Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 

Rubrika e letrave të lexuesve

Na shkruani në adresat: letra@tiranaobserver.com
b_observer@hotmail.com


Kërkoj të drejtën time

Unë quhem Pal Beci dhe banoj në fshatin Zajs të Komunës së Selitës në Mirditë. Prej disa vitesh po kërkoj një të drejtë, por askush nuk më dëgjon. Në vjeshtën e vitit 2002, në fshatin tim si pasojë e shirave të shumtë, u bllokuan të gjitha rrugët rurale që komunikonin me qendrën e komunës. Meqenëse unë për momentin disponoja mjete private si traktor dhe makinë të rëndë, m'u kërkua që t'i hapja këto rrugë me këto mjete. Unë me ato pak mundësi që kisha, punova plot 45 ditë për t'i rihapur ato, gjithmonë me premtimin se në momentin që të vijë fondi i akorduar për emergjencën, unë do të shpërblehesha për punën e bërë. Por ndodhi e kundërta. Që nga ai moment e deri më sot, nuk kam marrë asnjë qindarkë duke më rënduar totalisht në buxhetin tim, dhe për pasojë, duke më falimentuar aktivitetin privat. Unë që nga ai moment nuk kam pushuar së kërkuari të drejtën time. Unë kam kërkuar pranë Ministrisë së Pushtetit Vendor. Në një takim të fundit që kam pasur me drejtorin përkatës në Ministrinë e Pushtetit Vendor m'u konfirmua se fondi është akorduar, por mungon vullneti përkatës për të më likuiduar. Por ndodhi që dikush u "bezdis" nga kërkesa ime e drejtë, ndaj u organizua edhe gjetja e "kleçkave" për të më mbajtur të bllokuar automjetin tim të punës, i cili ishte mundësia e vetme për t'u mbajtur frymën gjallë 4 fëmijëve të mi të mitur. Është bërë legjendë e padurueshme edhe për qytetarët e shumtë të Rrëshenit, prania i makinës time përpara godinës së komisariatit, për një kohë të gjatë, ndërsa tani është degdisur pa asnjë ruajtje, diku në rrugën që shkon për në Kukës. I vetmi jam unë që nuk kam të drejtë t'i afrohem, se përndryshe përfundoj në birucë.

Pal Beci
Kurbnesh Mirditë

 

Mungesa e rrugës lë “pa punë” zjarrfikëset

Zoti na ruajt nga zjarri, se zjarrfikëset nuk kanë se ç'të bëjnë. Jemi një grup banorësh të lagjes "Beqir Dardha" në Elbasan. Nëse larg qoftë bie zjarr në shtëpitë tona, zjarrfikëset nuk kanë mundësi ta fikin atë, pasi nuk kanë ku të futen. Rrugët e lagjes janë të zëna me mure dhe ndërtime pa leje, praktikisht të pakalueshme për zjarrfikëset. Ne kemi frikë dhe shprehim shqetësimin tonë, pasi vitet e kaluara ka pasur mjaft raste të kësaj natyre në Elbasan, ku ndërtesat janë djegur plotësisht, pasi zjarrfikëset nuk kanë mundësi të depërtojnë në vatrën e zjarrit. Ne mendojmë se pushteti lokal, urbanistika dhe policia ndërtimore duhet të ndërhyjnë në këtë rast në mënyrë që rrugët të jenë sipas standardeve të kërkuara. Edhe institucionet që japin leje ndërtimi duhet t'i marrin parasysh elementë të tillë. Kjo është në të mirë të të gjithëve.

Fatmir Naska Bahri Capja Skënder Lumshi
Elbasan

 

Harresa për Çamërinë

Procesi i evoluimit dhe zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare ka kaluar në etapa të ndryshme në periudha të ndryshme historike, por ajo që vihet re kohët e fundit nga politika e jashtme e qeverisë shqiptare është hezitimi, veçanërisht për problemin e tokave të komunitetit çam në Greqi. Një mënyrë shumë efikase për të ndihmuar në mënyrë modeste çështjen çame, duhet jetë lidhja e një marrëveshjeje me qeverinë turke për dokumentacionin e plotë të pronësisë, si dhe elementëve historikë. Në takimet diplomatike shqiptaro-greke duhet të jenë në vëmendje edhe të drejtat e çamëve që ndodhen në Greqi, që sipas statistikave greke janë rreth 150 mijë. Arsimimi i kësaj popullsie etnike shqiptare në gjuhën shqipe duhet të bëhet realitet. Ndërkohë që diplomacia greke, në mënyrë të qëllimshme e anashkalon këtë problem, ajo që historia nuk mund t'ia falë diplomacisë së "fjetur" shqiptare është heshtja tinëzare që e dëmton më tepër sesa mijëra faqe propagandë kundër çështjes çame. Askush nuk duhet ta mitizojë këtë çështje ose ta përdorë këtë problem për konflikte ballkanike apo urrejtje ndëretnike, por nga ana tjetër, askush nuk duhet të luajë me interesat e një komuniteti tepër të rëndësishëm.

Tanush Çaushi

 
 
LETRA
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005