Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
“Mama SOS”, Merita Reveli e dashuria për fëmijët
“Si u bëra nënë e 7 fëmijëve në “Fshatin SOS”

Vladimir KARAJ

Për 10 vjet ajo rriti 7 fëmijë dhe provoi për herë të parë, të ishte nënë, gjë që biologjikisht nuk e arriti dot. Merita Reveli tashmë është e sigurt se "Save Our Souls" (Shpëtoni Shpirtrat Tanë), ka qenë më shumë se një vend pune i gjetur në kohë të vështira. Ai ishte vendi ku ajo dhe 7 fëmijët që janë bërë, njerëzit më të afërt të saj, "shpëtuan" njëri-tjetrin. Prej 10 vjetësh, ajo është "Nënë SOS" në "Fshatin SOS" në Tiranë, dhe mendon të vazhdojë edhe më gjatë të shërbejë si e tillë. Lidhja që ka krijuar me fëmijët e që është edhe në programin e vetë fshatit është e tillë, saqë ajo sot e ka të vështirë të ndahet prej tyre.
"Fillimet e një "Nëne SOS"
Ajo nuk e di kuptimin e fjalëve anglisht "Save Our Souls". Ndoshta asnjëherë nuk është kujtuar të mësojë dome-thënien e logos "SOS", të vendit ku punon. E megjithatë, ajo e ka vënë atë në zbatim me përpikmëri. Nëse do të flitnim me statistika, ajo i ka "shpëtuar" 7 shpirtra foshnjash të braktisura e të lëna në mes të rrugëve. Por ndërsa na tregon historinë e saj, Merita, na lë të kuptojmë se për herë të parë ka mundur të ndihet nënë pikërisht aty dhe kështu ka shpëtuar edhe veten. Fillimisht ka qenë artizane në Kombinatin e Punimeve Artistike në Shkodër. Në vitet e tranzicionit ka mbetur pa punë, e tek SOS-i, është drejtuar për të gjetur një vend pune, por aty ka krijuar një familje të vetën e tashmë, si shumë nëna, mburret për djemtë e vajzat që ka rritur.
Suksesi i një nëne
"Në fillim nuk ka qenë e lehtë, aq më shumë që unë nuk kisha rritur fëmijë të mi", tregon Merita. Sot ajo është më e vjetra e "Fshatit SOS" në Shqipëri. Madje, prej kohësh ka filluar të mburret me fëmijët, që ka rritur ashtu siç do të bënte edhe nëna natyrale. Në bisedë me të nuk është e vështirë të kuptosh, se fëmijët i kanë rrëmbyer zemrën. Ajo ekzaltohet sa herë flet për një nga djemtë, që tashmë është në shkollë të mesme. "Është me të gjitha 10", thotë Merita herë pas here, duke lenë të kuptojë sa i pëlqente ai fakt. Por për gruan që po arrin të 50-at jo vetëm ai, por edhe çamarroku i shtëpisë, fëmija që ajo na e prezanton si "burrin e shtëpisë", është shumë i dashur. Sigurisht, si çdo prind normal, ajo ka edhe preferencat e veta dhe ata janë dy fëmijët e parë që ka marrë në kujdestari. Një vajzë e një djalë që edhe pse janë rritur, nuk kanë njohur nënë tjetër veç saj. Por sigurisht, suksesi i gruas janë dy më të rriturit, të cilët ajo i ka përgatitur dhe i ka nxjerrë në jetë e tashmë, po përpiqen të çajnë vetë e të bëhen të zotët e vetes së tyre.
Pasioni dhe puna
Ndoshta nuk e ka pasur që në fillim, kur ka ardhur për të punuar, por shpejt ajo ka ndier atë që do të ndiente çdo nënë për fëmijët me të cilët qëndron çdo ditë 24 orë. Ajo u gatuan, i ndihmon në mësime, i vë në gjumë e sigurisht u ka treguar përrallat e më pas u ka dhënë këshillat e para sesi duhet dhe sesi është më mirë të sillen në shoqëri. Babaxhane, ajo me shaka thotë se "Fshati SOS", është kthyer në një lagje normale të periferisë së kryeqytetit, ku fëmijët e braktisur gjejnë gjithçka që nuk do t'ua jepte një jetimore e thjeshtë. Merita është e kënaqur që ndodhet aty. "Tani nuk mendoj më se jam në punë", thotë ajo, ndërsa na tregon një numër të madh albumesh fotografish, ku ndodhen të gjithë "fëmijët e saj", të fotografuar në ditë festash. "Ditëlindje, Pashkë, Krishtlindje, Bajram e Ditë Ashureje, i festojmë të gjitha, madje e përdorim si justifikim për të ngrënë më shumë", thotë ajo ndërsa tregon për jetën aty.

