Me pamje të qetë dhe
ecje karakteristike
përshkon çdo ditë rrugët e Gjirokastrës mes shtëpive të gurta që i njeh më mirë se kushdo tjetër. Me vështrim të thellë e të palexueshëm duket se ka marrë jo pak nga misteri i këtij qyteti, të cilit i është përkushtuar për rreth 40 vjet. Eli Buka është personi që ka marrë pjesë në restaurimin e 280 banesave karakteristike, monumente të kategorisë së parë e të dytë. Nuk ka ndërtesë ku të mos këtë ketë shkelur këmba e saj. I njeh me detaje banesat gjirokastrite, vlerat e tyre, pikturat murale, tavanet e gdhendur, e gjithçka tjetër përbërëse të tyre. Njeh gurët dhe vendin ku ata duhet të jenë. 280 prej këtyre shtëpive ajo i ka parë deri në milimetra dhe i ka njohur deri në detajet e tyre më të vogla.
Fillimet
Fillimet në këtë profesion kanë qenë të rastësishme. "Pas përfundimit të studimeve në Inxhinieri Ndërtimi në janar të 1971-shit, pas 15 muajsh punë në ndërmarrjen e ndërtimit, kaloj në Ateljen e Monumenteve, (Drejtoria e Monumenteve), ku vazhdoj të punoj ende", thotë Buka. Fillimisht është marrë me skicime dhe rilevime të monumenteve, me njohjen e tyre dhe më tej me projektime dhe ndjekjen e punimeve restauruese. Sot është e vetmja specialiste në këtë fushë. Mes punimeve veçon 45 restaurime të monumenteve të kategorisë I. Sipas saj, restaurimi nuk është një profesion si gjithë të tjerët, por ka specifikat e veta. "Restaurimi kërkon durim, këmbëngulje dhe mbi të gjitha duhet ta dashurosh atë. Në qoftë se nuk të tërheq kjo punë, po nuk e bëre me ndjenjë e shpirt, vlerat e monumentit do të dëmtohen rëndë", thekson Eli.
Restaurimi
"Cilësia në këtë fushë s'ka fund dhe çdo specialist mund ta bëjë atë të përsosur sipas dëshirë e mënyrës së vet, por në restaurim elementët që duhen restauruar të flasin vetë, të luten e të thonë: bëmë si kam qenë", vijon. Eli e përcakton restaurimin si një profesion të bukur, por edhe mjaft delikat. Në ndërhyrjet që bëhen duhet të heqësh pjesët e dëmtuara e t'i zëvendësosh me kujdes, me material të ngjashëm në mënyrën e punimit, në formë e në ngjyrë. Ndërhyrjet nga specialistë të pakualifikuar në monument mund ta dëmtojnë rëndë atë, shpjegon ajo. Pikturat janë më të vështirat për t'u riparuar. Duke qenë më të vjetrat nuk lejohet të ribëhen, vetëm pastrohen pjesët e mbetura, konsolidohen, por nuk bëhet ripunimi i tyre.
Projekti i parë
Projekti i parë që ka realizuar ka qenë në shtëpinë e Sheri Çeberit, monument i kategorisë së parë, një objekt me mjaft vlera. Gjatë punës në të ka pasur ndihmesën e prof. Emin Rizës, që e veçon për cilësitë e tij. "Nuk mund të mos përmend ndihmesën e madhe të profesorit Emin Riza, i cili ka qenë për mua mësuesi i parë dhe i vetëm në fushën e restaurimeve. I palodhur, i pakursyer, me dashuri e përkushtim ndaj monumenteve, ai ka qenë shkolla e vetme për mua në fushën e restaurimit", shpjegon Buka. "Shtëpitë e Gjirokastrës i kam të gjitha për zemër, madje të them të drejtën më duket sikur kam lënë në to një pjesë timen, por kam edhe monumentet e mia të preferuara që i dua më shumë si: Zekatët, Skëndulatët, Resajt, Asllan Bejo, Kikinot etj. Kam dashur shumë Bakiratët me fasadën më të pasur me zbukurime dekorative, që për fat të keq i shkatërruan të gjitha", thotë ajo jo pa një farë keqardhje. Ndërsa tregon se i do edhe banorët e këtij qyteti që kanë vuajtur e po vuajnë aq shumë me kushtet e vështira të banimit. Sipas saj, ata kanë sakrifikuar shumë në kohën e restaurimeve, janë bindur me raste dhe u janë imponuar për të realizuar atë që duhej dhe jo atë që kërkonin ata.
