Vazhdon kalvari i rregullimit të rrugëve
Vazhdon sërish kalvari i rregullimit të rrugëve të Tiranës dhe njëkohësisht kalvari ynë i lodhshëm i të ecurit nëpër të ashtuquajturat rrugë të Tiranës. Flitet e flitet aq shumë, por është kthyer në një ferr të vërtetë gjendja në qytetin e Tiranës. Vapa e përzier me pluhurin, që ngrihet nga rrugët pasi në këtë periudhë gjithë Tirana duket si kantier ndërtimi. Po stresohemi çdo ditë në këto rrugë që janë hapur pa asnjë lloj kriteri. Normalisht nuk mund të hapen gjithë rrugët në të njëjtën kohë, duke kthyer një kryeqytet në një shesh-ndërtimi nga s'ke ku të ecësh për be. Tani është verë dhe po vjen sezoni i pushimeve. Emigrantët që vijnë jashtë Shqipërisë duan të kthehen e të çmallen me të afërmit e tyre e të kalojnë disa ditë në vendlindjen e tyre. Jam i sigurt se këtë verë do të vazhdojë t'ju përforcohet mendimi se është humbje parash dhe humbje kohe ideja e të kaluarit të pushimeve në Shqipëri. Tashmë dihet se të gjitha këto rikonstruktime kryhen në kohë fushatash. Pesë muaj para zgjedhjeve qeveritarët të nderuar kujtohen të bëjnë rikonstruksione, përurime e kësi gjërash. Na ka ardhur në majë të hundës me të njëjtin avaz gjithmonë.
Agim Shahollari
Tiranë
Për pushime në Shqipëri
Unë kam rreth 8 vjet që jetoj në Itali së bashku me familjen time. Ka dy vjet që pushimet verore nuk i kam kaluar në Shqipëri, pasi gjithmonë kur vinim iknim të zhgënjyer. Por një ditë, ndërsa po bisedoja me një mikun tim italian, ai shprehu dëshirën që këtë verë të vinte bashkë me mua për të vizituar Shqipërinë. Të them të drejtën u habita dhe më bëri përshtypje dëshira e tij "e çuditshme". Ai më shpjegoi se disa miqtë e tij kishin vizituar Shqipërinë dhe kishin parë aq shumë vende të bukura sa ia vlente të kaloje një javë këtu. Ai më tha se kishte parë fotografi të rivierës shqiptare, Butrintit, Apolonisë, Krujës dhe ishte i vendosur që të vinte me mua në Shqipëri. Unë normalisht mbeta i kënaqur, pasi dihet disi mendimi që jo të gjithë, por le të themi që mjaft italianë kanë për Shqipërinë. Kur dëgjova fjalët e tij më erdhi turp që unë mendoja se edhe këtë verë të mos kthehesha në Shqipëri për të kaluar pushimet.
Adrian Kodra
Itali
A do kemi drita pas zgjedhjeve?
Përshëndetje "Tirana Observer". Unë jam një qytetar i Tiranës dhe banoj në afërsi të Unazës së Re. Përpara se të fillonte fushata zgjedhore, ne ishim më shumë pa drita sesa me drita. Jo vetëm para se të fillonte fushata, por edhe shumë më përpara se të fillonte fushata. Mungesa e ujit dhe dritave ishte gjendje e përhershme, me të cilën ne duhej të jetonim. Ankoheshim e ankoheshim, por nuk na dëgjonte njeri. Tani çfarë ndodh? Si me magji, që kur ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet, ne kemi drita e ujë me bollëk. Jo se na vjen keq për këtë gjë, përkundrazi jemi mjaft të kënaqur, pasi uji është më se i domosdoshëm, sidomos në verë. Nganjëherë na duket disi a pabesueshme që të kemi drita gjatë gjithë kohës dhe gati-gati nuk po mësohemi dot me këtë gjendje. Në fakt kemi edhe pak frikë të mësohemi me këtë gjendje, se pastaj do të jetë e vështirë të mësohemi sërish pa drita e ujë. Ajo që na shqetëson ne është se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. A do vazhdojmë të kemi drita e ujë edhe pas zgjedhjeve?
Gentian Brahaj
Tiranë
|