Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Vëzhguesit do të monitorojnë me kujdes procesin zgjedhor në 100 zonat elektorale

KQZ-ja ka autorizuar 4127 vëzhgues për zgjedhjet

Përfaqësuesit vendas përbëjnë numrin më të madh të të akredituarve në qendrat e votimit


Qamil XHANI

Rreth 2860 vëzhgues kanë marrë "OK" e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për monitorimin e procesit zgjedhor të 3 korrikut. Si rrallëherë në zgjedhjet e organizuara në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre janë vendas. Këtyre të fundit, duke u shtuar edhe të vëzhguesit që do të akreditohen sot, numri i përgjithshëm shkon në 3884. Ndërsa, vëzhgues të huaj që do të ndjekin nga afër zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, sipas zëdhënësit të KQZ-së, do të jenë vetëm 243. Fushata monitoruese do të përfshijë të 100 zonat zgjedhore dhe do të këtë si qëllim monitorimin e procesit në të gjitha etapat e tij.
Misioni
Vëzhguesit e huaj dhe ata vendas, megjithëse bëjnë pjesë në shoqata, institucione dhe organizata të ndryshme, kanë një qëllim të vetëm, të vëzhgojnë ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri.
Ata nuk do të fokusohen vetëm në ditën zgjedhjeve, pasi pjesë e punës së tyre është dhe situata parazgjedhore në vend. Disa nga pikat kryesore të monitorimit do të jenë, listat e votuesve, ecuria e fushatës elektorale dhe incidentet që mund të ndodhin gjatë saj. Gjithashtu, puna e tyre do të përqendrohet jo vetëm në funksionimin e komisioneve zonale zgjedhore dhe qendrat e votimit, por edhe më tepër në ditën e zgjedhjeve të 3 korrikut. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Erton Sinani, deri dje, në KQZ janë akredituar 2857 vëzhgues, pjesa më e madhe e të cilëve kanë nisur punën në terren. Ndërkohë, sot pritet të akreditohen dhe 1270 vëzhgues të tjerë. Pjesa më e madhe e vëzhguesve do të qëndrojnë për një periudhë të shkurtër kohore. Ndërsa të tjerët do të vazhdojnë misionin për një kohë më afatgjatë dhe pas përfundimit të zgjedhjeve. Në fund të misionit, ata do të paraqesin raporte të hollësishme për ecurinë e procesit.

TE DHENA

  • 2857 numri vëzhguesve të akredituar në KQZ
  • 1270 numri i vëzhguesve që do të akreditohen sot në KQZ
  • 234 numri i vëzhguesve të huaj
  • 3884 numri i vëzhguesve shqiptarë
  • 188 numri i vëzhguesve afatgjatë
  • 3939 numri i vëzhguesve afatshkurtër

 

Nano: Berisha është njeri i korruptuar

Kryetari i Partisë Socialiste prezantoi dje, dy kandidatët për deputetë në zonat elektorale nr. 68 dhe 70 të rrethit të Fierit, Fatmir Xhindin dhe Blendi Klosin. Gjatë fjalës së tij në takimin me zgjedhësit e komunave të Roskovecit dhe të Cakranit, lideri i selisë rozë nuk ka nguruar të thotë se fitorja e socialistëve është e sigurt dhe të sulmojë kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Takimi
Në takimi, Nano tha se "fitorja e Partisë Socialiste është e sigurt dhe e gjerë, si autostrada që po na çon drejt Evropës". Më tej, kreu i PS-së u bëri thirrje banorëve: "Ju duhet të votoni për të ardhmen, pasi nuk keni harruar ende predhat që sulmuan Cakranin 8 vjet më parë, ku topçiu ishte Berisha, që edhe sot mbetet po aq i rrezikshëm, po aq i çekuilibruar, po aq mashtrues dhe asnjë nuk mund ta ndryshojë këtë njëri". Nano theksoi se "Berisha është i korruptuar dhe ka frikë t'i takojë njerëzit se i kërkojnë paratë që u ka marrë në Spitalin Ushtarak". Sipas tij, Berisha nuk mund të ndryshojë, ai vazhdon të mashtrojë kudo që vete. "Ju duhet të votoni për kandidatët e PS-së, sepse vetëm kështu mbrohet e ardhmja dhe 640 milionë dollarë investime që qeveria socialiste ka kryer gjatë këtyre viteve. Çdo votë për kandidatin e LSI-së, Bardhyl Fasko, sjell Berishën kryeministër. Çdo votë për LSI-në përçan të majtën dhe bën Berishën kryeministër", tha kryeministri.
Premtimet
Kreu i socialistëve u premtoi banorëve të Cakranit dhe Roskovecit se do të punojë për vazhdimin e projekteve të tjera dhe për përmirësimin e mëtejshëm të jetës. Këtu, kreu i selisë rozë u kujtoi banorëve investimin e bërë për zonën e Bubullimës prej 15 milionë USD të Bankës Botërore dhe investimin prej 80 milionë lekësh për infrastrukturën rrugore dhe ujësjellësin e zonës. Ndërkaq, ai foli edhe për politikat mbështetëse të qeverisë ndaj fermerëve, ku veçoi uljen e akcizës së naftës, nga e cila ata do të përfitojnë 50 për qind ulje të çmimit të karburantit dhe trefishimin e pensioneve në fshat. "Në vitin 2006, fermerët do të përfitojnë kredi nga Banka Rurale, ndërsa Komuna e Cakranit nga ndërtimi i autostradës Fier - Gjirokastër, që do të kalojë në këtë zonë", përfundoi Nano.
E. ZYLA

