Vangjel Tavo, kandidati
për deputet i Partisë
Socialiste në zonën 92, në Dropull, dëshiron një fitore të tretë dhe thotë se këtë do ta realizojë, pasi të gjitha premtimet e bëra katër vjet më parë i ka mbajtur. Megjithatë, ai nuk mohon edhe konkurrencën, sidomos me PPDNJ-në, që sipas tij është në aleancë të pashpallur me PD-në. Në një intervistë për "Tirana Observer", Tavo u shpreh se konkurrentët e tij do të mbeten në minorancë në zgjedhjet e 3 korrikut.
Kandidoni në zonën 92 që është zona e minoritetit dhe përballë keni kandidatin e PBDNJ-së. Si e mendoni këtë përballje?
Kjo është një përballje që zë fill që në vitin 1996. Më pas, qoftë në vitin 1997, apo dhe në vitin 2001, unë dhe Partia Socialiste kemi dalë fitues me diferencë të madhe. Përballja e vitit 2005 me PBDNJ-në është një përballje normale midis dy kandidatëve me origjinë greke, por me alternativa të ndryshme. Unë jam më se i sigurt që do jem fitues për herë të tretë radhazi, duke qenë se në 1996, PBDNJ-ja i vodhi votat e minoritetit bashkë me Sali Berishën.
PBDNJ-ja ka një suport politik nga Greqia. A mendoni se ky është një avantazh i PBDNJ-së?
Nuk jam dakord me konstatimin tuaj. Athina zyrtare bashkëpunon me të gjitha forcat politike që veprojnë me minoritetet. E majta ka shumicën dërmuese në Dropull ku unë në vitin 2001 kam fituar me 64 për qind të votave kundrejt Vangjel Dules, kurse në zgjedhjet lokale të vitit 2003, PS-ja i ka fituar të dy komunat me 62 për qind të votave. Si të tillë kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm me qeverinë greke dhe me PASOK-un.
I ashtuquajturi "suport" është koncept shumë i gabuar dhe lindi si rrjedhojë dhe si pasojë e veprimit individual dhe profesional të zotit ambasador, për arsye që ai i di më mirë se kushdo tjetër. E majta në minoritet ka ditur të paraqitet në opinion me frymën evropiane duke bashkëpunuar me Tiranën dhe Athinën për të mirën e të gjithëve.
Ambasadori grek është shfaqur në krahët e Vangjel Dules. A mendoni se ky është një veprim i ligjshëm për një ambasador?
Se sa e ligjshme ka qenë prezenca e ambasadorit në mitingun e PBDNJ-së është një çështje që u përket organeve kompetente ta vlerësojnë. Unë i kujtoj zotit Karkabasis se në tetë vitet e fundit kam grisur shumë palë këpucë duke rendur fshatrave të minoritetit, për tu gjendur në krahë të dropullitëve, në hidhërime dhe gëzime. Pra, ai nuk mund ta dojë popullin e minoritetit më shumë se unë. Megjithatë, zoti Dule, ndoshta dhe vetë zoti Karkabasis do t'i marrin përgjigjet më tre korrik nga populli i Dropullit.
Kërkoni një mandat tjetër, të tretë. A i ka mbajtur deputeti Vangje Tavo premtimet e bëra në zgjedhjet e 2001-it dhe çfarë konkretisht është realizuar?
Jam krenar që kërkoj ballëlart një mandat të ri nga elektorati im. Kam realizuar 100 për qind të premtimeve dhe do të bashkëbisedoj me elektoratin duke pasur në tavolinë shënimet e vitit 2001. Çdo gjë që kam premtuar e kam realizuar. Kemi investuar shumë në infrastrukturë, por mbi të gjitha kemi investuar shumë për njeriun dhe për komunitetin.
Çfarë përmban programi juaj elektoral?
Programi im elektoral është shumë i qartë dhe shumë konkret. Deri në vitin 2009 shumica dërmuese e rrugëve të fshatrave të zonës sime elektorale do të jetë me asfalt. Do të garantohet ujë i pijshëm 24 orë në ditë. Të gjithë banorët do të pajisen me telefona fiks. Do të rregulloj shumë shpejt rrjetin elektrik. Do të shfrytëzoj maksimalisht mundësitë për kreditimin e fermerëve dhe investime të ndjeshme në arsim dhe shëndetësi. Pra, ne komunikojmë me vepra konkrete.
Cilat kanë qenë problemet e para me banorët?
Nuk mund të flasim për probleme që janë paraqitur, sepse kam 8 vjet që njoh shumë mirë problemet e pothuajse të gjithë votuesve të zonës. Pas disa ditësh do të fillojmë takimet fshat më fshat dhe do të kemi mundësi të tjera njohje dhe zgjedhje të problemeve.
Kush është konkurrenti juaj më i fortë?
