Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
intervista/ Flet rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj

“Programet e konkurseve tani on-line”

Rrokaj: Janë hedhur ide botimi modelesh konkurrimi për orientim sa më të saktë të maturantëve


Lorina Mixha

Maturantët që do të konkurrojnë për shkollë të lartë, do t'i gjejnë programet e degës për të cilën përgatiten në internet. Përveç kësaj, ata do të njihen edhe me një model të ngjashëm të testit që do të plotësojnë ditën e provimit. Si programet, ashtu edhe modelet e testimit, do të gjenden së shpejti në websajtin e universiteteve të Tiranës. Akoma nuk është përcaktuar data e publikimit të programeve, por rektori i universitetit, Shezai Rrokaj, në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", shpjegon të rejat më të fundit që do të ndihmojnë maturantët për konkurrim. Sipas tij, edhe programet mësimore që u nevojiten kandidatëve për studentë do të gjenden në këtë web. "Do të këshilloja të interesuarit të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me universitetet e Tiranës, në mënyrë që t'i kenë këto programe përpara datës së regjistrimit", tha Rrokaj. Rektori theksoi se që nga ky vit e në vazhdim studentët do të mund të vazhdojmë universitetin "përjetësisht".
Cilat janë parapërgatitjet e rektoratit për mbarëvajtjen e provimeve gjatë periudhës zgjedhore?
Masat e rektoratit janë në përputhje me rregulloren e universitetit, mbi zhvillimin e provimeve brenda strukturës akademike të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Fakultetet janë të predispozuara që këto provime të shkojnë sa më mirë, duke respektuar qartë rregulloren dhe duke përmirësuar kushtet e infrastrukturës, pasi dihet që në kohë provimesh dhe pranimesh krijohen probleme të kësaj natyre. Nuk kemi ndonjë gjë të veçantë që të themi se këtë vit ndryshon kjo ose ajo, sepse këto gjëra janë të sanksionuar në rregullore. Mjafton që fakultetet dhe pedagogët të respektojnë rregulloren dhe besoj se të gjitha palët do të jenë të kënaqur.
Para disa muajve universitetet e Tiranës kanë zhvilluar grevë, a janë plotësuar orët mësimore dhe nëse jo, a do të ketë një shtyrje të vitit akademik?
Pasi kemi folur edhe me dekanët e fakulteteve në mbledhje, kemi vendosur që të mos ketë shtyrje. Natyrisht, këtu kemi një dallim me Universitetin Politeknik, që e filloi shumë më para grevën dhe zgjati më shumë, por te ne pati edhe fakultete që nuk e ndërprenë mësimin, siç ishte Fakulteti i Mjekësisë dhe pjesërisht ai i Shkencave të Natyrës. Pra, u vendos që vetë fakultetet me dekanët dhe me shefat e departamenteve të përcaktonin kohën e rikuperimit të tyre, duke shkurtuar shpeshherë pushimet e duke i kompensuar orët e humbura ditëve të shtuna. Pra, ideja ishte që të mos kapërcehej struktura e vitit akademik. Natyrisht kjo u bë edhe për të mos i rënduar xhepat e familjeve të studentëve për një tejzgjatje të qëndrimit të tyre në universitet.
Ekziston mundësia se ndonjë nga fakultetet nuk e ka realizuar plotësisht procesin mësimor?
Nuk kam të dhëna që ndonjë fakultet të mos e ketë realizuar planin mësimor, natyrisht kjo ide quhet e kapërcyer, sepse jemi në prag provimesh. Nuk disponoj asnjë të dhënë që ndonjë lëndë apo ndonjë fakultet ka pasur probleme në realizimin e planit mësimor. Kështu që nuk e gjej të arsyeshme që viti akademik të shtrihet përtej strukturës akademike të përcaktuara në javët dhe semestrat nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Natyrisht pati për periudhën e parë semestrale dhe zgjati deri në dy javë, por disa fakultete, për të mundësuar realizimin e programit, e kompensuan brenda semestrit të dytë, kjo duke shkurtuar pushimet. Kujtoj këtu që disa fakultete shkurtuan edhe pushimet e muajit të janarit.
Çfarë është bërë deri tani lidhur me organizimin e konkurseve nëpër shkollat e larta. Cili është roli i rektoratit dhe çfarë i keni kërkuar ju Ministrisë së Arsimit?
Për sa i përket konkurrimeve të këtij viti, natyrisht jemi në diskutime me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, ku kanë vajtur propozimet për kuotat tarifat dhe për kohën se kur do të bëhen. Në parim është rënë dakord që të zhvillohen brenda 15 ditëve të parë të muajit shtator. Janë hedhur ide për mënyrën se si do të zhvillohet konkurrimi këtë vit në vitet që vijojnë dhe ne do të shprehemi qartë e publikisht për të gjitha ndryshimet eventuale që do të ketë këtë vit. Natyrisht do të këshilloja të interesuarit të qëndrojnë më të atashuar në on-line të universitetit të Tiranës. Me miratimin e programeve të konkurrimit, ne do t'i botojmë on-line ato, në mënyrë që kandidatët për studentë të kenë mundësinë t'i kenë ato shumë kohë më parë sesa dita kur vijnë për t'u regjistruar. Kjo dhe për të shmangur atë trysni të madhe të studentëve që grumbullohen për të marrë sa më shpejt planin mësimor. Natyrisht janë hedhur ide për botime modelesh konkurrimi, për t'i orientuar sa më mirë studentët për ditën e konkurrimit. Jemi duke menduar për mënyrën e korrigjimit automatik të provimeve, për mundësi përmirësimi të infrastrukturës, për mundësi të përmirësimit të bërjes së testeve. Natyrisht këtu dua të mbroj Universitetin e Tiranës, i cili i ka të gjitha kapacitetet për të hartuar tekstet vetë, për të menaxhuar konkurrimin edhe në sallë, por edhe korrigjimin automatik. Me të ardhur propozimet nga Ministria e Arsimit, unë si rektor do të bëj takimet e mia me dekanët, me të cilët në mënyrë kolegjiale do të vendosim për problemet e përbashkëta që të ketë një model për të gjithë Universitetin e Tiranës.

