Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 

INTERVISTA/ Flet ish-presidenti Ramiz Alia

“Përse Shqipëria po kalon tranzicion të gjatë”

Ramiz Alia komenton politikën e pas ‘90-ës
“15 vjet nga thirrja ‘E duam Shqipërinë si Evropa”


Roland QAFOKU
Luan KONDI

Të komunikosh sot me ish-presidentin Ramiz Alia, nuk të besohet se ke të bësh me një 80-vjeçar. Një celular i markës së fundit tringëllin po aq sa zilja e një të riu. Një kompjuter Pentium 4 rri gjithë ditën hapur dhe screen-sarver i tij rrallëherë e humbet pamjen e zgjedhur: një panoramë pranvere që për kontur ka ca flutura. Interneti gëlon së punuari dhe riviera e klikimeve shkon nga sitet italiane, angleze, ruse e deri ato amerikane. Shtypi i ditës dhe ai i huaj vazhdon të jetë pjesë e "menysë" së ditës. Dhe si për aoreolë, janë një dëng me libra që mbushin raftet pa fund e nëse je i kujdeshëm në shikim, e kupton që aty "fliten" të gjitha gjuhët e botës. Jemi në shtëpinë e tij, në katin e tretë të një pallati pranë restorant "Ujëvara" në kryeqytet. Aty rrezaton mikëpritje. Të pret me buzë në gaz dhe gjithnjë mundohet të të respektojë deri në detaje të vogla. Ka kaluar një të ftohtë të lehtë, por ashtu si sportiv që njihet, e mposhti sëmundjen vetëm siç di ai. Por, ish-numri një i shtetit shqiptar nuk e jep veten. Edhe pse ne ndihemi keq që gazetarët në të shumtën e rasteve i kanë rënë në qafë sesa kanë bërë punën e tyre.
Ajo që e shqetëson sot një njeri që ka drejtuar dikur shtetin shqiptar, është ajo më e madhja: fjala tranzicion. Alia kujton jo rrallë thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Por, ja që sipas atij, kjo kërkesë është vonuar e vonuar, saqë 15 vjet nuk janë pak. Dhe për më tepër, ky tranzicion po vazhdon e një zot e di se kur do mbarojë. Në një intervistë të zgjeruar për gazetën "Tirana Observer", ai shpjegon shkaqet e kësaj zgjatjeje, pikat e dobëta të klasës politike shqiptare, të dy udhëheqësve të saj Fatos Nano e Sali Berisha. Për pozicionim e tij politik për të cilin nuk nguron të thotë se është i majtë, por pa specifikuar partinë. Më tej, flet edhe për vlerësimin që i është bërë Enver Hoxhës nga historiani amerikan, Bernd Fisher, si shqiptari më me influencë i shekullit të 20-të. Flet për çështjen kosovare për të cilën në vitin 1944 ishin dy alternativa, ose zgjidhje paqësore ose brigadat partizane që kishin shkuar atje të mos ktheheshin. Flet edhe për miqtë e tij të rinj, politikanë, gazetarë e biznesmenë. Por edhe për kujtimet që po shkruan në një libër që ende nuk e ka bërë publik.
Zoti Alia, ndiheni në formë dhe dukeni shumë mirë me shëndet, edhe pse jeni afro 80 vjeç. Çfarë ju ka ndihmuar në jetë të jeni kaq mirë fizikisht dhe njëkohësisht aktiv?
Ju faleminderit për komplimentin. Po t'u besoja besëtytnive, mund të thosha se ditët e fundit rashë mësysh. Në fakt, gati dhjetë ditë isha në krevat, sepse kisha marrë një të ftohur. Tani çdo gjë është normalizuar. Kështu që kam filluar të bëj jetën sipas rregullit të zakonshëm: ndjek me vëmendje zhvillimet e vendit, lexoj e shkruaj dhe bëj ecje në natyrë, të paktën një orë në ditë. Këto, padyshim, më kanë ndihmuar dhe më ndihmojnë të jem në formë.
Zoti Alia, kanë kaluar afro 15 vjet pas largimit tuaj si President i Republikës. Si e vlerësoni ju sot situatën, cili është ndryshimi me periudhën kur ju ishit në krye të shtetit me atë që është sot?
Nëse e keni fjalën për periudhën socialiste, pra para vitit 1990, ajo nuk mund të krahasohet me periudhën e demokracisë pluraliste. Edhe nëse bëhet fjalë për dy vitet e para të tranzicionit, prapë është e vështirë të bëhet një krahasim i tillë. Ndoshta më mirë është të shihet çfarë ndryshimesh kanë ndodhur në vendin tonë, gjatë kësaj periudhe që është quajtur periudhë e tranzicionit.
