Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Protestues të shumtë janë mbledhur para dhe pas samitit në Skoci

Vendet e varfra, qëllimi kryesor i Samitit të G8-ës


 

 

Pak orë para fillimit të Samitit të G8-ës në Skoci, pjesëmarrësit kanë filluar të shfaqin qëndrimet për çështjen e klimës dhe ndihmave për Afrikën. Kancelari gjerman, Gehrard Shrëder, me të arritur në Skoci ka konfirmuar qëndrimin për shlyerjen e borxheve ndaj vendeve afrikane. Mirëpo, Bush ka kundërshtuar çdo lloj ndihme për zhvillimin e vendeve me qeveri të korruptuar në kontinentin afrikan. Ministri i Jashtëm britanik, Straw, ka kërkuar lejimin e pranisë më të mirë të vendeve në zhvillim të Afrikës në tregjet evropiane. Liderët janë takuar në mbrëmjen e ditës së djeshme.
Qëllimet e samitit
Udhëheqësit e grupit të tetë vendeve më të industrializuara janë mbledhur për të diskutuar për ndryshimet klimaterike dhe zhvillimin e Afrikës. Kontaktet intensive para samitit mes zyrtarëve janë zhvilluar në mënyrë që të bihet dakord, për dyfishimin e ndihmës për Afrikën dhe lehtësimin e borxhit për disa nga vendet më të varfra të kontinentit më të varfër. Por disa çështje mbesin për t'u zgjidhur nga vetë udhëheqësit dhe vetëm marrëdhëniet mes shteteve anëtare të G8-ës do të përcaktojë nëse samiti vërtet do të sjellë një marrëveshje të re për Afrikën, megjithëse kjo gjë duket pak e vështirë pas kundërshtimeve të Bushit. Kryeministri britanik, Toni Bler, pritet të ushtrojë trysni ndaj udhëheqësve të grupit të 8 vendeve që të nënshkruajnë planin, i cili do të shtonte ndjeshëm ndihmën për Afrikën. Presidenti Bush, javën e kaluar bëri të njohur një fond të ri për Afrikën, por ai shtoi se mendon që vendet e pasura duhet të ndihmojnë për t'i dhënë nxitje zhvillimit në Afrikë dhe jo thjesht t'i dhurojnë para. Kryeministri britanik, Toni Bler, po përpiqet që në këtë takim të miratohet një paketë masive, e cila synon lehtësimin e varfërisë në Afrikë. Këtu përfshihet lehtësimi i borxheve dhe dyfishimi i ndihmave për kontinentin afrikan nëpërmjet një mekanizmi fondesh, që do t'i ndihmonte afrikanët të merrnin tani për tani ndihma financiare të bazuara në premtimet për ndihma në të ardhmen.
Përleshje mes protestuesve
Forcat policore janë përleshur me qindra grupe protestuesish, ndërsa udhëheqësit e vendeve më të industrializuara janë mbledhur në Skoci. Policia e Skocisë qendrore bëri të ditur se dhuna shpërtheu në Stirling, kur disa aktivistë që jetonin në një kamp pranë qytetit, filluan të shkojnë drejt zonës së Glenigëlls. Ata qëlluan me objekte të shumta forcat e policisë. Qëllimi ishte pikërisht bllokimi i zonës së Glenigëlls, në mënyrë që të bëhej më e vështirë ardhja e kryetarëve të 8 vendeve. Policia ka vendosur barriera të forta sigurie rreth 8 kilometra në hotelin ku do të qëndrojnë anëtarët e G8-ës. Megjithëse polica kishte vendosur ta anulonte protestën, kjo gjë nuk u arrit. Tani për tani, publiku po ushtron trysni të madhe ndaj vendeve të G8-ës, që ato të marrin masa të fuqishme. Sipas vlerësimeve, më tepër se 1 milion njerëz në katër kontinente morën pjesë në 10 koncertet e ditës së shtunë që u mbajtën në vendet e G8-ës dhe në Afrikën e Jugut, për të rritur ndërgjegjësimin e botës për varfërinë.

