Tiranasit e shpronësuar kundër legalizimit
Edhe pse vendimi për kthimin e pronave ka vite që ka hyrë në fuqi dhe se neni 41 i Kushtetutës përcakton qartë ligjshmërinë e pronës private, shumë tiranas janë mënjanuar ose më saktë janë detyruar të largohen nga pronat e tyre të ligjshme, sepse disa të ardhur kanë zënë me forcë, pra kanë pushtuar atë që nuk u takon sipas moralit dhe traditës së shqiptarit. Jemi në valën e nxehtë të votimeve, ku partitë politike dhe kandidatët për deputetë bëjnë premtime marramendëse, sikur Shqipëria e drobitur do të kthehet pas 3 korrikut në parajsë. Ne, tiranasit autoktonë që jemi pronarë, na intereson problemi i pronave. Shkurt, pronarëve u është hequr çdo e drejtë për të marrë vendime për pronën e tyre, sepse për atë vendosin të tjerët, të cilët nën parullën e zgjedhjeve e ngastrojnë atë në atë shkallë që i zoti të mos ketë mundësi për ta administruar atë. Nga të gjitha gjërat e dëgjuara, ajo që mund të habisë dhe të shqetësojë çdo tiranas autokton apo të integruar që i di vlerat e Alliasit është kthimi i kësaj zone në zonë informale dhe premtimi për të legalizuar ndërtimet pa leje. Pronarët e vërtetë, për kaq vite me radhë nuk e dinë se ku e kanë truallin dhe kush i ka evidencat. Atëherë si është e mundur që merren vendime të tilla pa u zgjidhur këto ngatërresa, si është e mundur që ai që ka marrë pa të drejtë tokën, ndërton e strehohet, kurse i zoti nuk ka truall për të ndërtuar për fëmijët. Alliasi ka qenë perla e Tiranës dhe mund të themi se një metër katror aty kushton më tepër sesa në çdo vend të Tiranës, prandaj rikthimi i kësaj zone në zonë informale është djallëzi e papranueshme. Me këtë rast i bëjmë thirrje të gjithë institucioneve përkatëse që të shohin veprime të tilla. Zotëri ndërtues në truallin e huaj, që hiqeni si të varfër, por nuk jeni aq të varfër kur vjen puna për të ndërtuar pallate moderne. Mendoni dhe reagoni se tiranasit nuk do të largohen nga Tirana dhe duhet të keni parasysh se mosmarrëveshja me pronarët e ligjshëm, përveç largimit do t'ju shkaktojë pagesën e dëmit që i keni shkaktuar tokës. Duke u bazuar në nenin 41 të Kushtetutës dhe në trajtimin në të gjithë botën të këtij problemi, qeveria duhet të vihet në mbrojtje të ligjit, pra të pronarit. Kemi mjaft kërkesa në lidhje me pronën, por fillimisht kërkojmë anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi, i cili është marrë në valën e votimeve dhe për votimet.
Shoqata Patriotike Kulturore Tiranase
Infrastruktura e re në Portin e Vlorës
Në Portin detar të qytetit të Vlorës, tani në këto ditë të pragzgjedhjeve, është shtuar numri i mbërritjes së emigrantëve që vijnë nga Brindisi, Itali, 30 për qind është kjo rritje. Kurse është pakësuar numri i atyre që kalojnë traun e kalimit doganor për në shtetin fqinj, qoftë në njerëz apo automjete. Për të përballuar fluksin e emigrantëve janë marrë masa për t'u ardhur në ndihmë duke koordinuar punët për këtë qëllim, duke bashkëpunuar, Drejtoria e Portit me rajonin e policisë kufitare në port, doganën dhe agjencitë e sigurimeve. Përpunimit të kamionëve të tonazheve të rënda, si dhe veturave tani u vjen në ndihmë asfaltimi i shesheve të portit, që ndikon në përmirësimin e infrastrukturës, tregon drejtori i Portit detar, Vlorë, Platon Arapi. Në kalatat e portit tani operojnë dy tragete: i përhershmi "Skënderbeu" dhe "Aleksandros". Ngandonjëherë bëhet e papërballueshme. Më keq paraqitet gjendja kur njëri nga tragetet mungon dhe 4 pasagjerët presin bileta vajtje-ardhje, apo për atë që nuk vjen, dëmtohen financiarisht, pasi tragetet varen nga agjencitë italiane. Kemi dëgjuar shpesh se këto probleme presin të zgjidhen dhe ka një sërë projektesh për zhvillimin dhe rindërtimin e portit. Ajo që është e rëndësishme në këtë mes, është që ky proces ristrukturimi të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe njerëzit të gjejnë në port një shërbim sa më të këndshëm.
Selam Nevraj
Vlorë
Pushimet dhe problemet e zakonshme
Pushimet kanë filluar prej kohësh dhe tashmë po vazhdojnë. Sidoqoftë, unë personalisht ende nuk kam i kam filluar pushimet dhe po mendoj se ku do të shkoj. Jo sepse ka larmi zgjedhjeje, por kur kujtoj se çfarë situate krijohet në plazhe e vende turistike me duket e bezdisshme. Nuk është ndonjë gjë e këndshme të shpenzosh gjithë ato para për të kaluar pushimet në një det me plazh tejet të ndotur. Unë ende nuk i kam filluar ditët e mia të plazhit dhe nuk e di se si është situata atje për momentin. Por mesa kam dëgjuar, në shumë vende janë marrë masat e duhura të pastrimit dhe janë vënë koshat e plehrave. Sidoqoftë, shpresoj që kësaj radhe kultura jonë qytetare të jetë më e madhe sesa në vitet e kaluara dhe plazhet të mos jenë të pastra vetëm në tri ditët e para. Edhe çmimet e larta janë një problem më vete, pasi zakonisht në sezon pushimesh të gjitha shërbimet pranë zonave turistike kushtojnë dhjetëfish më shtrenjtë se zakonisht. Nuk e di a është marrë në konsideratë kjo gjë, por kjo është dhe një ndër arsyet pse gjithmonë e më shumë shqiptarët po drejtohen nga plazhet e Turqisë e Kroacisë. Dihet se largimi i pushuesve dhe mosardhja e emigrantëve shqiptarë për të kaluar pushimet në Shqipëri është një humbje e madhe ekonomike për turizmin shqiptar. Gjithë potenciali ekonomik që shpenzohet në plazhet e Turqisë dhe vendeve të tjera mund të shfrytëzohet në Shqipëri duke kontribuar për mirë në turizmin shqiptar.
Erton Gjoka
Tiranë
|