Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Flet Gerti Bogdani, përfaqësues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë

“Si do ta organizojmë ndeshjen mes partive”


Vladimir Karaj

Për përfaqësuesit e ASAN,Rrjeti i Studentëve Shqiptarë në Botë, problemi i vetëm për të organizuar një ndeshje futbolli mes katër forcave të mëdha të politikës shqiptare, është pranimi i kësaj ftese nga këto parti. Ftesa e ASAN është dërguar tashmë dhe Gerti Bogdani, një nga drejtuesit e organizatës dhe një nga ideuesit e kësaj ftese, shpjegon për "Tirana Observer", vlerën që ka ajo dhe si do të vihet në jetë. Sipas Bogdanit, kjo ndeshje që duhet të luhet dy ditë para se të bëhen zgjedhjet, do të shërbejë si një "jastëk", për të zbutur gjendjen politike në vend, e për t'i dhënë fushatës një atmosferë sa më paqësore. Bogdani shpjegon se "kjo ndeshje do të ishte një mesazh shumë i vlefshëm, për shoqërinë dhe për elektoratin shqiptar, që ndjekin me ankth zhvillimet e fushatës". Në dyert e partive politike, ne nuk mundëm të marrim përgjigje rreth çështjes, nëse do të merrnin apo jo pjesë në këtë ndeshje. Bogdani nga ana e tij, na sqaron se deri më tani, vetëm një nga partitë e ka marrë në shqyrtim ftesën e sipas tij, pritet që ta pranojë atë. Ndërkohë, për tri partitë e tjera të ftuara, ende nuk mund të thuhej se do të pranonin të merrnin pjesë në aktivitetin me emër: "Mbro Portën, Koha për të Shënuar". Megjithëse, sipas Bogdanit reagimet kanë qenë pozitive dhe pritet që ftesa të pranohet. Ai sqaroi gjithashtu, se politikanët duhej ta gjenin kohën, qoftë edhe në ato ditë të pikut të fushatës, për të përcjellë një mesazh paqeje, mirëkuptimi e qytetarie elektoratit të tyre. Sipas ASAN, janë njoftuar tri partitë që janë ftuar për këtë fushatë, ndërsa pritet t'i bëhej një njoftim zyrtar edhe LZHK-së, që numri të kompletohet në katër. Ndërkohë që anëtarët e organizatës, kanë planifikuar edhe se çfarë do të bëjnë nëse ndonjë nga partitë nuk do të marrë pjesë, apo s'do të jetë në këtë ngjarje. "Nëse kjo ndodh, ne jemi përgatitur për një protestë, në formë shakaje", sqaron Bogdani, i cili ndërkohë, nuk vë në dyshim pjesëmarrjen e partive të ndryshme politike.

“Mbro portën, koha për të shënuar”

Kështu titullohet ftesa që ASAN, Rrjeti i Studentëve Shqiptarë në Botë, u ka drejtuar politikanëve shqiptarë. Ftesa që bën thirrje për një politikë me një frymë të re, pret pjesëmarrjen e katër lëvizjeve kryesore politike në vend. ASAN, ka ftuar, Partinë Socialiste, Partinë Demokratike, Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Ndërkohë, nga ana tjetër, organizata ka ftuar që rolin e arbitrit në këtë ndeshje ta luajnë tre përfaqësues të OSBE-së. Qëllimi i ndeshjes është zbutja e tensionit të fushatës elektorale.

Rritet paga minimale mujore në 11.800 lekë

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi, e cila pëson një rritje prej 9.3 për qind, shkon 11.800 lekë në muaj nga 108.00 lekë që ka qenë. Kjo pagë është e detyrueshme për t'u zbatuar nga çdo person juridik dhe fizik, vendas dhe i huaj që do fillojë që nga 1 gushti 2005. Këshilli i Ministrave bën të ditur se, efekti financiar i kësaj rritje është 13.6 milionë lekë në muaj për institucionet buxhetore. Ky vendim ka një efekt të rëndësishëm edhe në kontributet e sigurimeve shoqërore, madje efektin më të madh, ky vendim e ka në sektorin privat, në të cilin ushtrohet kontroll i rreptë për zbatimin e këtij vendimi. Paga minimale ka pësuar rritje vit pas viti. Kështu, në vitin 2002 paga minimale ishte 9.4 mijë lekë, në 2003 ishte rreth 10 mijë, ndërsa në 25 qershor të vitit të shkuar u mor vendimi që paga minimale të bëhej 10.8 mijë lekë. Përveç këtij vendimi të rëndësishëm, në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe disa vendime të tjera që janë gjithashtu, të rëndësishme. Ndër më kryesoret janë: për marrjen e grantit 550 mijë euro për rimëkëmbjen e zonave të ndotura të Porto-Romanos, apo dhe miratimi i fondit shtesë për shoqatën e invalidëve para e tetraplegjikë. Bien në sy marrëveshjet me BERZH-in për 70 milionë euro për ndërtimin e rrugës Fier - Levan - Tepelenë, rrugën e Shën Ndout në Laç, apo dhe marrëveshjen me "Lockheed Martin Global Inc" për modernizimin e Aeroportit të Rinasit.

