Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Intervista/ Flet nga Gjermania, sulmuesi i Arminia Bielefeld
Fatmir Vata: Shqipërinë e dua më shumë se Brigeli

Leonard KARAJ

Ka qenë një nga më të vlerësuarit e ekipit të Arminias, në këtë sezon, në Budensligën e parë. I kënaqur me atë që ka arritur tek kjo skuadër, Fatmir Vata që prej disa ditësh me pushime me familjen e vet bën bilancin e këtij viti. “Jam aktivizuar plot 27 herë si titullar, duke luajtur shumë mirë, besoj se numrat flasin vetë”, thotë ai, në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”. Sezoni i sapombyllur, përplasjet me trajnerin Brigel, si dhe planet për të ardhmen kanë qenë tema e bisedës sonë në vazhdim me ish-sulmuesin e kombëtares sonë.
Keni qenë një nga futbollistët më të mirë të këtij sezoni te Arminia, si e ndien veten Vata pas këtyre vlerësimeve?
Nuk ka sesi të mos ndihem i kënaqur. Në këtë sezon arrita të shënoj vetëm 5 gola, por duhet marrë parasysh edhe fakti se nuk kam luajtur asnjëherë në pozicionin tim si sulmues i mirëfilltë. Kam qenë disi “i sakrifikuar” nga trajneri, por kjo, natyrisht në dobi të lojës së ekipit. Gjatë sezonit pata edhe disa dëmtime, të cilat ndikuan në formën time fizike. Megjithatë, jam aktivizuar në plot 28 ndeshje këtë vit te Arminia nga ku 27 herë si titullar, kështu që nuk ka sesi të mos e vlerësoj si pozitiv këtë sezon te kjo skuadër.
Nga Arminia janë larguar shumë futbollistë cilësorë, sa do të ndikojë kjo për sezonin në vazhdim?
Objektivi i kësaj skuadre ka qenë dhe mbetet qëndrimi në Budensligën e parë dhe në një farë mënyre ne e kemi arritur. Normalisht që gjatë kësaj kohe janë larguar edhe futbollistë të rëndësishëm që nuk e ndienin veten të mirë te Arminia. Mendimi im është se ky është një minus i madh për këtë klub, pasi për sezonin tjetër nuk do të kemi Skelën, Duron, Porcelon etj., lojtarë këta që i nevojiteshin shumë kësaj skuadre. Megjithatë, besoj se drejtuesit e klubit kanë menduar të afrojnë pranë ekipit futbollistë të tjerë, në mënyrë që të zëvendësojnë ata që janë larguar në skuadra të tjera.
Cilat janë planet e Fatmir Vatës në të ardhmen? Do të vazhdoni të qëndroni te kjo skuadër?
Unë kam edhe dy vjet kontratë me këtë klub, ku dita–ditës ndihem më mirë. Jam ambientuar shumë mirë me vendin dhe kam raporte të mira me drejtuesit e klubit. Natyrisht, në futboll asgjë nuk është e thënë në mënyrë definitive. Unë kam pasur edhe oferta të tjera nga klube të ndryshme, si në Gjermani dhe jashtë saj, por për momentin kam preferuar të rri këtu. Një ofertë e ditëve të fundit ka qenë ajo që më bëri ish-trajneri im që ka kaluar te Këlni, por për momentin jam mirë këtu ku jam.
Si është e vërteta e mosgrumbullimit tuaj me ekipin kombëtar?
