| |
Kanë vendosur t'i largohen
vapës dhe zhurmës së
kryeqytetit e të çlodhen diku pranë bregdetit. Shumica kanë zgjedhur të qëndrojnë brenda kufijve të Shqipërisë, ndërsa një pjesë do të largohet në vende të tjera, gjithmonë pasi të mbarojë fushata zgjedhore. Aktorët, këngëtarët dhe regjisorët shqiptarë duken më të preokupuar këto ditë jo dhe aq për pushimet, se sa për punën dhe një periudhë reflektimi ndryshe. "Mbase është disi shpejt për të folur, pasi nuk e kemi menduar mirë ku do t'i kalojmë pushimet, por pjesa e dytë e korrikut është periudha më e mirë", thonë ata. Sikur të jenë lodhur nga plazhet jashtë vendit këtë vit, një pjesë e mirë e tyre do t'i drejtohen bregdetit shqiptar, e kryesisht atij jonian. "Bregdetin tonë s'e ka askush në botë, vetëm se do të ishte mirë sikur të ishte investuar më shumë nga shteti. Bregdeti është më i mirë, çmimet më të lira dhe njerëzit më mikpritës. Jam i bindur se shumë nga ata që shkojnë për të kaluar pushimet jashtë shteti nuk e dinë se ç'perla janë Radhima, Orikumi, Saranda apo Himara", thotë këngëtari Ardit Gjebrea, i cili këtë vit ka zgjedhur Vlorën për muajt e nxehtë. Ndërsa për familjen Çashku, ashtu si për shumë të tjerë është gjysma e dytë e korrikut periudha e pushimeve. Por ata do të largohen nga Shqipëria për t'u çlodhur në Francë. "Deri tani ka qenë periudhë pune si për mua dhe Kujtimin, kështu që pushimet i kemi planifikuar diku nga fundi i korrikut. Do të rrimë dy javë e jo më shumë se kemi punë", thotë Nora Çashku, duke shtuar se vjeshta do të jetë një periudhë pune si për të edhe për bashkëshortin e saj, regjisorin Kujtim Çashku. "Nga vjeshta unë do kem një koncert recital për piano, kurse Kujtimi do të shfaqë premierën e filmit të tij "Syri magjik". Kurse këngëtarja Irma Libohova nuk do t'i largohet Shqipërisë. Për të katërtin vit ajo radhazi do të qëndrojë në shtëpinë e saj në Malin e Rodit, në Golem rrethuar nga familja dhe miqtë më të ngushtë. "Në çdo kohë këta miq ndërrohen, duke ardhur përveç familjes sime ose të afërm të burrit, ose të afërm e miq të mitë. Në korrik vjen edhe Eranda. Është viti i katërt që i kaloj pushimet në këtë mënyrë", thotë këngëtarja Libohova, duke shtuar se zgjedhjet i kanë "dhuruar" edhe një periudhë pushimi aktive. "Ashtu si dhe shumë këngëtarë të tjerë, jam pjesë e fushatës elektorale dhe bëjmë koncerte", thotë ajo.
Familja Çako
Gaqo Çako dhe gruaja e tij do të shkojnë në Durrës, ku kanë dhe shtëpinë e tyre. "Djali i vogël është në Paris me Invën, pasi atje vazhdon edhe shkollën në klasën e katërt, por do të kthehet shumë shpejt me të ëmën. Menjëherë pasi Inva dhe djali të vijnë këtu, Pirroja dhe Inva do të vendosin se ku do t'i kalojnë pushimet të tre".
Irma Libohova
"I kam filluar pushimet në fund të majit dhe besoj se do t'i mbaroj andej nga fillimi i tetorit. Por si të thuash nuk janë thjesht pushime, por pushime aktive. Ashtu si dhe shumë këngëtarë të tjerë, jam pjesë e fushatës elektorale dhe bëjmë koncerte", thotë këngëtarja, duke shtuar se shtëpia e saj në Golem nuk rri asnjëherë pa mysafirë.
Aleksander Gjoka
“Pushimet do t'i kaloj në Itali te fëmijët e mi, por pas fushatës elektorale, sepse jam besnik i zgjedhjeve dhe do të votoj. Besoj se do të qëndroj atje rreth 15 ditë e më pas do të kthehem përsëri në Shqipëri. Këto ditë do të jenë padyshim në pjesën e dytë të korrikut’.
Ardit Gjebrea
Sapo është kthyer nga Kosova, ku mbaroi kontratën dhe gjëja e parë që ka bërë kur erdhi në Shqipëri ishte një javë pushime në Vlorë, bashkë me gruan e tij Anilën dhe djalin, Jonin. "Por atë javë ra gjatë gjithë kohës një shi i madh dhe ishin pushime gjysmëdimërore". "Jam xheloz që ato para të planifikuara për pushime të mbeten jashtë, diku në një vend tjetër e jo në Shqipëri”.
Rovena Dilo
Akoma nuk i ka planifikuar të gjitha pushimet e saj, por Greqia si çdo vit është një pikë qëndrimi për këngëtaren në muajt e verës. "Një vend i sigurt ku do të shkoj dhe do të kaloj një pjesë të pushimeve të mia është në Kavalla, në Greqi ku kam edhe shtëpinë time".
Çifti Çashku
"Do t'i kalojmë pushimet në Francë, megjithëse kemi qenë edhe shumë herë të tjera", thotë pianistja Nora Çashku, duke shtuar se një nga arsyet që do të shkojnë në Francë është se aty kanë edhe djalin me familjen e tij. |