Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 

Në gjithë vendin janë të regjistruar 2527 zona kadastrale dhe 2463550 pasuri

Dokumentet për regjistrimin e tokëss

Komisionerët zonalë: Hipotekat, pengesa kryesore për procesin e kthimit të pronave


Mirvjena DIZDARI

Në të gjithë vendin janë 3064 zona kadastrale, si dhe 4 milionë pasuri. Por, vetëm rreth 50 për qind e këtyre zonave dhe pasurive është regjistruar deri tani në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, një ish-pronar duhet të dorëzojë në zyrën e regjistrimit, vendimin e komisionit vendor të kthimit dhe kompensimit të pronave, hartën treguese të pasurisë të bashkëlidhur me vendimin, si dhe kopje të dëshmisë së trashëgimisë. Në të gjithë vendin janë 3064 zona kadastrale, si dhe 4 milionë pasuri. Por, nga këto deri në fund të vitit 2004 janë regjistruar 2527 zona kadastrale. Nga këto 2437 janë zona kadastrale rurale dhe 90 janë zona kadastrale urbane. Po kështu, janë regjistruar 2463550 pasuri. Nga këto 2294858 janë pasuri rurale dhe 168692 janë pasuri urbane.
Problemet
Ndërmjet komisionerëve vendorë të kthimit dhe të kompensimit të pronave, si dhe zyrave të regjistrimit në shumë raste ka pasur përplasje. Nga njëra anë, komisionerët thonë se zyrat e regjistrimit nuk regjistrojnë ato toka të cilat kanë marrë vërtetim nga komisionet. Ndërsa nga ana tjetër, drejtues të zyrave të gjendjeve civile theksojnë se komisionerët nuk paraqesin të sakta dokumentet e tyre, madje në disa raste janë në kundërshtim me ligjin. Është vënë re se pengesa kryesore në kthimin e pronave mbeten hipotekat. Gati të gjithë anëtarët e komisioneve kanë zhvilluar debate të ashpra me përfaqësuesen e zyrës së regjistrimit të pasurive, duke theksuar se në rrethe procesi është bllokuar tërësisht. Për këtë çështje, drejtoresha e juridike e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Mertia Qato, ka deklaruar se në zyrën qendrore do të vendosen disa numra telefoni, ku anëtarët e komisioneve mund të paraqesin ankesat e tyre. Në rast se nuk do të gjejnë zgjidhje në hipotekën e rrethit ata mund të paraqesin dosjen me vendimin e marrë në zyrat qendrore të hipotekave.
Hartat
Është theksuar se nuk do të jetë e mundur që komisionet vendore të marrin në dispozicion të tyre hartën konkrete të tokave të qytetit ku ata janë. Madje, në dispozicion të tyre nuk mund të vihen as hartat dixhitale të përpunuara së fundi. Argumenti i refuzimit të kësaj kërkese ka qenë fakti se dokumentet e kërkuara kërkojnë një kohë të madhe për t'u përpunuar dhe ambiente tepër të mëdha për t'u ruajtur. Për çdo dokument që do të kërkojnë komisionet vendore, zyrat e regjistrimit do të përgjigjen brenda 15 ditëve. Megjithatë, një tjetër pengesë në procesin e kthimit të pronës është dhe faza e regjistrimit. Kështu, në rast se harta e pronës do të merret nga një institucion tjetër, nga ai i hipotekës, prona e kompensuar apo e kthyer nuk do të regjistrohet. Kjo, sepse regjistrimi mund të bëhet vetëm në rast se dokumenti është nxjerrë prej zyrës së hipotekës. Shkak për këtë është regjistrimi në dosje të ndryshme prej institucioneve të ndryshme. Dhe paraqitje e një harte të marrë në një tjetër zyrë do të kërkojë një kohë tepër të gjatë për t'u regjistruar apo për t'u evidentuar. Ndaj dhe është sugjeruar që në përgatitjen e dosjeve aplikantët duhet të marrin të dhënat prej hipotekës. Për të mos pasur probleme në procesin e regjistrimit duhet të paraqitet vendimi i komisionit të kthimit të pronave, planvendosja, kopja e aktit të trashëgimisë, procesverbali mbi vendndodhjen e pronës. Këto dokumente duhet t'i paraqiten zyrës së regjistrimit të pasurisë, në një dosje të vulosur prej komisionit përkatës. Pas paraqitjes së dokumenteve, zyra e regjistrimit duhet të japë një vërtetim ku deklarohet regjistrimi i pasurisë me emrin që ka marrë vendimin komisioni vendor.

Dokumentacioni i kërkuar subjektit të shpronësuar:

Kërkesë për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës nënshkruar nga subjekti i shpronësuar ose përfaqësuesi me prokurë të posaçme (formular tip)
Dokumentet që vërtetojnë pronësinë e subjektit, si dhe pozicionin gjeografik të pronës
Dokument ligjor (mund të jetë një ose disa nga dokumentet si më poshtë)
Vërtetim pronësie lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave
Dokument kadastral (pranë zyrave të administrimit dhe mbrojtjes së tokës në Këshillin e Qarkut)
Vendim gjyqësor i formës së prerë së bashku me hartën e pasurisë me vulën e gjykatës
Dokument që vërteton heqjen ose marrjen e të drejtës së pronësisë së subjektit të shpronësuar nga shteti, sipas akteve ligjore, nënligjore, vendimeve penale të gjykatave ose në çdo mënyrë tjetër të padrejtë që nga data 29.11.194
Dokument nga arkiva hipotekore (pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme)
Dokument nga Arkiva e Shtetit Shqiptar (vetëm në ato raste kur dokumentet hipotekore apo kadastrale janë të depozituar në to)
Dokument hartografik (plan vendosje e vjetër e pronës, nëse ka), që mund të sigurohet nga:
Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit (Arkivi Qendror Teknik dhe arkivat teknikë në rrethe)
Instituti i Studimit të Tokave (arkiva hartografike)
Arkivi i Shtetit Shqiptar
Drejtoria e Shërbimit Pyjor (arkivi i kadastrës pyjore)
Bashkia e rrethit (arkivi hartografik i Urbanistikës)
Këshilli i Qarkut (zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës)
Dokument hartografik aktual - Harta aktuale, në varësi të vendit të pronës së pretenduar, mund të sigurohet nga:
Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të gjitha zonat urbane dhe për zonat rurale ku është bërë regjistrimi
Drejtoria e Shërbimit Pyjor për pyjet dhe kullotat
Këshilli i Qarkut (zyra e administrimit dhe mbrojtjes së tokës) për tokat bujqësore të paregjistruara
Akti i trashëgimisë
Prokurë e posaçme në rastin e përfaqësimit
Dokument identifikimi i subjektit të shpronësuar apo
përfaqësuesit me prokurë të posaçme
Mandat pagesë (për trajtimin e kërkesës)

Kadastra

  • 3064 Zyra kadastrale janë gjithsej
  • 2527 Zyra kadastrale janë të regjistruara
  • 2437 Zyra kadastrale të regjistruara janë rurale
  • 90 Zyra kadastrale të regjistruara janë urbane

Pasurite

  • 4000000 Pasuri janë gjithsej në të gjithë vendin
  • 2463550 Është pasuri e regjistruar deri në vitin 2004
  • 2294858 Është pasuri rurale e regjistruar deri në 2004
  • 168692 Është pasuri urbane e regjistruar deri në 2004
 
 
EKONOMI




 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005