Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Flet shkrimtari i njohur, Nasho Jorgaqi
“Vlerësimet e Enverit dhe Kadriut për ‘Mërgatën e qyqeve”

L uan KONDI

(Vijon nga numri i kaluar)

Shkrimtari Nasho Jorgaqi guxoi të prekë temën më të vështirë të kohës, atë të Luftës së Ftohtë, apo siç quhet ndryshe dhe lufta e nëndheshme. Duhet të tregohej shumë i kujdesshëm se ndodhej në fije të perit, fare pranë suksesit dhe dështimit. Subjekti i romanit ishte interesant, por njëkohësisht, vështirësitë në realizimin artistik të veprës ishin evidente. Meqenëse do të trajtohej për herë të parë një problem me rëndësi, siç ishte ai i mërgatës politike shqiptare, që ishin dhe kundërshtarë të regjimit, kjo kërkonte kujdes. Vepra e Jorgaqit do të kalonte një sprovë të fortë, pasi do të ishte në qendër të vëmendjes së elitës politike të sistemit komunist. Sigurisht që sinjalet e para do të vinin drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, që do ta shikonte romanin me syrin e profesionistit. Ky do të jepte dekodimin e parë. Fjalët e mira, ministri i Brendshëm ia kishte thënë përballë se i kishte pëlqyer vepra, pasi atje zbuluesit e institucionit të tij ishin paraqitur sipas tij, realisht. Por më pas do të priteshin komentet pozitive ose negative të instancave më të larta të shtetit të asaj kohe, për të mbërritur në fund te vlerësimet e Enver Hoxhës. Shkrimtari sigurisht që e dinte një gjë të tillë, ai do të ishte i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në punën e tij. Enver Hoxha, indirekt transmetonte se e kishte pëlqyer veprën, të cilën ia kishte rekomanduar familjarëve të tij. Nuk do të ngeleshin pas edhe familja Shehu, që nëpërmjet Fiqretit e përgëzoi shkrimtarin për romanin e suksesshëm.
Cilët kanë qenë vlerësimet e personaliteteve të shteti shqiptarë të asaj kohe, Enver Hoxhë, Mehmet Shehut, Ramiz Alisë, Kadri Hazbiut për romanin "Mërgata e qyqeve"?
Kadri Hazbiu më ka bërë vlerësime të drejtpërdrejta gojarisht dhe e ka çmuar veprën. Natyrisht, ai e ka çmuar nga pozita e ministrit, e specialistit, nga pikëpamja profesionale, jo aq nga pikëpamja artistike e letrare. Kurse nga figura të tjera opinionet më kanë ardhur në vesh në rrugë të tërthortë. P.sh nga njerëz të familjes Hoxha kam dëgjuar se Enveri e kishte lexuar të gjithë veprën, a e kishte lexuar pjesërisht, nuk di të them, por tema e romanit i ishte dukur shumë interesante, e guximshme origjinale, dhe vepra i kishte pëlqyer aq shumë, sa ia kishte rekomanduar edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes. Nuk di gjë për atë se çfarë ka thënë Mehmet Shehu, pasi vetëm Fiqret Shehu, në një takim më përgëzoi për veprën. Por ajo që më ka bërë përshtypje dhe nuk di ta shpjegoj edhe sot e kësaj dite, kryesekretari i Kadri Hazbiut kur doli vëllimi i parë më takonte më pyeste nëse kisha dëgjuar ndonjë gjë seç kanë thënë ata lart për romanin. E kishte këtë një pyetje shqetësuese. As sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar përse ai ishte i shqetësuar, aq i interesuar se çfarë mund të kishin thënë udhëheqësit për këtë vepër. Nuk e kuptoja se përse e kërkonin nga unë këtë gjë, kur ata kishin kanale të tjera, që mund ta dëgjonin.
Por Ramiz Alia ju ka thënë gjë për veprën?
Jo, nuk më ka thënë gjë.
Në të vërtetë ky është një roman, por ndërthurjen e situatave ngjarjeve të lë përshtypjen e një historie të jetuar. Çfarë do të thoshit për këtë?
Vepra nuk është histori e një personi, nuk janë kujtimet e një njeriu. Ky është roman, një vepër artistike, ku duke u nisur nga një realitet konkret kam gatuar veprën mbi principet dhe kërkesat që lyp një vepër arti, ku ka një raport normal mes ngjarjeve të vërteta dhe fiksionit. Një mori personazhesh e kanë prototipin në jetë. P.sh personazhi i romanit Ihsan Maçi, ka një prototip të tillë në bashkësinë e mërgatës shqiptare të Brukselit, apo Anton Kumaçi. Sigurisht këto janë pikënisje, disa të dhëna embrionale që mua më kanë shërbyer pastaj për të krijuar personazhin. Të marrim në kontekst social, politik e psikologjik. Kam krijuar karaktere që nuk janë figura anekdotike, por figura që përfaqësojnë ide të caktuara.
