Zgjedhjet korrekte dhe
të ndershme, të cilat
do të zhvillohen më 3 korrik në Shqipëri, do të jenë kontribut për Kosovën. Kështu është shprehur në një intervistë për “Tirana Observer”, analisti kosovar, Milazim Krasniqi. Ndër të tjera, ai tregon edhe gjendjen politike në këtë vend gjashtë vjet pas çlirimit, si dhe si e shikon pavarësinë e Kosovës.
Më 11 qershor, Kosova do të përkujtojë 6-vjetorin e çlirimit. Cili është vlerësimi juaj për gjendjen në këtë vend?
Padyshim, ndërhyrja e NATO-s për të ndërprerë spastrimin etnik dhe gjenocidin kundër shqiptarëve të Kosovës, ishte një nga aktet më kulmore të humanizmit të aleancës veri-atlantike, sepse mundësoi që shqiptarët të kthehen në Kosovë dhe të fillojnë krijimin e jete normale në kushte e lirisë. Gjashtë vjet pas çlirimit, padyshim që shumë nga problemet kanë ngelur pa u zgjidhur, por ajo që është më e rëndësishme, është fakti se shqiptarët e Kosovës kanë jetuar vërtet në një Kosovë të lirë.
Si e shihni të ardhmen e klasës politike kosovare?
Në Kosovë janë të formuara dy blloqe të mëdha politike, të cilat përfaqësohen nga njëra anë, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe në anën tjetër nga Partia Demokratike e Kosovës. Në fakt, të dyja këto parti mendojnë se mbajnë autorësinë mbi projekte të mëdha dhe mbi misione të mëdha historike. Realisht, do të thotë se skena politike është pak a shumë e bllokuar, në dy fronte, në dy blloqe dhe hapësira për alternativa më liberale, më socialdemokrate, praktikisht është e ngushtuar. Kjo do të vazhdojë edhe për sa kohë që edhe UNMIK-u dhe administrata ndërkombëtare është e interesuar që të kontrollojë më lehtë proceset politike në Kosovë.
A ka filluar të ketë efekt qeveria Kosumi?
Mendoj se qeveria e Kosovës, si ajo e Haradinajt, si kjo e Kosumit, kanë pasur një impenjim të plotë në një aspekt, në realizimin e standardeve për Kosovën.
Së shpejti do të fillojë procesi i vlerësimit të standardeve, i cili nuk pritet që të jetë i lehtë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare....
E para, nuk mund të paragjykoj se si do të vlerësohen standardet nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, sepse ajo është kompetencë e tyre. Ajo që unë mund të vlerësoj si qytetar i këtij vendi dhe si analist politik, është që ka një përpjesëtim të madh të asaj që proklamohet si vlerësim i standardeve dhe të asaj se sa standardet realizohen realisht. Unë nuk parashoh se ai do të jetë aq i shpejtë dhe aq i lehtë dhe kështu që me çështjet e standardeve do të merremi ndoshta edhe në vitet që vijnë.
Sipas mendimit tuaj, kush janë partnerët kryesorë ndërkombëtarë të Kosovës, në rrugën drejt pavarësisë?
Unë nuk jam në favor të teknikave bardh e zi të partnerëve dhe të armiqve. Në fakt, Kosova nuk ka as miq të përhershëm dhe as armiq të përhershëm, në këtë aspekt. Në këtë drejtim, padyshim që qëndrimin më të avancuar e paraqesin amerikanët dhe britanikët.
Në këtë aspekt, mendoni se Shqipëria ose politikanët shqiptarë kanë bërë aq sa kanë mundur, ose më të mirën e mundshme, deri tani për Kosovën?
Kontributi i Shqipërisë për Kosovën nuk duhet të shihej në kontekstin e kontributit të qeverisë, apo të konjukturave politike. Unë mendoj se ndihma që ka dhënë Shqipëria për Kosovën është e jashtëzakonshme në planin humanitar dhe planin kombëtar, veçmas në kohën e krizës së madhe në vitet 1998-99, e sidomos në 1999-ën. Kjo është një ndihmë e cila është e pashembullt. Unë besoj se Shqipëria kontributin më të madh Kosovës do t’ia jepte nëse do të arrinte të bënte zgjedhje korrekte dhe të ndershme për vete në 3 korrik, dhe nëse prej saj do të rezultonte një qeveri, e cila do ta shpinte Shqipërinë në marrëveshjen e stabilizim-asocimit, do ta shpjerë në anëtarësimin në NATO dhe ky do të ishte kontributi real i Shqipërisë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.
