Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Përfitimet qesharake të filmave nga shitja e biletave dhe shumat e harxhuara në publicitete

Na ishte një herë kinemaja

DVD-ja po zëvendëson kinemanë, duke u kthyer në tregun kryesor të shpërndarjes së filmave nëpër botë


Yllka Parllaku

 

Magjia e ekranit gjigant të kinemasë duket se po humbet me kalimin e kohës. Njerëzit, falë përparimeve të së ardhmes preferojnë më tepër kolltukun e shtëpisë së tyre se sa karrigen e kinemasë. Ndërsa bota e filmit, sot ka një formulim. Përfitime disa milionëshe për yjet e kinemasë. Shpenzime promocioni jashtë kontrollit. Çmime që arrijnë majat për të realizuar filma të mëdhenj dhe të vegjël. Por, megjithatë, në Hollivud ka një kolaps produktiv. Gjithçka vjen si rezultat se sot paratë vijnë nga mallrat si DVD-të dhe të drejtat televizive. Kur vjen vera, regjisorët e Hollivudit fillojnë të festojnë, sepse në përgjithësi është kjo stina që çon në kasat e studiove 50 për qind të shpenzimeve. Por jo mesa duket këtë vit. Një seri goditjesh tragjike ka prekur të gjitha segmentet e marketingut të filmit. Ata janë të ndikuar nga sociologjia hollivudiane e aplikuar vetëm në përfitim. As vetë Tom Kruiz, i cili do të shfaqet këtë verë në sallat e kinemasë, në filmin më të pritur të sezonit, nuk do të mund të ndalojë cunamin e bërë nga ndryshimet e zakoneve dhe teknologjive të reja që po revolucionojnë botën e kinemasë. Vitin e kaluar, asnjë nga studiot më të mëdha amerikane nuk ka fituar nga filmat që ka prodhuar. Përkundrazi, për grupet e mëdha multimediale, kinemaja përfaqëson një kuotë gjithnjë e më të vogël të përfitimeve. Prej saj Viacom merr vetëm 7 për qind të përfitimeve, Sony 19, Disney 21 ndërsa Time Warner 18 për qind.
Paratë që fitohen nga filmat nuk vijnë nga sallat kinematografike. Në 2004 në Shtetet e Bashkuara janë shitur 1,5 miliardë bileta përkundër 4,7 miliardëve të 50 vjetëve më parë, ndërkohë që duhet marrë parasysh se popullsia është shtuar. Për të shpjeguar ekonominë e re të kinemasë është gazetari amerikan Edward Jay Epstein, i cili në librin e tij "The big picture" vë në dispozicion data dhe shifra, i krahason duke treguar pasojat e paparashikueshme. E para është se kriza e sallave të kinemasë është aq e madhe sa audienca duhet rikrijuar. Studiot shpenzojnë tani rreth 35 milionë dollarë në reklama, që i shtohen 63,8 milionëve të produksionit. Tashmë duket e qartë se lançimi i filmit në kinema është vetëm një ritual i kushtueshëm, që pasi përmbyllet, fillon të bëhet biznesi i vërtetë. Të ardhurat më pas vijnë nga përfitimet ndërkombëtare dhe nga transferimi i të drejtave televizive. Kinemaja e parë në shtëpi po bëhet totalisht e rëndësishme, saqë koha e pritjes midis daljes së filmit në kinema dhe në DVD është shkurtuar në mënyrë drastike, nga gjashtë në tre muaj. Ndërkohë që regjisori Steven Soderbergh sapo ka deklaruar se gjashtë filmat e tij të ardhshëm në të njëjtën kohë do të hidhen në treg në kinema, në televizionet kabllore dhe në DVD. Hedhja në treg e DVD-së ka të njëjtën rëndësi, për të mos thënë më të madhe, në shfaqjen e filmit në kinema. Menaxherët e firmave të mëdha si "Wal-Mart" dhe "Target", ku shitet gjysma e DVD-ve që blihen në Amerikë, kanë tashmë të njëjtën fuqi kontraktuese të shpërndarësve të mëdhenj kinematografikë. Sot Në epokën e DVD-ve, siç tregojnë kërkimet e marketingut ato blihen në mënyrë impulsive. Ajo që ka më shumë rëndësi është fama e filmit.

“Titaniku”. Përfitimet, sa vetë anija

Filmi “Titanik”, i regjisorit Xhejms Kamerun, kushtoi gjithsej 250 milionë dollarë. Në mars të vitit 1998, filmi u konsiderua se kishte përfituar të ardhurat më të mëdha të të gjitha kohërave. Pa llogaritur shpenzimet, këto përfitime ishin gjithsej 1,8 miliardë dollarë në të gjithë botën. Ndërsa vetëm në Shtetet e Bashkuara, këto të ardhura ishin mbi 600 milionë dollarë. Nga "Titaniku" Leonardo Di Kaprio përfitoi 2,5 milionë dollarë dhe Kate Uinslet 2 milionë dollarë. Filmi "Titanik" kushtoi më shumë sesa vetë anija reale, e cila kishte një kosto prej 7,5 milion dollarësh.

“Terminator”, historia e shifrave

Filmi "Terminator 3", me aktor kryesor Arnold Schwarzenegger, është një nga filmat që ka arritur fitime kolosale. Kostoja e produksionit të tij ishte 187,3 milionë dollarë. Këtu përfshiheshin 14,5 milionë dollarë të të drejtave të blera nga dy producentët. Më vonë "Warner Bros" pranon të paguajë 51,6 milionë në këmbim të të drejtave të filmit në Amerikën Veriore. Ndërsa Toho Towa jep 20 milionë për të drejtat në Japoni dhe "Sony" blen 77,4 milionë të drejtat për pjesën tjetër të botës. Filmi si përfundim arrin të përfiton 427 milionë, ku gjysma i shkon menaxhuesve të sallave.

 

Ishte

Para 50 vjetësh në Shtetet e Bashkuara, shiteshin rreth 4,7 miliardë bileta.


Koha midis shfaqjes së filmit në kinema dhe daljes së tij në DVD ishte gjashtë muaj


Kinemaja ishte burimi i vetëm, ku adhuruesit e filmave mund të shihnin realizimet më të fundit të regjisorëve

 

Eshte

Në vitin 2004 në Shtetet e Bashkuara janë shitur 1,5 miliardë bileta

Koha midis shfaqjes së filmit në kinema dhe daljes së tij në DVD është tre muaj

Filmat sot hyjnë më lirisht në jetën e njerëzve, pasi mund të gjenden pa vështirësi në video-teka apo edhe në televizionet kabllore


Sot harxhohen 35 milionë dollarë për reklamime të filmave

   
 
KULTURE


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005