Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Lefter Koka, kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, tregon për punën e bërë dhe premtimet e mbajtura
“Ja rruga që do t’i sjellë Durrësit 300 mijë turistë”
Kryebashkiaku: Investimet kryesore janë bërë në zonën e plazhit, për t’u sjellë më shumë komoditet turistëve që pritet të vijnë këtë verë

Dorina Topollaj

Një personalitet i njohur ka thënë se nëse do të shikosh se sa i zhvilluar është një vend, shikoji rrugët. Po të shikosh shëtitoren e plazhit të Durrësit që fillon nga ura e Dajlanit e përfundon te Plepat, krijon përshtypjen se je larguar nga Shqipëria. Ky ishte një nga premtimet që kryetari i Bashkisë së Durrësit, Lefter Koka, e ka bërë realitet. Një rrugë e asfaltuar, e ndriçuar dhe e gjelbëruar, shtrihet 4.3 kilometra e gjatë dhe i fton turistët të mendojnë ndryshe jo vetëm për plazhin e Durrësit, por edhe për Shqipërinë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Lefter Koka, kryebashkiaku i Durrësit, tregon se sa ndikon kjo rrugë në afrimin e turistëve, sa pushues pritet të vijnë këtë vit, çfarë shërbimesh do t’ju ofrohen më shumë sesa vitin e kaluar, cilat janë investimet kryesore në zonën e plazhit e të qytetit, si dhe problemet që ende s’janë zgjidhur përfundimisht.
Një nga premtimet tuaja gjatë fushatës për zgjedhjen tuaj në krye të Bashkisë së Durrësit, ishte edhe shëtitorja e plazhit, e cila është duke përfunduar. Për sa kohë do të përfundojë dhe sa mendoni se do ndikojë për afrimin e turistëve për pushime në Durrës?
Unë kam realizuar një pjesë të premtimeve që u kam bërë qytetarëve të Durrësit në fushatë dhe pjesën tjetër besoj do ta realizoj gjatë mandatit tim. Shpëtova një zonë që ishte zona e plazhit. Zgjerova vijën turistike të Durrësit që është zona e Currilave, një zonë nevralgjike për qytetarët e Durrësit. Shëtitorja që është gati në përfundim, është në të njëjtat zëra në të cilat u planifikua në fillim. Ajo është 4.3 kilometra e gjatë dhe besoj se do të krijojë një mjedis më komod për turistët, si dhe për qytetarët e Durrësit.
Sa turistë priten që të vijnë këtë sezon në Durrës?
Si çdo fushë tjetër, në Shqipëri ku gjërat po ndryshojnë me ditë, unë do të thosha që dhe parashikimet në këtë sezon turistik, sigurisht mund të jenë më të ndryshme nga viti paraardhës. Shqipëria në tërësinë e saj ka progres, kështu që edhe fusha e turizmit ka të njëjtin parashikim. Unë mendoj se investimet e kryera do të japin frytin e tyre. Sigurisht që është viti i parë që këto investime do të konfrontohen me turistët, qofshin ato vendas apo të huaj, megjithatë parashikimet tregojnë se fluksi do të jetë shumë më i madh. Investimet, tashmë janë bërë prezente edhe në rajone të tjera të vendit. Dhe shpresojmë që ndoshta ky vit do t’i paraprijë sezonit pasardhës për të qenë një sezon akoma më cilësor.
A mund të na thoni shifra konkrete?
Do thosha se nga 250 mijë ka qenë parashikimi i vitit të kaluar, këtë sezon do të ketë minimalisht një rritje të konsiderueshme, ndoshta 50 mijë ose 60 mijë pushues më shumë.
Çfarë masash keni marrë për përballimin e fluksit?
Unë do të thosha që kërkuam të ngjallnim një zonë, që do ta quaja të vdekur. Ndoshta objektivat i arritëm. Mendojmë që rikthyem shpresën për të bërë një zonë turistike dhe investimet e bëra, sigurisht janë të shifrave të mëdha. Krahas investimeve të bëra, bashkia vetë me ndërmarrjet në varësi ka ndërmarrë një sërë masash ku do të cilësoja pastrimin e rërës, sistemimit të ndërmarrjes së pastrimit, mbetjeve urbane, organizmit të departamentit të kulturës të një sërë aktivitetesh përgjatë sezonit dhe besoj që ndoshta të gjitha defektet e konstatuara gjatë vitit paraardhës janë marrë në konsideratë dhe besoj që do të bëhet më e mira.
Një turist që do të vijë të kalojë pushimet në Durrës këtë vit, çfarë do të gjejë më shumë se vitin që shkoi?
