Shpërblimi për efekt kompensimi nuk do t'i nënshtrohet asnjë lloj takse, tatimi apo ndalese. Kjo është vendosur në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në këtë mënyrë, çdo e ardhur prej kompensimit të pronave nuk do t'i nënshtrohet taksave në Shqipëri, por do të merret e paprekur prej përfituesit apo përfituesve. Sipas specialistëve, kjo është vendosur për faktin se pronarëve u është sekuestruar një pronë, e cila tashmë do t'u kthehet. Ndaj vendosja e taksës do të ulte vlerën e kompensimit.
Rekomandimet
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka rekomanduar autoritetet shqiptare, që në përputhje me ligjin e vitit 2004 duhet të sigurojnë që të mos bëhet asnjë privatizim i tokës shtetërore, derisa procesi i kthimit dhe kompensimit të tokës të ketë përfunduar. KE-ja ka kërkuar që abuzimet në këtë fushë duhet të hetohen në mënyrë strikte. Sipas rekomandimeve, Shqipëria duhet të fillojë në mënyrë urgjente procesin aktual të kthimit dhe të kompensimit të pronës, bazuar në ligjin e vitit 2004, për kthimin dhe kompensimin e pronës". Po kështu, nga autoritetet shqiptare është kërkuar që të fillojë verifikimi i të dhënave në lidhje me tokën e disponueshme për kthim dhe kompensim dhe këto të dhëna duhen plotësuar pa shtyrje të mëtejshme të afatit. Po kështu, hapa urgjente duhet të ndërmerren, në mënyrë që qytetarët të cilët kanë kërkesa për kthim dhe kompensimin e tokës të mund t'i bëjnë prezente kërkesat e tyre në përputhje me parashikimet e ligjit të vitit 2004.
Vendimi
Për nene të veçanta të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave do të ketë një vendim të përbashkët, i cili do të përcaktohet nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Pas problemeve të shumta, të lidhura me interpretimin e ligjit, komiteti dhe komisionerët vendorë kanë rënë dakord që për probleme të veçanta, në mënyrë që interpretimi të jetë sa më i saktë, do të bëhet një unifikim i këtij problemi. Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka organizuar një seminar me komisionerët vendorë, si pasojë e problemeve të shumta që u kanë dalë komisioneve vendore pas dhënies së urdhrit të Komitetit Shtetëror për të filluar punën për fazën e parë të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Problemet
Duke qenë se është evidentuar vështirësi në interpretimin sa më të mirë të ligjit, në seminar u hodh ideja që komiteti për nene të veçanta të ketë një unifikim të zgjidhjes së problemit, si për shembull kush do të quhet zonë me interesa sociale. "Duke nxjerrë një vendim të unifikuar për një nen të caktuar të ligjit, mendoj se do të jetë më e qartë pastaj edhe për komisionet vendore", shprehet Sinaj. Problemet më të spikatura janë nga më të shumtat, si kush janë format e kompensimit, kë do quajmë ekzakt forma të kompensimit, si do të interpretohet në këtë rast kjo pjesë e ligjit dhe probleme të tjera të këtij lloji. Unë personalisht mendoj se një seminar i kësaj natyre krijon mundësinë që jo vetëm të sqarohen të gjithë komisionerët, jo vetëm nga specialistët, por edhe midis tyre. Ky është takimi i parë në nivel kombëtar për të gjithë punonjësit që varen nga ky institucion. Të gjitha pyetjet që do bëhen nga komisonerët janë analizuar gjatë seminarit dhe së shpejti komiteti do të bëjë një buletin ku do të ketë përgjigje për të gjitha shqetësimet që kanë dalë më parë, si dhe gjatë seminarit. Vështirësitë më të mëdha që kanë komisionerët vendorë, është që nuk janë të sistemuara ende në godina të përshtatshme pune dhe nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të punuar konkretisht.
Vendndodhja e komisionove vendore
- Në Berat për:
Berat, Kuçovë, Skrapar
- Në Dibër për:
Bulqizë, Dibër, Mat
- Në Durrës për:
Durrës, Krujë
- Në Elbasan për:
Gramsh, Elbasan, Librazhd, Peqin
- Në Fier për:
Fier, Lushnjë, Mallakastër
- Në Gjirokastër për:
Gjirokastër, Përmet, Tepelenë
- Në Korçë për:
Devoll, Kolonjë, Korçë, Pogradec
- Në Kukës për:
Has, Kukës, Tropojë
- Në Lezhë për:
Laç, Lezhë, Mirditë
- Në Shkodër për:
M. Madhe, Pukë, Shkodër,
- Në Tiranë për:
Kavajë, Tiranë
- Në Vlorë për:
Delvinë, Sarandë, Vlorë
Vlera e projektit arrin në 38,6 milionë USD
BB jep 17,5 milionë USD
për pastrimin e bregdetit
Banka Botërore do të financojë për pastrimin
e bregdetit shqiptar. Dje, në mbledhjen e radhës, bordi i Bankës Botërore ka miratuar një hua prej 17,5 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren për pastrimin e bregdetit shqiptar. Në total vlera e projektit për bregdetin shqiptar arrin në 31,87 milionë euro ose 38,6 milionë dollarë.
