SARANDE-Është vendosur tashmë që procesi i ndarjes së tokës në Ksamil do të nisë para zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut.
Ky është vendimi i marrë nga një takim i bërë në paraditen e djeshme me përfaqësues të qeverisë dhe pushtetarët lokalë të Ksamilit dhe banorë të kësaj qyteze.
Komuna përfundon listat e përfituesve
Për këtë fakt tashmë të realizuar, kryetari i komunës së Ksamilit, Vesel Koçia, shprehet se "ka përfunduar nga ana jonë procesi i hartimit të listave të atyre personave që do të përfitojnë tokë në bazë të ligjit 7501". "Është marrë një vendim nga ana e qeverisë, se si dhe kush do të përfitojë tokë në Ksamil. Shpresojmë që kjo reformë të fillojë në muajin qershor", thotë Koçia.
Vendimi i qeverisë
Në Ksamil, pritet që në një nga mbledhjet e ardhshme të KRRTRSH-së, (Këshillit të Rregullim Territorit), të diskutohet për zgjerimin e vijës së verdhë të qytezës së Ksamilit. Pas kësaj procedure do të nisë plotësimi i dokumentacionit të atyre personave që do të pajisen përfundimisht me tokë. Por jo të gjithë banorët, që shtohen çdo ditë në Ksamil, do të bëhen pronarë të një toke këtu. Mësohet se, sipas vendimit të qeverisë për procesin e ndarjes së tokës në Ksamil, në këtë komunë ekzistojnë dy kategori njerëzish që do të trajtohen me pronësinë mbi tokën: Kategoria e parë, janë ish-punonjësit e fermës, të cilët duhet të kenë qenë të tillë deri në 1 tetor 1992 dhe madje të kenë pasur edhe gjendjen civile po në Ksamil, ndërsa në kategorinë e dytë do të llogariten të gjithë ata persona që do të përfitojnë tokë këtu nga vendimi 60 i qeverisë i vitit 1994, të cilët do të verifikohen si banorë të Ksamilit, pasi të kenë qenë të pajisur me dokumentacion të rregullt të gjendjes civile deri në vitin 1993.
Drejtori i tokave: Ja si do ndahet toka
Bardhyl Qilimi, drejtor i tokave në Ministrinë e Bujqësisë, tha se procedura për marrjen e tapive për tokën është kjo: Nga momenti që KRRTRSH-ja do të miratojë zgjerimin e vijës kufizuese të Ksamilit, ne do të fillojmë plotësimin e dokumentacionit të pronësisë. Në Ksamil janë dy kategori njerëzish. Në kategorinë e parë futen të gjithë ish-punonjësit e kësaj ferme, të cilët duhet të vërtetojnë qenien punëtorë të saj deri në vitin 1992 dhe në kategorinë e dytë do të llogariten ata persona që përfitojnë nga vendimi 60 i qeverisë i vitit 1994, i ndryshuar me vendimin 185, që konkretisht janë ata persona që kanë ardhur nga rrethet e tjera dhe vendimi i qeverisë i vë në të njëjtin pozicion, siç janë punonjësit e fermës.
