Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Bashkia e Tiranës bën gati dorëzimin e kërkesës në Sekretarinë e KRRTRSH-së
Ja procedurat për legalizimin e katër zonave
Të gjitha etapat për Kombinatin, Breglumasin, Qytetin Studenti dhe Kodra e Priftit

Dorina Topollaj

Përgatitet kërkesa për përcaktimin e kufijve të katër zonave informale të Tiranës. Bashkia e kryeqytetit është në prag të depozitimit në sekretarinë e Këshillit të Rregullimit të Territorit, kërkesën për përfshirjen në procesin e legalizimit dhe Urbanizimit të Kombinatit, Breglumasit, Qytetit Studenti, si dhe Kodrën e Priftit. Kjo është etapa e dytë e realizimit të këtij procesi. Sipas drejtoreshës së legalizimit në Bashkinë e Tiranës, Rezarta Ismailalaj, këto zona shtrihen në një sipërfaqe prej 15 kilometrash katrorë dhe me një popullsi rreth 700 mijë banorë. Njësia vendore do ta depozitojë kërkesën në Sekretarinë Teknike të KRRTRSH-së brenda 24 shtatorit, si afati i fundit i përcaktuar në ligj. Një nga objektivat e bashkisë është edhe planifikimi i territorit, pasi urbanizimi është një proces që shkon krahas me legalizmin. "Është në proces studimi urbanistik i Kodrës së Priftit nga Universiteti i Arkitekturës së Mendrizios, Zvicër" tha drejtoresha e legalizimeve.
Procedurat
Pas etapës së dytë të legalizimit, që është kërkesa e njësive vendore për përfshirjen në legalizim të zonave informale, ato do të merren në shqyrtim nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesat e njësive të qeverisjes vendore do të shqyrtohen nga KRRTRSH-ja brenda muajit janar të vitit 2006. Do të jetë KRRTRSH-ja e cila do të përcaktojë se cilat do të jenë zonat informale. Mbi bazën e këtij përcaktimi, më pas KRRTRSH-ja do të vendosë kryerjen ose rishikimin e studimeve urbanistike për këto zona. Pastaj sërish puna do të kalojë në njësitë e qeverisjes vendore, të cilat do të bëjnë hartimin e studimeve të këtyre zonave brenda 6 muajve, pas miratimit të zonës informale, pra deri në qershor të vitit 2006. Më pas do të jenë KRRT-të përkatëse, të cilat do të miratojnë studimet urbanistike. Brenda 4 muajve nga miratimi i tyre në KRRT-të, do të jetë KRRTRSH-ja e cila do të miratojë studimet urbanistike. I gjithë procesi është parashikuar që të zgjasë mbi 2 vjet. Në katër zonat, për të cilat bëhen fjalë, kanë kaluar fazën e parë të vetëdeklarimeve vetëm 17 mijë ndërtime informale.
Strehimi
"Ndërtimet pa leje të padeklaruara janë më të predispozuara të prishen në funksion të hapësirave të lira që do të parashikojë studimi urbanistik i zonës", tha Ismailalaj. Por edhe për të pastrehët që do të krijohen nga urbanizimi, ka shpresa për sistemim. "Gjatë studimit urbanistik të zonave do të evidentohen me kujdes hapësirat e lira që mund të krijohen, me qëllim që në këto parcela të strehohen të pastrehët që do të krijohen nga urbanizimi", tha drejtoresha. Ajo shtoi se në varësi të trojeve të lira që do të evidentohen do të hartohet dhe strategji e posaçme për strehimin.

TE DHENA

  • 15 km katrorë është sipërfaqja e katër zonave informale
  • 17.333 është numri i ndërtimeve të vetëdeklaruara nga banorët
  • 69.330 banorë është numri i popullsisë në këto zona
  • 23.000 është numri i ndërtimeve të evidentura në zonat informale

 

Mëzezi
Mëzez-Fushë ishte zona e parë informale që do legalizohej. Në zonë e Mezezit ku banojnë 2400 banorë, ka 550 shtëpi të ndërtuara pa leje. Sipërfaqja që kanë zënë këto ndërtime është 12.0678 ha. Fshati para viteve 90 kishte vetëm 60 shtëpi.

Unaza e re
Kjo zonë përbëhet nga 12 mijë banorë dhe ka një sipërfaqe prej 2.4 kilometrash katrorë. Ndryshe nga gjithë zonat e tjera, në Shqipëri ku janë ngritur ndërtime pa leje, në zonën e Unazës së Re, rreth 90 për qind e banorëve kanë dorëzuar formularët për legalizimin e banesave

Alliasi
Në zonën e Alliasit 247 hektarë janë zënë nga ndërtimet pa leje. Numri total i ndërtimeve pa leje për të dy njësitë është rreth 4000 ndërtime, ndër ta 2636 kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit të banesave të tyre.

Yzberishti
Në vijën kufizuese të zonave informale në fshatin Yzberisht, nga mbledhja e të dhënave rezulton se sipërfaqja e zënë është 30.6 ha për 914 vetëdeklarimet, ndërkohë që numri i përgjithshëm i ndërtimeve është 1230 ndërtime.

 
 
AKTUALITET


 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005