Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Kryeministri takoi banorët e Skraparit, Çorovodës dhe Poliçanit

Fatos Nano: Ja çfarë ka bërë PS-ja për Skraparin


Najada Selmani

Nano kërkoi dje votat eÇorovodës, Poliçanit dhe Skraparit, duke i rikujtuar këtij elektorati se në vendin e tyre janë realizuar 2\3 e investimeve në vend. Kryeministri i vendit zgjodhi banorët e Skraparit për të biseduar fillimisht me ta mbi zgjedhjet e 3 korrikut. Sipas kreut të qeverisë, populli i Skraparit duhet të votojë për Partinë Socialiste, pasi e meritojnë që të përfaqësohen në Parlament nën siglën e kësaj partie. "Jam i lumtur dhe krenar që ndihem mes jush që keni ditur të më mbështesni gjatë gjithë kohës", u shpreh Nano, gjatë fjalimit të tij. Më pas kryeministri ka takuar dhe banorët e Çorovodës dhe Poliçanit, duke u kërkuar përsëri votat për një mirëqenie sociale në të mirë të tyre në të ardhmen.
Këshillat
Përveç votës dhe të paraqitjes të një sërë alternativash që Partia Socialiste ka ndërmend të realizojë në mandatin e ardhshëm, Nano nuk ka harruar dhe t'i këshillojë banorët e Skraparit. Sipas kreut të qeverisë, banorët e këtij vendi nuk duhet të lejojnë që Skraparin e tyre ta kthejnë në një fushë beteje të përplasjeve të interesave personale apo private të fshehura këto në parulla politike. Për të arritur këtë gjë, banorët e Skraparit duhet që të votojnë për Partinë Socialiste për të rikonfirmuar kështu edhe një herë mbështetjen e sigurt dhe të qëndrueshme që i kanë dhënë kësaj partie. "Ju socialistët e meritoni Skraparin. Ju skraparllinj e meritoni përfaqësimin socialist në Kuvendin e Shqipërisë", u shpreh kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Në fjalën e tij, ai nuk la pa përmendur edhe platformën e partisë që drejton prej vitesh, për të vazhduar projektet e zhvillimit dhe punën për reforma me elektoratin Skraparit. "Rrethi i Skraparit renditet ndër përfituesit kryesorë të investimeve publike për frymë popullsie në shkallë republike. Vetëm në dy vjetët e fundit, nga qeveria që unë kam drejtuar, Skrapari ka përfituar më shumë se 2/3 e investimeve të kryera gjate katër vjetëve të fundit", shtoi kryeministri Nano në fjalën tij. Më tej Nano iu është drejtuar pjesëmarrësve me fjalët :Ju besoni se nuk është ndonjë kusht të jetë kryeministri nga Skrapari, që ne socialistët t'i shërbejmë me devotshmëri vendit tonë. Sipas kreut të qeverisë për të garantuar të ardhmen, investimi më i sigurt dhe prioritar janë fëmijët dhe brezi i ri. "Ne kemi bërë të mundur që gjatë 4 viteve që japim llogari të krijojmë kushte të mira dhe moderne për edukimin e 6500 fëmijëve, duke investuar 160 milionë lekë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 51 shkollave 9-vjeçare e të mesme", përfundoi Nano.

Republikanët prezantojnë kandidatin në Bulqizë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka qenë ditën e hënë për të hapur fushatën zgjedhore ne qytetin e Bulqizës. Mediu ka prezantuar kandidatin e PR-së, Genc Sharkun, duke u kërkuar të pranishmëve të votonin PD-në në mazhoritar dhe Partinë Republikane në proporcional. Në fjalën e tij, kryetari republikan ka theksuar disa pika të platformës së tij elektorale si: papunësia, trafiku i qenieve njerëzore, gjakmarrja, shkaqe këto që kanë sjellë shumë probleme.

Milo prezanton tre deputetë në Dibër

.Paskal Milo ka bërë turin e tij në qytetin e Dibrës, në Veri të Shqipërisë, ku ka prezantuar tre kandidatë për deputetë. Ata që do të përfaqësojnë PDS-në në të tre zonat janë Paqtrit Zili, Avni Alku dhe Agim Pisilin. Në takimin me simpatizantë të partisë që ai drejton, Milo kërkoi që të votohen kandidatët si njerëz të ndershëm, të cilët do t'u qëndrojnë pranë halleve të zgjedhësve të tyre. Ai kërkon votën e dibranëve, pasi synon përmirësimin e jetës së tyre dhe zgjidhjen e problemeve që ata kanë.

Topalli: PD-ja, në fushatë me elementë të rinj

Fushata zgjedhore e Partisë Demokratike kësaj radhe do të ketë elementë të rinj, të cilët janë kompozuar nga kompania amerikane. Përfaqësuesit amerikanë që kanë marrë përsipër të realizojnë fushatën e PD-së kanë ndërmend që të sjellin surpriza për elektoratin shqiptar. Sipas nënkryetares të kësaj partie, Jozefina Topalli, këto ndryshime do të ndikojnë në përmirësimin e prezantimit të një fushate të denjë. Topalli sqaroi dje, se imazhi i fushatës do të përqendrohet tek shqetësimet e shoqërisë dhe shpalosjen e programit të së djathtës si zgjidhje për këto probleme. "Në fushatën e opozitës nuk do të ketë përplasje me deklaratat e socialistëve", tha dje Topalli.

LZHK-ja shpall listën e kandidatëve për deputetë

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar bën publike listën e plotë të emrave që do të kandidojnë nën siglën e saj për deputetë në zgjedhjet e 3 korrikut. Lista përmban 100 kandidatë, të cilët pretendojnë të zgjidhen deputetë dhe në të njëjtën kohë dhe listën e proporcionalit. Gjatë publikimit të emrave të kandidatëve, përfaqësuesit e kësaj partie rikonfirmuan se nuk do të ketë aleanca parazgjedhore. Më tej, drejtuesit e LZHK-së, shtuan se në rast fitoreje të opozitës, LZHK-ja do të marrë pjesë në qeveri me demokratët. Ky pohim shënoi dhe konfirmimin e parë që dha Leka Zogu për aleancë të tij me Partinë Demokratike nëse ajo fiton zgjedhjet.

 
 
POLITIKE


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005