Financimi
Huaja prej 17,5 milionë dollarësh që do të merret nga Banka Botërore do të përdoret për një periudhë 7-vjeçare dhe konsiston në mbrojte të resurseve natyrale bregdetare të Shqipërisë, si dhe për të promovuar zhvillimin e përshtatshëm të bregdetit shqiptar. Kostoja totale e projektit kap shifrën monetare prej 31,87 milionë euro ose 38,6 milionë dollarë, e cila do të financohet dhe nga Holanda, Austria, qeveria japoneze, Komisioni Evropian dhe nga qeveria shqiptare. Banka Botërore ka ndihmuar Shqipërinë në shumë programe të domosdoshme si në procesin e ujitjes, në administrimin e resurseve të ujit, në administrimin e shkarkimit të ujërave të zeza, si dhe në zhvillimin e porteve të Shqipërisë. Projekti për pastrimin e bregdetit shqiptar është miratuar në Shqipëri si një rrugë-zgjidhje për të zhvilluar sektorin e turizmit.
Projekti
Qeveria shqiptare ka përkrahur sektorin e turizmit, si pjesë e një projekti 10-vjeçar, për të kthyer këtë sektor në një burim të madh të ardhurash, si dhe në një shpresë për të tërhequr 1,25 milionë të huaj, në 450 kilometra bregdet deri në vitin 2012. Fluksi i turistëve që vizitojnë tani Shqipërinë janë shqiptarët etnik të Kosovës dhe të Maqedonisë, të cilët e konsiderojnë bregdetin shqiptar mjaft të mirë. Po kështu, një pjesë të konsiderueshme të turistëve shqiptarë e përbëjnë emigrantët që kthehen në shtëpinë e tyre nga vendet e ndryshme të Evropës. Banka Botërore është një ndër investueset më të mëdha të Shqipërisë, me huat dhe kreditë të cilat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kapin shifrën 792 milionë dollarë ose 654 milionë. Këto financime janë dhënë për sektorin energjetik, infrastrukturën, agrikulturën, projektet e edukacionit dhe shëndetit nga viti 1991.
Angjeli nënshkruan
kontratën e Albtelekomit
Turqit nënshkruajnë kontratën me qeverinë shqiptare për blerjen e kompanisë së telefonisë Albtelekom. Kontrata për blerjen e aksioneve u firmos ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë turke "Calik Enerji Telekomunikasyon A.S". Ministri Angjeli vlerësoi nënshkrimin e kontratës, e cila u arrit pas disa raundesh negocimesh lidhur me kontratën për blerjen e aksioneve, gjatë të cilave u realizuan konsultime edhe me institucione të specializuara, si ERT për probleme të veçanta të kontratës. Sipas marrëveshjes me qeverinë, "Turk Telekom A.S" do të menaxhojë rrjetin në përputhje me marrëveshjen e administrimit të shërbimeve për instalimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin si të rrjetit fiks të telefonisë, ashtu edhe të "Eagle Mobile". Për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga plani i biznesit, kompania "Calik Enerji Telekomunikasyon A.S" do të mbështetet financiarisht edhe nga BERZH-i. Ndërkohë, sipas plan-biznesit të turqve, "Eagle Mobile", që parashikon nisjen e shërbimit celular përmes Albtelekomit, do të nisë në fund të këtij viti. Përfaqësuesi i kompanisë turke "Calik Enerji", pasi falënderoi qeverinë shqiptare për mbështetjen e dhënë, u shpreh se procesi i privatizimit të kompanisë Albtelekom u realizua në saj të një mirëkuptimi dhe vullneti të dy palëve. "Objektivi ynë do të jetë garantimi i mirëkuptimit, sigurisë dhe një shërbim sa më i mirë për klientët që ju shërbejmë", deklaroi përfaqësuesi i kompanisë turke. Kompania turke "Calik Enerji Telekomunikasyon A.S" është filial i "Calik Enerji", që nga ana e saj është një kompani "Holding Calik", e krijuar në vitin 1998 për të operuar në elektricitet, naftë, gaz natyral dhe sektorët e telekomunikacionit. Kjo kompani është në konsorcium me "Turk Telekom?nikasyon A.S.", nëpërmjet një marrëveshjeje për administrimin e shërbimeve. |