FIER - Përveç vapës, stina
e verës sjell me vete edhe
dëme të tjera. Kështu sëmundjet alergjike, diagnozat e zemrës, si dhe sëmundjet virale kanë qenë kryefjala e poliklinikës në spitalin civil të Fierit. Sipas mjekëve alergologë e kardiologë të këtij spitali, çdo ditë vijnë për t'u vizituar rreth 90-120 pacientë me sëmundje dhe diagnoza të zemrës, alergjike e ato virale, ku një pjesë e madhe e tyre janë shtruar në spital. Shefi i pavijonit të sëmundjeve të brendshme në spitalin civil të këtij qyteti, Henrik Hamitaj, shprehet se "stina e verës është shumë favorizuese për këtë sëmundje dhe shton pacientët me këtë diagnozë. Me afrimin e stinës së nxehtë dhe temperaturat e larta, favorizohen e shkaktojnë sëmundjet e zemrës, kryesisht të infarktit, hipertonisë, trompozës dhe të sëmurët me diabet e hemorragji në tru". Po sipas tij, stina e verës favorizon jo vetëm sëmundjet e zemrës, por edhe ata me diabet, hipertension, hemorragji në tru dhe infarktet.
Moshat që preken nga sëmundja
Moshat më të prekshme të këtyre sëmundjeve kardiake janë 50-80 vjeçarë. Sipas mjekëve kardiakë, më e rrezikshme për këta pacientë është ekspozimi ndaj rrezeve përvëluese të diellit, sidomos në orarin nga ora 10.00-18.00. Me afrimin e temperaturave të larta këshillat, sidomos të mjekëve kardiakë, janë mosekspozimi në vendet me diell, ndenja e tyre në vende të freskëta, pasi edhe ndryshimi i temperaturave sjell keqësim të sëmundjeve të tyre. Gjithashtu, po sipas burimeve të spitalit të Fierit, nëpër statistikat zyrtare të vdekshmërisë, numri i pacientëve kardiakë zë një vend të konsiderueshëm mbi 60-70 për qind. Një tjetër pamje të ofron poliklinika me pacientët e sëmundjeve alergjike, favorizuese ndaj kësaj stine. Sipas mjekëve alergologë, është vetë stina që favorizon edhe më shumë alergjikët. Poleni i luleve, tymrat dhe pluhuri i rrugës, ndotja e mjedisit, papastërtia e ujit të pijshëm janë faktorët që favorizojnë këto sëmundje.
Fëmijët
Sëmundjet virale të stinës së verës tejmbushin edhe spitalin pediatrik të fëmijëve me një kapacitet prej 100 shtretërish. Lajmi konfirmohet nga vetë mjekët pediatër që punojnë në këtë spital, si dhe nga shefi i këtij spitali, Dhimitër Dhamo. Sipas tyre, sëmundjet virale janë sëmundjet e stinës së pranverës, që dikur spikasnin më tepër në stinën e verës, ku favorizues i kësaj sëmundjeje ishin temperaturat e larta, ndotjet e ujit të pijshëm dhe pluhuri i rrugës që merrej nëpërmjet mushkërive. Eneteroviroza tashmë, sipas mjekëve të këtij spitali, është sëmundja më shqetësuese, e cila prek kryesisht fëmijët e moshës 2-10 vjeç. Sipas mjekut pediatër, Dhimitër Dhamo, në këtë spital paraqiten për vizitë me simptomat e kësaj sëmundjeje, mbi 50 fëmijë në ditë. Gjithashtu, sipas tij, në këtë spital paraqiten për serume dhe reanimatorë ditorë mbi 20 fëmijë, ndërsa shtrohen në gjendje të rënduar shëndetësore mbi 12 fëmijë në ditë
Te dhena
- 90-120 pacientë vizitohen në një ditë
në spital
- 12 fëmijë paraqiten për vizitë në një ditë
- 50-80 vjeç është mosha që prek sëmundja e zemrës
Ekspertë për kthimin në identitet të monumenteve
SARANDË - Ekspertë të zgjedhur, si dhe restaurues nga më të mirët në vend, kanë mbërritur në Sarandë me misionin për të përshpejtuar dhe realizuar profesionalisht kthimin në identitet të murit rrethues të bazilikës së Sarandës. Ata do të bëjnë të mundur rehabilitimin tërësor të monumentit, sipas një projekti të miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve kohë më parë. Në një konferencë shtypi, të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në Sarandë, është bërë e ditur gjendja e monumenteve katër ditë pas prishjes së ndërtimeve pa leje. Sipas përfaqësuesve të drejtorisë, ndërhyrja e mjeteve të policisë ndërtimore po finalizon çlirimin e të gjitha pjesëve