Në shtator, librin "Një
dosje për Kadarenë" do
të mund ta lexojnë në gjuhën e tyre çdo francez dhe amerikan. Shtëpia botuese "Odile Jacob Editor" ka lidhur një kontratë që prej dy muajsh me autorin Shaban Sinanin për të botuar këtë libër në gjuhë të huaja. Në një intervistë për "Tirana Observer", Sinani shpjegon se ç' vlerë do të ketë ky libër për lexuesin perëndimor dhe nëse do të pësojë ndryshime nga teksti që është botuar në shqip muaj më parë.
Z. Sinani pas publikimit nga ana juaj të librit "Një dosje për Kadarenë", shumë përkthyes shprehën interes për ta përkthyer në disa gjuhë të botës. Ju keni pasur ndonjë ofertë konkrete në lidhje me këtë çështje?
Po, ka pasur mjaft interesim nga botues të ndryshëm të Ballkanit dhe Perëndimit. Në Ballkan interesim ka shprehur shtëpia botuese "Poliron" në Bukuresht. Ndërkohë që ka pasur kërkesa për ta botuar në gjuhën çeke, polake, gjermane. Të gjitha këto propozime janë akoma të papërfunduar për shkak se unë e kam tashmë një lidhje detyrimesh, të mos përdor termin kontratë me "Odile Jacob Editor". Kjo shtëpi botuese cilësohet si një nga shtëpitë e librit më gjigantet në Francë dhe është e vetmja që ka një filial edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tashmë është në përfundim e sipër përkthimi në gjuhën frënge të këtij libri dhe menjëherë pas kësaj do të fillojë botimi në gjuhën angleze. Botimi i këtij libri do të jetë i njëkohshëm si në Paris, ashtu edhe në Nju-Jork. Në muajin shtator, praktikisht libri do të jetë në qarkullim në të dyja këto kryeqytete. Gjithashtu, kjo shtëpi botuese është shprehur e gatshme që të marrë të gjitha përgjegjësitë e mbrojtjes së tekstit në të gjitha gjuhët e huaja që do të përkthehet. Mesa duket dhe unë do të shkoj drejt këtij përfundimi që të drejtat e mbrojtjes të korrektesës së tekstit në gjuhë të tjera më të vogla apo më të mëdha qofshin t'i ketë kjo shtëpi botuese.
Kjo do të thotë se në të ardhmen ju keni ndërmend ta botoni dhe në gjuhë të tjera këtë libër?
Po. Praktikisht kjo është ideja, përderisa parashikohet që "Odil Jacob Editor" të jetë mbrojtëse e tekstit në gjuhët e tjera, si rrjedhojë është e parashikuar që në të ardhmen do të ketë botime në gjuhë të tjera. Unë ia kam njohur këtë të drejtë shtëpisë botuese dhe tashmë është çështje e saj të vendosë se në ç' gjuhë do të botohet në të ardhmen ky libër.
Sa kohë keni që e keni lidhur kontratën me shtëpinë botuese franceze?
U bë rreth dy muaj. Kemi pasur kontakte të herëpashershme me anë të korrespondencës.
Shkrimtari Ismail Kadare, a ka dijeni se ky libër së shpejti do të jetë në këto dy gjuhë?
Besoj se po, edhe pse kjo nuk është shtëpia botuese ku boton Kadare. Gjithsesi, unë mendoj se duke qenë një shtëpi botuese shumë e madhe, mendoj se shkrimtari Kadare është i njohur me këtë fakt.
A është përcaktuar tirazhi që do të ketë në frëngjisht dhe në anglisht ky libër?
Bëhet fjalë për tirazhe shumë të mëdha. Mendohet te 10 mijë kopje. Është një libër që është pritur shumë, është vlerësuar. Natyrisht që vlera më e madhe tek ai janë burimet. Dokumentet kanë karakterin e një dosieri të çuditshëm që nuk është i ngjashëm me asnjë dosier të këtij lloji të fateve të shkrimtarit në asnjë vend të Lindjes.
Çfarë vlere ka ky libër për lexuesin francez dhe atë amerikan?
Unë mendoj se letërsia dokumentare është një letërsi e cila fton shoqërinë, studiuesit që të reflektojnë duke parë të shkuarën drejt në sy ashtu siç ka qenë me të mirat dhe të këqijat e saj. Për fat të keq, ky libër përmban më shumë dhimbje, të cilat duket sikur i riprodhon shoqëria kur i njeh, por është e domosdoshme që t'i prekë që të pastrojë ndërgjegjen për t'u ndarë nga e shkuara. Kjo për lexuesin e Perëndimit ka një tjetër vlerë. Lexuesi i Perëndimit në këtë libër shikon pozitën e shkrimtarit në kushtet e shoqërisë në sistemin totalitar, të rilexojë veprën e tij, duke pasur parasysh se cila ishte korniza e lirisë së tij, shkrimtari dhe ndoshta edhe t'i vlerësojë ato. Në këtë rast kemi të bëjmë me vepra që nuk janë shkruar në kushte luksi, përkundrazi nga dokumentet rezulton nga dëshmia që kam në libër, janë shkruar në kushtet e një dhune verbale të një shkalle shumë të kualifikuar dhe shumë të lartë. Kjo do të thotë se shkrimtarit i ka munguar klima e shëndetshme për të shkruar, e megjithatë, ai ka arritur qëllimit të krijojë një vepër që kishte më shumë liri sesa kishte shoqëria shqiptare.
