Ka lindur në qytetin bregdetar të Durrësit dhe
pse ka 26 vite pune nuk mund të bëjë bilancin nëse deti e ka ndihmuar më shumë atë apo ai detin. Roland Nasto, komandanti i bazës së Bishtit të Pallës dhe stafi i bazës prej 483 marinarësh, çdo ditë me 14 anije kanë detyrën të mbrojnë ligjin në ujërat e Adriatikut. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", ai shpjegon se cili është misioni i bazës dhe cilat janë detyrat që zbatojnë oficerët. Kapiteni i rangut të parë, gjithashtu shpjegon gjendjen aktuale e flotiljes, ambiciet për të ardhmen, afrimi me NATO-n, si dhe punën konkrete për ruajtjen e ligjit në det.
Cilën zonë detare mbulon baza e Bisht-Pallës?
Distrikti i Parë Detar i Durrësit mbulon zonën që nga derdhja e Bunës në Veri deri në derdhjen e Semanit në Jug. Është 125 milje, ose ndryshe 221 kilometra vijë bregdetare e thyer. Këtu përfshihet edhe baza detare e Shëngjinit.
Cilat janë detyrat e bazës?
Misioni i bazës përqendrohet kryesisht në mbrojtjen e sovranitetit të ujërave detare, si dhe ligjshmërinë në det në kohë paqeje. Nga ky mision rrjedhin edhe detyrat e forcave detare. Përveç detyrës për mbrojtjen e integritetit ujor, të cilin mbulon baza, forcat e distriktit punojnë në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, për ndalimin e trafiqeve ilegale të drogës, emigrantëve, mallrave, si dhe të akteve terroriste të mundshme. Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndihma për popullsinë është një tjetër drejtim mjaft i rëndësishëm ku fokusohet puna jonë.
Sa anije ka distrikti dhe si është gjendja e tyre?
Ne kemi 14 anije. 9 prej tyre janë motovedeta: 2 italiane, 7 amerikane. Niveli është përgjithësisht i mirë. Anijet amerikane para një muaji u riaftësuan me anë të riparimeve. Ato janë prodhim i vitit 1996, ndërsa anijet italiane kanë vjetërsi 25 vjeçare, por që gjithsesi janë në gjendje të mirë. Por problemi kryesor është në përballimin e detit të madh, pasi ato nuk përballojnë det me më shumë se 3 ballë. Ndërsa anijet e tjera, që janë ruse dhe kineze, kanë nevojë për riparime të cilat aktualisht mungojnë.
Si organizohet puna?
Dy anije patrullojnë zonën me turne për 24 orë. Në varësi të detyrave që na jepen, si dhe të emergjencave, anijet gjithmonë janë në gatishmëri. Aktiviteti është përqendruar më shumë në operacionet e kërkim-shpëtimit të anijeve dhe të njerëzve. Aktualisht, nëpërmjet bashkëpunimit kemi një vit e gjysmë që s'kemi raste të trafikut klandestin apo të llojeve të tjera.
TE dhëna
- 14 është numri i anijeve në bazën detare të Kepit të Palit
- 9 nga mjetet lundruese
të bazës janë motovedeta
- 7 motovedeta janë të prodhimit amerikan
- 2 motovedeta janë të prodhimit italian
- 13 hektarë është sipërfaqja e bazës
- 483 është numri i efektivave që punojnë në bazën detare
- 221 km është vija bregdetare e thyer që ka nën ruajtje baza
opinione
- Dorjan Tola-Pasioni im për të lundruar ka lindur që kur isha fare i vogël. Këtë pasion ma kanë ushqyer të dy prindërit e mi, të cilët kanë qenë oficerë këtu në bazën e Kepit të Palit
- Tomorr Spaho-Dëshira për t'u bërë marinar më lindi kur kam qenë në shkollë në Durrës. Unë vija nga zona malore e Gorës dhe nuk kisha parë deri në atë kohë det me sy, por menjëherë sa e pashë me lindi një dashuri me shikim të parë
- Albert Shabani-Kam mbaruar shkollën e marinës në Vlorë në 2002-shin dhe kam tre vjet që kam dalë në profesion. Dashuria për detin, pasioni për të lundruar e për të zbuluar diçka të re më shtyu të marr këtë profesion.
- Emrush Bejdo-Unë vi nga një qytet bregdetar dhe dashuria për detin ka qenë gjithmonë pasioni im. Babai im ka qenë ushtarak dhe pak tradita në familje, pak dëshira për të eksploruar diçka të panjohur, më bëri të zgjedh profesionin e ushtarakut.
- Arben Koçi-Kam 19 vjet që lundroj në det. Që kur isha i vogël dhe shikoja ndonjë anije në det më lindte dëshira për të qenë atje. Më vonë, pas mbarimit të shkollës ëndrrën që kisha që i vogël e bëra realitet.
