Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Gjirokaster/Një negociator i repartit RENEA ka bindur Kujtim Duron, të vetëdorëzohet
RENEA prangos pengmarrësin e të miturit
Fqinjët: Kujtimi ka abuzuar me mbesën e tij, madje keqtrajtonte edhe të ëmën

Genta IBRAHIMI

GJIROKASTER-Forcat e RENEA-s mundën të prangosin pas 28 orësh izolimi në banesën e tij, pengmarrësin e një 15-vjeçari, me të cilin akuzohet se ka ushtruar dhunë seksuale. Arrestimi i 58-vjeçarit, Kujtim Duro, personit që tronditi qetësinë e lagjes "Palorto" dhe gjithë qytetin e Gjirokastrës, u arrit të bëhej pa incidente. Për ta bindur 58-vjeçarin është dashur ardhja e një negociatori nga Njësia e Negocimeve pranë repartit të RENEA-s. Veprimi i papërgjegjshëm i Duros ka ngritur në këmbë gjithë forcat e policisë të Komisariatit të Gjirokastrës dhe forcat e Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Dragot.
Dorëzimi
Kur durimit të forcave policore i ka ardhur fundi, Kujtim Duro ka vendosur të dorëzohet. Negociatori i ardhur posaçërisht për këtë rast, në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga Njësia e Negocimeve ka mundur të bindë 58-vjeçarin t'i dorëzohet policisë. Pas replikave të shumta, duke ushtruar presion psikologjik, negociatori ka mundur të marrë më në fund përgjigjen që dëshironte. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Dragotit, që kanë mbërritur në Gjirokastër pak para mesnatës së ditës së martë, kanë qenë gati për të ndërhyrë, duke lënë si afat të fundit mesditën e djeshme. Ky argument mendohet të ketë qenë dhe arsyeja kryesore që e ka detyruar Duron të pranojë të dorëzohet. Para përpjekjes nga negociatori me të arrestuarin janë përpjekur të komunikojnë edhe drejtues të tjerë të komisariatit të policisë në Gjirokastër. Shefi i Komisariatit të Gjirokastrës, Edmon Targaj, që ka qenë në krye të aksionit gjatë gjithë kohës, ka folur shumë herë me Kujtimin. Kujtim Duro i ka vënë flakën shtëpisë rreth orës 06.45 të mëngjesit. Ai nuk e ka kundërshtuar ndërhyrjen e zjarrfikëseve dhe gjatë kësaj kohe vetë është strehuar në bodrumin e shtëpisë njëkatëshe. Ai ka kërcënuar se do të qëllojë, nëse policia afrohej për ta arrestuar. Ndërkohë që vetë policët që kanë qenë në shërbim, kanë pohuar se Kujtimi qëllonte në drejtim të tyre dhe frika ka qenë e madhe.
Një mik i familjes së tij, Rahman Boci nga fshati Lazarat, është sjellë nga policia të hënën në orën 08.00 të mbrëmjes. Pas bisedës në distancë, Duro i ka premtuar se do të dorëzohet të nesërmen. Sërish Boci ka shkuar të flasë herët në mëngjes, por pa rezultat.
Vetëm falë ndërhyrjes profesionale të negociatorit, Duro është ndaluar nga policia, pa shkaktuar plagosje në radhët e uniformave blu, apo të vetë personit të ndaluar.
Ngjarja
Ngjarja që ka tronditur opinionin në Gjirokastër ka zënë fill të hënën në mesditë, pas denoncimit të bërë nga prindi i një 15-vjeçari nga Përmeti. Babai i S.L. nga rrethi i Përmetit kishte akuzuar 58-vjeçarin se kishte mbajtur për tre ditë në shtëpinë e tij me forcë të birin dhe se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të. Tre oficerë të policisë kriminale kishin shkuar tek shtëpia e Kujtimit për të bërë verifikimin dhe pyetjet e zakonshme, por morën si përgjigje të shtëna me armë. Kundërshtimi me dhunë i forcave të rendit ka çuar në rrethimin e banesës së tij. Forca të shumta policie kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Denoncimi
Mungesa treditore e nxënësit S.L në konviktin e shkollës së mesme industriale "Thoma Papapano", ka vënë fillimisht në alarm drejtuesit e konviktit. Ata kanë lajmëruar prindërit e tij në Përmet. I ati i 15-vjeçarit, pas informacioneve të para të marra nga shokët e djalit, ka shkuar në shtëpinë e Kujtim Duros ku ka gjetur të birin. Ai është larguar prej andej bashkë me djalin dhe kanë bërë denoncim në polici për marrje peng të të birit dhe kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Megjithëse ngjarja ka pasur për protagonist djalin 15-vjeçar, i cili është përfolur në ambientin e shkollës, ai nuk ka munguar dje në mësim. Ka shkuar në klasën e tij, viti I parë profil hidraulik dhe është sjellë si çdo ditë tjetër. Mësuesit kanë pohuar se ai ishte një djalë i qetë, i komunikueshëm dhe iu ka ardhur çudi për ngjarjen në fjalë. Vetë shokët tregojnë variantin që ka thënë ai. "Kujtimi më mori në shtëpinë e tij, pasi më kishte droguar dhe më mbajti atje duke më vënë pistoletën në kokë".
Ndërkohë që mes tyre qarkullon edhe një variant tjetër, që thuhet nën zë. Djali nga Përmeti shkonte me dëshirë në shtëpinë e Kujtimit dhe kishte që nga muaji prill që hynte e dilte në shtëpinë e tij. Por në deklaratën e policisë thuhet se një nga akuzat është ajo e "heqjes së lirisë së tjetrit" dhe "kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë".

