Ai vazhdon të ketë të njëjtën buzëqeshje. Të njëjtën energji e të njëjtën prodhimtari, ndonëse thinjat luftojnë goxha me rininë që ndien në të vërtetë. Mbi supe mban mbi shtatë dekada, por njeriut që pas '90-ës e ka shkelur Amerikën më shumë se çdo shqiptar tjetër, i kujtohet shpesh një idiomë, pjellë e kontinentit të ri: Njeriu duhet të rrojë gjatë dhe të vdesë i ri.
Ky është Nasho Jorgaqi, shkrimtari që identifikohet me një togfjalësh, si të ishte emri në një film i një aktori të madh. Quhet "Mërgata e qyqeve". Një libër brilant i viteve '70-të, i shkruar me aq pasion, me aq dëshirë, por dhe me një mjeshtëri artistike që të rrëmben kur bie në kontakt me të. E, përpos të artikuluarit ekselent, ajo që i zhyste lexuesit në "Mërgatë", ishte fabula e jashtëzakonshme e tij, një histori krejt ndryshe nga ato romanet e luftës me partizanë, gjermanë e ballistë, ku njerëzit me shkabë në qeleshe kullufisnin kofsha pule e rrëkëllenin gllënjka rakie 20 gradëshe. Ndryshe nga ato fabula që peizazhin piktoresk e merrnin nëpër ara, fabrika e kantiere, ku gëlonte puna e ushtonte kënga e baballarëve dhe nënave tona. Nasho Jorgaqi "lëroi" pikërisht atë tokë, në të cilën shumë kolegë të tij thoshin "duart larg". Një pjesë e quante zonë të minuar, ndërsa të tjerë një kafshatë të pakapërdishme. Por, Nasho si Nasho. Një shkrimtar për të cilin nuk është çudi që peshorja i anon edhe nga historiani, një hulumtues race nëpër arkiva, veshi rrobat e polumbarit dhe në pak vjet preku thellësinë. Ngriti një pirg të tërë të lëndës së një historie për të gjithë ata që mërguan nga Shqipëria pas luftës në Bruksel e Londër dhe që ashtu
grupe-grupe organizoheshin për të luftuar sistemin e ri në Shqipëri. Personazhi arriti të futej në strofkën e tyre, të jetonte me ta, të kishte besimin e tyre dhe të arrinte më pas t'i demaskonte e t'i sulmonte deri në asgjësim. Të gjitha këto në emër të një ideali komunist.
Dhe natyrisht fitues në romanin e Jorgaqit del heroi pozitiv, ai që mishëronte sistemin e ri, të mirën ndaj të keqes dhe e asaj që ishte në pushtet kundër asaj që e synonte atë.
Por ajo që e ngre lart figurën e shkrimtarit flokëbardhë është ajo që vetë ai flet për këtë vepër të shkruar 35 vjet më parë. Për të mirat që mbart ajo. Për vlerat dhe të vërtetat, për pengesat dhe anën burokratike. Dhe mbi të gjithë mbi anë negative, dobësitë, mangësitë dhe deri te pikëpamjet dhe tendencat politike. Rrëfimi i tij në gazetën "Tirana Observer", i ngjan më shumë një ligjërimi të nevojshëm, transparent, publik dhe padyshim me interes të gjerë.
A mund ta quajmë ne këtë katharsis? Jo, nuk rezulton kështu. Mund ta quajmë pendesë? Kurrë jo. Mund ta quajmë reflektim?
Përsëri jo. E vërteta është se ne nuk e dimë saktë se ç'mund ta quajmë.
Por ama nga ana tjetër jemi të sigurt të themi se Nasho Jorgaqi është i pari shkrimtar i realizimit socialist, që ka flakur tej vellon e krijuesit misterioz që kishte jetuar në një epokë tw vdekur tashmë dhe rrëfen hapur të gjitha detajet se në ç' kushte e shkroi një vepër letrare, pavarësisht bindjeve dhe ideve. Se kush e ndihmoi, idenë e përçimit të saj e deri te gabimet që mund të kishte bërë.
Deri më sot, askush nga plejada e madhe e atyre që ne kemi lexuar në antologjitë letrare, nuk kemi parë të flasin e rrëfejnë për të tilla zona. Një pjesë na shikon ne gazetarëve si të kishim mortajën dhe nuk u shkon ndërmend të tregojnë për një kohë të ikur. Ndërsa Nasho Jorgaqi u ka dhënë një leksion të gjithë homologëve. Ndoshta edhe atyre që nën zë e mbi zë kërkojnë të fshijnë duart nga diskutimi: të hapen apo të mos hapen dosjet e shkrimtarëve. Një njeri i pastër e qelibar fundja e hap vetë atë kuti, ndaj brendësisë të së cilës përreth dyshojnë se ç'mund të ketë. Dhe Nasho Jorgaqi e bëri detyrën e tij. Në intervistën e dhënë, ai rrëfen "Mërgatën" e dytë të tij që ne po e quajmë mërgatën e Nasho Jorgaqit. Tani na duhet të dëgjojmë edhe zërat e të tjerëve. Ndoshta dominoja që një pjesë e tyre luajnë tani në moshë të thyer, do t'i ndihmojë që efektin në këtë lojë të këndshme ta aplikojnë edhe në rrëfimin për atë që prodhuan në kushtet e një sistemi socialist.
|