- Kujtim Bregu-Unë vetë jam nga Vlora, kështu që dëshira ime më e madhe ka qenë gjithmonë të lundroja në det. Pasi u futa në shkollën "Skënderbej" luftova me mish e me shpirt që pas përfundimit të saj të vazhdoja shkollën e marinës Vlorë dhe së fundi e realizova ëndrrën time.
- Ali Zhupani-Kam 35 vjet që jetoj në anije dhe ky është pasioni im më i madh. Gjatë gjithë karrierës sime nuk kam hasur ndonjë problem të madh, përveç një rasti kur po e çoja anijen në Brindizi, në vitin 1997 për shkak të trazirave në vendin tonë.
- Xhezahir Elezi-Dita e parë e lundrimit në det të hapur ka ngelur në mendjen time. Dhe që nga ajo kohë pasioni për detin sa ka ardhur dhe është shtuar. Gjatë këtyre shtatë viteve që punoj në anije, kam shëtitur gjithë bregdetin shqiptar.
- Shaban Muça-Kam 22 vjet që punoj në anije dhe mbaj detyrën e përgjegjësit të kuvertës. Kjo është një detyrë që më pëlqen. Përgjegjësi i kuvertës është pasqyrë e anijes, e pamjes së jashtme etj.
- Astrit Bocaj-Gjatë gjithë jetës sonë kemi punuar me përkushtim. Rrinim me javë në gatishmëri për t'u mbrojtur nga një armik imagjinar, që për ne atëherë ishte real.
Çfarë ndodh në repartin ku shërbejnë rreth 500 ushtarakë të të gjitha gradave
Bisht-Palla, emri i vjetër me imazh të ri
Një ditë në bazën detare të Distriktit të Parë Durrës. Anijet dhe vizioni i së ardhmes së bazës
Në Distriktin detar të Durrësit, Bisht-Pallës nuk i
thërrasin më me këtë emër. Bazës i kanë rikthyer emrin e vjetër Kepi i Palit, një emër ky i kohës së Skënderbeut që mban llagapin e fisit që jetonte në këtë zonë. "Bisht-Palla si emër lidhet me një imazh jo të mirë në opinion dhe është më mirë të përdorim emrin e vjetër", na sugjeron komandanti i distriktit, Roland Nasto, kur i themi se kemi ardhur me qëllim për të vizituar Bisht-Pallën. Komandanti na pret në zyrën e tij, ku edhe tavullat e duhanit kanë në fund të tyre nga një anije liburne. Një grua e veshur me uniformë ushtarake ngjyrë kaki, na servir pije. "Është traditë e detarëve", këmbëngul me mirësjellje komandanti, i cili vendos të na shoqërojë personalisht për në Kepin e Palit. Ai porosit shoferin që të bëjë gati makinën për në bazën 13 hektarëshe që ka formën e bishtit të shpatës.
Rruga
Për të shkuar deri në bazë duhet të udhëtosh për 13 kilometra. Me siguri do të zhgënjehen të gjithë ata që duan të shkojnë me veturë. Rruga është e paasfaltuar dhe do t'i shkonte shprehja e fundit që ka dalë në modë: "si rrugë Kabuli". Por për këtë i ka marrë masat komandanti. Në portën e distriktit na pret një makinë ushtarake gjermane dhe në stolat në karroceri ulet me ne edhe shefi operacional, Astrit Bocaj. Pluhuri dhe lëkundjet e makinës, jo vetëm që na ndërpresin bisedën për bazën e dytë detare për nga madhësia pas "Pashalimanit", por edhe na zhvendosin temën duke u bërë ato objekt të saj. Por, sapo baza 30-vjeçare shfaqet në horizont, të gjitha fashiten dhe biseda përqendrohet te ajo. Baza rrethohet nga të gjitha anët me ujë; në të djathtë nga këneta dhe në të majtë nga deti. Makina ndalet para tabelës: "Ndal këtu është zonë ushtarake". Pas hapjes së portës, një rrugë që avullon nga asfalti i saposhtruar të çon drejt një godine të re moderne, që duket se edhe pak ditë do për të përfunduar. "Këtu do të vendosemi tani e tutje", thotë komandanti Nasto, duke treguar se i ka qëndruar te koka ndërtimit të godinës. Ajo është i vetmi objekt në bazë që të lidh me modernen, pasi fjetoret e marinarëve, mensa dhe lavanderia janë ndërtesa të vitit '70. "Tashmë një masterplan i detajuar ndodhet në tryezat e Bashkisë së Durrësit dhe pritet të miratohet nga KRRT-ja", tregon Nasto, duke shpjeguar se për të gjitha mjediset e bazës është bërë një projekt tepër modern. Ai është mjaft entuziast për të ardhmen dhe gjatë rrugës për në basenin e anijeve, na tregon imazhin që do të ketë baza brenda pak vitesh.