Besoj se askush, as ish-studentët e dhjetorit që thërrisnin "E duam Shqipërinë si Evropa", as PD-ja që qeverisi vendin gjatë pesë viteve të para dhe as socialistët që përbëjnë mazho-rancën e sotme, nuk e kanë menduar se ky tranzicion do të ishte kaq i gjatë dhe i shoqëruar me kaq shumë halle. Mendimi im është se kjo nuk lidhet me trashëgiminë e kaluar, siç përpiqen ta shpjegojnë, sidomos disa "ekonomistë" e "politikanë" të djathtë. "Piramidat" dhe korrupsioni galopant, krimi i organizuar dhe trafiqet e qenieve njerëzore, të drogës e të kontrabandës, shthurja e shtetit, nuk erdhën nga e kaluara. Ato janë, në radhë të parë, pasojë e paaftësisë së politikës, e pikëpamjeve foshnjarake për shtetin e ndërtimin e tij, për zhvillimin e ekonomisë dhe administrimin e pasurisë kombëtare, janë pasojë e mentalitetit bajraktar të drejtimit që karakterizoi veçanërisht vitet e para të tranzicionit. Dihet se për të kaluar në sistemin e ri të ekonomisë së tregut e të pluralizmit demokratik, nuk u ndoq rruga e ndryshimit gradual, siç u ndoq në vendet e tjera të Evropës Lindore, por mori të përpjetën "mohimi" i çdo gjëje të kaluar, "shkatërrimi" në emër të një antikomunizmi primitiv i të gjithë strukturës ekonomike, kulturore e shoqërore gjë që frenoi zhvillimin normal të tranzicionit dhe krijoi një situatë të rëndë nga çdo pikëpamje. Kujt nuk i kujtohet programi i quajtur "Terapia shock", apo i famshmi "Çek i bardhë", që përbënin strategjinë e kalimit nga njëri sistem në tjetrin, sipas arkitektëve Berisha e Pashko? Çfarë sollën këto programe? Çdo gjë që ishte krijuar me punë e sakrifica, fabrikat e kombinatet, minierat e deri edhe kanalet vaditëse apo brezaret me agrume dhe vreshtat u shkatërruan, u "privatizuan" apo u shitën si hekurishte. Vetëm hidrocentralet nuk u prekën. Ndryshe, Shqipëria do të kishte mbetur edhe pa drita! Gjithë pasuria kombëtare mori fund, duke hedhur në rrugë të madhe dhjetëra, qindra e mijëra punëtorë, të cilët u detyruan të marrin rrugën e kurbetit. Një gjë që shkatërrohet është vështirë të rindërtohet. Aq më tepër që "Çeku i bardhë" mbeti një fjalë boshe.
Po për zgjedhjet, cili është mendimi juaj, kanë qenë më të rregullta ato të viteve 1991 e 1992 apo ato që janë bërë më vonë? Dhe meqenëse jemi në këtë temë, cili është pozicioni juaj për zgjedhjet e 3 korrikut?
Dihet se dy zgjedhjet e para, ato të marsit 1991, si dhe ato të marsit 1992, janë njohur botërisht, jo vetëm nga forcat politike të vendit, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si zgjedhje në të cilat u respektuan normat demokratike. Shkelja e votës së lirë të qytetarëve filloi me zgjedhjet e vitit 1996, në kohën kur Berisha dhe Partia e tij Demokratike kishin frenat e vendit në duar dhe kur për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin nuk hezituan, jo vetëm të falsifikojnë zgjedhjet, por edhe të shkaktonin gjakderdhjen që i kushtoi jetën më shumë se dy mijë qytetarëve. Që atëherë forcat kundërshtare politike u vunë si në llogore lufte njëra kundër tjetrës dhe natyrshëm edhe normat e demokracisë u prekën rëndë. E keqja është se harxhet po i paguan Shqipëria. Për sa i përket pozicionit tim politik, ai njihet botërisht: Unë i përkas së majtës shqiptare, pra jam përkrah atyre forcave që deklarohen dhe punojnë për fitoren socialiste. Në një gazetë është shkruar për gjoja "lobingun" tim për LSI-në. Nga ana ime nuk është bërë asnjëherë një deklaratë e tillë as për PS-në, as për LSI-në apo për PPSH-në e re e PSD-në. Por, siç thuhet në Shkodër "fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen kurrë"!
