Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Përfitojnë 4000 ushtarakët që kanë dalë në reformë në '92 - '98
Miratohet amendamenti për pensionin e ushtarakëve
 

Lorina Mixha

Shtohet një amendament që plotëson një nga 9 kërkesat e ushtarakëve në projektligjin e sigurimeve shoqërore suplementare të ushtarakëve. Dje në Parlament, deputeti Taulant Dedja ka propozuar që në ligjin e miratuar të shtohet edhe ky amendament, nga i cili pritet të përfitojnë menjëherë rreth 4000 ushtarakë. Pas kësaj kërkese, Parlamenti ka miratuar amendamentin që plotëson projektligjin për ushtarakët. "Kishim rënë dakord të na plotësohet një nga 9 kërkesat tona", tha Zyhdi Kroi, kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë e Lirim.
Kërkesa
Sipas kërkesës së ushtarakëve, periudha e 01.07.1992 deri në 31.12.1998 për ushtarakët e dalë në reformë, do të njihet si periudhë sigurimi për efektet e pensionit të plotë të pleqërisë. Kontributet për këtë periudhë do të derdhen nga buxheti i shtetit, në bazë të pagës reformuese, të indeksuar në momentin që ka lindur kjo e drejtë.
Zbatimi
Ky projektligj, që pas miratimit nga Parlamenti, do
të fillojë zbatimin pas 6 muajsh e do t'i shtrijë efektet
financiare nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit. Pra, ushtarakët do të përfitojnë shtesat e projektligjit që nga viti 2004.

Ndryshimet që kërkohen nga ushtarakët

  • Pika 2 e nenit 8 të riformulohet si vijon: "Për ushtarakun që ka dalë në rezervë ose në lirim para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, paga për efektet e përfitimit të përbëhet sipas pagës për gradë në vitin që hyn ky ligj.
  • Në nenin 14, në fund të pikës 5 pas fjalëve: ".. sipas viteve", të shtohen fjalët nga koha që u ka lindur kjo e drejtë".
  • Pas pikës 5 të nenit 14 të shtohet pika 5/1 me këtë përmbajtje: "Periudha 01. 07.1992 deri në 31.12.1998 për ushtarakët e dalë në reformë të njihet si periudhë sigurimi për efektet e pensionit të plotë të pleqërisë. Kontributet për këtë periudhë të derdhen nga buxheti i shtetit, në bazë të pagës reformuese të indeksuar në momentin që ka lindur kjo e drejtë".
  • Në nenin 14, në fund të pikës 6 në vazhdim të shtohen fjalët: "Me bazën e pagës referuese të indeksuar".
  • Në nenin 16, pas paragrafit të fundit, të shtohet një paragraf i ri me këtë përmbajtje: "Ushtarakëve, të cilëve u ka lindur e drejta e pensionit suplementar të pleqërisë, para datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr 9210 datë 23.03.2004, "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Shqipërisë" niveli përfitimit të llogaritet në kufijtë e parashikuar në këtë nen".
  • Pas nenit 14, të shtohet neni 14/1 me këtë përmbajtje:
    Neni 14/1
    Rillogaritja e pensioneve minimale të pleqërisë.
    Pensionet e plota të pleqërisë, të lidhura në periudhën tetor 1993 e në vazhdim, në nivelin minimal, të rillogariten mbi bazën e pagës referuese të indeksuar, në kohën që i ka lindur ose i lind kjo e drejtë.
  • Në nenin 26, të shtohet një paragraf i ri me këtë përmbajtje:
    "Në rast se ushtaraku aktiv, në rezervë ose në pension vdes, varrimi të kryhet me ceremoni ushtarake, shpenzimet e varrimit të përballohen nga Ministria e Mbrojtjes". Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën rimbursimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Masa e shpenzimit të varrimit të jetë sa shpenzimet për arkivolin, transportin, varrin dhe drekën e përmotshme".
  • Pika 3 e nenit 14 të riformulohet si vijon: "Për ushtarakun që ka dalë në rezervë ose në lirim para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, paga për efekt të përfitimit të përbëhet sipas pagës për gradë, në vitin që hyn ky ligj".
  • Pika 3 e nenit 14 të formulohet si vijon: "Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të Fletores Zyrtare dhe i shtrin efektet financiare nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9210 datë 23.03.2004. "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe zbatohet nga data 1.01.2006.

 

 

Inaugurohet pavijoni i kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare

Përfundon rikonstruksioni i pavijonit të kirurgjisë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Shqiptarët tashmë do të kenë në dispozicion një spital modern, të pajisur me teknologjinë e kohës, diagnostikuese dhe kuruese të sëmundjeve. Rikonstruksioni është realizuar nga një donacion i Agjencisë Franceze të Zhvillimit. Investimi për rikonstruksionin e ka kaluar vlerën e 4 milionë e gjysmë euro. Ky pavijon, vetëm disa muaj më parë ka qenë në kushte të papërshtatshme dhe pajisjet për kurimin e pacientëve ishin teknologji e vjetër. Dje në QSU, është bërë inaugurimi i këtij pavijoni. Përveç kryeministrit Fatos Nano, autoriteteve të shëndetësisë të vendit, mjekë, infermierë e specialistë në ceremoni ishin të pranishëm edhe ambasadorja e Francës në Tiranë, Francoise Bourolleau, zoti Jean Michel Severino, drejtor i Agjencisë Franceze të Zhvillimit. Ata kanë përshëndetur bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe partnerët e tjerë në vend, që kontribuan në këtë projekt të rëndësishëm, duke shprehur angazhimin për të bashkëpunuar edhe në të ardhmen në projekte të rëndësishme. "Do të përpiqem të citoj ministrin e Shëndetësisë Solis, i cili dje më njoftoi se në këtë klinikë mund të tentohet t'u kthehen sytë të verbërve, t'u kthehen veshët atyre që s'dëgjojnë, t'u kthehet nuhatja atyre që kanë probleme me hundët, t'ju normalizohet zëri apo t'u vijë zëri atyre që kanë fyt problematik", tha Nano gjatë ceremonisë. Sipas tij, të gjitha këto do të bëhen në një nga klinikat më të mira të këtij profili për të gjithë Ballkanin.

 
 
AKTUALITET


 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005