Ajo quhet Julia Tcheremissova. Jeton në
Shën Petërsburgun madhështor e të ftohtë dhe prej andej, siç thotë, ka rënë në dashuri me gjuhën shqipe, me shqiptarët dhe vendin e shqiponjave. Kur na prezantohet përmes e-mailit, ajo e thotë më shkoqur e më thjeshtë: "Ju them vetëm se bisedoni tani me një vajzë ruse që adhuron gjuhën shqipe dhe vendin ku ajo flitet, që vdes për kulturën kombëtare dhe çmon shumë njerëzit që jetojnë në vendin e shqiponjave".
Dashuria e rastësishme
Po t'i kthehemi historisë, dashuritë shqiptaro-ruse nuk janë të rralla. Madje, ka nga ato që janë vërtetë të famshme. Por dashuria e Julia Tcheremissova ndryshon nga të tjerat. Ajo nuk la kokën pas ndonjë studenti shqiptar, por pa i njohur fare këta të fundit, mësoi dhe adhuron gjuhën shqipe. "Kuptohet vetvetiu se ky nuk është i vetmi pasion", thotë ajo, pasi na mbush me fjalë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Julia është 21 vjeç dhe ndjek universitetin shtetëror të Shën Petërsburgut, në Fakultetin Filologjik, në vitin e fundit. Ajo thotë se me gjuhën shqipe dhe shqiptarët është njohur rreth 5 vjet më parë, por gjithçka që dinte ka qenë sipërfaqësore. Megjithatë, studentes i është dhënë rasti të mësojë për Shqipërinë, kur do t'i duhet që të studiojë shqip në universitetin e saj. "Unë desha që të studioja greqisht, por planet e mia nuk përkonin me ato të universitetit dhe në fakt atë vit në program ishte gjuha shqipe, kështu rastësisht fillova të studioj shqip". Për Julian fillimisht kjo rastësi nuk ka qenë e mirë. Ajo tregon se gjuha shqipe nuk përdoret jashtë fakultetit në Rusi dhe se njerëzit që e mësojnë nuk kanë shumë perspektivë. "Megjithatë, fillimisht u futa në fakultet, në mënyrë që në vitin e dytë të mësoja greqisht", tregon studentja.
Njohja
Për Julian, ashtu si për shumë lidhje të tjera shqiptaro-ruse, gjithçka ka nisur në bankat e shkollës. Por, nëse atëherë lidhjet ishin të drejtpërdrejta dhe personale, Julia e ka filluar gjithçka në mënyrë të tërthortë dhe dashuria e saj që nuk nguron ta shprehë ka qenë për një vend të tërë. "Që nga dita e parë më bëri përshtypje shumë të mira dashuria e profesorëve për këtë vend të panjohur fare. Atëherë nuk e kuptoja akoma pse sytë e tyre ndizeshin, kur flisnin për Shqipërinë, pse buzëqeshja e lehtë ndriçonte gjithmonë në fytyrat e tyre, kur tregonin fotografi të qyteteve dhe të krahinave të ndryshme, pse thoshin se është një vend i veçantë që ndryshon nga të gjithë të tjerët dhe që të lë përshtypje të paharrueshme", rrëfen ajo fillimet e njohjes së saj me Shqipërinë. Për të kuptuar të gjitha këto, asaj i janë dashur 4 vjet studime të historisë, kulturës, gjuhës shqipe dhe gjithçka tjetër që lidhej me vendin tonë. "Sa më shumë mësoja, aq më pak më vinte keq se jam studentja e degës së Gjuhës Shqipe. Por, përkundrazi iu bëra shumë mirënjohëse Zotit që më orientoi në këtë drejtim dhe më ofroi këtë mundësi të kapërcej rastësisht një ditë pragun e degës së shqipes, e cila më hapi derën në një botë misterioze dhe magjike shqiptare".
Vizita
Vetëm një herë ka qenë në Shqipëri e ka mbetur edhe atëherë e kënaqur. Julia, sigurisht nuk është nga ato që duan të lënë vendin e tyre, e megjithatë ajo tregon se vizita që ka bërë një vit më parë në Shqipëri, e ka thelluar dashurinë dhe adhurimin e saj për vendin tonë. Tashmë ajo po mbron një temë diplomë në lidhje me shqiptarët dhe me unitetin e tyre kombëtar.
Tema e diplomës
Ajo është habitur me ngrohtësinë që tregojnë shqiptarët me njëri- tjetrin edhe kur nuk njihen. Kjo ka qenë edhe shtysa kryesore që e ka bërë Julian të fillojë të studiojë psikologjinë dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve. "Këtu në Rusi jemi deri diku të ndarë. Kjo do të thotë se në rrugë, për shembull, rusët nuk tregojnë ndonjë interes të veçantë për të tjerët, mendojnë më shumë për veten", tregon studentja. Në fakt, ajo ka një histori të vetën, që ka qenë edhe iniciuesja direkte e temës së diplomës. "Më çuditi shumë se edhe njerëz të panjohur komunikojnë me njëri- tjetri si miq të ngushtë. Kështu, për shembull, një ditë, me ca shokë shqiptarë shkuam në plazh, por makina ngeli në rërë e ne nuk mund ta nxirrnim. Pa pritur u shfaqën 2, pastaj 3, më në fund 4 shqiptarë që pa thënë asnjë fjalë filluan të na ndihmonin sikur ishin vëllezër dhe makina ngeli në oborrin e shtëpisë së tyre të përgjithshme", rrëfen ajo. Ky tipar i karakterit shqiptar i ka bërë përshtypje vajzës që vinte nga Shën Petërsburgu madhështor, e kështu ajo vendos që krijimit të unitetit e identitetit shqiptarë, t'i kushtojë temën e diplomës.
Jeteshkrimi
- Emri: Julia
- Mbiemri: Tcheremissova
- Vendlindja: Shën Petersburg, Rusi
- Vendbanimi: Shën Petërsburg, Rusi
- Arsimi: Fakulteti Filologjik
dega Gjuha Shqipe
|