Ollbrajt: Haradinaj, modeli më i mirë për Beogradin

Ish-shefja e diplomacisë amerikane, Medlin Ollbrajt, u shpreh dje në Prishtinë se modeli më i mirë për Beogradin se si duhet të respektohet sistemi juridik dhe drejtësia ndërkombëtare, është të shikohen veprimet e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Ollbrajt i bëri këto komente në Prishtinë, gjatë një takimi me përfaqësuesit e mediave kosovare. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Ollbrajt i bëri thirrje Beogradit që të bashkëpunojë më tepër me Gjykatën e Hagës dhe të dorëzoje ish-liderët e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiçin dhe Ratko Mlladiçin, si dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë. Derisa fliste për obligimet e popujve te rajonit ndaj drejtësisë ndërkombëtare, ish-sekretarja Ollbrajt e përmendi tri herë ish-kryeministrin Haradinaj si model për respektimin e sistemit juridik. Në diskutimin e saj, ish-kreu i diplomacisë amerikane, gjatë kohës së luftës në Kosovë u shpreh se kurrë nuk ka besuar se zgjidhja e statusit të Kosovës do të zgjasë kaq shumë dhe për këtë ajo pohoi se disa herë ka bërë kritika. Ollbrajt nuk e komentoi se cili do të jete statusi i ardhshëm i Kosovës, duke shtuar se nuk është më në vendin nga ku merret ky vendim. "Ky është viti i vendimeve për Kosovën dhe për këtë janë të vëmendshëm liderët kosovarë", tha Ollbrajt. Ajo e ka anashkaluar pyetjen se me kë duhet të ulet në bisedime pala kosovare për zgjidhjen e statusit final, duke pohuar se biseda me Beogradin është me rëndësi, pasi është pjesë e Evropës. "Me Beogradin është me rëndësi të bisedohet, por atje duhet të bëhen shumë më tepër përmirësime", tha ajo në fjalën e saj, duke mos precizuar nëse Prishtina dhe Beogradi duhet të negociojnë për statusin. Ajo tha se pasojat e Millosheviçit janë ende evidente dhe njerëzit kanë probleme për të harruar të kaluarën. Një vëmendje të veçantë në diskutimin e saj Ollbrajt ua kushtoi çështjeve ekonomike, duke pohuar se Kosova nuk mund të presë derisa të zgjidhet statusi final, por liderët politikë dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të krijojnë mekanizma të menjëhershëm, që edhe Kosova të jetë pjesë e integrimeve rajonale ekonomike. Në pyetjen se a është Kosova e përgatitur për pavarësi, Ollbrajt tha se është bërë shumë progres dhe në këtë kontekst përmendi liderët politikë, të pozitës dhe opozitës, për të cilët tha se për dallim nga e kaluara, tani respektojnë shumë më tepër qëndrimet e njëri-tjetrit. Ajo i ka porositur serbët e Kosovës që të bëhen pjesë e institucioneve, sepse, sipas saj, bojkotimi nuk sjell rezultate.

Bush nis udhëtimin në Evropë

DANIMARKE- Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka mbërritur ditën e djeshme në Kopenhagen. Kjo është edhe fillimi i vizitës së tij të katërt në Evropë për këtë vit. Para Samitit të G8-ës në Skoci, Bush i bëri një vizitë zyrtare Danimarkës. Në program ishte një takim me mbretëreshën Margrethe II dhe një bisede me kryeministrin Anders Fogh Rasmusen. Para se të nisej nga Uashingtoni, presidenti amerikan, Bush, tha se do të shprehë në radhë të parë mirënjohjen për mbështetjen aktive të Danimarkës për politikën ndaj Irakut gjatë pushtimit. Demonstrata e parë antibush e grupeve militante pak para vizitës së tij të martën në mbrëmje ishte e qetë. Ditën e djeshme në Kopenhagen vijuan edhe shumë manifestime nga protestuesit që kishin mbushur rrugët e Kopenhagenit.

Haradinaj kthehet në Hagë, në janar të 2007-ës

KOSOVE- Gjykimi ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, para Gjykatës së Hagës do të fillojë në janar të vitit 2007. Një përfaqësues i Gjykatës së Hagës ka deklaruar se procesi me siguri do të zgjasë 18 muaj. Haradinaj, para një muaji u lirua nga paraburgimi. Ish-kryeministrit kosovar i është kufizuar lëvizja dhe mund të qëndrojë vetëm në Prishtinë dhe në fshatin e tij të vendlindjes Gllogjan, ndërsa për çdo javë duhet të paraqitet në zyrën e autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë. Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit më 9 mars të vitit 2005, një ditë pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Haradinaj u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, ndërsa në paraqitjen e tij të parë përpara Hagës u deklarua se nuk ndihet fajtor.

Shrëder kërkon faljen e borxheve të Afrikës

GJERMANI- Menjëherë para Samitit të G8-ës në Skoci, kancelari gjerman, Gerhard Shrëder ka kërkuar faljen e plotë të borxheve për vendet më të varfra të Afrikës. Sipas tij, ky lëshim duhet të shoqërohet me një udhëheqje të mirë, sepse vetëm kështu garantohet që falja e borxheve t´i shërbejë edhe kapërcimit të urisë dhe varfërisë. "Koncertet live 8 në fundjavë kanë treguar angazhimin e popullatës", tha në fjalën e tij kancelari gjerman. Ai vazhdoi duke thënë se këto thirrje për më shumë ndihmë për Afrikën nuk duhen të zhduken pa u dëgjuar. Për temën e mbrojtjes së klimës, kancelari Shrëder theksoi rëndësinë e protokollit të Kiotos. Këtë protokoll nuk e ka nënshkruar SHBA-ja. Shrëder tha se rruga, e cila është nisur me Kioton, duhet vazhduar më tej në të ardhmen.

   
 

BOTA & RAJONI



 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005