Baseni
"Po fryn veriu, deti është mjaft i trazuar", thotë komandanti ndërsa i afrohemi basenit. Minaheqësja e madhe është anija e parë që të zë syri. Më tutje, disa herë më të vogla në madhësi shfaqen motovedetat italiane dhe amerikane që i përdorin rojet bregdetare. Disa marinarë po merren me lyerjen e tyre. Hyjmë fillimisht te një motovedetë amerikane. Ato janë shtatë gjithsej dhe kanë ardhur në vitin 1999 në Shqipëri, vetëm tre vjet pasi janë prodhuar. Futemi te kabina e drejtimit të anijes. Sipër timonit ndodhen aparaturat e vëzhgimit, matjes së thellësisë, shpejtësisë, radari etj. Më pas zbresim disa shkallë të ngushta prej hekuri që të çojnë në dhomën e ngrënies. Një sobë me gaz, një frigorifer, një tavolinë dhe disa stola kauçuku të krijojnë përshtypjen e një minikuzhine lundruese. Në të djathtë është dera e dhomës së fjetjes. Anija në të cilën jemi ngjitur ka 4 shtretër dhe këtu më shumë se kudo tjetër mund ta thuash me plot gojën shtretër marinari. Anija lëkundet dhe kjo të krijon një lëmsh që të rrotullohet në stomak. Por kjo u ndodh vetëm atyre që s'udhëtojnë shpesh me anije. "Deti nuk i zë marinarët", thotë Kujtim Bregu, shef i shtabit, por për këtë nuk e vë dorën në zjarr. Ai kujton historinë kur ka qëndruar për 24 orë në det, kur dy anije ruse kishin shkelur në ujërat tona territoriale pa marrë leje. "I paralajmëruam, por ata nuk u tërhoqën. Qëndruam pa lëvizur në Rodon deri sa kryem detyrën", kujton ai. Dalim nga anija, e cila është ndër më të rejat në moshë. "Vetëm tre nga anijet e bazës janë konform standardeve të NATO-s", na thotë komandanti kur e pyesim. Kjo ua bën të vështirë punën oficerëve të bazës, të cilët nga ana profesionale i arrijnë këto standarde. 80 për qind e tyre kanë kaluar anglishten e nivelit të dytë dhe të tretë dhe pjesa më e madhe e tyre janë specializuar në shkolla ushtarake prestigjioze jashtë vendit. "Por projektet për modernizimin e bazës janë miratuar edhe nga drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe brenda 2010-ës, do të vijnë anije të reja që do të jenë në nivelin e duhur", tregon komandanti Nasto. "Ne u lodhëm gjithë jetën dhe tani s'do arrijmë t'i gëzojmë", i thotë me zë të ulët Astrit Bocaj kolegut të tij, duke i kujtuar pensionin. Ngjitemi të gjithë në makinën ushtarake për t'u larguar nga baza. Kepin e Palit e lëmë pas jo vetëm me një emër ndryshe.
Anija më e vjetër e bazës
"A-110" është anija më e vjetër e bazës detare të Kepit të Palit. Ajo është një anije luftarake kineze e viteve '50. Tipi i kësaj anijeje është përdorur për të xhiruar filmin "Duel i heshtur". Ndonëse është një anije shumëvjeçare gjendja e saj teknike shumë e mirë i ka lënë me gojë hapur disa specialistë kinezë që vizituan bazën detare para pak kohësh. Anijes nuk i është bërë asnjëherë rimont kapital. Kjo ka ndodhur në saj të kujdesit të madh të ekuipazhit dhe veçanërisht kapitenit të saj, Ali Zhupani, i cili është edhe detari më i vjetër i bazës.
Te dhena
- 260 orë patrullim janë kryer gjatë këtyre pesë muajve të parë
të vitit 2005
- 52.150 litra karburant është sasia e harxhuar gjatë këtyre pesë muajve
- 80 litra karburant në orë harxhon një motor i një motovedete amerikane
- 60 litra karburant në orë harxhon një motor i një motovedete italiane
Gjatë këtyre 5 muajve të parë të vitit, baza detare ka kryer
katër operacione
kërkim-shpëtimi:
- Kërkimi i skafit të mbytur "Jani Kola"
- Kërkimi i
peshkatarëve të
mbytur në Shën Pjetër
- Kryerja e operacionit SAR në zonën Kepi i Palit - Kepi i Durrësit
- Dhënia ndihmë
e anijes "Kavaja"
|