Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 

Flet kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi

“Partitë politike, pika më e dobët e procesit zgjedhor”


Elona ZYLA
Qamil XHANI

Partitë janë pika më e dobët e procesit zgjedhor që po përgatitet e do të zhvillohet në Shqipëri më 3 korrik. Ky është mendimi i kreut të administratës së zgjedhjeve, Ilirian Celibashit. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka dhënë në një intervistë për "Tirana Observer" të gjitha arsyet se pse zgjedhjet e këtij viti do të shkojnë mbarë dhe cilat janë problemet që ai cilëson si më të rëndat e për të cilat duhet të ketë vullnet politik.
Sa garanci jepni ju personalisht, se procesi zgjedhor do të ketë ecuri normale?
Institucioni i KQZ-së po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur angazhimet që i rrjedhin atij nga Kodi Zgjedhor. Ne besojmë që përmbushja e këtyre angazhimeve, që rrjedhin nga ligji zgjedhor, do të sjellin edhe një proces zgjedhor të realizuar në përputhje me standardet, gjë që në fund të fundit do të thotë se çfarë i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në përgjithësi, ky proces është duke u realizuar në përputhje me detyrimet e ligjit. Po kuptohet që procesi zgjedhor dhe standardet e tij varen dhe nga faktorë të tjerë, veçanërisht nga subjekte të ndryshme zgjedhore, partitë politike, kandidatë e të tjerë. Kështu që gjithsecili në këtë garë elektorale duhet të përpiqet që maksimalisht të respektojë kërkesat e ligjit.
E dëmton apo jo procesin zgjedhor dhënia e rezultatit përfundimtar nga sonda-zhet që bëjnë OJQ-të?
Ligji ka parashikuar si rast ose njeh rastin e përgatitjes dhe dhënies së sondazheve, ka dhe një limit se deri kur do të publikohen këto sondazhe. Ligjvënësit kanë shkruar se lejohet të ketë sondazhe. Sesa sondazhet ndikojnë në zgjedhje është një çështje tjetër që ngelet për t'u parë. E rëndësishme është që ata të cilët përgatisin sondazhet, t'i përgatisin ato në përputhje me kriteret e caktuara. Të dhënat e tyre duhet të jenë reale. Ato duhet të vijnë si rrjedhojë e bërjes së sondazheve të sakta dhe të publikimit në atë afat që përcakton ligji.
Cila është pika më e dobët e procesit zgjedhor në Shqipëri?
Sipas mendimit tim, po dhe sipas asaj që është verifikuar nga institucionet ndërkombëtare, problemi ngelet te vullneti i partive politike. Në rast se partitë politike do të kenë vullnet maksimal, për të realizuar një proces zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare, unë besoj që gjërat do të shkojnë shumë mirë. Kjo është diçka që nuk e them unë, por është theksuar dhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare. Këto të fundit kanë konsideruar problematik vullneti e partive.
A ka saktësi dhe a janë në rregull listat e votuesve?
Ne nuk mund të japim një gjykim për këtë çështje, sepse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jashtë këtij procesi. Sigurisht ngelet për t'u parë në ditën e votimit se sa rezultat do të ketë procesi i përgatitjes së listës së zgjedhësit, sipas asaj që ka përcaktuar Kodi Zgjedhor.
Si e vlerësoni monitorimin e organizmave ndërkombëtarë?
Është një gjë shumë pozitive, që komuniteti ndërkombëtar është duke treguar një vëmendje të madhe dhe shumë serioze mbi procesin zgjedhor në Shqipëri. Është pozitive, për faktin se do të ketë një informacion të plotë dhe real mbi mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Kjo gjë do t'u japë mundësi atyre që në fund të arrijnë në konkluzione të sakta e të bazuara. Unë shpresoj që palët t'i binden verdiktit të komunitetit ndërkombëtar.