Përjetësisht studentë

Senati i Universitetit të Tiranës ka marrë vendimin të mos i ndërpritet askujt shkolla, edhe ata që e kanë ndërprerë mund të rikërkojnë vazhdimin e saj. Natyrisht, atyre do u duhet të përshtatin njohuritë e tyre me programin e ri që zbatohet aktualisht. Kjo, pasi sot shumë lëndë janë hequr dhe nuk janë pjesë e programit aktual mësimor. Ky vendim është marrë për dy arsye. "Parimisht një e drejtë e fituar për të qenë studentë nuk ka sesi të mohohet. Ai mund të quhet mbesë dhe duhet të rikuperojë të gjithë atë program që zbatohet aktualisht, por e drejta e fituar është universale", theksoi Rrokaj. Sipas tij, arsyeja e dytë e këtij vendimi është ligji i arsimit të lartë, që ka një kufi minimal për vazhdimin e shkollës, i cili është ai 3-vjeçar dhe nuk ka një kufi për mbarimin e saj. "Ne nuk mund të ndërpresim të drejtën universale për t'u arsimuar. Natyrisht në pikëpamjen financiare ne kemi këmbëngulur dhe kërkojmë nga Ministria e Arsimit që për vitin që ai kërkon të frekuentojë të detyrohet financiarisht të paguajë kuotën përkatëse si një student i rregullt", shtoi rektori. Në këtë pikëpamje, nëse harmonizohet pagesa e kuotës për vitin që ai kërkon të ndjekë, për të mos e humbur shkollën përgjatë gjithë jetës, ne i garantojmë çdo qytetari mundësinë për të frekuentuar, natyrisht duke e kombinuar me detyrimin që ai ka ndaj institucionit. Kjo pagesë është e detyrueshme, pasi duhet paguar puna që duhet të bëjnë stafet për provime për të gjithë kurrikulën vjetore.

 
 
SOCIALE


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005