Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Burgu në shënjestër të Organizatave për të Drejtat e Njeriut

Lindin dyshime në OKB: në Guantanamo torturohen të dënuarit

 

Ekspertët e OKB-së që po hetojnë për gjendjen në burgun amerikan, në Kubë në Guantanamo, kanë ngritur dje dyshime, se të burgosurit aty torturohen. Sipas agjencive të ndryshme të lajmeve, Paul Hunt një nga ekspertët, i cili monitoron gjendjen fizike dhe mendore, të të dënuarve, ka thënë dje se asnjë vend nuk është mbi ligjet për të drejtat e njeriut. Ekspertët e të drejtave të njeriut, kanë kohë që kërkojnë nga SHBA-ja, të drejtën për të hyrë në burg, e për të parë se cila është gjendja e të dënuarve aty. Ata thonë se kanë të drejtë të dyshojnë, se në burg është ushtruar herë pas here dhunë, mbi ata që quhen si të dyshuar për terror dhe që mbahen në bazën detare amerikane të Kubës. "Ne nuk kemi marrë deri më tani asnjë "jo" përfundimtare, nga SHBA-ja, por nuk kemi marrë as edhe një "po", që të mund të vizitojmë Burgun Guatanamo", tha dje inspektori special i OKB-së, kundër torturës Manfred Nowak. Ekspertët thanë se kërkesa e tyre për të vizituar ata që ndodheshin në qelitë e Burgut të Guatanamos, ishte e bazuar në informata, nga burime të besueshme, se aty ka pasur apo është ushtruar torturë, mizori, ka trajtime jonjerëzore dhe degraduese për të dënuarit, mbajtje pa arsye në burg, dhunim të të drejtave minimale njerëzore. Ekspertët, që kanë bërë një raport për OKB-në, kanë ripërsëritur kërkesën për të pasur mundësi që të vizitojnë burgun, ku qëndrojnë të dënuarit. Ata janë përpjekur ta vizitojnë këtë vend edhe më parë, në 2002-shin, por kërkesa është refuzuar. Ekspertët thanë se kishin vendosur të prisnin deri sa të merrnin një përgjigje përfundimtare që do të lejonte të vizitonin burgun dhe të shqyrtonin problemet që kishte në të. Deri më tani, SHBA-ja ka lejuar që në këtë bazë të futen vetëm anëtarë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Kjo nuk është hera e parë që SHBA-ja, akuzohet për keqtrajtime të të burgosurve dhe mjaft herë ajo ka qenë në shënjestrën e shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Këto akuza u vërtetuan, muaj më parë për një burg të Irakut, ndërkohë që për bazën e Guantanamos, janë ngritur pretendime të tilla që në ditët e para të krijimit të saj.

Nga bazë detare, në burg për terroristët

Guantanamo, nuk ka qenë gjithmonë një burg, madje ajo është bërë e tillë, vetëm pak kohë më parë. Në vitin 2002, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të dërgojnë aty të dyshuarit për terrorizëm, që ishin arrestuar në Afganistan e gjithashtu, edhe anëtarë të Al-Kaidas. Deri më tani burgu ka qenë i mbyllur, për të gjitha organizatat e huaja.

Bush, centralet bërthamore jo të dëmshëm

Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, kishte dje në axhendën e tij një vizitë në qytetin e Maryland. Gjatë këtij udhëtimi të tij, presidenti i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi edhe një vizitë në uzinën bërthamore në Calvert Cliffs. Gjatë vizitës, kreu i shtetit amerikan bëri një deklaratë. Sipas presidentit, kjo uzinë bërthamore nuk duhet parë si objekt i rrezikshëm dhe në të njëjtën kohë i dëmshëm për ambientin që na rrethon. Ndër të tjera, ai gjithashtu, theksoi se SHBA-ja kishte një kapacitet të konsiderueshëm për ta prodhuar energjinë elektrike në këtë mënyrë me forcat e saj. "Në shekullin XXI, vendi ynë ka nevojë për më shumë energji. Kjo energji duhet të jetë jo vetëm më e sigurta, por edhe më e pastra, tek e cila do të mbështetet plotësisht vendi ynë", tha presidenti gjatë deklaratës së tij për shtyp. Më tej, kreu i shtetit në deklaratën e tij bëri të ditur se Amerika është në kohën e duhur që të rifillojë përsëri të ndërtojë uzina bërthamore. Gjatë kësaj kohe, Bush u shoqërua me duartrokitje të shumta nga të pranishmit që ndodheshin në sallë. Më pas, ai vazhdoi duke thënë se kalimi i një ligji të përshtatshëm për energjinë do të ndihmojë SHBA-në që të zgjerojë përdorimin e një burimi të energjisë që do të prodhohet në vend. Sipas shkencëtarëve, kjo lloj energjie nuk është e dëmshme për ambientin dhe është në gjendje që të arrijë të gjenerojë sasi të mjaftueshme energjie. "Ky burim është teknologjia bërthamore", tha presidenti amerikan.
President amerikan, të mërkurën në fjalimin e tij, gjithashtu u fokusua në temën e energjisë. Ai foli edhe për problemet ekonomike që e shqetësonin në këtë fushë. Sipas tij, një çështje tjetër shumë e rëndësishme, që nuk duhet harruar është edhe sigurimi i vendit nga sulmet terroriste.

Del Ponte: Ndihem e turpëruar për masakrën e Srebrenicës

Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte, ka deklaruar se ndihet shumë e turpëruar të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për 10-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku humbën jetën mbi 8000 djem e burra boshnjakë, derisa Ratko Mlladiç e Radovan Karaxhiç janë ende të lirë. Del Ponte sërish i bëri thirrje Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare të shtojnë përpjekjet për kapjen e dy të akuzuarve kryesorë.
Nga ana tjetër, presidenti serb, Boris Tadiq, ka përsëritur gjatë vizitës së tij në Rumani se do marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore në 10-vjetorin e Srebrenicës. Familjet e viktimave kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e Tadiqit.

Shtyhet në korrik takimi i zgjerimit të KS-së

Gjermania dhe tre partnerët e saj: Brazili, India dhe Japonia nuk do të prezantojnë propozimin e tyre për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit deri në muajin korrik. Kështu, njoftuan ministrat e jashtëm të këtyre vendeve në kuadër të punimeve të konferencës për Irakun në Bruksel. Fillimisht, ishte menduar që propozimi të hidhej për votim gjatë këtij muaji në Nju-Jork. Propozimi parasheh zgjerimin e Këshillit të Sigurimit edhe me gjashtë anëtarë të përhershëm.

KS-ja shton numrin e ushtarëve në Haiti

Për shkak të brengosjes për gjendjen gjithnjë e më të vështirë të sigurisë në Haiti, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka shtuar numrin e helmetkaltërve për këtë vend edhe me 1000 ushtarë të tjerë. Njëkohësisht, Këshilli i Sigurimit vendosi njëzëri që të vazhdojë mandatin e këtij misioni paqësor deri pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, në shkurt të vitit 2006. Aktualisht në Haiti janë të stacionuar rreth 6400 helmetkaltër.

 
 
BOTA & RAJONI
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005