Tomorr Malaj: Komisionet Zonale nuk funksionojnë

Anëtari i KQZ-së, Tomorr Malaj, gjatë mbledhjes së ditës së djeshme u ka kërkuar partive politike të mos neglizhojnë me Kodin Zgjedhor. Shkak për këtë replikë të Malajt është bërë vonesa në ngritjen e Komisioneve Zonale Zgjedhore. Vetë Malaj preferon të flasë vetëm gjatë seancave të mbledhjeve në KQZ dhe jo në një prononcim jashtë saj. Ndërkohë që, gjatë ditës së djeshme ai ka deklaruar se partitë nuk duhet vetëm të kenë ankesa kundër Komisionit Qendror të Zgje-dhjeve, por të tregohen korrekte në zbatimin e ligjit. "Jemi vetëm një muaj larg ditës së zhvillimit të zgjedhjeve, ndërsa 25 Komisione Zonale Zgjedhore nuk funksionojnë fare", tha Malaj. Gjithashtu, Malaj tha se përfaqësuesit e partive politike të vendosur pranë KQZ-së kërkojnë llogari nga ky institucion, ndërsa vetë subjektet partiake i harrojnë detyrimet e tyre ndaj ligjit.

 

Flet Çlirim Gjata, njëri prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

“Zgjedhjet mund t’i prishë ndonjë vullnet i keq”

Gjata: Ne po punojmë e po marrim masa për të plotësuar standardet

Anëtari i KQZ-së, Çlirim Gjata, ka dhënë garanci për një proces zgjedhor normal dhe të rregullt. Sipas tij, këtë mund ta prishë vetëm një vullnet i keq politik. Ai mendon se për të parën herë KQZ-ja nuk ka punë me listat zgjedhore, pasi këtë kompetencë e ka Ministria e Pushtetit Vendor.
Sa garanci jepni ju që procesi zgjedhor do të ketë ecuri normale?
Nuk është se po prodhojmë mjete elektronike dhe japim një garanci të caktuar, kështu që nuk mund të them se procesi zgjedhor do të shkojë 100 për qind në rregull dhe do të plotësojë të gjitha standardet e kërkuara. Kjo nuk është çështje për të dhënë garanci, ne po punojmë, po marrim masa dhe po kontribuojmë të gjithë pa ndonjë ndarje fiktive, siç po thuhet nëpër media që ky proces të plotësojë standardet dhe të kemi më në fund një proces të lirë dhe të ndershëm, ashtu siç e duan vetë shqiptarët që të shkojnë dhe të votojnë. Garanci? Kjo është puna jonë. A do japë rezultat? Unë shpresoj se do japë. E vetmja gjë që mund ta prishë këtë garanci është ndonjë vullnet i keq. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon, po zbaton të gjitha detyrimet e tij ligjore për të pasur një proces zgjedhor sa më të mirë.
E dëmtojnë apo jo procesin dhe dhënien e rezultatit për fituesit e zgjedhësve, sondazhet që bëhen?
Sondazhet nuk bëhen vetëm në vendin tonë. Megjithatë, është hera e parë që bëhen sondazhe në prag zgjedhjesh në Shqipëri. Është normale të ketë gjithmonë një herë të parë, do ndodhte mos kësaj radhe, herën tjetër. Më mirë që filloi. Nuk është e rëndësishme a bëhen sondazhe apo nuk bëhen, e rëndësishme është që ai që i bën këto sondazhe të ketë garanci, jo sondazhe për t'i bërë qejfin apo reklamë dikujt, por sondazhet të jenë brenda standardeve të sondazheve.
Cila është pika më e dobët e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri?
Unë jam optimist për këto zgjedhje, sepse besoj se gjërat do shkojnë për mbarë. Do të bëhet mirë të punojnë detyrimisht të gjithë. Ka shumë rëndësi ky moment. Vë re që janë shumë faktorë që kanë ndërhyrë fort për çështjet e listave, duhet të ishte bërë një punë më e mirë.
A janë të rregullta listat e votuesve?
Listat nuk bëhen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por bëhen nga njësitë vendore ku përgjigjet kryetari i kësaj njësie. Këto janë drejtuar dhe menaxhuar nga Ministria e Pushtetit Vendor. KQZ-ja i ka "jashtë duart" kësaj radhe. Por nuk mund të them që listat janë plotësisht të sakta. KQZ-ja vetëm kësaj radhe me ligj nuk ka të drejtë mbi listat.
Si e vlerësoni monitorimin e organizmave ndërkombëtarë?
Në një nivel shumë të lartë, të paktën kështu e shikoj këtu në KQZ. Monitorimi, ndihma, sugjerimet, orientimet e eksperteve, taki-met me to janë për t'u vlerësuar. Unë është hera e parë që jam anëtar i KQZ-së, marr pjesë direkt në një proces zgjedhor, e nuk mund të them si ka qenë herët e tjera, sepse e kam ndjekur nga mediat, por kësaj radhe në nivel shumë të lartë.

