Eshtë dyfishuar tavani i
pensionit të ushtarakut
dhe në këtë mënyrë u përllogaritet pensioni të gjithë kategorive të ushtarakëve. Ligji i ri e ka masën e pensionit sa katër pensione bazë. Përveç kësaj, ligji e ka të qartë edhe problemin që flet për masën e sigurimit të ushtarakut kur është në pension të parakohshëm. Ligji i parë përcaktonte si vjetërsi sigurimi, kontributet e derdhura nga buxheti i shtetit, ndërsa ligji i ri thotë se kontributet derdhen sipas pagës referuese. Kjo do të thotë që kur ushtarakët mbushin moshën t'u mos u ulet pensioni, por të marrin pensionin suplementar pleqërie. "Nëse një ushtarak mbush moshën dhe merr 170,000 lekë pension të parakohshëm, pensioni maksimal i pleqërisë është 158,000 lekë. Pra, ai do të marrë 158,000 lekë dhe do të përfitojë 60 për qind shtesë suplement", thotë Zyhdi Kroi, kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve.
Ushtarakët e liruar
Ushtarakët që janë liruar për nevojat e reformës, por që nga viti 1992 deri në vitin 1998 nuk u janë derdhur kontributet, ligji i ri e njeh këtë si periudhë sigurimi për efekt pensioni përgjegjës dhe kontributet për kategori derdhen nga buxheti, sipas pagës referuese në çastin që u lind e drejta. Kjo do të thotë që nga 1.7.1992 për çdo vit do të derdhet kontributi sipas pagës së çdo viti. Në këtë mënyrë u eliminua boshllëku i gjashtë vjet e gjysmë kontribute me parametra zero për efekt të pensionit të pleqërisë. Kjo do të thotë që ushtarakët që në vitin 1991 kanë pasur rroga 9 000 apo 11,000 lekë, të gjithë këta kapin kufijtë e pensionit 14 deri në 15,800 lekë pensione pleqërie. Në të njëjtën mënyrë si llogaritet pensioni i pleqërisë llogaritet edhe pensioni suplementar. Ndërkaq, një oficer me 25 vjet shërbim ka masën 60 për qind të përfitimit.
Pensioni i parakohshëm
Në nenin 14 thuhet që ushtarakët që kanë përfituar të drejtën nga 1999-ta e këtej përfitimet u llogariten sipas kësaj mënyre. Nga viti 1999 deri në 2005 janë bërë shtatë rritje pensionesh apo rritje rrogash me 8 për qind deri në 10 për qind mesatarisht. Pra, pensionet janë rritur rreth 56 për qind. Një rrogë që më 01. 01.1999 ka qenë 15 mijë lekë të reja me 56 për qind shtesë bëjnë 8400 lekë të tjera. Specialistët e burimeve njerëzore në Ministrinë së Mbrojtjes bënë zbërthimin e disa neneve, të cilat bëjnë fjalë për pagë referuese, pagë mujore, pagë për gratë, për pensionet e parakohshme kushtet dhe masat e përfitimit, si dhe pensionet suplementare të pleqërisë. Nëse një oficer e ka pasur rrogën, pra pagën referuese më 01.01.1999, 15 mijë lekë të reja me rritjet që janë bërë gjatë këtyre shtatë viteve, atij i shtohet 56 për qind. Pra, 56 për qind e 15 mijë lekëve shkon 8400 lekë. Pra, paga referuese më 01.01.2006 atij do t'i llogaritet 234 mijë lekë dhe ky oficer në rast se ka 25 vjet punë duhet të marrë 70 për qind të kësaj page. Këtij oficeri i shkon rreth 170 deri në 180 mijë lekë pensioni i parakohshëm.
Nenet e interpretuara
Neni 14
Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese
Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se 4- fish i pensionit bazë, sipas përcaktimit të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në republikën e Shqipërisë"
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbim aktiv
Periudha për të cilën ushtaraku fiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi njihet si periudhë sigurie për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie, sipas pikës 2 të nenit 58 të ligjit nr. 7703 datë 11.5.1993 "Për sigurime shoqërore në Republikën e Shqipërisë". Kontributi për këto kategori përballohet nga buxheti i shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese mbi të cilën është llogaritur pensioni i parakohshëm, por në çdo rast brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale të indeksuar me koeficientët e indeksimit të pensioneve
Periudha 1.7.1992. deri në 31.12.1998 për ushtarakët e dalë në reformë njihet periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë. Kontributet për këtë periudhë derdhen nga buxheti i shtetit në bazë të pagës referuese nga çasti që ka lindur kjo e drejtë
Mënyra kushtet dhe kriteret e zbatimit të kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave
Për ushtarakët të cilëve ju ka lindur e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9210 datë 23.3.2004 "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", niveli i masës së përfitimit të llogaritur vendoset në kufijtë e parashikuar në këtë nen
Neni 15
Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë për ushtarakët
Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femra dhe 15 vjet për meshkujt.
