(Vijon nga numri i kaluar)
Kristofor Martiro, 78-
vjeçari nga Tirana, që ka
drejtuar degën e veçantë të Sigurimit të Shtetit, në intervistën e tij për “Tirana Observer” ka shpjeguar disa nga enigmat e ngjarjeve më të diskutuara në historinë e shtetit të E. Hoxhës. Ish-hetuesi i të ashtuquajturit “grup armiqësor i ushtarakëve” dhe ai sabotator në ekonomi dhe organizim shtetëror ka treguar disa nga momentet më të rëndësishme të proceseve të rëndësishme dhe më pas shtjelloi dramën e familjes Shehu, pas vdekjes së ish-kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Nga procesi gjyqësor i ish-ministrit Kadri Hazbiu, Martiro në vijim të intervistës tregon një nga kombinacionet më të rëndësishme të udhëheqjes së lartë të partisë për ta përdorur më pas ndaj Kadri Hazbiut, sjelljen në Shqipëri të bandës së Xhevdet Mustafës, një prej anëtarëve të së cilës ishte agjenti i Sigurimit të Shtetit, Halit Bajrami. Ky i fundit ishte edhe dëshmitari kyç i akuzës, pasi kishin dështuar të gjithë të tjerët.
Një nga dëshmitarët kryesorë të organit të akuzës së asaj kohe ishte edhe pjesëtari i bandës së Xhevdet Mustafës. Cili ishte ky?
Një nga dëshmitarët kryesorë i përgatitur për një kohë të gjatë nga grupi i hetuesve, sipas porosive nga lart, ishte Halit Bajrami, i vetmi pjesëtar që kishte ngelur gjallë nga banda e Xhevdet Mustafës. Halit Bajrami që në vitet pas çlirimit punonte në organet e Sigurimit të Shtetit në detyrën e zëvendësshefit të Sigurimit të Divizionit të 5-të në Korçë, në varësi të Seksionit Qendror të Sigurimit të Ushtrisë që drejtohej në atë kohë nga Kadri Hazbiu, që ishte me origjinë kosovare që kishte ardhur në Shqipëri që në kohën e Zogut dhe ishte sistemuar familjarisht në Durrës. Ishte i martuar, por shumë shpejt u nda nga gruaja, si shkak nxori faktin se nuk bënin fëmijë. Në vitin 1949-1950, si njeri i aftë u përgatit si zbulues, me qëllim për ta dërguar jashtë shtetit në ato vende në shërbim të emigracionit shqiptar, në mënyrë që të punonte mes tyre, për të rekrutuar agjent bashkëpunëtorë për t’i vënë në shërbim të zbulimit shqiptar. Pas një përgatitjeje të kujdesshme që bëri kaloi kufirin, duke vepruar sipas udhëzimeve që kishte marrë. Si zakonisht, pas disa ditëve u hap fjala se Halit Bajrami kishte tradhtuar atdheun dhe ishte arratisur, duke u quajtur armik. Vitet e fundit ishte sistemuar në Kanada, ku punonte në mes emigracionit shqiptar që ishte instaluar me kohë në ato vende, duke zbatuar porositë që kishte marrë dhe që i dërgoheshin nga organet e zbulimit shqiptar. Në vitin 1960, shkoi në Berlin, ku u takua me kuadro të zbulimit shqiptar për të raportuar për informacionet që kishte dhe për të marrë udhëzime dhe detyra të reja për punën që duhet të kryente.
Çfarë deponoi në gjyq?
Halit Bajrami, tha në gjyq, se banda e drejtuar nga Xhevdet Mustafa do të takonte Kadriun, të cilin ai vetë njihej dhe se do të ndërmjetësonte gjoja takimin e tij me Xhevdet Mustafën, për t’i dhënë porositë që kishim marrë nga zbulimi i huaj. Do t’i jepnim udhëzimet sesi do të veprohej që të mos zbuloheshin fijet e komplotit që ishte organizuar nga “organizata kundërrevolucionare” e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, me qëllim përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.