Pandeli Varfi: Pse s'duhet të ndërrohen anëtarët e KZZ-ve

Pandeli Varfi, anëtari tjetër i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka ngritur problemin e ndërrimit të anëtarëve të KZZ-ve. Sipas tij, ndërrimi i shpeshtë i tyre do të sjellë probleme gjatë procesit zgjedhor, pasi nuk kanë kohën e mjaftueshme për trajnim. Madje kjo mund të ndikojë dhe mund të sjellë probleme edhe në zhvillimin e një procesi normal zgjedhor. Për Varfin, që është anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që prej vitit 2000, probleme të kësaj natyre duhet t'u jepet zgjedhje. Gjithashtu, nga ana e tij, Varfi nuk ka pranuar të komentojë problemet dhe punën e institucionit ku ai punon për mediat. Madje, ai thotë se më parë kishte kërkuar bërjen e një ligji të veçantë, ku anëtarëve të KQZ-së t'u ndalohej komunikimi me mediat.

Flet anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri

“Pse besoj që zgjedhjet do zhvillohen normalisht”

Ndryshimet në ligj dhe masat e marra e kanë bërë më të besueshëm procesin zgjedhor. E, sipas Klement Zgurit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, këto ndryshime do të ndikojnë për të pasur zgjedhje normale.
Sa garanci jepni ju personalisht, se procesi zgjedhor do të ketë ecuri normale?
Unë do të thosha se proceset zgjedhore të fundit janë përfshirë nga një klimë jo fort të pranueshme besimi. Këto kushte, që vijnë për shumë shkaqe ligjore ose joligjore kanë ndikuar negativisht në ecurinë e procesit zgjedhor. Këtë herë mua më duket se jemi në një moment tjetër. Nuk jemi në ato kushte që kanë krijuar frymë mosbesimi. Rregullimi i Kodit Zgjedhor, ose një pjesë e tij, kanë ndikuar pozitivisht në klimën parazgjedhore.
E dëmtojnë apo jo procesin zgjedhor dhënia e rezultatit përfundimtar nga sondazhet që bëjnë OJQ-të?
Sondazhet janë një eksperiencë e re në vendin tonë. Ndërkohë bota e qytetëruar i ka kthyer ato në perfeksion dhe në një farë mënyre shifrat e sondazheve janë të sakta e në krahasim me rezultatin përfundimtar të fituesve apo humbësve kanë diferenca të ngushta. Për mendimin tim ka të bëjë shumë kompetenca dhe serioziteti i një institucioni që nxjerr sondazhet. Në rastin e NDI-së mendoj se është një institucion prestigjioz që ka eksperiencë në këtë fushë, e ka vite që është prezent në Shqipëri.
Cila është pika më e dobët e procesit zgjedhor në Shqipëri?
Nëse do të më duhej ta përmblidhja me pak fjalë, do të thosha se është besueshmëria politike. Është kjo ajo që krijon pasigurinë e madhe. Por, nëse do të ndajmë apo fragmentizojmë këtë lloj besueshmërie, mendoj se janë një sërë faktorësh të tjerë.
A ka saktësi dhe a janë në rregull listat e votuesve?
Ka disa vite që listat e zgjedhësve kanë qenë problem. Ky nuk është thjesht një deklarim publik, por kjo gjë është konstatuar jo vetëm nga personat që janë marrë me administrimin e zgjedhjeve dhe nga forcat politike, por edhe nga raportet e vëzhguesve ndër-kombëtarë.
Si e vlerësoni monitorimin e organizmave ndërkombëtarë?
Besoj se monitorimi i një procesi zgjedhor nga organizmat ndërkombëtarë është një moment mjaft i rëndësishëm. Monitorimi lidhet me besueshmërinë e procesit.