Konkurrenti më i fortë është binomi PD - PBDNJ. Që nga viti 1996 këto dy parti kanë bashkëpunuar hapur. PD-ja i ka huazuar PBDNJ-së komisionerë me shumicë, kurse për zgjedhjet e tre korrikut binomit PD-PBDNJ i shtohet edhe Balli Kombëtar. Megjithatë, do ngelen në minorancë. Kjo është e sigurt.
Moisiu: Vëzhguesit, raport të qartë për zgjedhjet
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, në një takim që zhvilloi dje me anëtarët e Komitetit të Posaçëm të Këshillit të Evropës për zgjedhjet në Shqipëri, kërkoi nga ky komitet që të japë raporte të qarta për rezultatin e zgjedhjeve. "Komuniteti ndërkombëtar duhet të japë mesazhe dhe një raport final të qartë e të prerë, për të mos lejuar interpretime nga ata që nuk do të dalin të kënaqur nga rezultatet e zgjedhjeve", tha presidenti Moisiu. Në fjalën e tij, kreu i shtetit, vlerësoi kontributin që organizmat ndërkombëtarë po japin për zhvillimin normal të zgjedhjeve në Shqipëri.
Nano prezanton strategjinë e planifikimit
Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, zhvilloi dje konferencën për prezantimin e strategjisë "Konsolidimi i sistemit të planifikimit të integruar", si pjesë e programit të modernizimit të qeverisjes. Me këtë dokument, sipas Nanos, do punojë çdo qeveri në Shqipëri. Më tej, ai theksoi se "është një dokument që u jep zgjidhje dhe përgjigje, çështjeve të një rëndësie të veçantë, si konsolidimi i një strategjie të integruar, unike të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, harmonizimi i plotë i saj me instrumentet financiare dhe në mënyrë të veçantë në planifikimin buxhetor afatmesëm".
Berisha, akuza për Nanon në Tepelenë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi dje në qytetin e Tepelenës kandidatin për deputet, Eshref Shehu. Berisha falënderoi qytetarët e Tepelenës dhe shprehu respektin, sipas tij, për aktin që ata kryen duke përzënë Nanon. "Në fakt, tha ai, ju nuk përzutë Nanon, por përzutë cinizmin, veset dhe krimin". Më tej Berisha foli për zhvillimin e arsimit dhe për dyfishimin e rrogave të mësuesve. Lideri i PD-së premtoi gjithashtu uljen e taksave. Në Ballsh ai prezantoi kandidatin për deputet, Artur Shehu, dhe tha se "përballë tij nuk janë dy deputetë, por një deputet e gjysmë, se Islami është ushtar i Klosit dhe se po nuk ia hapi dosjen Klosi, do t'ia hap unë".
Meta: Fenomeni “Dushku”, jomoral
Kryetari i Lëvizje Socialiste për Integrim, Ilir Meta, takoi dje kryetarin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, ambasadorin Jurgen Grunet. Gjatë këtij takimi Meta i bëri prezent Grunet-it disa nga shqetësimet më kryesore që rrezikojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Meta në radhë të parë ka dënuar fenomenin "Dushku" si jokushtetues dhe jomoral. Më tej, ai ka theksuar se përgatitjet për zgjedhjet nuk janë serioze dhe nuk garantojnë një proces të lirë edhe të ndershëm. Ndërkaq, ambasadori Grunet vlerësoi kontributin për organizimin e procesit të lirë e të ndershëm zgjedhor dhe theksoi angazhimin e OSBE/ODIHR-it për të monitoruar nga afër të gjithë këtë proces.
Shehi: Dy partitë e mëdha kanë manipuluar zgjedhjet
Dashamir Shehi ka hedhur poshtë akuzat se LZHK-ja është në një koalicion parazgjedhor me subjektet e tjera politike. Ai ka theksuar se Lëvizja për Zhvillim Kombëtar do të paraqesë 100 kandidatët e saj për deputetë dhe do të hyjë e vetme në zgjedhjet e 3 korrikut, në të cilat ka synime të qarta. Shehi theksoi se dy partitë e mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë filluar që tani manipulimet e procesit zgjedhor. Drejtuesit e LZHK-së përsëritën kundërshtimet e tyre për "Megadushkun", duke akuzuar dy partitë e mëdha si nismëtare të kësaj formule manipulimesh.
PBDNJ-ja shpall kandidatët për deputetë
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shpalli dje emrat e 98 kandidatëve të saj për deputetë, që do të garojnë në zgjedhjet e 3 korrikut. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule deklaroi se kjo parti do të dalë e vetme në zgjedhje dhe vetëm dy zona do t'i lërë të lira për shoqatën "OMONIA", konkretisht atë 98 dhe 100. Gjithashtu, ai u shpreh dhe për komentet e partive të mëdha në lidhje me pjesëmarrjen e politikanëve grekë në fushatën e PBDNJ-së. Ai e quajti normale praninë e ambasadorit të shtetit fqinj gjatë një takimi që PBDNJ-ja bëri me banorët në një fshat të Dropullit. "Unë do e konsideroja një absurditet ligjor pengimin e të huajve në fushata elektorale", tha Dule. |