Halit Bajrami deklaroi se banda e Xhevdet Mustafës përbëhej nga tri vetë, të cilët ishin Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznadari dhe unë. Kjo bandë u përgatit në një qytet të vogël bregdetar të Italisë. Sipas tij, ishin gjithsej katër vetë, por personi tjetër që quhej F.K kishte shkuar në një qytet tjetër për një punë personale dhe u vonua shumë. Ata e kishin pritur disa ditë. Ai nuk ishte rikthyer. U detyruan të niseshin pa të, pra, vetëm tri vetë. Në qytetin bregdetar që u nisën ishin edhe disa vetë që Haliti nuk i kishte njohur, por për njërin e kishte kuptuar që ishte me origjinë jugosllave. Këta morën me qira një anije nga një italian, kurse ne një varkë për të ardhur në Shqipëri, pasi koha ishte shumë e mirë. Pika ku do të zbrisnin ishte Divjaka e Lushnjës.
Si shkoi puna e tyre?
Porsa zbritën në tokë, varka iku dhe ata u nisën për rrugë. Por, pasi kishim ecur pak u sulmuan nga forcat e policisë. Për të shpëtuar u ndamë në drejtime të ndryshme, secili më vete. Unë shkova drejt dhe në Rrogozhinë, shkoi në postën e policisë dhe u dorëzua. Duhet thënë se pasi ishin shpërndarë, kur u goditën nga forcat e ndjekjes, të gjithë pjesëtarët e grupit morën drejtime të ndryshme. Ato u vunë në ndjekje të Haznedarit, i cili menjëherë u vra dhe Xhevdet Mustafës, i cili që në fillim e kuptoi kurthin, rezistoi duke u larguar nëpër vende të ndryshme deri në Rrogozhinë, ku aty e vranë. Është i dyshimtë fakti se pse pjesëtarin e tretë të bandës, Halit Bajramin, nuk e ndoqën. Ai u la i lirë, ndoqi rrogën nga Divjaka për në Rrogozhinë, i qetë dhe i patrazuar, pyeti për postën e policisë dhe shkoi aty për t’u dorëzuar, ku brenda gjeti Kadri Hazbiun dhe Hekuran Isajn, këtë të dytin nuk e njihte. Halit Bajrami ka thënë, këtë e di nga ata që ishin të pandehur në këtë proces dhe më vonë vuanin dënimin me mua në burgun e Shënvasisë në Sarandë se “kur hyra në postën e policisë së Rrogozhinës, pashë Kadriun me një tjetër person, që nuk e njihja. Kadriu sa u përballëm me të na pa me shumë inat dhe na u afrua duke na rënë me shkelma. Na kërcënoi dhe na tha me zë të ulët, “Ki kujdes, mbyll gojën se të ha dreqi”. Me këto fjalë që ai më tha aty, kuptohej që unë nuk duhet të flisja për misionin që kishim marrë dhe të mos e nxirrja emrin e tij”.
Trupi gjykues i bëri pyetje që të mësonte se cili zbulim e kishte mbledhur këtë grup, ose se ku kishin qenë shokët e tjerë të bandës, nga cilat vende kishin ardhur, nëse njiheshin më parë midis tyre apo jo. Dukej se trupi gjykues sipas udhëzimeve që kishte marrë nga H. Isaj, të thoshte apo të provonte se kjo bandë ishte dërguar nga zbulimet e huaja për të sjellë detyra të reja për Kadri Hazbiun, që vazhdonte punë për realizimin e komplotit kundër vendit e popullit. Dhe thëniet e Halitit që Kadriu më tha, që të mbyllja gojë kishin rëndësinë e tyre. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç tha Haliti, sipas porosive që kishte marrë.
Si është përgjigjur Kadri Hazbiu?
Kjo dihet se është e shkruar edhe në procesverbalin e gjyqit. Por kam mësuar, se Kadri Hazbiu i është përgjigjur në mënyrë shumë dinjitoze kur i ka thënë: “Ti Halit Bajrami ke qenë oficer Sigurimi në Divizionin e 5-të në Korçë. U ngatërrove me gruan dhe ne të përgatitëm si zbulues dhe të dërguam jashtë shtetit, me pëlqimin tënd, si të arratisur. Pra, ke qenë zbulues i Sigurimit të Shtetit. Të gjitha këto që ke thënë janë të parapërgatitura nga zbulimet e huaja dhe Sigurimi i Shtetit, këtë e di edhe sekretari i parë. Domethënë, ai është promotori i të gjitha këtyre. Ti Halit, ke qenë kundërzbulues dhe ke punuar duke dhënë në çdo kohë të dhëna, kur more vesh përgatitjen e kësaj bande dhe detyrat që kishte kjo, pse nuk njoftove?
Detyra ishte që të njoftoje menjëherë këto, sidomos, kur ti more vesh se gjoja unë isha spiun, pse nuk njoftove urgjentisht përgjegjësit e tu që kishe në lidhje? Kush ishin këta agjentë që ju përgatitën juve, të cilit zbulim ishin?