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë
Pensioni suplementar në çdo rast nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë
Ushtaraku që ka vjetërsi shërbimi më pak sesa e përcakton ky nen përfiton pension suplementar në masën 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë
Neni 29
Pension suplementar për ish-ushtarakët
Ish-ushtaraku i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfiton pension pleqërie sipas ligjeve, numër 4171, datë 13.9.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", përfiton pension suplementar si ushtarak
Masa e pensionit suplementar është e njëjtë me masën e pensionit të llogaritur në nenin 16 të këtij ligji.
Neni 32
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të nxjerrë aktet nënligjore në zbatimin e neneve 3,4 dhe 14 të këtij ligji
Rikostruktohet ish
zona e parkut të autobuzave
Nisin punimet për sistemimin dhe rikonstruksionin e infrastrkturës në zonën e ish parkut të autobuzave. Rrugët që përfshin rikonstruksioni janë në bllokun e banimit që ndodhet mes rrugëve "Stavri Themeli" - "Babë Rexha" - "Ndre Mjeda" - Rruga e Kavajës. "Nisim sot punën për 20 hektarë të tjera, në një tjetër bllok. Ne vazhdojmë përmbushjen e rrugës për të plotësuar hartën e blloqeve të Tiranës me cilësi të re jete, me kushte krejt të reja të infrastrukturës dhe mbi të gjitha me një mjedis krejt tjetër për të gjithë komunitetin e këtyre blloqeve", tha kryebashkiaku Rama gjatë nisjes së punimeve. Zona karakterizohet nga një zhvillim urban pjesërisht i detajuar dhe i kontrolluar me përjashtim të rasteve sporadike të ndërtimeve pa leje që në shumicën e rasteve kanë karakter shtesash anësore të pallateve ekzistuese. Ndërtimet para viteve 90 janë tipike ndërtesa 5-katëshe kryesisht parafabrikate të sistemuara.
1 miliardë njerëz në
botë janë mbipeshë
Organizata Botërore e Shëndetësisë llogarit se më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën klasifikohen si të shëndoshë.
Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, thotë se 65 për qind e të rriturve amerikanë peshojnë mbi normalen dhe preken nga një numër sëmundjesh të zemrës, kancerit dhe diabetit. Përveç kësaj, qendra për kontrollin e sëmundjeve ka ndryshuar kriteret e saj, për sa i përket peshës së rrezikshme për shëndetin. Në mars të vitit 2004, Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve tha se 400 mijë vdekje çdo vit e kishin origjinën te mbipesha. Janarin e kaluar, ajo e pakësoi këtë numër në 365 mijë. Në prill qendra e uli këtë shifër edhe më, duke thënë se vetëm 112 mijë vdekje ishin të lidhura me mbipeshën. Në debatin për mbipeshën janë në lojë shumë para për sa i takon dietës dhe industrive të restoranteve dhe ushqimit. Amerikanët shpenzojnë 40 miliardë dollarë në vit për t'u dobësuar.
Efektet e vitaminës
E dhe dieta ushqimore
Thuajse gjithmonë ka mbizotëruar mendimi se vitamina E mund të ndihmojë për pakësimin e rrezikut nga kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Por një studim i ri tregon se tek njerëzit me probleme nga këto sëmundje, vitamina E aktualisht e shton këtë rrezik. Autorët e studimit theksojnë se pjesëmarrësit në studim u trajtuan me doza të larta vitamine E, rreth 400 miligramë në ditë, dhe se njerëzit duhet të përpiqen të konsumojnë çdo ditë rreth 15 miligramë vitaminë E, e cila mund të gjendet lehtë në një dietë të balancuar ushqimore. Studimi i ri botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, tregon se vitamina E mund t'u bëjë dëm personave mbi moshën 55 vjeç, me probleme të kaluara në zemër, apo me diabet. Sipas specialistëve tek personat me rrezik të lartë sëmundjesh, vitamina E nuk parandalon sëmundjet kardiovaksulare, dhe bllokimin e artereve të gjakut në tru, gjithashtu kjo vitaminë nuk parandalon kancerin.
|