Jeta në SOS

Sigurisht nuk mund t'ia zëvendësosh prindërit natyralë një fëmije, por sigurisht, mundesh t'i rrisësh me të njëjtën dashuri e t'i bësh të aftë për jetën. Kjo është pak a shumë filozofia e "Fshatit SOS". Aty të miturit bëjnë një jetë normale, të një familjeje, sigurisht për fatin e tyre të mirë nuk kanë problemet financiare e madje kushtet e tyre, janë më të mira se të mjaft fëmijëve që jetojnë me prindërit e tyre.

Historia dhe si funksionon “Fshati SOS”

Fshati i parë SOS, është ndërtuar më 1949 në Imst të Austrisë nga Hermann Gmeiner. Qëllimi i tij ishte të krijonte një familje, për fëmijët që nuk mund ta kishin atë. Të krijonte një jetë normale edhe për ata që nuk mund ta krijonin atë vetë. Gmeiner ishte i pari që lëshoi sinjalin "SOS" për fëmijët. Sigurisht, këtu nuk bëhet fjalë për një alarm, që vjen nga ndonjë qenie jashtëtokësore, por për një alarm në ndihmë të fëmijëve të braktisur. "Fshati SOS", në Tiranë është ndërtuar në vitin 1996 dhe tashmë ai ka 71 fëmijë e ndërkohë të parët fëmijë të rritur me përkujdesjen e këtij fshati kanë filluar të hedhin hapa të sigurt në jetë.
"Nëna SOS"
Fshati i fëmijëve të braktisur në Shqipëri, ka 13 "Nëna SOS". Kjo e fundit, kryesisht është një grua, që nuk ka impenjime familjare. Ajo mund të jetë e ve, e pamartuar, apo fëmijët e saj janë rritur e nuk kanë më nevojë për të. Gruaja që merr këtë punë, duhet të jetë nga 28 deri në 40 vjeç dhe sigurisht para se të pranohet, ajo kalon një test të vështirë mbi të dhënat e saj. Qëllimi i një "Nëne SOS", është të krijojë një familje. Sipas drejtuesve të fshatit të vetëm të këtij lloji në Shqipëri, ky i fundit u jep mundësi fëmijëve të kenë dashurinë e të paktën një prindi. Gjithashtu, fshati nuk i ndan fëmijët që janë të të njëjtit gjak.
Vëllazëria
Një nga gjërat e tjera të rëndësishme të "SOS", është që fëmijët e një shtëpie, të jetojnë të bashkuar. Në këtë mënyrë, ata rriten dhe lidhen me njëri-tjetrin, duke krijuar një vëllazëri të vërtetë. Madje, sipas Merita Revelit, ata nuk grinden shpesh, përveç ndonjë rasti, kur grinden me njëri-tjetrin për telekomandën. Sigurisht, fshati ka edhe mjaft elementë të tjerë të rëndësishëm për jetën e fëmijëve. Edukatorë, punonjës socialë, ato që quhen teze e mjaft elementë të tjerë, duke përfshirë edhe donacionet e atyre që ndihmojnë këta fëmijë.

 

Të dhëna

  • 1949 është viti i krijimit të organizatës "Fshati i Fëmijëve SOS"
  • 130 është numri i vendeve që kanë një "Fshat SOS"
  • 1996 është viti i krijimit të "Fshatit SOS" në Tiranë
  • 71 është numri i fëmijëve që ka tani fshati
  • 13 është numri i shtëpive, të gjitha vila dykatëshe
  • 13 është numri i "Nënave SOS" që punojnë me të miturit
 
 
PORTRET
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005