Çështja politike më e diskutuar në Shqipëri është futja e saj në Bashkimin Evropian. Kryeministri Nano ka parashikuar që brenda 15 vjetëve vendi ynë do të aderojë në organizmin më të rëndësishëm të kontinentit, ndërsa lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaron se mund të futemi pas 20 ose 25 vjetësh. Si e parashikoni ju aderimin tonë në BE dhe, sipas jush, përse ai është kaq larg?
Fola edhe më sipër për gjendjen në vend. Po të kemi parasysh disa të dhëna që pasqyrohen shpesh në shtyp lidhur me korrupsionin e trafiqet e ndryshme, me krimin e organizuar, me nivelin e lartë të papunësisë dhe të ardhurat e ulëta për frymë, si dhe faktin që jemi vendi i vetëm në Evropë që, përgjithësisht, nuk prodhon, por konsumon, duket edhe më qartë se sa larg jemi nga Evropa. Kur do të bëhemi gati për të hyrë në BE? Nuk e them dot kush ka të drejtë, Nano apo Berisha. Këta shpesh bëjnë propagandë elektorale, prandaj i ndryshojnë datat sipas rastit. Tani në radhën e premtimeve, Berisha e ka zbritur kohën e aderimit në BE!?
Personalisht, për një gjë jam i bindur: Shqipëria është një vend i vogël, por i pasur me njerëzit, me tokën e nëntokën e saj. Te ne ndryshimet, për mirë apo për keq, pasqyrohen shumë shpejt në jetën e vendit. Por çdo gjë varet nga politika që ndjekin pushtetarët. Evropa do të jetë më afër, aq sa këta nuk do të mendojnë vetëm për xhepat e tyre dhe të klaneve që i rrethojnë, aq sa gjithë veprimtaria të bazohet në ligjet e miratuara nga Parlamenti, aq sa do të tërhiqen në punë për të mirën e vendit biznesmenët shqiptarë, por edhe investitorët e huaj, aq sa do të ndihmohet seriozisht prodhimi bujqësor vendas. Pra, themelore është që Shqipëria të ecë e të përparojë, duke luftuar të gjitha ato fenomene negative, që e turbullojnë jetën e vendit dhe pengojnë zhvillimin e mbarë të tij. Vetëm atëherë, Shqipëria do të shkojë në Evropë.
Nuk ka shumë ditë që jeni dekoruar në ambasadën ruse nga presidenti Putin, si pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore. A e kishit menduar ndonjëherë se një dekoratë me firmën e presidentit rus do të varej në gjoksin tuaj, kur dihet se pas luftës marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë kanë qenë mjaft të tensionuara?
Dekorimi i disa personave, midis të cilëve edhe i imi, me rastin e 60-vjetorit të fitores mbi fashizmin, ishte një nderim për të gjithë partizanët shqiptarë. Ai ishte një veprim simbolik. Numri i të dekoruarve, mund të ishte më i madh ose më i vogël, mund ta merrnin dekoratën, jo ata që e morën, por veteranë të tjerë, kjo nuk është themelore. Kryesore është se Rusia, nëpërmjet presidentit të saj, vlerësoi dhe nderoi Luftën NÇL të popullit shqiptar, kontributin që dha Shqipëria në luftën e përbashkët botërore antifashiste. Në historinë e popullit tonë Lufta NÇL do të çmohet, jo vetëm se ajo solli çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë, por edhe për faktin se nëpërmjet kësaj lufte, Shqipëria u lidh me koalicionin antifashist botëror, që kishte në krye aleatët e mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë. Fakti që Shqipëria në Luftën Antifashiste mori anën e fitimtarëve dhe jo të humbësve, kishte rëndësi vendimtare për fatet e vendit, për ruajtjen e lirisë dhe të pavarësisë së saj edhe pas çlirimit të vendit. Nëse Shqipëria do të kishte qëndruar pasive, ose edhe më keq, po të kishte bashkëpunuar me fashistët italo-gjermanë, ajo do të ishte e pambrojtur nga synimet grabitqare të shteteve që na rrethojnë, të cilët nga ana e tyre kishin marrë pjesë aktive në luftën kundër bllokut fashist. Edhe në këtë aspekt, duhet parë rreziku që paraqisnin tezat e Ballit Kombëtar gjatë luftës, "të presim se s'ka ardhur koha" ose të "shfrytëzojmë" gjermanët, të "bashkëpunojmë me ta" për të luftuar "nacionalçlirimtaren dhe komunistët" ose edhe për të "marrë Kosovën".