Vendime të tjera të miratuara

  • Vendimi "Për miratimin në parim të letërmarrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH-së dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për përdorimin e grantit holandez (TF 054399), për rimëkëmbjen e zonave të ndotura në Porto-Romano, në kuadër të përgatitjes së projektit të menaxhimit të integruar dhe pastrimit të zonës bregdetare". Granti kap shumën e 550 000 dollarë amerikanë.
  • U miratua vendimi "Për dhënie fondi Shoqatës së Invalidëve Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë të Shqipërisë". Përmes këtij vendimi i akordohet një fond prej 1.000.000 (një milion) lekë kësaj shoqate për realizimin e aktiviteteve për vitin 2005.
  • U miratua projektligji "Për ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të RSH-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rehabilitimit dhe ndërtimit të rrugës Fier - Levan -Tepelenë". Marrëveshja e huasë me BERZH-in me vlerë rreth 35 milionë euro është pjesë e financimit të përgjithshëm prej 70 milionë eurosh të projektit për rehabilitimin dhe ndërtimin e kësaj rruge.
  • U miratua vendimi për nisjen e procedurave nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, për objektin "Sistemim-asfaltim, rruga Laç - Kisha e Shën Ndout (pjesa e parë)". Me anë të këtij vendimi, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të nisë procedurën përkatëse, për fondin prej 32 000 000 lekësh, për zbatimin e projektit sistemim-asfaltim të rrugës Laç - Kisha e Shën Ndout.
  • U miratua vendimi "Për miratimin e projektshtojcës së kontratës, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe "Lockheed Martin Global Inc.", për modernizimin e shërbimit të trafikut ajror shqiptar". Sipas vendimit, miratohet projektshtojca e kontratës ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe "Lockheed Martin Global Inc.", me vlerë prej 17 451 831 USD, me qëllim përfundimin e fazës së dytë dhe të tretë të projektit për modernizimin e shërbimit të trafikut ajror shqiptar.
  • U miratua vendimi "Për miratimin në parim të marrëveshjes ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë". Përmes këtij vendimi, pala turke i dhuron Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë 1.320.000 lira turke të reja, grant i cili do të sigurohet në materiale dhe shërbime në fushën e mbrojtjes dhe do të realizohet në përputhje me Protokollin e Zbatimit Logjistik.

 

SHBA: Zgjedhjet në Shqipëri,të pranohet rezultatit

Departamenti i Shtetit Amerikan në një deklaratë për shtyp për zgjedhjet në shqipëri i cilëson ato si ngjarja më e rëndësishme që nga rënia e komunizmit. Nëse zgjedhjet do të përmbushin standardet ndërkombëtare, kjo do të merret si një provë që Shqipëria po banë përparime në rrugën drejt bashkësisë euro-atlantike. "Këto zgjedhje përfaqësojnë një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Shqipëri qysh nga rënia e komunizmit. Zgjedhjet që përmbushin standartet ndërkombëtare do të shihen nga Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare si provë që Shqipëria po bën përparim të qartë në rrugën drejt shndërrimit në një anëtare të plotë të bashkësisë euro-atlantike", thuhet në njoftimin e departamentit. Gjithashtu kohët e fundit, udhëheqësit e të gjitha partive politike të Shqipërisë nënshkruan një kod sjelljeje për zgjedhjet. Ne e përgëzojmë këtë gjest dhe besojmë që është një tregues se sa mirë mund të punojnë së bashku udhëheqësit politikë të Shqipërisë për të siguruar që këto zgjedhje të përmbushin standardet ndërkombëtare. "Jemi të kënaqur që udhëheqësit politikë të Shqipërisë i janë përkushtuar një fushate demokratike, qytetare, dhe paqësore. është thelbësore që të gjitha partitë dhe udhëheqësit politikë të respektojnë dhe t'i përmbahen dispozitave të kodit të sjelljes, një pjesë kyçe e të cilit është pranimi nga udhëheqësit dhe mbështetësit e partive i rezultateve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera. Ne gjithashtu ndajmë vlera të përbashkëta bazuar mbi besimin tonë tek demokracia dhe tek roli qendror që luan sundimi i ligjit për mbrojtjen e demokracisë. Ne nxisim shqiptarët dhe partitë e tyre politike që ta përdorin shansin e paraqitur nga këto zgjedhje për të demonstruar më tej kredencialet demokratike të Shqipërisë, dhe për ta mbajtur vendosmërisht Shqipërinë në rrugën e hyrjes në Institucionet Euro-Atlantike", thuhet në njoftimin për shtyp të Departamentit Amerikan.

 
 
POLITIKE


 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005