Kujtimet e bukura
gjatë restaurimeve
Një nga kujtimet më të bukura, që ka restauruesja, lidhet me ndërhyrjen që është bërë në shtëpinë e Musa Çaushit. "Ishte shtëpi muze e kategorisë II. Në ndryshim nga shtëpitë e kategorisë i, ku ruhej çdo gjë si në origjinal, në to ruhej pamja e jashtme dhe ajo e elementëve që mund të ishin tipikë", tregon Eli. "Gjatë vizitës në këtë shtëpi shoh që dhoma e miqve ishte një mrekulli, një perlë e ruajtur shumë mirë. Ju thashë që kjo dhomë nuk do ndryshohej, por do ruhej siç ishte", tregon restauruesja. Por i zoti i shtëpisë Musai, nuk ka qenë dakord që në fillim, në fakt ka qenë gruaja e tij, ajo që ndërhyri dhe që na ndihmoi me restaurimin. "Ishte mes dimri dhe gjatë çmontimit të dërrasave të tavanit, ajo i lau të gjitha vetë. Dërrasa nxinte, por kur u ktheva e pashë krejt ndryshe dhe boja nuk ishte prishur", rrëfen restauruesja. Ky veprim e ka vënë atë para një përgjegjësie për të realizuar sa më mirë restaurimin.
Gjirokastra, qyteti me 600 monumente
Gjirokastra është qyteti më i madh muze në Shqipëri, me rreth 600 monumente në qendrën historike e me probleme të mëdha, por edhe me vlera që kërkojnë një vëmendje ndaj tyre për të mbajtur vlerat e mrekullueshme. Tranzicioni, kohë e humbur që e çoi qytetin në situatë të vështirë. Ka qenë periudha më shkatërruese jo vetëm për mungesë fondesh, por edhe nga ndërhyrjet e gabuara të qytetarëve që i kanë dëmtuar mjaft monumentet dhe vlerat e tyre të papërsëritshme. "Ky është shqetësimi më i madh i imi dhe qytetarëve", thotë Buka. Aktualisht, në qytet ka 13 monumente të kategorisë I dhe 50 të kategorisë II, të shkatërruara e të dëmtuara rëndë. Por qyteti është një mrekulli e duhet t'i kushtohet më shumë vëmendje. "Dy vitet e fundit diçka ka lëvizur e shpresojmë që këto fonde do të shërbejnë për ta ringjallur qytetin e gurtë", tregon ajo. Ndoshta ato çati e strehë të rrëzuara, tavane dekorative që janë përkulur deri në dysheme do të vendosen në vendin e vet, apo pikturat e Çuberatëve e Kikinos nuk do të fshihen më nga çatitë e rrëzuara. Lajmet e trishtuara për të vitet e fundit kanë qenë të shumta. "Kur dëgjoj ose shkoj e shoh se është prishur apo shembur një banesë, apo një element i saj, më duket sikur më shkëputet një pjesë e shpirtit". Lidhja e saj me to është shumë e fortë, një jetë e kaluar mes tyre, duke i prekur, studiuar e duke u kujdesur. Dhimbja e saj shtohet kur sheh se specialistë e mirëfilltë janë të pakët e i përkasin një brezi të vjetër. "Ky është një shqetësim i madh, pasi mungesa e mjeshtrave dhe specialistëve të mirëfilltë që duhet të zbatojnë kriteret e ndërhyrjes bën që të ruhen me shumë korrektësi vlerat origjinale", pohon. Sipas saj, për përgatitjen e restauratorëve duhet të mendohej më parë. "Para disa kohësh kam takuar një studente që studionte jashtë vendit në këtë profil. Punoi këtu se kishte temë diplome restaurimin e një banese gjirokastrite. U gëzova kur më tha se do të kthehej. Një shenjë optimizmi e shprese", thotë ajo. |