Braktisja e tokës,
12 mijë ha tokë djerrë
FIER-Në Qarkun e Fierit rezultojnë se mbi 12 mijë e 761 hektarë fizikisht tokë bujqësore nuk punohet. Këto janë tokat e Myzeqesë, të cilat dikur kanë qenë hambari i Shqipërisë. Kësaj braktisjeje i shtohen edhe 4963 hektarë, e cila nuk është ndarë nga ligji 7501, ku 1433 hektarë janë tokë turistike dhe pjesa tjetër është zonë joturistike, të cilat do të përdoren si objekt për kompensimin e pronave. Në të gjithë këtë sipërfaqe kjo tokë nuk shfrytëzohet, për arsye se me urdhër të qeverisë është ndaluar qiradhënia e tokës. Ndërsa në zbatimin e ligjit 7501, në Qarkun e Fierit rreth 7880 hektarë nuk punohet dhe për faktin sepse brenda fondit të tokës së përgjithshme, që është planifikuar për t'u ndarë, këto janë toka të refuzuara për arsye se janë të varfra sidomos ato në zonat kodrinore dhe në tokat e kripura në vijën bregdetare. Sipas statistikave, në Prefekturën e Fierit mësohet se janë mbi 12 mijë hektarë tokë bujqësore në Fier, e Lushnjë, të cilat nuk punohen. Specialisti Edmond Strati shprehet se kjo vjen, pasi shumë fshatarë, të cilët disponojnë këtë tokë, e kanë braktisur atë, sepse e kanë humbur interesin. Kjo për arsye se prodhimet e tyre kanë kosto të lartë, kështu që nuk e përballojnë konkurrencën e prodhimeve bujqësore të importuara. Ujitja e tokave që është lënë pas dore, është një faktor tjetër, shprehet zoti Strati. Kanalet vaditës, gjatë viteve të tranzicionit, janë shkatërruar ose janë bllokuar me bimësi shumëvjeçare. Dhe fakti që shumë sipërfaqe toke përmbyten gjatë shirave tregon se nuk ka kanalizime ose ato janë të bllokuara. Kapacitetet ujore në rajonin e Lushnjës nuk mbulojnë më tepër se 48 për qind të sipërfaqes së tokës në përdorim, në Fier kjo shifër shkon deri në 30 për qind dhe në Mallakastër vetëm 11 për qind. Një problem tjetër, sipas fshatarëve në Seman, Fermë Çlirimi, ose fshatra në Komunën e Bubullimës në Lushnjë, është se shteti nuk u jep kredi afatgjatë që të investojnë në fara e plehra dhe në blerjen e makinerive bujqësore. Në zonën e Myzeqesë numri i traktorëve është i pamjaftueshëm, edhe pse 145 traktorë janë përfituar prej një granti japonez gjatë viteve 2000 - 2004. Në rast se nuk ndërhyhet, braktisja e tokës do të vazhdojë të shtrihet edhe në mijëra hektarë të tjerë.
Qëllon me thikë kushëririn për vijën e ujit
LIBRAZHD-Policia e komisariatit Librazhd, ka arrestuar dje paradite shtetasin Selman Facja, 71 vjeç, me banim në fshatin Urakë të Librazhdit. Dy net më parë ka sulmuar me thikë kushëririn e tij, Ramiz Facja, 45 vjeç. Sipas policisë, grindja ka ndodhur për një vijë uji. 45-vjeçari ndodhet në spitalin e Librazhdit në gjendje serioze për jetën. Ndërsa ndaj 71-vjeçarit ka nisur çështja penale. Në rrethet e prefekturës Elbasan kanë ndodhur disa vrasje, për shkak të pronësisë mbi ujin. Dhjetë muaj më parë, një shtetas nga Cërriku humbi jetën, pasi u sulmua nga fqinji i tij për një vijë uji.
Kukës, memorandum për hapjen e këndit amerikan
KUKES-Ambasada amerikane në Tiranë nënshkroi dje një memorandum mirëkuptimi me bibliotekën publike të Kukësit për hapjen e këndit të tretë amerikan në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar të kësaj ambasade, në mjediset e kësaj biblioteke, ky memorandum u nënshkrua nga z. Gregory Kay, drejtor i zyrës së marrëdhënieve publike dhe kryetari i Bashkisë së Kukësit, Osman Elezi. Këndi amerikan do të ofrojë një gamë të gjerë informacioni mbi Shtetet e Bashkuara, qeverinë, kulturën dhe letërsinë e saj. Këndi amerikan pritet të hapet përpara fundit të këtij viti. Këndi i parë amerikan u hap në Tiranë në shkurt të vitit 2004.
Vritet emigranti shqiptar në Greqi
DEVOLL-Një emigrant shqiptar është masakruar me thikë nga disa të rinj grekë, pas një grindjeje në një lagje të Athinës. 30-vjeçari nga rrethi i Devollit ka mbetur i vdekur në vend, ndërkohë që policia greke nuk ka mundur të ndalojë autorët e kësaj vepre. Sipas burimeve të policisë së Devollit, mësohet se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në lagjen Kalkidhë të kryeqytetit helen, kur një grup të rinjsh shqiptarë dhe grekë janë zënë pasi këta të fundit i kanë fyer atdheun. Varrimi i djalit është kryer dje në fshatin e tij të lindjes. |