| |
Për 11 javë ata risollën
në skenë plot 100
këngë, të cilësuara si këngët e shekullit. Nën drejtimin e Bledar dhe Pandi Laços, Adrian Hilës dhe të gjithë grupit realizues, "100 Këngët e Shekullit" ishte më shumë se një skenë këngësh dhe interpretimi. "Qëllimi ynë ishte që të sillnim nostalgjitë, t'i bënim një homazh këngës", thotë në një intervistë për "Tirana Observer" një nga organizatorët e këtij spektakli, regjisori Pandi Laço. "Nuk mund të thuhet absolutisht se këto janë 100 këngët më të bukura të shekullit. Janë 100 këngë shumë të bukura, por ka edhe këngë të tjera...", shpjegon Laço, duke shtuar se kjo mund të jetë shkas për të realizuar një program tjetër muzikor.
Tani që "100 Këngët e Shekullit" finalizoi mbylljen e tij, mendoni se keni realizuar atë që dëshironit?
Mendoj se e kemi realizuar këtë mision, të cilin i kishim vënë vetes. Qëllimi ynë ishte që të sillnim nostalgjitë, t'i bënim një homazh këngës. U bë një punë e përkujdesshme fillimisht me përzgjedhjen e këngëve. Ndoshta mund të kenë ngelur shumë këngë jashtë, ashtu siç kanë deklaruar edhe miqtë tanë, kolegët tanë e pse jo kjo të mos i hapë rrugën një programi tjetër me po kaq këngë të bukura, meqenëse kënga shqiptare është e bukur dhe muzika ka këngë të tilla.
Cila ishte një nga gjërat më të veçanta të këtij programi, sipas jush?
Një nga të veçantat e këtij programi është puna e vazhdueshme, për një kohë të gjatë me një staf artistësh këngëtarë. U krijua një trupë e vetme artistësh, si një trupë aktorësh që marrin pjesë në një miniserial. Kjo ishte specifika e këtij programi: një grup permanent, jo një grup që ndryshonte. Unë mendoj që kjo mënyrë pune funksionoi. Ishte rezultative se të gjithë artistët me njëri-tjetrin u harmonizuan shumë mirë. Nga spektakli në spektakël u arrit që defektet e vogla të eliminoheshin.
Kishte diçka ky spektakël të cilën kur e shihni dëshironi ta korrigjoni me punën tuaj?
Nuk mund të thuhet absolutisht se këto janë 100 këngët më të bukura të shekullit. Janë 100 këngë shumë të bukura, që u zgjodhën duke bërë një studim me një grup paraprak muzikantësh me përvojë. Në fillim ishin gati 200 këngë, prej të cilave në bashkëpunim me artistët u zgjodhën vetëm 100, sipas specifikave dhe shijeve të këngëtarëve. Mund të jenë edhe shumë këngë të tjera të bukura, përveç këtyre. Pra, mund të thuhet që zgjedhja ishte fiktive dhe një gjë e tillë mund të shihej.
Për sa i përket kritikave që i janë bërë spektaklit tuaj ç'mund të thoni?
Janë bërë nja dy kritika lidhur me orkestracionin e këngëve. Kjo ndodh se teleshikuesit janë mësuar të dëgjojnë versionin origjinal të këngëve dhe kanë menduar se versioni i parë është më i bukur. Por, pavarësisht se gjithmonë të pëlqen një këngë ashtu si këndohet për herë të parë, unë do të thosha për shembull që "Yesterday" është kënduar mbi dymijë e ca versione, por megjithatë njerëzit njohim më shumë dhe pëlqejnë më tepër këngën e kënduar nga "Bitëllsat". Secili sjell individualitetin e vet, specifikat e tij. Edhe kritikat mund të qëndrojnë, por duhet pranuar që këngët janë sjellë më tepër në kohë, janë sjellë afër shijes së të rinjve.