Një turist që vjen në një qytet, nuk kërkon vetëm një det të pastër, kërkon rërë të pastër, kërkon një jetë më të larmishme, kërkon ujë, kërkon drita. Prandaj dhe pikërisht në këto zëra është punuar me shumë vëmendje. Zona e plazhit në këtë sezon do të ketë ujë shumë më shumë nga sezoni i vitit të shkuar, energjia s’besoj se kishte probleme as vitin e shkuar, pastërtia është e një niveli më të lartë. Është shtuar numri i punëtorëve dhe ndërmarrja e pastrimit dhe gjelbërimit funksionon më vete, vetëm për zonën e plazhit. Të gjithë këto elementë do të japin një shërbim më cilësor për turistët.
Ju keni bërë thirrje për unifikim çmimesh për të mos abuzuar me turistët. Çfarë veprimesh keni ndërmarrë konkretisht në lidhje me këtë çështje?
Bashkia mund të luajë rolin e koordinatorit në një ekonomi tregu në të cilën nuk mund të diktojë. Por, ne kemi kërkuar dhe kjo është e veçanta e kësaj administrate ku bashkëpunimi me operatorët privatë ka qenë shumë më efikas. Ne u kemi kërkuar të gjithë operatorëve në zonat e plazhit që të mundohen të unifikojnë çmimet, ta konsiderojnë këtë zonë turistike jo të nivelit elitar. Pra, pushuesit që preferojnë këtë zonë nuk mund t’i mendojmë njerëz që kanë të ardhura të mjaftueshme për të pushuar dhe ajo që është e veçantë, mendojmë se kemi gjetur një gjuhë bashkëpunimi, jemi kuptuar, për të mundësuar që Durrësi të mos jetë një zonë e frekuentuar vetëm dy-tre muajt e sezonit veror, por gjatë gjithë vitit. Ndoshta kjo do të jetë e veçanta e Durrësit dhe që duhet me çdo kusht të realizohet. Pra, që zona e plazhit me investime aq të mëdha, nuk mund të jetë një zonë e shfrytëzuar vetëm për dy muaj. Unë besoj, se gjatë gjithë vitit kemi pasur shumë takime dhe shpresoj se do të realizojmë atë çka dëshirojmë.
Për sa i përket investimeve, sipas jush cilat kanë qenë investimet më të realizuara?
Ndoshta në çdo qytet të rëndësishëm të Shqipërisë ndërtimet janë pjesa më e rëndësishme. Shumë investime janë bërë për sa i përket apartamenteve private, por edhe ambienteve të shërbimit si hotelerive dhe restoranteve. Ne, sigurisht, jemi akoma larg për të evidentuar shërbimin që kryhet në shtëpitë private. Sigurisht, kjo përbën edhe një element shumë të rëndësishëm ku bëhet një konkurrencë ku ka dhe një evazion. Por, megjithatë, këto janë probleme që janë prezent edhe në shtete më të zhvilluara, por ne kërkojmë gradualisht që të evidentojmë edhe këto probleme për të mundësuar që në tërësinë e saj, e gjithë zona dhe investimet e bëra të rikuperohen në një kohë sa më të shpejtë. Janë bërë investime shumë serioze për sa i përket hotelerisë. Unë do të përmendja ndoshta disa prej tyre, siç është Adriatiku, Filadelfia e të tjera me radhë. Por një element që duhet sa më shpejt të rikuperohet është cilësia e shërbimit. Në Durrës funksionon tashmë një shkollë profesionale për sa i përket shërbimit. Ndoshta ky do të jetë edhe çelësi i suksesit. Nëse do të kishim kamarierë më cilësorë, kuzhinierë më cilësorë, administratorë më cilësorë, këto janë elementë që gjithmonë e më shumë mund ta bëjnë prezent turistin në Durrës.
Po evenimentet artistike, sa do të jenë prezent në këtë sezon në Durrës?
Ndoshta vitin e kaluar në Durrës u kryen shumë aktivitete në mënyrë spontane, por, gjithsesi do të thosha se ishte qyteti që pati një jetë kulturore më të gjallë të Shqipërisë. Në këtë vit, e veçanta është se do të ketë një program të detajuar, i cili është përgjatë gjithë vitit jo vetëm për zonën e plazhit, por edhe për zonën e qytetit në shëtitoren “Taulantia”. Do të ketë të ftuar të ndryshëm, aktivitete të ndryshme, dhe besoj se të ftuarit që janë programuar që të jenë prezent në Durrës, do të joshin qoftë shijet mesdhetare, ballkanase dhe evropiane. Kjo punë është e bërë nga Departamenti i Kulturës. Në Bashkinë e Durrësit, çdo departament bën punën e tij dhe kështu shërbehet qyteti në tërësi.
A do t’i kalojë kryebashkiaku i Durrësit pushimet në plazhin e këtij qyteti?