Botimi në gjuhë të huaja, pa ndryshime
Botimi në gjuhën të huaj, qoftë në gjuhën frënge, po ashtu edhe në angleze nuk do të ketë ndryshime për sa i përket burimeve që janë përdorur në këtë libër. Do të shtohen burimet, të cilat autori i librit, Shaban Sinani, i ka përfshirë në vëllimin e dytë që pritet të dalë shumë shpejt në qarkullim. Struktura e librit do të mbetet ajo që është në shqip.
Vëllimi i dytë, më shumë burime
Shaban Sinani, autori i librit "Një dosje për Kadarenë" ka vendosur që ky libër të ketë një vëllim të dytë. Madje, tashmë libri ka përfunduar në shtypshkronjë dhe po pret dritën e botimit. Sipas Sinanit, dokumentet e reja do ta njohim lexuesin me shumë të reja që ndodhnin në ato vite mes Kadaresë dhe Byrosë Politike. Në të njëjtën kohë, autori shpjegon se në botimin e dytë do të ketë më shumë burime sesa ishin në atë të parin. Madje, mes tyre ka dokumente që tregojnë se romanin "Gjakftohtësia" e quanin një vepër antikomuniste që duhej harruar përgjithnjë.
Gjykata dënon nënë e bir me 26 vjet burg
TIRANË - Nënë e bir dënohen me 26 vjet burgim nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Dje nga Kolegji Penal i Krimeve të Rënda është dhënë masa e dënimit për Lazim dhe Shkurte Kozin. Këta të fundit akuzohen nga prokuroria për vrasjen me paramendim në bashkëpunim, si dhe armëmbajtje pa leje, ndaj ish-dhëndrit Selami Idrizi. Pas përfundimit të konkluzioneve të të dyja palëve, organi gjykues ka shpallur fajtor nënë e bir. Ajo dha respektivisht për djalin Lazim Kozi, masën e dënimit 15 vjet burg, ndërsa për nënën e tij 10 vjet. Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar për të dy të pandehurit masën e dënimit 35 vjet, por gjykata, pasi e ka shqyrtuar këtë masë u ka dhënë këtyre të fundit masat e dënimit 15 dhe 10 vjet burgim.
Mungesa e projekteve braktis përroin
LUSHNJË - Mungesa e projekteve ka bërë që përroi i qytetit të Lushnjës të ketë një ndotje të jashtëzakonshme. Duke filluar që nga rrjedhja e tij e deri në derdhje me një gjatësi prej 3 kilometrash, ai është krejtësisht i ndotur me mbetje urbane. Ai ndan 3 lagje kryesore të qytetit. Banorët që banojnë në atë zonë të cilën ai përshkon ankohen për erën e keqe që i shqetëson në çdo moment të ditës ata. Në vitin 2001, qeveria shqiptare akordoi një fond prej 24 milionë lekësh për pastrimin e përroit. Ky financim u konsiderua si një fillim i mbarë, madje dhe u tha që do kishte dhe financime të tjera, si mbjellja me pemë dekorative dhe me lule zbukuruese. Por, tashmë kanë kaluar 4 vjet dhe këto kanë ngelur vetëm në letër, sepse asnjë projekt nuk është vënë në zbatim.
Aksidenton 50-vjeçaren, arrestohet
TIRANË - Aksidenton një 50-vjeçare, përfundon në qeli. Forcat e të policisë rrugore në Tiranë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të Altin Gjonës. Ky i fundit, duke lëvizur me mjetin e tij në rrugën "Ali Demi" në afërsi të shkollës "Kushtrimi i Lirisë" ka aksidentuar Bajame Zelën. Pas kryerjes së veprimeve hetimore-procedurale në vendngjarje, ndaj 21-vjeçarit është marrë menjëherë masa e arrestit. Ndërkohë, e aksidentuara është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Pasi u kryen të gjitha veprimet e duhura, materialet iu kaluan prokurorisë së kryeqytetit për hetim të mëtejshëm. Ndërkohë, i arrestuari do të dalë pas tri ditësh përpara togave të zeza, për të marrë masën e sigurisë. |