubator në një temperaturë konstante ku do qëndrojë deri në çeljen e saj.

 

Kompleksi

  • 110 është numri i strucëve që ka blerë biznesmeni
  • 3 ditë ka zgjatur udhëtimi i tyre nga Holanda
  • 10 hektarë është sipërfaqja e kompleksit të rritjes së strucit
  • 3 kilogramë është sasia e misrit që harxhohet për një struc në ditë
  • 1 milion zogj pule rriten në vit në fermë
  • 30 mijë është numri i gjelave të detit në fermë
 
 

 

 


 

 
 
INTERVISTA


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005