Ti nuk thua asgjë për këto, pasi ato që thua, t’i kanë mësuar keq dhe janë të gjitha të sajuara, ashtu siç mund të jetë edhe ardhja juaj, udhëtimi dhe deri tek takimi ynë. Erdhe dhe u dorëzove gjoja në postën policore. Kur ti thua që të kam qëlluar me shkelma dhe të kam thënë mbylle gojën, ti gënjen, se unë as që jam afruar pranë teje dhe as të kam qëlluar. Dhe një fëmijë e kupton se kur erdhe ti, unë nuk isha vetëm, aty ishin plotë burra të tjerë, të cilët fjalët e mia do t’i dëgjonin patjetër në një dhomë të vogël siç ishte ajo. E them edhe një herë, se i hedh poshtë këto akuza dhe e quaj provokacion që më bëhet mua, pasi në asnjë çast nuk kam punuar kundër popullit, përkundrazi kam punuar duke zbatuar me ndershmëri të gjitha detyrat e partisë, duke qenë deri në fund besnik i saj. Prandaj them edhe një herë përpara trupit gjykues, që të mos nxjerrë dëshmitarë të tillë, duke bërë provokacione dhe shpifje me qëllim që të ulin personin tim”.
Edhe ky dëshmitar nuk tha asgjë, vetëm ato që tha duheshin për opinion në popull, për të vërtetuar ato që kishte thënë Hoxha, aftësinë e tij, gjoja sesi i kishte parashikuar gjërat ky i fundit. Është interesant fakti sesi dëshmitari Halit Bajrami, nuk ka qëndruar asnjë ditë në burg, ai ka banuar gjatë gjithë kohës në hotel “Tirana”, duke u trajtuar me të gjitha të mirat. Haliti shoqërohej nga ish-hetuesi i Kadri Hazbiut, i cili gjatë hetuesisë ka përdorur tortura nga më të ndryshmet. Trajtimi i veçantë që i bëhej Halit Bajramit dhe puna e përditshme për të përgatitur se çfarë do të thoshte në gjyq, tregonte për një plan të përgatitur me kohë. Duke u bazuar në gjëra të dyshimta, kjo bandë ishte përgatitur para pak kohësh, se arrestimi i Kadri Hazbiut ishte bërë me porosi nga lart. Ishte punuar për përgatitjen në mënyrë shumë sekrete nga kuadro të besuar të Sigurimit, të cilët i dërgoi në destinacionin e duhur për përgatitjen e grupit dhe për ta sjellë në Shqipëri në momentin e duhur.
Dënimi me
vdekje i Llambi Ziçishtit
Trupi gjykues komunikoi vendimin, duke dënuar me pushkatim Llambi Ziçishtin, ndërsa Fiqret Shehun dhe Nesti Nasen me nga 25 vjet burg. Bie në sy dënimi me vdekje i Llambi Ziçishtit, për faktin se po të balancoheshin akuzat e tij me ato që kishte bërë vëllai i tij, Mihallaqi, kishin ndryshim të madh, për arsye se Mihallaqi kishte akuzë të tillë që mund të dënohej dy herë me vdekje. Por Enver Hoxha e dinte se Llambi kishte shprehur dyshime për vrasjen e Mehmet Shehut, që pasi kishte parë kufomën kishte thënë me shkrim, se kjo nuk ishte vetëvrasje për të, pasi nga plagët dhe gjaku që shihte nuk bindej. Por më vonë, nga frika e mohoi këtë thënie. E. Hoxha për të eliminuar çdo dyshim dhe që të mos qarkullonin më vonë fjalë dha urdhrin që Llambi të pushkatohej, kurse Mihallaqin e kurseu duke nxjerrë arsyen se gjoja të mos pushkatoheshin dy vëllezër.
Martiro: Përfundimet e mia për këtë situatë
Sot, duke analizuar të gjitha gjërat siç janë; zhvillimi i hetuesisë, mënyrat dhe metodat e përdorura gjatë saj, akuzat e bëra për secilin që nuk kishin asnjë bazë, por gjëra të fantazuara, presioni dhe torturat për të pranuar këto me çdo kusht, si dhe nxjerrja e të gjithë dëshmitarëve të përgatitur nga hetuesia se çfarë do të thoshin në gjyq për të akuzuar njërin apo tjetrin pa pasur asnjë fakt konkret, vetëm se gënjeshtra, arrij në disa konkluzione që do të mundem t’i shtjelloj më poshtë sipas mendimit tim.