Unë nuk e di nëse do të kem pushime, pasi detyra që kam është shumë impenjative dhe shpeshherë ka edhe disa burokraci të cilat janë të tepërta, por që të mbajnë të lidhura me punën, për shkak të njerëzve të cilët varen nga to.
Ju kanë cilësuar si kryebashkiakun më të suksesshëm pas Edi Ramës. Si ju bën të ndiheni ky cilësim me të cilin u veshin njerëzit?
Ajo që është më kryesorja, është që unë pas një viti e gjysmë ndihem mirë më qytetarët e Durrësit. Sigurisht që shqetësimet në muajt e parë ishin mjaft të mëdha, njohja e realitetit nuk përkonte me atë çfarë unë kisha menduar, problematikat ishin shumë më të vështira për t’u zgjidhur. Megjithatë, pas një viti e gjysmë, unë ndihem i kënaqur për çka kam bërë. Sigurisht që Rama është një nga kryebashkiakët e evidentuar tashmë në Shqipëri. Unë nuk e kam parë si pikë referimi për më të mirin, apo dikë tjetër për më të dobëtin. Qëllimi im është të bëj më të mirën dhe Durrësi të radhitet në qytetet e preferuara të Shqipërisë. Mendoj se është një qytet që ka vlera historike, është një qytet 3000-vjeçar dhe dua që në mandatin tim të lë gjurmë të mira, të cilat t’i shërbejnë Durrësit dhe personalisht mua dhe familjes sime.
Si do t’i zgjidhni problemet më kryesore të Durrësit, tashmë që ka kaluar një vit e gjysmë nga zgjedhja juaj dhe ju jeni më pranë vështirësive reale?
Të evidentosh në një vend siç është Shqipëria apo Durrësi, është shumë e thjeshtë dhe këtë e bën çdo qytetar. Të kërkosh të bësh zgjidhjet e tyre do të hasësh mijëra probleme legjislative, e të tjera me radhë. Sigurisht çdo kryetar bashkie, po flas të paktën për rastin tim, ka ëndrra shumë për të pasur sa më mirë qytetin e tij. Por problematikat në një vend, akoma për fat të keq në tranzicion, nuk janë të thjeshta. Unë do të dëshiroja të realizoja në një kohë më të shpejtë, problemin e ujit të pijshëm në qytet, si dhe të zgjidhja problemin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Për vetë specifikën e veçantë që ka qyteti i Durrësit, që është nën kuotën e detit dhe për çdo moment mund të paraqesë një rrezikshmëri për qytetin. Sigurisht, është bërë një punë shumë e madhe, e cila është nën tokë dhe për pasojë nuk shihet. Unë do të thosha se edhe në dimrin që kaluam, Durrësi ishte në një situatë më të mirë nga vitet e kaluara. Një sërë punimesh janë lënë për t’u bërë në sezonin e verës, që dimri ta gjejë më të rehabilituar qytetin. Unë do të doja që në mandatin tim të bëja më të mirën dhe që pasardhësi im i çfarëdolloj partie politike, mund ta vazhdojë këtë garë të nisur. Do më vinte shumë keq që një ditë të bukur, influencat politike të bënin të kundërtën. Do më vinte keq nëse një punë e mirë nuk do merrej në konsideratë. Nuk është vetëm puna ime, është një punë e 180 vetëve që janë në administratën e bashkisë, të cilët janë profesionistë, dhe e duan qytetin e tyre.
Shpeshherë jeni sulmuar nga opozita...
Ky është një fenomen që ndodh në çdo vend të botës. Sigurisht në një mënyrë më të moderuar, për vetë faktin se janë edhe vende me një histori më të vjetër demokratike. Te ne po ndodh një fenomen shumë i habitshëm. Shpesh sheh politikanë që ndoshta nevojat fiziologjike, i kanë transformuar në domosdoshmëri politike. Unë nuk vij nga kjo botë, jam shumë më i qetë se aq. Kërkoj të administroj detyrën që më është caktuar. Jam i bindur se që në fillimet e punës në biznes, xhelozohej dhe puna i atribuohej rastësisë dhe fatit, por unë arrita në nivelet që ëndërroja. Mendoj se edhe puna që kam në drejtim të qytetit dikë e xhelozon, dikë e bën të ndihet keq. Për pasojë, ndoshta prandaj vijën edhe akuza shpesh edhe absurde. Unë personalisht, si Arian Çani që kërkon lekë për atë shkrimtarin, unë do të kërkoja që qyteti të paguante për gaztorë të atillë, sepse nuk mund të vijnë gjithmonë gratis. Por vetë jam shumë i qetë dhe tashmë pas një viti e gjysmë në detyrë nuk më shqetësojnë më.

 
 
INTERVISTA
“Ja rruga që do t’i sjellë Durrësit 300 mijë turistë”


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005