Fqinjët: Kujtimi, i hurit dhe i litarit

Kujtim Duro është një person që ka ngjallur neveri e përçmim tek fqinjët e tij. Gjithë mllef ata tregojnë historitë aspak të pranueshme për një njeri normal. "Kujtimi është i hurit e i litarit. Ai ka arritur të përdhunojë dhe mbesën e tij, ç'pret më tjetër", thotë njëri nga pjesëtarët e familjes Zeko, që ndodhet pranë banesës së Kujtimit. Ai flitet se ka arritur të prekë dhe nënën e tij, të cilën edhe e rrihte dhe e keqtrajtonte. Duro nuk ka të afërm në Gjirokastër, ai ka ardhur aty para viteve '90. Nëna me të cilën rrinte ai vdiq para pak kohësh dhe ai jetonte i vetëm. Banorët thonë se shumë herë kanë parë të hyjnë e të dalin nga shtëpia e tij djem të rinj. Shtëpia e tij ndodhet gati 500 metër mbi gjimnazin "Asim Zeneli" në qytet, në pjesën e sipërme të lagjes "Palorto". Ndërsa në komunikatën e policisë thuhet se "Mbi Kujtim Duron rëndojnë tre precedentë penalë. Ai është dënuar dy herë për rrahje dhe një herë për përdhunim me 8 vjet burg". Mbi 58-vjeçarin Kujtim Duro, rëndojnë tre akuza: "heqje e lirisë së tjetrit", "tentativë për vrasje të forcave të policisë" dhe "kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë me një të mitur".

Ringrihet stacioni meteorologjik në Xarrë

SARANDE-Ringrihet pas shumë pritjesh stacioni meteorologjik në Xarrë të Sarandës. Sipas drejtorit të stacionit meteorologjik kombëtar, Mit'hat Sanxhaku, "për rivënien në funksion të këtij stacionit të Xarrës u investuan 25 milionë lekë nga buxheti i shtetit. Stacioni i Xarrës realizon matjen e reshjeve të shiut, përqindjen e ndotjes së mjedisit, përcakton temperaturën e ajrit dhe jep shpejtësinë e erës për rajonin. Ky stacion është i pajisur me aparate kompjuterike bashkëkohore, që do të shërbejnë për shkëmbimin e informacionit me qendra të tjera meteorologjike në vend. Stacioni i Xarrës është ndërtuar në vitin 1969.

Del makina nga rruga, vdes shoferi

FIER-Një drejtues automjeti ka mbetur i vdekur, pasi makina që ai drejtonte ka dalë jashtë rruge. Aksidenti ndodhi dje, rreth orës 13.30 minuta, në fshatin Daullas të rrethit Fier. Si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit tip "Volkswagen" me targë FR 2674 B, ka humbur jetën drejtuesi i tij, 47-vjeçari Agron Kuqi, banor i fshatit Daullas. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të policisë rrugore, të cilët kryen veprimet e para hetimore. Pas këtyre veprimeve, u konstatua se shkaku i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit të mjetit, si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara të drejtuesit të mjetit.

Ndahet nga i fejuari, tenton të vetëvaret 26-vjeçarja

FIER-Një 26-vjeçare nga fshatrat e Fierit është vetëvarur dje në mëngjes në kasollen e bagëtive. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.00 të ditës së djeshme në fshatin Alibejas të Komunës Ndërnënas në zonën e Libofshës. 26-vjeçarja, Esmeralda Prifti, ka tentuar t'i japë fund jetës duke u vetëvarur me litar në kasollen e bagëtive. Por, fatmirësisht është diktuar menjëherë prej të atit, i cili e ka çuar menjëherë në spital, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur për shkak se vajza e re ishte duke u ndarë nga i fejuari i saj. Burimet nga spitali i Fierit, bëjnë të ditur se gjendja e 26-vjeçares është ende e rëndë.

 
 
RRETHE


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005