1-Sipas porosisë dhe urdhrave të Enver Hoxhës, kryesorja ishte që me çdo kusht, gjatë zhvillimit të hetuesisë duhej të dilte se ka ekzistuar një organizatë kundërrevolucionare krijuar dhe e drejtuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu, e cila sipas udhëzimeve kishte për qëllim eliminimin e udhëheqjes së lartë të partisë, rrëzimin e pushtetit popullor dhe vendosjen e kapitalizmit në Shqipëri.
2-Se Mehmet Shehu ka qenë agjent i vjetër i shumë zbulimeve të huaja dhe ka punuar kryesisht sipas udhëzimeve të zbulimit amerikan, me të cilin mbante lidhje të ngushta me të gjitha mjetet si me radio transmetuese, me anën e djalit të tij, Skënder Shehut, që e kishte për studime në Suedi dhe Danimarkë për të marrë udhëzime nga zbulimi amerikan për veprimet e ardhshme të Mehmetit.
3- Se Kadri Hazbiu, duke qenë agjent i jugosllavëve dhe i sovjetikëve, ka qenë krahu i djathë i Mehmetit. Pas goditjes së Mehmetit, me porosi të zbulimeve të huaja duhej të merrte drejtimin e organizatës, të ruante anëtarët e saj dhe të takonte në mënyrë sekrete Mehmetin, t’i jepte atij porosinë që i kishin dhënë zbulimet e huaja, që ai për hir të organizatës dhe për ta ruajtur atë duhej të gjente rrugën e eliminimit të vetvetes. Se në proceset e zhvilluara si ai Beqir Ballukut etj., i ka mbyllur para kohe, nga frika se mos nxirrnin emrin e Mehmetit që ishte drejtuesi i të gjitha grupeve armiqësore, në ushtri, ekonomi, kulturë etj.
4- Se kjo organizatë kishte zhvilluar një aktivitet të madh armiqësor si në lëmin politik dhe në atë ekonomik. Ishte kjo organizatë që kishte organizuar Konferencën e Partisë së Tiranës, e cila kritikoi rëndë udhëheqjen e rëndë të partisë dhe kërkohej të analizohej kulti i individit në parti.
Si u veprua nga hetuesia për ta realizuar këtë urdhër të Enver Hoxhës?
Në janar të vitit 1982, një muaj pas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut arrestohet në fshatin Belsh të Elbasanit, Fiqret Shehu, së bashku me djalin që kishte qenë në Suedi, Skënder Shehu, me akuzën si armiq të partisë. Qëllimi arrestimit të tyre ishte që ata të vërtetonin se Mehmeti ishte agjent i vjetër i zbulimeve të huaja, kryesisht atij amerikan. Të vërtetoheshin sesi Skënderi ka mbajtur lidhje me shërbimet amerikane, ku merrte udhëzime për babanë e tij, Mehmetin. Fiqreti duhej të vërtetonte e kishte sikur me porosi të Mehmetit gjoja për të parë djalin, por në fakt, do të takonte zbulimin amerikan në Suedi e Danimarkë.
Duket se në fillim, as Fiqreti as Skënderi nuk pranuan asgjë. Por më vonë, me arrestimin e djalit të tretë, Bashkimit, që ishte akoma i lirë dhe me vdekjen e djalit të madh, Vladimirit, që ishte i internuar në Gramsh, Fiqreti për të ruajtur fëmijët pranoi të thotë çfarë i sugjeroi Hekuran Isaj me hetuesit. Kështu, E. Hoxha realizoi një nga versionet që kishte thënë ai.
Në shkurt të vitit 1982 arrestohet Feçor Shehu, ish-ministër i Brendshëm, por në atë kohë e kishin shkarkuar. Qëllimi i arrestimit të tij ishte që ai të pranonte se kishte qenë agjent i amerikanëve dhe për bashkëpunimin e tij me Mehmet Shehun. Feçori deri në fund, me gjithë torturat çnjerëzore të përditshme, nuk pranoi asnjë gjë për vete dhe nuk tha asgjë për asnjë tjetër. Të gjitha i quajti shpifje të sajuara.
Kush ishin këta njerëz që Enver Hoxha i dënoi si armiq të popullit dhe që ishin vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, me qëllim që eliminonin udhëheqësin kryesor të partisë, të rrëzonin pushtetin popullor dhe të vendosnin kapitalizmin në Shqipëri?