Saktësia e të dhënave të lë shijen e mirë që autori nuk është mbështetur thjesht në fantazinë e tij apo në rrëfimin e dikujt. A keni shfrytëzuar të tjera burime për realizimin e "Mërgatës së qyqeve"?
Është krijuar përshtypja sikur romani "Mërgata e qyqeve", i kushtohet një personazhi real, një prej zbuluesve të njohur të sigurimit shqiptar. Nuk kam shkruar për jetën dhe veprimtarinë e një zbuluesi, por jam përpjekur duke pasur parasysh atë aktivitet të pasur, atë përvojë të jashtëzakonshme që përfituan dhe sollën këtë njerëz nga fusha dhe veprimtaria e tyre, të marr ata elementë, ato të dhëna nga burime të ndryshme, që plotësojnë njëra - tjetrën dhe t'ia nënshtroj një qëllimi, një synimi, ose kritereve jo artistike për të krijuar letërsi. Kështu, që çdo aludim ose mendim se kjo është jeta, përshkrimi i jetës së një personazhi real, nuk është i saktë. I vërtetë është fakti që unë jam njohur dhe kam shfrytëzuar disa figura reale, të cilat janë mishëruar në figurën e protagonistit të romanit, Manush Kelmendi.
A keni pasur konsulencë për përshkrimin e situatave ku mbizotërojnë veprimet e spiunazhit, që e përshkruajnë pothuajse të gjithë veprën tuaj?
Sigurisht, sepse nga pikëpamja profesionale unë isha krejtësisht i pa përgatitur, isha si gjithë qytetarët, dhe aq më tepër se gjithë kolegët e mi që nuk kishim njohje profesionale në këtë fushë. Të them të drejtën për arsye që nuk vareshin prej meje po që vareshin nga të tjerët, unë nuk mora asnjë manual të profesionit, sepse këto ishin top sekret. Kështu që për fat të keq, por edhe për fat të mirë, për fat të keq e kjo do të ndihmonte për të zgjeruar horizontin tim dhe do të kisha më shumë siguri, por për fat të mirë se thellimi në çështjet profesionale rrezikonin atë, krimin artistik që përpiqesha të bëja. Por, atë zanatin, profesionin e zbuluesit, unë e mësova, e përvetësove dhe e zbatova në veprën time përmes udhëtimeve të zbuluesve dhe ndihmës së pa kursyer të konsulentit. Hasan Luçi, i cili u bë më pas vërtetë miku im, me përgatitjen profesionale, pasi përveç se kishe mbaruar shkollën kishte bërë edhe specializimin për zbulim në Bashkimin Sovjetik, por dhe eksperiencën e madhe, qoftë brenda e në përfaqësitë diplomatike ku kishte shërbyer, ishte një ndihmë e madhe për mua, ndaj dhe ecuria e veprës ishte brenda parametrave profesionalë.
Nga dinamika e personazheve dhe rrethanat në të cilat janë vendosur ata, të krijohet përshtypja e një historie të vërtetë. Cili është raporti në mes realitetit dhe trillit artistik në këtë roman?
Në qoftë se është kështu përshtypja, atëherë kjo është lëvdata më e mirë që mund t'i bëhet autorit. Dihet se shkrimtari zakonisht niset nga realiteti, por ai e ngre veprën përmes fiksionit, ku luajnë rol fantazia dhe imagjinata. Në rastin tim, duke qenë se jam edhe autor veprash të letërsisë dokumentare, kjo gjë ka ndikuar në krijimtarinë time, dhe i ka dhënë asaj veçoritë e veta. E ka bërë më realiste, më të prekshme dhe më të besueshme.
Personazhi kryesor është një zbulues i përgatitur dhe i dërguar nga Sigurimi i Shtetit jashtë Shqipërisë. A ka një model konkret të personazhit kryesor Manush Kelmendit?