Pas arrestimit të Haradinajt
“Unë mendoj se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë një parti e afirmuar falë individualitetit personal të Ramush Haradinajt”, shprehet analisti Krasniqi. Sipas këtij të fundit, ajo është një parti e paprofilizuar në këtë aspekt dhe pas shkuarjes së Haradinajt në Hagë, ajo besoj se mbahet në këmbë si një parti në pushtet.
Kryeministri
francez jep dorëheqjen
Kryeministri francez, Jean Pierre Raffarin, ka dhënë dorëheqjen pas humbjes që pësoi qeveria në referendumin e të dielës mbi Kushtetutën e BE-së. Jean Pierre Raffarin duket se u bë viktima e dështimit dramatik të presidenti Shirak për të bindur francezët të pranojnë Kushtetutën evropiane. Ai qëndroi një orë në pallatin “Elize” për të ofruar dorëheqjen, pastaj u largua duke buzëqeshur. Duke u kthyer në zyrën e kryeministrit për herë të fundit, ai në një fjalim, justifikoi përpjekjet e tij për të reformuar Francën. Por bëri me dije se këto reforma nuk ishin pranuar nga populli francez. Ai premtoi t’i ofrojë përkrahje pasuesit të tij, Domenique de Villepin, i cili duhet të vazhdojë me projektin jetik evropian. Si diplomat i karrierës që nuk është zgjedhur asnjëherë në post publik, ai më shumë se gjithë të tjerët tipizon elitën franceze që me aq forcë u kundërshtua nga populli francez, të dielën. Por Villepin tani është personi që duhet të ribashkojë këtë komb të ndarë pas referendumit.
Shqiponjat “bllokojnë” Lojërat Olimpike
KANADA - Një çift shqiponjash, i një lloji që jetojnë në Amerikën e Veriut, kanë bllokuar punimet për ndërtimin e autostradës që do lidhë qytetet kanadeze Vankuver dhe Uistler. Arsyeja ishte, pasi shpendët ishin në periudhën e dashurisë. Zogjtë e mëdhenj grabitqarë janë duke kryer ritet e njohjes dhe duan të krijojnë folezën e tyre, por kjo ndodhej në zonën ku duhej të hidhej dinamit, pasi po rregullohej rruga që do të shërbejë për Lojërat Olimpike dimërore të 2010-ës. Kështu që punimet ndaluan dhe të pasionuarit e natyrës i filmuan teksa shqiponjat shkëmbenin ushqim me njëra-tjetrën.
Gjykata “dënon” adoleshentin të dobësohet
ITALI – Një djalë 17-vjeçar nga Ankona është arrestuar, pasi nga pesha e tepërt kryente gjeste të vogla kriminale. Ai gënjente, fyente dhe shkruante nëpër mure. Gjykata i dha një dënim që të frekuentojë shkollën për një vit, të kryejë punë vullnetare, të frekuentojë kurse mekanike dhe padyshim të dobësohet. Marrja e këtij vendimi erdhi pasi psikologët dhe asistentët socialë u shprehën se ajo që e bënte “të keq” ishin kilet e tepërta. Në këtë mënyrë e pengonin të afrohej me të rinjtë e së njëjtës moshë.
Postera për priftërinjtë
BRITANI – Kundër krizës për priftërinj të rinj, kisha angleze ka gjetur një ide shumë origjinale për të bërë publicitet. Në vend që të bëhet reklamë nëpër gazeta apo televizione, do të vendosen shënime poshtë gotave të birrës apo postera në metrotë e Londrës. Slogani i kësaj fushate është: “Vish rrobat klerike për sfidën e një jete të tërë”. Këto gota do të vendosen pranë festivaleve të të rinjve. Kjo fushatë bëhet për të ndryshuar idenë e njerëzve për kishën dhe nëse do të ketë sukses fushata do të shtrihet në tërë vendin.
|