 

Dodë Prenga: Çështja e sondazheve, një aspekt që meriton respekt

Sa garanci jepni ju që procesi zgjedhor do ketë ecuri normale?
Kërkesa për zgjedhje në standarde nënkupton standardet ligjore, dhe nga këtu burojnë detyrime të drejtpërdrejta për të gjithë faktorët pjesëmarrës, dhe sidomos për institucionin tonë të caktuar nga ligji për administrimin e tyre. Në një vështrim përmbledhës, janë të gjitha mundësitë që zgjedhjet të realizohen në përputhje me kërkesat e ligjit, pra në standardet e kërkuara.
E dëmtojnë apo jo procesin zgjedhor dhe dhënien e rezultatit për fituesit e zgjedhësve sondazhet që bëhen?
Çështja e sondazheve është një aspekt që meriton interes të veçantë. Ato janë një mjet i rëndësishëm për njohjen e realitetit në një numër të konsiderueshëm fushash, përfshi edhe zgjedhjet. Nuk ka ndonjë tregues që nga sondazhet zgjedhjet mund të dëmtohen, përkundrazi. Sondazhet zgjedhore nuk mund të publikohen në 5-ditëshin e fundit para datës se zgjedhjeve, që do të thotë se ligjvënësi e ka perceptuar ndikues tek zgjedhësit vetëm në këtë afat dhe prandaj e ka ndaluar. Jashtë këtij afati, ligji nuk e njeh ndikues sondazhin.
Cila është pika më e dobët e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri?
Nuk mund të fshihemi pas termave dhe të pohojmë për pozitivizëm se nuk ka probleme. Mosrealizimi i një liste zgjedhësish cënon drejtpërdrejt të drejtën e votuesve, barazia në konkurrim mund të cënohet nga mostransparenca e financimeve për fushatën apo nga mekanizmat elektorale për të përfituar më shumë mandate se sa realisht do t'i takonin një subjekti etj. Në çdo rast, efektet të tilla përbëjnë cënim të drejtpërdrejtë të standardeve ligjore të zgjedhjeve, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor, që do të thotë se janë të mundura nga mekanizmat ligjorë për parandalimin.
A ka saktësi dhe a janë të rregullta listat e votuesve?
Informacioni që kemi është i paplotë, pasi procesi vazhdon. Autoritetet e ngarkuar nga ligji për administrimin e procesit dhe të bërjes së listave, nuk i kanë përmbushur detyrimet e ligjit për listat, duke shtyrë afatin e bërjes së tyre. Në fakt, në lidhje me çështjen e listave ka pasur disa kërkesa dhe shqyrtime në KQZ. Për fat të keq, edhe aktiviteti ynë në këto çështje dhe në aspekte konkrete të listave apo problemeve të lidhura me to, ka qenë me mjaft probleme.
Si e vlerësoni monitorimin e organizmave ndërkombëtarë?
Kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm. Nuk e kam fjalën thjesht për garantimin e respektimit të ligjit nëpërmjet monitorimit, por sidomos për një asistencë të plotë dhe të përhershme profesionale dhënë institucioneve të vendit tonë, në procesin e hartimit dhe implementimit të ligjit. Prania e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve, shumë përpara ditës së votimit, është në vetvete një kontribut i drejtpërdrejtë i respektimit të rregullave nga të gjithë faktorët.