Më duket se pak a shumë kjo pyetje ka marrë përgjigje nga gjithë sa kam thënë më lart. E përsëris që unë pata fatin të njoh disa zbulues, të cilët kishin punuar me vite dhe dekada të tëra jashtë vendit, të ngarkuar me detyra tepër të vështira dhe delikate, në radhët e emigracionit politik, por edhe në instanca shtetërore dhe jo shtetërore të vendeve perëndimore e sidomos në vendet fqinjë. Kuptohet se shumë nga këta, më dhanë mua materiale që i shërbyen ngritjes së veprës. Për hir të së vërtetës, dua të them që nga gjithë zbuluesit, ai të cilin e kam ndjerë më afër dhe që, e kam pasur pak a shumë prototip në krijimin e figurës së protagonistit, të personazhit Manush Kelmendi, ka qenë Isuf Mullai. Unë u miqësova me të, por ai për shkak të sekreteve, të detyrave që kishte kryer, jo gjithnjë do të m'i thoshte të gjitha. Nga intervistat e tij në shtyp para disa muajve u njoha me të dhëna shumë interesante që mund ta pasuronin romanin. Gjithnjë jeta është më e pasur se letërsia, por dhe vjelja e burimeve ka një kufi, pasi një mbingarkesë faktesh e rëndon veprën, i asfikson në një farë mënyre situatat, apo i leton personazhet. Në këto raste është shumë e rëndësishme të ruhet sensi i masës dhe unë, më duket jam përpjekur ta ruaj dhe ta respektoj me rigorozitet atë.
Si konkluzion mund të them se "Mërgata e qyqeve", nuk është historia e një njeriu, por një vepër letrare që synon të përgjithësojë e tipizojë dukuri historike, politike e sociale të caktuara. Manush Kelmendi është figura e tipizuar e zbuluesit shqiptar në kohën e "Luftës së Ftohtë".
Përballë personazhit kryesor keni vendosur një tjetër, por në sensin e kundërt Ihsan Maçi, një ish-oficer i mbretërisë së Zogut, një kundërshtar i komunizmit. Si mundët ta realizonit këtë kontrast?
Më vjen mirë që jo vetëm heroi i romanit, por edhe figurat antagoniste, personazhet kundërshtarë të tij, kanë ngjallur interesin e lexuesit dhe ndonjë prej tyre, siç është Ihsan Maçi është bërë figurë gati proverbiale. Në qoftë se unë për heroin, me gjithë pengesat që hasa, kisha disa prototipa, siç qenë zbuluesit, të cilët me rrëfimet e tyre, më ndihmuan të krijoja figurën e heroit, për personazhet antagoniste, të figurave të ashtuquajtura negative, unë do të përballesha me vështirësi. Mbi të gjitha nuk e kisha atë njohje të plotë e të drejtpërdrejtë si me protagonistin. Është e çuditshme se si në këtë rast më erdhën në ndihmë mbresa dhe kujtime nga fëmijëria dhe adoleshenca ime. Një pjesë e këtyre personazheve që ishin të arratisur jashtë i ngjanin njerëzve pak a shumë që kisha njohur në rrethin e babit tim. Im atë ka qenë gjykatës para çlirimit dhe kjo rrethanë më ka bërë që t'i njoh nga afër autoritetet lokale, komandantë të xhandarmërisë, kryetarë bashkie, xhandarë, milicë, kryepleq, politikanë të Ballit apo të Zogut, bejlerë dhe agallarë. Këtyre kujtimeve e mbresave iu shtoheshin materialet faktike të mërgatës. Nga bashkimi i tyre do të lindnin ato figura e personazhe që i dhanë jetë romanit. Mund të them me plotë gojën që puna me këta personazhe mua më dha një kënaqësi të madhe. Ndodhesha në një terren, ku i kisha të qarta mentalitetet e tyre, psikologjinë e tyre, formimin e tyre. Këta qenë pjellë të politikës shqiptare që kishte perënduar në Shqipëri, por që gjallonte në mërgim. Megjithëse në kohën e luftës isha i vogël, më kishin mbetur të gjallë figurat e tyre. Të gjithë këta së bashku, më krijuan atë tablo, e mjedis, atë atmosferë, ku vepronin lirisht e realisht p ersonazhet e romanit. Më vjen mirë që këta personazhe në një mënyrë apo në një tjetër patën jehonë në mërgatën politike, u identifikuan, bile u përftuan edhe situata të tilla që ia atribuonin njëri-tjetrit figurat e romanit. Kjo dëshmonte se unë kisha kapur e trajtuar një dukuri reale, nuk kisha sajuar në kuptimin e keq të fjalës, kisha thënë një të vërtetë nga jeta politike e mërgatës. Jehona e përshtypjeve që kishin personazhet e mi do të më vinte aso kohe nga shokët e zbulimit, po edhe nga turistët kosovarë të Belgjikës që vizitonin atëherë Shqipërinë. Ata do të tregonin historia dhe qyfyre nga ç'thuheshin në rrethet e mërgatës, duke filluar nga mjediset e tyre familjare e deri te "Kap Nordi", kafja e njohur e Brukselit e kthyer në një farë klubi politik nga emigrantët shqiptarë.