“Në shtator, një spektakël i ri muzikor”
Puna për të realizuar "100 Këngët e Shekullit", mesa duket nuk ka qenë edhe aq e lehtë për regjisorin Pandi Laço, Bledar Laçon dhe për Adrian Hilën. "Ka pasur momente emfaze, replikash, debatesh shumë të forta për të mos thënë grindje, madje edhe deri natën e fundit për formulën me të cilën do të vinin këngët. Por dihet se kur janë tre vetë, gjithmonë do të ketë mosmarrëveshje", pohon Pandi Laço, duke shtuar në të njëjtën kohë se kanë në plan të realizojnë përsëri një program të ngjashëm. "Ne si promotor kemi dy projekte në plan. Menjëherë në shtator do të fillojmë projektin e ri. Një nga projektet e së ardhmes është edhe edicioni i dytë i "Gjeniu i vogël". Ne kemi filluar vjet me edicionin e parë. Ndoshta nuk është një surprizë apo befasi për publikun se ai është njohur me këtë lloj formati, por mendoj që më interesante do të jetë formati i dytë televiziv, të cilin unë për momentin kam dëshirë ta ruaj sekret dhe do ta prezantoj në momentin e duhur, ndoshta në sezonin e vjeshtës", përfundon Laço.
Hila: Jemi munduar të shkruajmë
një histori të këngës së lehtë shqiptare
Kompozitori Adrian Hila, që ishte njëkohësisht një nga organizatorët dhe realizuesit e spektaklit "100 Këngët e Shekullit", pranon që i është dashur një punë shumë e madhe dhe lodhje për t'ia dalë në krye. "Nuk mund të them që gjithçka u mbërrit, por them që kemi bërë një punë shumë të madhe. Ka qenë një lodhje e përjavshme e papërsëritshme. Është si të bësh një festival në çdo javë", thotë ai. "Kemi pasur një mori kontaktesh me artistë të ndryshëm, me më të mirët e Shqipërisë, me interpretues, me realizues. Ka pasur shumë emocione për 11 javë dhe më në fund ia mbërritëm dhe e mbyllëm. Jemi munduar të shkruajmë një histori të këngës së muzikës së lehtë shqiptare", thekson Hila, duke treguar se kjo punë ka nisur që me përfundimin e "Gjeniu i vogël". "Është një punë që ka rreth një vit e gjysmë që ka filluar", thotë Hila, duke "rrëfyer" se bashkë me vëllezërit Laço, në shtator do të nisin një spektakël tjetër.
"Atje do të ketë me të vërtetë vlera reale artistike. Shpresojmë që të kemi sukses", përfundon Hila.
12 artistë fierakë marrin titullin “Nder i Qarkut Fier”
FIER-12 personalitete të njohura në fushën e skenës dhe artit shqiptar janë nderuar mbrëmjen e djeshme nga Këshilli i Qarkut Fier. Titulli "Nder i Qarkut Fier" iu është dhënë në një ceremoni të veçantë artistëve të trevës së Myzeqesë: Albert Vërria, Luftar Paja, Vaçe Zela, Margarita Xhepa, Nasho Jorgaqi, Vath Koreshi, Ilia Shyti, Jakov Xoxa, Vilson Kilica, Kadri Roshi, Pëllumb Kulla e Zoica Haxho. Në këtë ceremoni merrte pjesë ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Blendi Klosi, kryetari i Këshillit të Qarkut Fier, Ilir Dano, kryetari i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqo, prefekti i ri i qarkut Vladimir Malaj, si dhe personalitete të njohura të skenës dhe artit shqiptar. "Këta 12 artistë janë vetëm maja e ajsbergut të madh të komunitetit të artistëve të Qarkut Fier. Sidoqoftë, jam i qetë, sepse ne kemi filluar një punë të mirë për t'i vlerësuar", tha në fjalën e tij, kryetari i Qarkut Fier, Ilir Dano. Në një koncert madhështor, drejtuar nga aktori Dritan Boriçi, me skenar të Pëllumb Kullës dhe regji të Mehmet Xhelilit, me pjesëmarrjen e veçantë të Anita Takes, këngëtarëve Irini Qirjako, tenorit Kastriot Tusha, kuartetit "Qerimi", një çift balerin, si dhe grupi popullor "Mallakastra" mbyllën këtë mbrëmje në qytetin antik të Butrintit. |