Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Atletja jonë në prag të nisjes për në Almeria
Klodiana Shala: Objektivi im, një medalje në Almeria

Klodiana Shala është një nga atletet më të mira që ka nxjerrë vendi ynë. Ajo ka marrë pjesë në garat e 200 dhe 400 metrave, ku ka vendosur rekorde kombëtare dhe ka arritur të jetë nënkampione Ballkani. Rezultatet e saj më të mira janë 24,34 në 200 metra dhe 53,87 në 400 metra. Ajo ka qenë mbajtësja e flamurit për ekipin tonë kombëtar në lojërat olimpike të vitit Athina 2004. Atletja jonë prej disa vitesh jeton dhe stërvitet në Greqi. Ajo vazhdimisht ka garuar për vendin tonë. Sigurisht duke mbajtur nënshtetësinë shqiptare, duke vazhduar të garojë për ngjyrat kuqezi, jo siç kanë bërë në të shkuarën dhe vazhdojnë të bëjnë një numër i madh i sportistëve shqiptarë.
Almeria në fokusin e Klodiana Shalës
Në një konferencë për shtyp të organizuar nga “AMC”-ja dje në hotel “Rogner” në Tiranë është bërë një ekspoze e punës, stërvitjes dhe arritjeve të atletes sonë Klodiana Shala. Atletja jonë ka falënderuar presidentin e “AMC”-së, i pranishëm në këtë konferencë, për ndihmesën e madhe që kompania e tij i ka dhënë në këto tri vitet e fundit. Në fakt, Klodiana që prej tre vjetësh financohet vetëm nga kjo kompani dhe jeton e stërvitet prej kohësh në Greqi me shpenzimet e “AMC”-së. Në prag të nisjes për në Almeria ajo ka treguar optimizmin e saj, se edhe në këtë kampionat do të mundohet që të paraqitet sa më denjësisht. Duke iu kthyer edhe një herë çështjes së financimeve, ajo nuk ka nguruar të adresoje kritika të ashpra në drejtim të Ministrisë së Kulturës, sporteve dhe federatës. Kjo e fundit, jo vetëm që nuk i ka dhënë qoftë edhe një rrogë për të cilën ka qenë e detyruar, por nuk ka denjuar as të flasë ose ta falënderojnë qoftë edhe një herë të vetme me atleten, e cila mbetet një nga më të mirat e këtij sporti në vendin tonë. Në fund, Klodiana ka falënderuar sërish presidentin “AMC”-së, Stefanos Oktapodas, për ndihmën e madhe që i ka dhënë asaj duke premtuar se gjithë këto investime nuk do të shkonin kot. Klodiana Shala është e sigurt se në Almeria dhe Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, i cili është edhe objektivi kryesor i saj, do të mundohet që të marrë medalje.
Rekordmene në Shqipëri dhe nënkampione e Ballkanit
Nuk është hera e parë që atletja jonë merr pjesë në një kampionat kaq të rëndësishëm. Ajo ka qenë edhe nënkampionja e Ballkanit në vrapimin e 200 metrave me kohën 24,34 në Novi Sad të Serbisë dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete të tjera si në Bukuresht, Izmir, Odesa, Athinë etj., ku ka treguar cilësitë dhe aftësitë e saja si një atlete me eksperiencë. Ka marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Athinës 2004 dhe ato të Sidnej 2000, ku edhe pse nuk ka mundur të ngjitet në podium ka treguar një nivel të mirë të atletikës sonë. Më 18 qershor 2005, Klodiana Shala ka marrë pjesë në lojërat e Stambollit, ku ka garuar në 400 metra me pengesa e duke dhënë kohën 57,09. Ajo ka përmirësuar rekordin kombëtar të vendosur pikërisht katër vite më parë. Klodiana Shala mban tri rekorde kombëtare në 200 metra, 400 metra dhe në 400 metra me pengesa që deri tani nuk janë thyer nga asnjë atlet në vendin tonë.

Presidenti i “AMC”-së: Investimet do të vazhdojnë

Në konferencën për shtyp ka folur edhe presidenti i “AMC”-së Stefanos Oktapodus, i cili ka treguar angazhimin e tij personal dhe të kompanisë që ai drejton për investime të mëtejshme në sportin e atletikës. Ai ka thënë se do të vazhdojë të financojë punën dhe stërvitjen e Klodiana Shalës, duke e parë atë si pretendente në kampionatet e ndryshme që atletja do të garojë dhe pse jo duke shpresuar për një pjesëmarrje dinjitoze edhe në Lojërat Olimpike Pekin 2008. Presidenti Oktapodus, në vazhdim të fjalës së tij, ka thënë se kompania e tij do të ndihmojë edhe në ndërtimin e infrastrukturës dhe në financimin e talenteve të reja në këtë sport në të ardhmen. “Do të përpiqemi të investojmë sa më shumë, por normalisht duke parë edhe mundësitë tona. Në Shqipëri mungon një politikë apo strategji nga federata dhe shteti për të bërë të mundur që investimet tonë të jenë sa më koherente e të dobishme”, ka përfunduar presidenti i “AMC”-së, Stefanos Oktapodos.

