Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Për më shumë se një minutë, toka u lëkund duke shkaktuar 200 të vdekur dhe 500 të plagosur
Shkodër, 100 vjet nga tërmeti vrasës
Tërmeti ra në orën 06.05 minuta të 1 qershorit 1905, ditën e një feste katolike

Zef PALI

SHKODER-Tek pleqtë e Shkodrës tërmeti i 1 qershorit të vitit 1905 njihej me emrin zerzele. Tronditjen e tokës e jetuan mjaft persona. Ky tërmet ka qenë nga më të fuqishmit në historinë e Shkodrës. Për më shumë se një minutë, toka u lëkund duke shkaktuar të paktën 200 të vdekur dhe 500 të plagosur. Ata që e përjetuan tmerrin e 1 qershorit të vitit 1905, sot nuk jetojnë më. Madje, tek disa nga shkodranët, kur duan të tregojnë se janë shumë pleq thuhet: "Kam le në kohë të zerzeles".
Profesor Zadeja tregon historinë e tërmetit
Profesor i latinishtes dhe studiues i historisë së Shkodrës, Lec Zadeja, që mban sot 78 vite mbi shpinë, kohë më parë kishte mbledhur nga goja e atyre që jetuan në kohë të zerzeles dëshmi, duke i fiksuar në dokumentacionin e historisë së Shkodrës. Sipas profesor Lecit, tërmeti ka rënë ditën e diel të datës 1 qershor 1905. "Jam marrë shumë me historinë e atij tërmeti", thotë profesor Leci. "Më është dashur të shfletoj të gjithë shtypin e kohës, të pyes shumë vetë që kishin jetuar asokohe, ose që kanë emocionet e paraardhësve të tyre", thotë ai. "Tërmeti u dëgjua në orën 06.05 minuta të datës 1 qershor, në Ditën e Shebumit, festë që bie 40 ditë pas Pashkëve. Tërmeti shkaktoi mjaft dëme në njerëz dhe në objekte. Vetëm në qytetin e Shkodrës u shkatërruan deri në themel 1500 shtëpi, ku mbetën të vdekur mbi 200 persona, ndërsa pati 500 të plagosur. Dëmtime të mëdha pati edhe në zonën e Lezhës. Intensiteti maksimal u vu re në zonën jugperëndimore të qytetit". Sipas të dhënave të profesorit, lagjja "Bahçallëk" së bashku me Pazarin, u rrafshuan krejtësisht. Gjithashtu u dëmtua edhe krahu i majtë i kishës katedrale. "Vetëm në atë ditë toka është lëkundur 40 herë, ndërsa deri më 11 shtator mësohet të kenë rënë 382 tërmete", thotë profesori. Pas 11 shtatorit, toka është lëkundur disa herë gjatë një viti të tërë, po këto ishin të lehta. Lagjet e Shkodrës, veçanërisht ato më të vjetrat, si "Bahçallëku", "Ajasma", "Tepja Qafa", "Alibegaj" e ndonjë tjetër, patën numrin më të madh të viktimave.
Pas tërmetit
Banorët në atë vit përgjithësisht banuan në baraka e çadra ushtarake. Asnjeri nuk guxonte të qëndronte në shtëpi të larta. Paniku në popull ka qenë shumë i madh. Nga lëkundjet e rënda, ndërtesat e vjetra u rrënuan. Në kronikat e kohës mësohet se në atë kohë u shtuan shumë edhe vjedhjet. Për të treguar vigjilencë njerëzit zbraznin vazhdimisht pushkë natën për të bërë të ditur se janë zgjuar dhe rrinë roje. Tërmeti ndodhi në kohën e pushtimit osman dhe kjo u përcoll edhe në kronikat e qeverisë osmane. Ato shkruanin se në shumë vende toka u ça dhe kanë buçitur ujërat, ndërsa në të kundërt humbën disa kroje që nuk rrodhën më.

