Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Magjia e gjuhës
 

Spiro Saqellari
Logopedist

Disa ditë më parë, një i afërmi im, duke më kërkuar një nder më bëri një të tillë, shumë më të madh: Duke më kërkuar të shërbeja si përkthyes midis rrethit të tij dhe kushërirës së tij franceze, unë njoha historinë mallëngjyese të kësaj gruaje 68-vjeçare, që vinte për herë të parë në dheun e prindërve të saj, histori që zgjoi në mendjen time edhe një e tillë, të ngjashme, por në kah të kundërt. Të tria kanë në thelb të tyre gjuhën e nënës, atë që thithim bashkë me qumështin në fëmijëri dhe kryesisht ata fëmijë që jetojnë me prindërit e tyre jashtë, ku kjo pasuri, e dyta për nga rëndësia pas jetës që na fal nëna, rrezikohet. Kur flas për gjuhë të nënës, kam parasysh si atë të një shqiptari ashtu dhe atë të një kinezi, arabi apo rusi që nuk banon në vendin e tij.
Margarita donte ta thërrisnin Kono.
E lindur në Francë nga dy prindër shqiptarë dhe e pagëzuar me emrin e gjyshes, Kono, por me fatin e keq të humbjes së nënës në moshën dy vjeç e gjysmë, Konua shqiptare, "bëhet" Margarita… Babai, pas vdekjes së nënës, martohet me një vendase që s'duronte dot gjuhë tjetër veç të saj, dhe kështu Konua e vogël, me humbjen e nënës humbi, jo vetëm emrin që i vuri ajo, por edhe gjuhën. Nga gjuha e nënës mori vetëm aromën mëngjesore të saj, përkëdheljet, ninullat dhe dhimbjet. Nuk janë pak, në të kundërt, lënë gjurmë të pashlyeshme që jehojnë në shpirtin e trazuar dhe të lumtur të njeriut; patjetër që këtë kishin bërë edhe tek Konua jonë. Kujtimi i mjegulluar i ninullave të nënës, komunikimi me të atin në fëmijëri, restoranti i tij që herë pas here mbushej me ca njerëz të "çuditshëm" që po kështu përkëdhelnin dhe këndonin, "pa vegla muzikore" dhe sidomos fjalët "çupë e babait", "zemra e babait", "shejtan"…, që megjithëse të thëna mes ngashërimit, nga Margarita "Kono" kuptoheshin qartë, kishin shënjuar gjithë jetën e saj. "Gjithmonë, që e vogël, jam ndier ndryshe nga moshatarët e mi - më thoshte një ditë - e vogël, nuk e kuptoja pse? Por kur u rrita, dhe sidomos tani që erdha këtu, takova të "mitë", pashë "fshanë", shtëpinë e prindërve, rrënjët e mia, e di shumë mirë se përse kam qenë dhe jam ndryshe: Unë jam shqiptare". Nuk u çudita aspak, kur një ditë Konua më kërkoi t'i thosha një "goxha" gruaje, në krah të këndonte një ninullë. Sapo filluan vargjet "nane, nane çupën-o", e mira Kono vuri kokën te prehri i kushërirës dhe tha se kjo ishte dhurata më e bukur e jetës së saj. Se në ç 'gjuhë doli mendimi nuk e kujtoj dot, pasi ngashërimi që shoqëroi fjalët e zhvlerësoi çdo përkthim, edhe nëse duhej një i tillë. Shumë njerëz erdhën e takuan Konon në ato ditë dhe të gjithëve ajo do t'u thoshte: Flisni, flisni. "Tek fytyra e çdonjërit, por, sidomos te fjalët e tyre, unë shikoj veten fëmijë, e rrethuar nga prindërit e mi", do të më thoshte njëherë gjatë atyre diskutimeve të gjata për fëmijërinë. Ditët e fundit para nisjes, vura re se Konua, gjithmonë e më pak kishte nevojë për përkthimet e mia. Fëmijëria, e