të monumentit. Operacioni i ndërtimorëve në këtë fazë është i mbikëqyrur edhe nga autoriteti shkencor dhe specialistët e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve. Prania e ekspertëve atje është fokusuar në kujdesin që veprimi i mjeteve të mos cënojë vlerat monumentale, sidomos në nivelin e murit arkeologjik, atje ku shtresat e tij takojnë me elementët ndërtimorë në objekte të rrënuara tashmë. Kësaj atmosfere pune i ka ndihmuar edhe klima e mirëkuptimit qytetar edhe vetë ish-pronarëve. Në konferencë përfaqësues të Drejtorisë Rajonale e Monumenteve të Kulturës dhe instanca të tjera shtetërore kanë treguar se disponojnë një dokumentacion të plotë, që e provon këtë, sikurse është relacioni i qeverisjes vendore, drejtuar Sekretarisë Teknike të KRRTRSH-së. Ndërkohë, në vargun e reagimeve kritike institucionale që Bashkia Sarandë ka bërë në rrugë zyrtare ndaj studimit "Hazbiu Projekt" ka qenë për ngrirjen e punimeve në të gjithë ndërtesat në brendësi ose në kufi me zonat primare arkeologjike. Një nga kritikat është edhe prishja e ndërtesave që interferojnë me zonat arkeologjike (citimi është nga ky relacion). Madje, edhe në relacionin e përmendur thuhet tekstualisht se sipas dokumenteve në arkivat e bashkisë, vendndodhja e mureve të kalasë së lashtë nuk është hedhur me saktësi në fletët përkatëse të planimetrive të masterplanit. Sipas dokumenteve që shkruhen në relacionin e bashkisë, thuhet se janë zvogëluar paksa në shkallë dhe, si rrjedhojë, krijojnë përshtypjen e gabuar se ndërtesat e propozuara jo vetëm nuk dëmtojnë, por as interferojnë me procionet e mbetura të këtij muri.
Përurohet xhamia e qytetit të Fierit
FIER - Përurohet në qendrën e qytetit të Fierit një vepër monumentale, kulti i besimit fetar mysliman, xhamia. Kjo e fundit është rikonstruktuar me një fond prej 860 mijë dollarësh. Në inaugurimin e këtij objekti arkitekturor, me pamje shkëlqyese marrin pjesë qindra besimtarë, si dhe personalitete e të ftuar nga trupi diplomatik të akredituar në Shqipëri. Kjo xhami, sipas ndërtuesve, është e treta në Evropë dhe një ndër të parat në Ballkan. Xhamia e re dhe krerët e saj denoncojnë indiferencën e pushtetit lokal për infrastrukturën e rrënuar dhe e "pasur me ndotje" përreth kangjellave të xhamisë luksoze.
Akuzat e prokurorisë, bie zbulueshmëria e policisë
ELBASAN - Prokuroria e Elbasanit shprehet e pakënaqur lidhur me forcën zbuluese të policisë në këtë rreth. Konkluzioni i organit të akuzës ka marrë shkas nga disa ngjarje të rënda të kohëve të fundit, që kanë ndodhur brenda territorit të këtij qyteti. Sipas ngjarjeve të ndodhura kohët e fundit në këtë qytet janë ende të pazbuluara. Kjo ka bërë që grumbullimi i provave të pamjaftueshme të vendosë në vështirësi organin e akuzës, i cili nuk ka argumente të mjaftueshme për proceset gjyqësore. Burime të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit e kanë argumentuar rënien e forcës zbuluese me sofistikimin e krimeve, fshehjen e provave nga autorët dhe largimin e tyre jashtë territorit të prefekturës, madje edhe jashtë shtetit
Hasmëritë, vëmendjen e policisë në zgjedhjet
PEQIN - Hasmëritë e vjetra mund të provokojnë një situatë të paparashikuar në Peqin më 3 korrik. Për këtë qëllim, pushteti lokal ka kërkuar vëmendje më të madhe të policisë për këtë rreth ditën e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme. Në një takim të zhvilluar në prefekturë me krerët e pushtetit lokal për këtë çështje, nënprefekti i Peqinit, Et'hem Peza, i ka kërkuar drejtorit të policisë, kryekomisar Arben Jocës, që më 3 korrik ta shohë me përparësi këtë qytet, pasi eksperienca e zgjedhjeve të kaluara ka qenë tepër e hidhur. "Në qytet ekzistojnë hasmëri të vjetra, të cilat rrezikojnë të shpërthejnë sapo të krijohet rasti", u shpreh nënprefekti. |