Gjergj Rruli: Kemi trajnerë të paaftë

Në konferencën për shtyp nuk ka munguar edhe presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Rruli, i cili u përqendrua më shumë në problemet që ekzistojnë midis federatës dhe trajnerëve. “Fatkeqësisht, në këtë sport kemi trajnerë që nuk kanë një përvojë të gjatë në atletikë, kështu që ky sport, edhe pse ka talente të padiskutueshme nuk arrin të ecë përpara”, ka thënë Gjergj Rruli. Mjafton të kujtosh që një rekord i vendosur nga ai 26 vjet më parë, ende nuk është thyer të bën të mendosh se sporti i atletikës nuk ka bëra hapat e duhura. Kjo ka ardhur, sipas tij, dhe nga investimet e mundësitë e pakta financiare që janë dhënë për këtë sport. Pyetjes se çdo të bënte federata nëse do të kishte një bojkot të mundshëm të atletëve për në Almeria me pretekstet e ngritura kohët e fundit se federata nuk paguan, ai i është përgjigjur se do të futej ai vetë që të garonte për ngjyrat kuqezi në vend të tyre.

Shpallet lista e kombëtares për në USA

Është shpallur dje lista e futbollistëve që do të marrin pjesë në miqësoret që kombëtarja jonë do të zhvillojë në Amerikën e largët. Me një ftesë të bërë nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane me qendër në Detroit dhe Miçigan, kombëtarja shqiptare do të bëjë një turne të shkurtër me rastin e 4 korrikut Ditën së Pavarësisë së Amerikës. Nuk është bërë ende shumë e qartë se me cilët ekipe do të përballet përfaqësuesja jonë në këtë turne në USA. Fakt është se përbërja e këtij ekipi është 90 për qind nga futbollistë që nuk kanë luajtur ndonjëherë me përfaqësuesen shqiptare. Mund ta quajmë pa problem “kombëtarja C”, pasi as kombëtarja B, të cilën ka pretenduar Brigel nuk ka mundur të vihet në dispozicionin e tij, pasi ajo përbëhet nga shumë futbollistë që aktivizohen te Tirana, Elbasani dhe Dinamoja. Këto skuadra janë në prag të ndeshjeve të tyre të para në kupat e Evropës dhe janë duke bërë stërvitjet e tyre. Shumica e këtyre futbollistëve nuk kanë qenë asnjëherë në planet e trajnerit të kombëtares Hans Peter Brigel, por që në këto të ashtuquajtura miqësore ai do t’i duhet të kënaqet me këta të fundit.

Lista e futbollistëve

I. Lika (Dinamo)
A. Mustafa (Skënderbeu)
E. Billa (Shkumbini)
E. Xhafa (Dinamo)
B. Kuli (Lushnja)
D. Bylykbashi (Partizani)
A. Belisha (Vllaznia)
J. Driza (Flamurtari)
A. Teli (Vllaznia)
P. Dhëmbi (Dinamo)
E. Alikaj (Dinamo)
Gj. Muzaka (Partizani)
P. Xhihani (Dinamo)
V. Sinani (Vllaznia)
S. Lici (Partizani)
Rr. Hallaçi (Partizani)
K. Xhyra (Shkumbini)
Xh. Sukaj (Vllaznia)
A. Gallo (Teuta)
L. Pinari (Teuta)
A. Beqiri (Partizani)

Erjon Bogdani kthehet te Rexhina

Është mbyllur më së fundmi edhe historia e sulmuesit të kombëtares, Erjon Bogdani, me skuadrën e Veronës. Ai është kthyer pikërisht atje ku nisi karrierën e tij në Itali pesë vjet më parë te skuadra siciliane e Rexhinës. Kjo e fundit, pasi e pati dhënë për dy sezone në formë huaje në fillim te Salernitana dhe këtë vit te Verona ka kërkuar kthimin e tij në klubin e vet. Klubi i Rexhinës deklaroi se nuk pati parë një interesim të madh të klubit të Veronës në blerjen e plotë të kartonit të futbollistit, kështu që në datën 30 qershor, sipas kontratës së huas të nënshkruar midis këtyre klubeve, Bogdani do të kthehet te skuadra e origjinës. Ndërkohë, kosovari Valon Berhami do të mbetet ende te kjo skuadër, megjithëse është kërkuar nga shumë klube të serisë A. Në fakt, presidenti i Veronës ka blerë edhe gjysmën tjetër të kartonit të futbollistit kosovar, që mbahej nga klubi i Xhenovës.

 
 
SPORT


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005