Shkaktari kryesor i mosaktivizimit tim me ekipin përfaqësues është vetëm trajneri Hans Peter Brigel. Që në ditën e parë të zyrtarizmit të tij si trajner i ekipit kombëtar, ai është shprehur se nuk do të marrë në ekip futbollistë që nuk e duan Shqipërinë. A thua ti se ky “personalitet” që na vjen nga Gjermania e dashka Shqipërinë më shumë se një shqiptar, si unë dhe shumë të tjerë me të cilët ai ka krijuar konflikte të panevojshme. A thua ti se Shqipëria është si Italia, Spanja, Gjermania që po “mbytet” nga talentet dhe nuk ka kë të thërrasë më parë në kombëtare dhe kë të lërë jashtë saj. Unë nuk jam një person mediokër që flas me pasion dhe inate vetjake. Ata që më njohin mirë e dinë mirë se çfarë jam i zoti të bëj. Këtë mund ta konfirmojë edhe profesor Mehdi Zhega, për të cilin edhe pse jo në formën time më të mirë sportive, në harkun e 24 orëve i jam bashkuar ekipit kombëtar në ndeshjen me Turqinë kur profesori më thirri në mënyrë urgjente në ekip. Me këtë nuk dua të them se unë jam një patriot i madh dhe s’ka më tjetër, por mendoj se për çdo futbollist aktivizimi me kombëtaren është një nder një obligim dhe përgjegjësi që në një mënyrë apo tjetër duhet justifikuar.
Pra, sportdashësit tanë nuk do ta kenë fatin ta shohin më Fatmir Vatën me fanellën e ekipit kombëtar?
Për sa kohë që në pankinë të jetë trajneri Brigel, unë nuk kam ndërmend që të bashkohem me ekipin përfaqësues. Kam biseduar gjatë me shumë shokë të mi që luajnë në kombëtare. Kam konstatuar se është absurde ta mendosh se si është e mundur që një trajner si ai, lë jashtë një futbollist të formacionit bazë të një skuadre në Budensligën e parë. Aq më tepër që jam aktivizuar gati në të gjitha takimet si titullar, duke zhvilluar ndeshje shumë të mira. Nuk e di se çfarë ka në kokë trajneri Brigel.
A keni folur ndonjëherë me Brigelin për të ditur shkakun e këtij mosgrumbullimi?
Fatmirësisht, Brigel jeton shumë afër qytetit ku unë luaj dhe ka mundësi të më shikojë vazhdimisht se sa aktivizohem dhe se sa mirë apo keq luaj. Kështu që nuk besoj se ai ka nevojë për sugjerime për të folur apo për të më thirrur në ekipin përfaqësues. Më çudit fakti se përse vazhdon akoma të grumbullojë futbollistë që nuk kanë luajtur ose janë aktivizuar shumë pak me skuadrat e tyre. Për shembull, Mehmet Dragusha, për të cilin nuk kam asgjë përse të flas keq, por ai këtë sezon pothuajse nuk ka luajtur fare me ekipin e vet dhe Brigeli përsëri e thërret në kombëtare. Në ndeshjen me Poloninë ai shumë mirë mund të thërriste një futbollist tjetër për ta provuar qoftë edhe të kampionatit shqiptar. Çfarë është ky zotëri një trajner apo një menaxher i futbollistëve? Megjithatë, kjo është punë për të. Unë personalisht uroj që kombëtarja të zhvillojë ndeshje të mira dhe të ngjitet në renditje.

Skeda e karriera

Emri: Fatmir
Mbiemri: Vata
Datëlindja: 20/09/1971
Vendlindja: Rrëshen, Shqipëri
Shtetësia: Shqiptar
Gjatësia: 1.67 cm
Pesha: 66 kg
Pozicioni: Sulmues
Skuadra: Arminia Bielefeld, Gjermani
Nr. i Bluzës: 10
Kontrata: 30/06/2007

97 – 98 Samobar, Kroaci
98 – 99 Vukovar, Kroaci
98 – 99 Slaven Belupo, Kroaci
99 – 00 Vukovar, Kroaci
99 – 01 Waldhof Manheim, Gjermani
01 – 05 Arminia Bielefeld, Gjermani

Debuton me ekipin përfaqësues, më 14/08/1996, në ndeshjen Greqi – Shqipëri 2 – 1. Ka zhvilluar me kombëtaren 15 takime, duke shënuar 5 gola.

 
 
SPORT


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005