Të marrim si shembull Kadri Hazbiun, duke shtruar edhe pyetjen: A mund të ishte ky njeri armik i popullit dhe agjent i zbulimeve të huaja? Kjo kurrën e kurrës, për faktin se Kadri Hazbiu për dekada të tëra, si gjatë luftës dhe gjatë ndërtimit të vendit e kishte treguar veten si njeri i ndershëm dhe besnik i partisë, duke punuar me përkushtim në të gjithë sektorët për të mirën e popullit dhe të atdheut. Akuza dhe dënimi që iu dha Kadri Hazbiut, tregon frikën që kishte Enver Hoxha nga ky njeri që e donte dhe kishte simpatinë një popull i tërë. Enver Hoxha, pasi i eliminoi këta njerëz, kishte për qëllim që të sillte në krye të partisë dhe të shtetit, njerëz të paaftë në mënyrë që t’i hapte rrugën idhullit të tij, Ramiz Alisë, që pas vdekjes së tij ta drejtonte ky i fundit partinë.
Banda e Xhevdet Mustafës
“Banda” e Xhevdet Mustafës ishte fundi i kombinacionit për arrestimin e Kadri Hazbiut. Atëherë, funksionarë të lartë të Ministrisë së Brendshme kanë pasur dijeni për ardhjen e kësaj “bande” që në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Feçor Shehu. Madje, atëherë janë marrë edhe masa, por Mustafa dhe pjesëtarët e grupit të tij nuk erdhën kur priteshin, gjë që lë vend për dyshime. “Banda” erdhi në kohën kur ministër i Punëve të Brendshme ishte Hekuran Isaj. Madje, vlen të theksohet fakti, se në këtë kohë ishin hequr forcat e gatshme nga bregdeti shqiptar. Dihej saktë edhe vendi i zbarkimit. Xhevdet Mustafa, Sabaudin Haznedari dhe Halit Bajrami, u nisën me skaf nga Pulja e Italisë dhe zbarkuan në Divjakë të Lushnjës. Xhevdet Mustafa e kuptoi se ardhja e tij ishte një kurth i pastër, ndaj edhe e vrau policin që i doli para, e kërkoi të largohej, por u godit nga forcat rezerviste dhe u detyrua të strehohet në një shtëpi në afërsi të Rrogozhinës. Enver Hoxha dërgoi Kadri Hazbiun për të ndihmuar Hekuran Isajn në eliminimin e “bandës”. U krijua legjenda sikur Xhevdet Mustafa, ndërsa ishte i rrethuar, kërkoi të takonte Kadri Hazbiun. Një tjetër anëtar i këtij grupi, Halit Bajrami, u dorëzua në postën e policisë, ku ishin prezent Kadri Hazbiu dhe Hekuran Isaj. Dy pjesëtarët e tjerë të grupit u vranë.
Kështu, ardhja e “bandës” së Xhevdet Mustafës ishte një kurth për ta përdorur si material në gjyq kundër Kadri Hazbiut. Eliminimi i Haznedarit dhe i Xhevdetit ishte i qëllimshëm, për faktin se të dy këta mund të tregonin se ishin përgatitur për të ardhur në Shqipëri. Ekspertë të Sigurimit të Shtetit kanë deklaruar se ardhja e “bandës” së Xhevdet Mustafës ishte përgatitur nga zbulimi shqiptar dhe për përgatitjen e saj janë dërguar në Itali dy kuadro kryesorë, drejtues të zbulimit. Duke i bërë analizë ardhjes së kësaj bande, krijohet bindja e një plani shumë djallëzor, i studiuar mirë deri në hollësi. Ja si dëshmon në gjyq pjesëtari i “bandës” i mbetur gjallë.
Fjalët e Hazbiut pas vendimit të gjyqit
Prokurori Rrapi Mino kërkoi dënimin me vdekje për Kadri Hazbiun, Feçor Shehun e Llambi Peçinin, ndërsa për Mihallaq Zinçishtin 25 vjet burg.
Unë e dua jetën se kam grua, fëmijë, nipër dhe mbesa, por e dua të ndershme dhe jo kështu siç doni të më nxirrni ju, të pandershëm. Prandaj në djall.
Kështu përfundoi gjyqi, i cili zgjati afro 6 ditë, për faktin se pyetjet për çdo ditë bëheshin në veçanti për çdo akuzë dhe jo për të gjitha akuzat njëherësh.
|