Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 

Pas alarmit të mediave greke për patatinat me përbërës kancerogjen, reagojnë institucionet shqiptare

Bllokohen patatinat “Cheetos Pizza”

Ministria e Bujqësisë: Do bëjmë analizat e patatinave që gjenden në Shqipëri


Mirvjena DIZDARI

Ministria e Bujqësisë dhe e Ushqimit ka bllokuar të gjitha patatinat "Cheetos Pizza", të cilat gjendeshin në magazinat e Gjirokastrës, Tiranës dhe Korçës. Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë kanë theksuar se ende nuk dihet nëse këto patatina përmbajnë "Para Red" (substancë kancerogjene). Sipas Ministrisë së Bujqësisë, në këtë institucion nuk ka asnjë lajm zyrtar lidhur me patatinat kancerogjene. Në këto raste njoftimet vijnë nga Brukseli, nga zyrat e ALERT (raportet për ushqimin), ndërkohë që në Ministrinë e Bujqësisë nuk ka ardhur asnjë njoftim i tillë.
Kontrolli
Të gjitha patatinat "Cheetos Pizza", të bllokuara në Shqipëri, do t'i nënshtrohen një kontrolli nga Inspektorati i Higjienës. Drejtori i Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Ushqimeve, Nazri Haxhia, ka theksuar se patatinat "Cheetos Pizza", të importuara nga Greqia, do t'i nënshtrohen një kontrolli. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, kanë theksuar se në momentin që këto produkte janë importuar në Shqipëri, i janë nënshtruar një kontrolli dhe kanë rezultuar pa probleme. Ndërkohë, kompania "Elka", e cila ka sjellë në Shqipëri patatinat "Cheetos Pizza", është duke i tërhequr këto produkte nga të gjitha pikat e shitjes, derisa të dalin rezultatet e analizave.
Njoftimi
Alarmin për ushqimet kancerogjene dhe me përbërës të lartë intoksikues e kanë dhënë gjatë dy ditëve të fundit pothuajse të gjitha mediat greke, të cilat paralajmërojnë konsumatorët që të mos konsumojnë produktin "Cheetos Pizza", të prodhuar nga kompania "Tasty Food". Sipas analizave të Ministrisë së Kujdesit dhe Shëndetit, në produktin "Cheetos Pizza" është gjetur një sasi e madhe e përbërësit me aftësi ngjyruese "Para Red", e cila mund të shkaktojë sëmundje kancerogjene dhe vdekje të personave që e konsumojnë. Sipas gazetave greke, alarmi, së pari, ka ardhur nga Holanda, ku "Tasty Food" kishte hedhur në treg dy produkte të tjera të saj. Pas rasteve të Holandës, Ministria greke për Kujdesin e Shëndetin dhe Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetit në KE, kanë ndaluar në mënyrë kategorike konsumimin e këtyre produkteve, duke cilësuar si ushqim me rrezikshmëri shumë të lartë "Cheetos Pizza". Kështu, përveç të dhënave për rrezikun e ushqimit, mediat greke kanë bërë të ditur se tregu kryesor i kësaj kompanie dhe i produktit "Cheetos Pizza", janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina dhe Bullgaria, ku ky produkt ka hyrë në masë të madhe e është i konsumueshëm prej disa kohësh. Mediat greke theksojnë se përbërësi ngjyrues "Para Red" dhe "Cheetos Pizza" janë kategorikisht të ndaluara për të hyrë në tregjet e vendeve të Bashkimit Evropian. Për sa i përket rastit të Holandës, fabrika greke ka eksportuar në këtë shtet rreth 1 mijë e 500 kilogramë nga dy produkte të tjera, të cilat kanë paraqitur rrezik të lartë për konsumatorët.

Gjirokastër, sekuestrohen 1200 koli patatina

Pas lajmit të publikuar në mediat greke dhe njoftimit të ardhur nga Ministria e Bujqësisë në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër janë marrë masat për të ushtruar kontroll tek të gjitha subjektet importuese të patatinave në rajonin jugor. Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Gjirokastër, Skënder Seferi, thotë se janë ngritur 2 grupe kontrolli me specialistë, të cilat kanë ushtruar kontroll mbi të gjitha magazinat e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në rajonin jugor dhe veçanërisht në firmën "ELKA" që është një nga importueset kryesore të këtyre produkteve në vend. Sipas tij, ata kanë shkuar në magazinat qendrore të kësaj firme që gjenden në fshatin Vrisera të Dropullit të Sipërm. Me drejtuesit e kësaj firme është gjetur mirëkuptim i plotë. "Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur patatina të llojit "Chetos Piza". Nga grupi i kontrollit është bërë bllokimi i 1200 kolive me patatina dhe janë dërguar kampionë për të bërë analizat përkatëse në laboratorin e Tiranës", thotë Seferi. Ndërkohë që nga kontrollet e ushtruara në firma të tjera nuk janë gjetur patatina të këtij lloji. Në prononcimin e tij, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë shton se kjo sasi do të qëndrojë e bllokuar për sa kohë të mbërrijnë analizat nga Tirana dhe në varësi të përgjigjes që do të merret do të shkohet më tej në sekuestrimin ose jo të tyre. "Nga firma "ELKA" janë marrë gjithashtu edhe dokumentet përkatëse që shoqërojnë mallin si: certifikata me përbërësit fiziko-kimikë të produkteve, elementët përbërës, afati i skadimit etj.", sqaron Seferi. "Firma "ELKA" është një nga më korrektet në zbatimin e rregullave dhe kryerjen e procedurave, dëshiroj të them gjithashtu, se këto lloj patatinash kishin si afat skadimi datën 19.11.2005. Pra, brenda afateve të lejuara dhe ç' është më e rëndësishmja kjo datë skadimi nuk përputhet me atë të produkteve ku është përdorur elementi Para Red që dyshohet të këtë pasoja për shëndetin e njeriut", shprehet drejtori Skënder Seferi.

Në Shqipëri s'ka patatina me përbërës "Para Red"

Në Shqipëri, patatinat të cilat kanë ngjyrosësin "Para Red" nuk kanë hyrë në Shqipëri. "Përbërësi 'Para Red' është përdorur vetëm në produktin 'Cheetos Pizza' me datë skadence nga 23.06 .2005 deri më 14.07.2005. Produktet me këto data skadimi nuk kanë hyrë në tregun shqiptar", thuhet në deklaratën zyrtare të kompanisë "Tasty Food". Kompania është njoftuar se një ngjyrosës ushqimor i pamiratuar nga Bashkimi Evropian, i quajtur "Para Red", është vënë re në erëzat që kompania ka blerë dhe përdorur për prodhimin e një sasie shumë të vogël të "Cheetos Pizza". Menjëherë pas këtij njoftimi, autoritetet lokale dhe evropiane të garantimit të cilësisë së ushqimeve, konfirmojnë se niveli shumë i ulët i "Para Red" (4 në 1 miliard, ndërkohë që shumë shtete evropiane pranojnë nivele nga 100 deri në 1000 për 1 miliard) i gjendur në produkt nuk është i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve. "Megjithëse ky përbërës nuk përbën rrezik për konsumatorët, kompania "Tasty", në bashkëpunim me autoritet e garantimit të cilësisë së ushqimeve në Greqi, ka ndaluar përdorimin e saj dhe ka tërhequr nga qarkullimi këtë përbërës, i cili gjendej në treg me sasi shumë të vogla. Ky veprim u ndërmor nga kompania për të mos krijuar asnjë shqetësim tek konsumatorët", theksohet në një njoftim zyrtar të kompanisë.

 
 
PRONAT


 

 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005