ruajtur aq bukur në kujtimet e saj dhe e ushqyer po me mjeshtëri nga ajo, po zgjonte tashmë, e ngacmuar nga e folura e njerëzve të saj, gjuhën e nënës. Magjia e gjuhës, e regjistruar që në fëmijëri, po rrezikonte tani të më linte "pa punë". Kur ndonjëri e thërriste Margarita, Konua nuk e kthente kokën deri atëherë sa tjetri ta kuptonte "gabimin". Kono! më thërrisni - thoshte - pasi unë ajo jam: Konua nga Mbrezhani. Unë vërtet merrem me të folurin, gjuhën e fëmijës, zhvillimin e saj, por kurrë nuk do ta kisha kuptuar kaq mirë magjinë e saj po të mos kisha njohur "Margaritën" Kono....
Për nga vlerat që ka gjuha e nënës në zhvillimin harmonik të fëmijës dhe më pas, në gjithë jetën e tij, pa hezitim, do të thoshim se rëndësia e saj është "flori e shkuar floririt"; pasuri që e mbart me vete dhe të shënjon nga të tjerët. E përsëris, motivi që më shtyn për të shkruar këto radhë nuk është më shumë patriotik sesa njerëzor. Gjuha për fëmijën në vogëli është si qumështi. Që fëmijës t'i bëhen shëndet, i do nga mëma e tij. Qumështi ushqen organizmin, gjuha mendjen. Në këtë moshë, ajo nuk përmbledh vetëm fjalët, por ninullat, përkëdhelitë, të shprehurit e parë, fjalët e para, kujtimet, mbresat e fëmijërisë etj. Meqë ka të bëjë me gjitha këto gjëra themelore, gjuha vazhdon të jetë gjatë gjithë jetës ekuilibër për mendjen. Gjuha është atje, në rrënjët tona dhe jo vetëm për ne, por edhe për ata që do të vijnë. Do të ishte gjëja më e pakët që kur harron një gjuhë të humbisje vetëm aftësinë për ta folur atë, por bashkë me të, fatkeqësisht, sidomos kur bëhet fjalë për gjuhën e mëmës, humbet kujtimet, fëmijërinë tënde, një nga momentet më të çmuara e më të referuara në jetë. Me kohët e reja që kanë ardhur dhe sidomos për ne, vendet e varfra, dihet që gjuha e nënës është e rrezikuar. Por ne kemi, gjithashtu edhe shembuj nga eksperienca e vendeve të tjera që i kanë kaluar këto probleme, eksperiencë që vjen në formë jehone dhe bëhet pësim për të ruajtur identitetin në këtë botë që sapo vjen dhe po globalizohet. Pak histori kemi dëgjuar për italianët, irlandezët, grekët apo dhe shqiptarët e "amerikanizuar"! Të përpiqemi për shkollat shqipe, por së pari, t'i krijojmë parakushtet e saj në shtëpi me fëmijët tanë, duke e mbajtur gjallë dëshirën dhe dashurinë për gjuhën, duke folur e kënduar në të, që nga ninullat e deri tek këngët më të fundit, që nga përrallat dhe historitë e lashta deri te lajmet më të reja. Si mëmësia edhe atësia nuk transmetohen dot veçse në gjuhën e nënës; dashuria gjithashtu. Ndaj t'u flasim shqip, jo vetëm atyre që ikën "burra" këtej, por edhe fëmijëve që na lindin në vendin ku jetojmë. Gjuhën tjetër fëmija e mëson sapo t'i vijë koha për të dalë përjashta, me moshatarët e tij. Të flasim me ta, t'i përkëdhelim e qortojmë në gjuhën që na kanë folur edhe ne prindërit tanë, pasi vetëm në gjuhën e nënës jemi të aftë ta bëjmë si duhet këtë. Kështu do të ruajmë rrënjët, pasi gjuha i vadit ato dhe bashkë me to mban gjallë kujtimet që të tregojnë kush je, nga je dhe ku vete; thelbin e të qenit pra.

