Ditën e diel, më 3 korrik, miku im Çimi do të shkojë në plazh. Çimi ka plot punë të pambaruara, madje edhe të pafilluara, për të cilat nuk e ka vënë ujin në zjarr të bëjë plane e aq më pak të caktojë afat. Ndërsa për 3 korrikun 2005 ka vendosur që para një viti: "Ditën e zgjedhjeve unë dhe familja ime nuk do të votojmë! Do të marrim makinën dhe do të shkojmë në plazh e do të rrimë deri natën vonë". Ai do të niset drejt detit për inat: për t'i treguar politikës se ajo nuk e ka hak votën e njerëzve të ndershëm. Një tjetër shoku ynë nuk do të votojë, meqë politika nuk përfill as trurin e as kulturën. Një tjetër - se politikanët na kanë gënjyer. Por ka edhe një masë të madhe njerëzish, që paqësisht, pa prishur qejf, në heshtje, thjesht nuk marrin mundimin të shkojnë deri tek kutia. Gjithnjë e më dendur politika dhe mediat rreth saj kanë pëlqyer ta cilësojnë këtë si "një dukuri normale, që edhe në Perëndim haset dendur". Dhe për ta ilustruar merren si shembuj përqindjet e ulëta të votuesve në vendet Skandinave. Ky përcaktim rreket të fshehë një të vërtetë të hidhur: shqiptarët braktisin zgjedhjet kur nuk kanë për kë të votojnë. Loja "tek a çift" PD - PS ka larguar nga kutitë gjithë ata që kanë kërkuar një alternativë tjetër. Që prej vitit ´91 fushatat janë ndërtuar mbi linjën e tensionit mes dy partive më të mëdha të vendit. Secila palë ka paraqitur në fushata paralajmërime për mynxyra e llahtarë që do të ndodhnin nëse fitonte pala tjetër. Kjo luftë pambarim ka bërë që në llogoren e votimit të mbeten gjithnjë e më pak ushtarë-militantë e simpatizantë dhe të rritet pjesa e të tërhequrve. Nga ana tjetër, marifetet me listat e zgjedhësve dhe fletët e votimit u ka hequr zellin e votimit dhjetëra mijë shqiptarëve të tjerë, që nuk i gëlltisin dot numrat e shpejtësisë nga komisionet e komisionerët.
Pra, duke mos ditur për kë të votojnë dhe duke mos pasur besim se vota do t'u numërohet, qindra mijë burra e gra nuk e kanë prishur terezinë e së dielës në këso rastesh. Në të njëjtën valle janë edhe ata që janë neveritur nga blerja e votës për bukën e gojës. Madje, edhe në këtë fushatë, në mes të kryeqytetit, në vend të alternativave kandidatë të ndryshëm ofrojnë bankete për maturantë, ekskursione deri edhe pagesën e listave të mjerimit nëpër dyqane. Mirëpo e gjithë kjo tërheqje nuk na ka sjellë gjë tjetër veçse një seri dëmesh: krizë besimi, mungesë përfaqësimi në qeverisje e opozitë, varfëri alternativash në Kuvend, strategji e klime tensioni, bipolarizim të politikës, mbajtjen gjallë të një klase politike në shterpëzim e sipër, e kështu me radhë. Mosmarrja pjesë në votime nuk ndreq asgjë, përkundrazi! Pakkush e di për shembull se në të vërtetë manipulimet nuk para bëhen me votën e hedhur në kuti. Filmi luhet me ata që mungojnë. Në shumë komisione ka ndodhur që pas mbylljes së procesit janë bërë pazare pikërisht me fletëvotimet e atyre që nuk kanë ardhur. Me protestën tonë të heshtur ne vetëm sa u hiqemi qafe dy taborëve me militantë, që do të përcaktojnë në një natë të vetme katër vitet e ardhshme të jetës sonë. Le t'i kthehemi pak zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Pjesëmarrja në votim qe rreth 60%. Mazhoranca arriti dy të tretat e vendeve në Parlament. Me një aritmetikë të thjeshtë 2/3 e 60% del 40%. Afërsisht 40% është edhe pjesa që nuk ka votuar. Pra, së pari, shumica në Kuvend përfaqëson pakicën e shqiptarëve. Së dyti, hiq firot, brenda 40 përqindëshit të atyre që nuk votuan ka një numër të rëndësishëm shqiptarësh që kanë kërkuar një përfaqësim politik të ndryshëm nga ai dyqoshesh që ofrohej në vitin 2001. Duke mos e gjetur, kanë vendosur të heshtin. Në ndryshim nga ajo kohë, këtë radhë spektri politik duket si më i ngjyrosur. Parti e rryma të sapodala në dritë atëherë, në këtë katërvjeçar patën shansin të shfaqen, të piqen dhe sot të jenë ofertë reale. Gjithashtu, janë pikërisht këto forca politike që kanë krijuar identitet për shkak të metodave dhe alternativave, ndryshe nga çifti PD - PS. Pra, tregu sot ka shumë më tepër oferta për zgjedhësit. Në këtë 3 korrik pra nuk shtrohet vetëm çështja e të votuarit të keqen më të vogël. Tani kërkohet TË ZGJEDHËSH në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Këtë radhë duket se vota ka peshë krejt tjetër, ndoshta të krahasueshme me atë të marsit ´92, kur u përmbys me votë një sistem. Është mundësia që përsëri me votë, por ama me votën e të gjithëve,të fillojë një politikë e re, të hyjmë në një fazë tjetër të zhvillimit të vendit dhe kjo, sado naive të duket, mund të zërë fill pikërisht nëse 15 minuta para se të nisemi në plazh, si miku im Çimi, kalojmë më parë nga kutia e votimit.
|