Festa dhe tërmeti

Profesor Lec Zadeja tregon se tërmeti ka rënë në një ditë feste fetare, e cila konsiderohet nga besimtarët katolikë, si dita e ngritjes së Krishtit në qiell. "Sipas dëshmive që unë kam mbledhur, shumë besimtarë kishin shkuar në kishë për të marrë pjesë në meshë, ndërsa fëmijët i kishin lënë në gjumë, pasi ishte mëngjes", rrëfen profesori. Në një situatë të tillë, dëmet më të mëdha i kanë pasur fëmijët, të miturit dhe të moshuarit, pra ata që kanë qenë në gjumë. Sipas dëshmive, qyteti ka qenë në një situatë të tmerrshme në atë ditë", thotë profesor Leci. Njerëz të tërë mbetën për disa ditë nën gërmadha shtëpish. Profesor Leci ka marrë dëshminë e një zonje që sot është akoma gjallë. Gjyljana Radoja ka treguar se si në tërmetin e 1 qershorit ka humbur tre dajat e saj: Lec, Gjon dhe Franc Shalën, përkatësisht 16, 14 dhe 11 vjeç, të cilët kanë qenë në gjumë. Ajo tregon se njëri nga djemtë është zgjuar më herët atë mëngjes dhe për këtë është qortuar nga gjyshja, që e ka urdhëruar të bjerë sërish në shtrat. Sapo djali është shtrirë së bashku me vëllezërit, trarët e shtëpisë kanë rënë mbi trupat e tyre. Profesor Zadeja tregon se ka pasur raste edhe të ndonjë mrekullie, siç ishte ajo e familjes së Henrik Daragjatit. Vajza e vogël e shtëpisë ka mbetur nën gërmadha dhe ndërsa vajtohej për të, mbi gurët e mbetur është dëgjuar një zë: "nanë", që thërriste nga poshtë. Pas disa orë gërmimesh, ata kanë gjetur vajzën e gjallë. Ajo kishte shpëtuar për mrekulli, pasi një arkë e madhe kishte rënë mbi vendin ku ajo flinte. Profesor Leci tregon se kjo vajzë është e ëma e imzot Zef Simonit.

Tërmete në vite

  • 1920 Në Tepelenë u shkaktuan 36 të vrarë dhe 102 të plagosur
  • 1924 Në Peshkopi u vranë 44 vetë dhe u plagosën 119 të tjerë
  • 1967 Në Dibër, Librazhd gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosën
  • 1979 Në Shkodër dhe Lezhë vdiqën 35 vetë dhe u plagosën 382 të tjerë
  • 1982 Në Roskovec u vra 1 person dhe u plagosën 12 të tjerë

 

OBSH: Studentët shqiptarë të farmacisë, duhanpirësit më të mëdhenjtë në botë

Një studimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tregon se përqindjen më të madhe të duhanpirësve e zënë studentët shqiptarë të Farmacisë. Ndërsa përqindjen më të vogël të njerëzve që pinë duhan e ka Uganda. Shkalla mbizotëruese e duhanpirësve është nga 0,5 deri 47 për qind. "Kokat" e kësaj organizate u mblodhën dje në ditën ndërkombëtare kundër duhanit dhe hodhën idenë se ata duhet të jenë shembull në betejën për të ndaluar vdekjen dhe sëmundjet tek duhanpirësit. Sipas një studimi të kësaj organizate, duhani u merr jetën një në gjashtë persona çdo gjysmë sekonde dhe vendet e zhvilluara janë më të rrezikuarat nga ky fenomen. Drejtuesit e organizatës shprehen se profesionistët e shëndetit, përfshirë këtu edhe doktorët, dentistët, farmacistët, infermieret dhe mamitë mundë të jenë çelësi që do të ndihmojë në ndryshimin e sjelljeve të njerëzve. Megjithatë, kërkimet tregojnë që vetëm pak mjekë profesionistë bëjnë trajnime për të ndihmuar pacientët që duan të luftojnë duhanin. Vitin që shkoi 168 vende, pas shumë negociatash, arritën të përfundonin traktatin që ka të bëjë me kontrollin që duhet ushtruar ndaj duhanit. Zyrtarisht, sipas këtij traktati, janë bërë reklama të ndryshme për parandalimin e saj. Madje janë marrë edhe masa më të rrepta ku ndalohet duhani në mjediset publike dhe lajmërimet për rrezikun e saj edhe në paketat e cigareve.

Te dhena

  • 196000 është numri i femrave në Shqipëri që pinë duhan
  • 674000 është numri i meshkujve që pinë duhan
  • 3300 persona vdesin në Shqipëri në vit nga sëmundjet e shkaktuara nga pirja e duhanit
  • 20-54 vjeç është mosha më e mirë në Shqipëri, që një person mund të lërë pirjen e duhanit
 
 
AKTUALITET


 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005