 

 

Bler inkurajon BE-në

Jon Smith
(The Independent)

Toni Bler nxiti dje liderët e BE-së që të marrin parasysh thirrjen e votuesve që kundërshtuan Kushtetutën Evropiane. Kryeministri britanik paralajmëroi politikanët, duke thënë se nuk mund të luanin me veten e tyre dhe të vazhdonin me punën e tyre duke injoruar realitetin. Ai foli edhe për krizën politike të kryetarëve të shteteve brenda Bashkimit Evropian. Bler tha se tashmë ekziston një debat shumë i thellë, për sa i përket të ardhmes së Evropës, duke ju drejtuar anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel. Gjatë fjalës së tij, ai u brohorit dhe u ndërpre sikur të ishte një "i pasionuar" ndaj Evropës. Ai, gjithashtu, nisi "të shembte karikaturën" e Britanisë së Madhe, e cila cilësohet si "shtrëngimi i një filozofie i tregut anglo-sakson, që shtyp të varfërit dhe ata që nuk janë në avantazh". Bler nxiti progresin e reformimit të buxhetit të BE-së, duke implementuar nisjen e reformave të tregut, në të quajturën axhenda e Lisbonës dhe në një fokusim më të madh mbi krimin, sigurimin dhe emigracionin. Ai tha se ka qenë takim pas takimi, kur BE-ja komunikoi pretendimin e "rilidhjes së Evropës me njerëzit". Më pas, ai bëri pyetjen: "A jemi ne duke e vendosur këtë lidhje?", dhe vazhdoi se "kjo nuk është koha të akuzojmë ata që duan të ndryshojnë Evropën nëpërmjet tradhtisë, por është koha që të kuptojnë se vetëm nga ndryshmet Evropa do të fitojë fuqinë, rëndësinë, idealizimin dhe si pasojë mbështetjen e saj ndaj njerëzve, ku si gjithmonë njerëzit janë në krye të politikanëve. Për 4 vjet Evropa drejtoi debatin për Kushtetutën tonë të re, ku 2 vjet nga këto u diskutua në Parlamentin Evropian. Kjo ishte një punë e detajuar dhe e kujdesshme, që krijoi ligje të reja për 25 anëtarët e saj, të cilët do të bëhen 27, 28 apo më shumë në të ardhmen. Kjo u nënshkrua dhe u mbështet nga të gjithë liderët, por u mohua në referendumet e dy anëtarëve të BE-së, ku në rastin e Holandës u votua kundër në mbi 60 për qind. Realiteti është që në shumicën e shteteve të BE-së do të ishte e vështirë të siguroje një "po" për referendumin. Kjo ka dy shpjegime: njëra është që njerëzit e studiuan Kushtetutën dhe nuk ishin dakord me të, për të cilën unë dyshoj që u votua kundër. Shpjegimi tjetër është që Kushtetuta është e thjeshtë dhe e manovrueshme për njerëzit që janë të pakënaqur me punët shtetërore në Evropë dhe unë besoj se kjo është analiza më e drejtë". Pak më vonë, Bler vazhdoi duke thënë se: "Kjo nuk është krizë e institucioneve politike, por është krizë e liderëve politikë. Ka ardhur koha që të kontrollojmë gjendjen ashtu siç është në realitet dhe të 'zgjohem' nga thirrjet e njerëzve. 'Njerëzit po i bien borive rreth mureve të qytetit'. A jemi ne duke i dëgjuar ata? A e kemi ne vullnetin politik të dalim dhe t'i takojmë ata, kështu do të na vlerësojnë, si pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit? Ky është edhe konteksti ku duhet të vendoset debati mbi buxhetin. Njerëzit thonë se na duhet buxheti për të na rikthyer besimin tek Evropa, por duhet të jetë buxheti i duhur, i cili nuk duhet të veçohet nga debati për krizën e Evropës. Këtu duhet të jetë edhe përgjigjja të këtij debati". Bler u rikujtoi anëtarëve të Parlamentit Evropian se ai ishte thjesht kryeministri britanik, i cili ofroi të vendoste rabatin e shtetit të tij në tavolinën e negociatave dhe tha se ai nuk është përpjekur të rinegociojë për politikat e përbashkëta bujqësore brenda natës. "Unë kam thënë vetëm dy gjëra: që ne nuk mund të biem dakord për perspektiva të reja financiare, të cilat në fund të fundit do të nisin një proces që do t'i prijë një buxheti më të arsyeshëm dhe kjo duhet të lejojë që buxheti të modelohet deri në 2014-ën. Sigurisht që ne kemi nevojë për një Evropë sociale, por kjo duhet të funksionojë", tha ai. Bler, i cili vazhdimisht u ndërpre nga duartrokitjet, vazhdoi duke lavdëruar qeverinë e tij për numrin e të papunëve, rrogën minimale dhe zgjerimin e të drejtave prindërore. Më pas, ai shtoi: "Ne e kemi bërë këtë mbi bazat dhe jo mbi shpenzimet e një ekonomie të fortë". Ai bëri thirrje për një buxhet modern, që në një periudhë 10-vjeçare nuk do të harxhonte 40 për qind të parave të veta në reformën e Politikave të Përbashkëta Bujqësore. Kryeministri tha se do të përpiqej të gjente një marrëveshje për financat në BE, për vitet 2007-2013, në 6 muajt e Presidencës së Britanisë. "Kërkoj vetëm një gjë: të mos luajmë me veten tonë, se ky debat është i panevojshëm, sepse nëse ne e shohim biznesin si njerëz të zakonshëm, herët ose vonë do të ngadalësojmë dhe do të pranojmë pasivisht një Evropë siç është dhe jo siç të tjerët duan që të jetë." Ai u shpreh se ky është një çast vendimesh për Evropën dhe shtoi se populli i Evropës po na flet. Ata po shtrojnë pyetje. Ata po presin për drejtimin tonë dhe ka ardhur momenti ta bëjmë këtë hap. Pasi anëtarët e Parlamentit Evropian iu përgjigjën vërejtjeve të tij, Bler tha: "Unë po shpresoja nëse kjo ishte një seancë vitale dhe jam i gëzuar që kështu është. Kjo quhet demokraci dhe do të zgjasë shumë. Për çdo gjë që njerëzit nuk janë dakord sot në Evropë, të paktën në një pikë ata e kuptojmë se Evropa është në mes të një debati të thellë, që ka të bëjë me të ardhmen e saj. Unë dua t'ju flas thjesht për këtë debat, arsyen e saj dhe mënyrën se si ta zgjidhim. Në çdo krizë ka një rrugëdalje. Edhe këtu ekziston një e tillë, nëse ne e kemi kurajën ta shohim atë. Debati mbi Evropën duhet të jetë një shkëmbim idesh. Çështja nuk është mes tregut të lirë evropian dhe një Evropë më sociale, por është mes atyre që duan të tërheqin tregun e përbashkët dhe atyre që besojnë në projektet politike të Evropës". Ai përfundoi duke thënë se është "pro-evropian". "BE-ja është një bashkim vlerash, të solidaritetit mes kombeve dhe njerëzve dhe jo thjesht një treg i përbashkët, ku ne si qytetarë jetojmë në 'hapësirat' politike të përbashkëta".

 
 
KOMENT

 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005