 

Dëshira Subashi: Procesi zgjedhor, ecuria normale

Sa garanci jepni ju që procesi zgjedhor do të ketë ecuri normale?
Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet, kemi disa muaj që po punojmë për të gjithë infrastrukturën zgjedhore. Është bërë edhe një plan, një program. Plani parashikon detajimin e çdo dispozite me akte ligjore dhe nënligjore, në mënyrë që të jetë sa më e thjeshtë në komisionet niveleve. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet, aq sa ka parashikuar ligji për një siguri, për aq sa i takon KQZ-së në zgjedhje.
E dëmtojnë apo jo procesin zgjedhor dhe dhënien e rezultatit për fituesit e zgjedhësve sondazhet që bëhen?
Nuk mund të jap ndonjë konsideratë për sondazhet. Sondazhet aplikohen në të gjithë botën kur zhvillohen procese zgjedhore. Unë nuk besoj se mund të dëmtojnë një procedim zgjedhor, sepse çdo votues ka bindjen e vet, të drejtën e vet për votën.
Cila është pika me e dobët e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri?
Unë nuk mund të them cila është pika më e dobët apo me e fortë, po mund të them momentet më delikate ndoshta. Mendoj se është parashikuar në ligj që partitë politike kanë të drejtën që mund të ndryshojnë komisionerët në çdo kohë. Moment tjetër delikat që hyn gjithnjë në trajnimin e komisioneve është edhe emërimi i personave që do të bëjnë numërimin e votave në qendër të KZZ-ve. Grupi i numërimit të votave, si rregull emërohet 2 orë përpara mbarimit të votimit. Kuptohet që kemi të bëjmë vetëm me disa orë në dispozicion të KQZ-së, për të bërë aq sa është e mundur trajnimin e këtyre personave 2 orë para mbarimit të votimit. Unë do dëshiroja që partitë politike të kishin bërë të mundur një listë të madhe të saj, që ata emërojnë në mënyrë që të kishte një trajnim shumë më të gjerë sesa personat që do të merren me numërimin e votave, por nuk e di sa do të realizohet. Shpresoj që kjo punë përgatitore mos të shkojë dëm për këto dy momente që kërkojnë një vëmendje të veçantë.
A ka saktësi dhe a janë të rregullta listat e votuesve?
Unë nuk mund t'i jap një përgjigje kësaj pyetje, sepse, sipas ligjit zgjedhor, listat e votuesve hartohen nga Pushteti Vendor dhe ne nuk kemi asnjë kompetencë për hartimin e listës. Shpresoj shumë me grupet e punës që janë për verifikimin e listave, me angazhimin e gjendjes civile dhe nga ana formale patjetër kanë paraqitur vështirësi, sepse dihet që tek ne regjistri kombëtar, shoqëria civile i ka pasur shumë të vakëta, por kjo varet nga fakti se si kanë punuar grupet e verifikimit të votuesve shtëpi më shtëpi.
Si e vlerësoni monitorimin e organizmave ndërkombëtarë?
Është një nga objektet më të mira dhe që jep siguri maksimale për atë çka do të thotë procesi i zgjedhjeve. Personalisht jam e kënaqur nga takimi i ODIHR-it që ka pasur me përfaqësues të KQZ-së, ku është folur për predispozicionin e plotë për ta monitoruar këtë proces zgjedhor. Kjo është një siguri më shumë për procedimin e zgjedhjeve dhe për të evidentuar çdo faktor të keq në këto zgjedhje, në mënyrë që rezultati të jetë i pranuar.

 
 
ARGUMENTI
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005