 

POZICIONI POLITIK

Unë i përkas së majtës shqiptare, pra jam përkrah atyre forcave që deklarohen dhe punojnë për fitoren socialiste. Në një gazetë është shkruar për gjoja "lobingun" tim për LSI-në. Nga ana ime nuk është bërë asnjëherë një deklaratë e tillë as për PS-në, as për LSI-në apo për PPSH-në e re e PSD-në. Por, siç thuhet në Shkodër "fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen kurrë"!

VOTIMI

Dihet se dy zgjedhjet e para, ato të marsit 1991, si dhe ato të marsit 1992, janë njohur botërisht, jo vetëm nga forcat politike të vendit, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si zgjedhje në të cilat u respektuan normat demokratike

 

Vlersime për...

LUFTEN E DYTE BOTERORE

Nëse Shqipëria do të kishte qëndruar pasive, ose edhe më keq, po të kishte bashkëpunuar me fashistët italo-gjermanë, ajo do të ishte e pambrojtur nga synimet grabitqare të shteteve që na rrethojnë, të cilët nga ana e tyre kishin marrë pjesë aktive në luftën kundër bllokut fashist.

ZGJEDHJET

Shkelja e votës së lirë të qytetarëve filloi me zgjedhjet e vitit 1996, në kohën kur Berisha dhe Partia e tij Demokratike kishin frenat e vendit në duar dhe kur për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin nuk hezituan, jo vetëm të falsifikojnë zgjedhjet, por edhe të shkaktonin gjakderdhjen që i kushtoi jetën më shumë se dy mijë qytetarëve.

TRANZICIONIN

Besoj se askush, as ish-studentët e dhjetorit që thërrisnin "E duam Shqipërinë si Evropa", as PD-ja që qeverisi vendin gjatë pesë viteve të para dhe as socialistët që përbëjnë mazhorancën e sotme, nuk e kanë menduar se ky tranzicion do të ishte kaq i gjatë dhe i shoqëruar me kaq shumë halle.

SHKATERRIMIN

Gjithë pasuria kombëtare mori fund, duke hedhur në rrugë të madhe dhjetëra, qindra e mijëra punëtorë, të cilët u detyruan të marrin rrugën e kurbetit. Një gjë që shkatërrohet është vështirë të rindërtohet. Aq më tepër që "Çeku i bardhë" mbeti një fjalë boshe.

(Vijon nesër)

 
 
ARGUMENTI
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005