Romani i një takimi të rastësishëm

Shkrimtari Nasho Jorgaqi e quan të bekuar ditën kur edhe pse nuk kishte shumë dëshirë të takonte një zbulues që ishte kthyer nga shërbimi jashtë shtetit, nuk e refuzoi propozimin e mikut të tij, shkrimtarit Resul Bedo, për këtë takim. Nga biseda me zbuluesin Isuf Myullai, Jorgaqi do të ngacmohej dhe vendosi që të shkruante një tregim. Por, duke e parë hollë-hollë ndryshoi mendje dhe dëshira e tij ishte të bënte një roman, pasi fabula ishte shumë interesante, ndaj dhe iu përvesh punës për të marrë lejen që do t'i hapte rrugën romanit që do ta bënte të famshëm. Për dy vjet "Mërgata e qyqeve" ishte gati dhe si rrallë ndonjëherë do të botohej në 100 mijë kopje.

“Mërgata e qyqeve”

Dërgimi me misione diversive në Shqipëri ka qenë një nga mënyrat më të rëndësishme deri në vitin 1952-1953. Parashutimi, futja nga deti dhe nga toka ishin rrugët efikase për të dërguarit nga "Bota e Lirë". Ata vendoseshin në Shqipëri, zini baza, shtriheshin, kërkonin armë, municione, para për të blerë ushqime, uniforma etj. Në qendrat e tyre ishin të kënaqur nga këta luftëtarë të lirisë. Ishte shumë i kënaqur dhe mbreti Ahmet Zogu me Partinë e tij, Legalitetin dhe Partinë e Ballit Kombëtar, Blloku Indeipendent, Partia Agrare etj., të strukturuar në Perëndim, të aktivizuar dhe nga UDB-ja, të financuar për të rrëzuar komunizmin në Shqipëri. Dukej sikur "pushteti i zbatharakëve", siç quhej pushteti komunist, po përmbysej.

"Mërgata e qyqeve", në sirtarin e Kadri Hazbiut

Shkrimtari ende sot nuk e kupton se pse edhe pasi e kishte përfunduar vëllimin e parë të romanit, ai po vonohej të dilte në libraritë e kryeqytetit. Dorëshkrimi kishte mbetur në sirtarin e ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili nuk e kishte dhënë akordin për të. Më pas, e njëjta histori përsëritet edhe me vëllimin e dytë. Por, gjithsesi, "Mërgata e qyqeve", një roman lapidar për zbulimin shqiptar të asaj kohe bëri jehonë atëherë dhe i rezistoi ndryshimit dhe është i lexuar edhe sot.

(Vijon nesër)

 
 
INTERVISTA
“Vlerësimet e Enverit dhe Kadriut për ‘Mërgatën e qyqeve”


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005