Berisha: Nano me “katarsis” ktheu në pushtet korrupsionin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi dje takime në tre zona të ndryshme elektorale të qytetit të Tiranës, përkatësisht në zonat nr. 38 ku kandidon Ylli Pango, nr. 41 ku kandidon Neritan Sejamini dhe në zonën nr. 40 ku kandidon Gëzim Karapici. Në fjalën e tij, lideri demokrat përshëndeti elektoratin e djathtë, duke i falënderuar e duke i ftuar ata që në 3 korrik të dalin të gjithë në shesh për të festuar fitoren e madhe.
Premtimet
"Unë dua t'ju garantoj ju se në qeverinë e ardhshme do të punojmë bashkërisht për zgjidhjen e të gjitha problemeve tuaja, duke filluar nga legalizimi, me një hark kohor prej tre muajsh, e deri për reforma të arsimit dhe shkollimin e fëmijëve tuaj në shkolla moderne. Unë sërish ju garantoj ju se puna dhe punësimi janë shtylla kryesore e programit tonë", theksoi Berisha. Lideri i selisë blu theksoi se "papunësia është bërë një gangrenë e vërtetë për të gjithë shqiptarët, ajo prek 42 për qind të krahëve të punës ndaj dhe ne, vijoi ai, jemi të vendosur nëpërmjet një politike fiskale të qartë të përgjysmojmë taksat e biznesit të vogël, si dhe kthimin e Tiranës në një qytet që tërheq investitorë të huaj". Më tej, Berisha premtoi kreditimin e secilit prej qytetarëve, të cilët duan të zhvillojnë një biznes të vetin e kjo, sipas tij, të zhvillojë me shpejtësi biznesin dhe do të shtojë me shpejtësi vendet e punës. Më tej, Berisha premtoi dyfishimin e pensioneve dhe të rrogave në vend.
Akuzat
"Qytetarë dhe qytetare të Tiranës, tre vjet më parë, Fatos Nano ndërtoi të ashtuquajturin "Katarsis". Ai u duk se do të përballej me një të keqe të madhe të mbarë shqiptarëve dhe në atë periudhë ne e ndihmuam atë; në atë periudhë shtypi ynë e mbështeti atë, e të gjitha këto i bëmë, sepse ai po luftonte një të keqe të madhe, por zhvillimet e mëvonshme faktuan se ai kishte qëllim tjetër, vetëm të merrte pushtetin për të përfituar me gjoba e ryshfete qindra milionë dollarë nga taksat tuaja së bashku me klanin e tij. Kështu u kthyen në qeveri Angjeli, i cili është simboli i korrupsionit, së bashku me shumë "angjelë" të tjerë.
N. SELMANI

Raporti i ODIHR-it: Klima politike është ashpërsuar

Skema e Dushkut, listat e zgjedhësve, presionet ndaj nëpunësve publikë dhe studentëve për të votuar për kandidatë të veçantë apo drejtues të universiteteve që janë në garë për deputetë. Këto janë problemet që misioni i vëzhguesve të ODIHR-it ka publikuar dje në raportin e tij të dytë, për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. Një pikë e veçantë e raportit përmend dhe klimën që ka shoqëruar fushatën elektorale. "Tonet janë bërë të ashpra dhe ka ardhur në rritje numri i ankesave dhe pretendimeve për shkelje të dispozitave që lidhen me fushatën", thuhet në raportin e ODIHR-it. Ndërsa për skemën e Dushkut, raporti thekson se të dyja partitë politike po përdorin këtë skemë, duke shfrytëzuar dobësitë e sistemit elektoral. "Potencialisht këto strategji e zvogëlojnë besueshmërinë e sistemit elektoral për të shpërndarë mandate në bazë të sistemit elektoral".

Veliaj: Partitë në fushatë, me militantë të armatosur

Kryetari i lëvizjes "Mjaft", Erion Veliaj është shprehur dje se në fushatë ka kandidatë të inkriminuar dhe militantë që marrin pjesë në mitingje të armatosur, por nuk është qëllimi i Lëvizjes "Mjaft", që t'i bëjë të ditur emrat e tyre. "Sa për emrat e inkriminuar në listën e kandidatëve për deputetë nuk kemi pse t'i shtrydhim emrat, ky problem u takon partive politike. Unë mund të them se ka pasur raste, ku në mitingjet elektorale kanë marrë pjesë persona të armatosur, me këtë nuk dua të them kurrsesi, se fushata elektorale është zhvilluar në një klimë të tillë tensioni". Ndërsa, në lidhje me sondazhin që do të publikohet së shpejti, Veliaj tha se ai është në fazën e përpunimit të të dhënave dhe afati i publikimit të tij është data 28 qershor. E veçanta e këtij sondazhi, sipas Veliajt, është se në të do të ketë dhe pyetje për fenomenin "Dushku".

 
 
POLITIKE


 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005