(Vijon nga numri i kaluar)
Banda e Xhevdet Mustafës duket se u shërbeu vetëm si fillim, pasi menjëherë, shumë anëtarë të Byrosë duket se mezi e kishin pritur rastin të turreshin mbi të. Nuk lanë gjë pa thënë e nisnin diskutimin e tyre me pyetjen se cila kishte qenë arsyeja që kreu i bandës që erdhi në venin tonë më 25 shtator 1982 kërkonte takim me Kadri Hazbiun. E kjo, nuk u vërtetua ndonjëherë. Këtë vetëm e kanë thënë njerëz që ishin afër kreut të partisë. Megjithatë, turravrapi i byroistëve nuk ndalej këtu, ata u hynë analizave të “thella” dhe “profesionale”. Përveç vërejtjeve për kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, Hazbiut iu kërkua të shprehej edhe për nxjerrje sekreti apo mungesë vigjilence. Në fund, kur vrulli u rrit për ta denigruar plotësisht ish-ministrin, atij iu tha se kishte kryer punë armiqësore.
Akuzat e Adil Çarçanit
“Si rezultat i punës antiparti të Kadri Hazbiut, shumë nga këta njerëz u ngritën në përgjegjësi të ndryshme, madje njëri deri në detyrën shumë delikate të drejtorit të Drejtorisë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, siç është rasti i Kristaq Qarrit. Kur janë shqyrtuar kandidaturat e të tillë elementëve si ky në Byronë Politike përse ti, shoku Kadri nuk je ngritur e t’i bëje të njohur këtë fakt Byrosë Politike, derisa e dije që ky ishte në atë listën atje, derisa njiheshe me këto të dhëna që ne t’i kërkuam tani? Në bazë të normave të partisë, kur kuadrot lëvizin dhe jepen të dhëna biografike për secilin, kudo në të gjitha instancat, aq më tepër në Byronë Politike, duhet vënë gjithçka, çdo shënim që mund të jetë i nënvizuar me bojë të kuqe, pra, si anët pozitive, por sidomos ato negative. Kadriun nuk duhej ta kishte lënë kujtesa, aq më tepër kur është çështja të vendoset kuadri në një vend me përgjegjësi të veçantë, siç është rasti në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, që ka të bëjë me gjithë ato sekrete ushtarake shumë, shumë të rëndësishme. Mos është edhe kjo “harresë” apo “lajthitje e kujtesës”? Jo. Përkundrazi, kjo e rëndon edhe më shumë përgjegjësinë tënde, Kadri, përgjegjësi që në autokritikë ti nuk e nxjerr, nuk e analizon, por e kalon si një fakt të thjeshtë të njohur.
Vërejtjet e Enver Hoxhës
Enver Hoxha, i revoltuar i thotë Kadri Hazbiut që të jetë i kujdesshëm të mos u kërkojë llogari të tjerëve, por të përgatitej të bënte një autokritikë të shëndoshë e të pranueshme nga të gjithë. “Komitetit Qendror, ne do t’i bëjmë të njohur vendimin që thashë më parë dhe në mbledhje të Plenumit, Kadri Hazbiu duhet të bëjë një autokritikë të shëndoshë, një autokritikë të thellë, ku të reflektohet sinteza e vendimit të Byrosë Politike, me përjashtim të çështjes shumë të rrezikshme, ku e kanë vënë Ministrinë e Punëve të Brendshme shoku Kadri dhe agjenti Mehmet Shehu më të tjerë, më dorëzimin sovjetikëve të dosjeve të të dënuarve antiparti, me dhënien e rezidenturës, të listave të bashkëpunëtorëve e vënien e tyre në vëzhgim direkt dhe indirekt të KGB-së sovjetike dhe të organeve të Sigurimit të Ministrive të Brendshme e të shteteve të tjera revizioniste. Kjo punë nuk duhet të figurojë në autokritikën e Kadri Hazbiut, për arsye se jo vetëm që Plenumi i Komitetit Qendror do të irritohet jashtëzakonisht shumë e do të kërkojë dënime të rënda për të, por edhe partinë ne do ta vëmë në situatë kritike, se do të shikohen me një sy të dyshimtë të gjithë kuadrot, civilë dhe ushtarakë, që kanë mësuar në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera revizioniste. Kjo do të ishte një katastrofë për ne, po këtë do të përpiqemi ta evitojmë në ndërgjegje. Ne do të bëjmë çmos që kjo të mos bëhet “çështje”, por të mbetet vetëm në dijeni të Byrosë Politike, se kështu e kërkojnë interesat e partisë e të shtetit…. Kështu ngjet, shokë, edhe me vdekjen e shokut Hysni Kapo. Është përhapur në të gjithë Shqipërinë sikur shoku Hysni nuk ka vdekur nga kanceri, por e kanë vrarë me urdhër të Mehmet Shehut dhe me këtë tentojnë që Hysni Kapon ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Ndërkohë që nuk është ashtu. Hysni Kapo është një Hero i Popullit, një luftëtar i lavdishëm i partisë, por s’ka asnjë dyshim që ai vdiq nga kanceri. Po përse hapen atëherë këto fjalë. Kush i hap këto? Ka edhe pjesëtarë nga të familjes së Hysniut që kanë pasur dyshime në këtë çështje dhe këto i kanë shprehur, po ua kemi luftuar, i kanë rishprehur, por ka midis tyre edhe kushërinj, ka edhe armiq që kërkojnë t’i krijojnë vështirësi partisë. Çfarë të bëjmë ne për këtë? Të mbaj një fjalim të veçantë unë, ku të them se shoku Hysni Kapo s’është e vërtetë se është vrarë, por vdiq nga kanceri? Jo, unë nuk e bëj këtë, por e mbroj shokun Hysni Kapo për meritat e mëdha që ka pasur, për shërbimet e mëdha që i ka bërë partisë, por vdiq nga kanceri, e vërtetuar kjo nga mjekët. Mbledhjen e Byrosë e mbaruam. Kadri Hazbiu të japë llogari në plenum”, ka thënë Enver Hoxha.
“I akuzuari”
Kadri Hazbiu ndodhet në “bankën e të akuzuarve”. Në rolin e gjyqtarëve janë “shokët” e Byrosë. Meritat e tij në luftë dhe pas çlirimit u “shumëzuan me zero”. Krisja mes Hazbiut dhe Hoxhës, nisi pas vdekjes së Mehmet Shehut, kur Hoxha e akuzoi si bashkëpunëtor me të.
Gjithë Byroja Politike, duke filluar nga Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe të tjerët: Hekuran Isai, Adil Çarçani, Prokop Murra, Manush Myftiu, Rita Marko, Pali Miska, Simon Stefani, Llambi Gegprifti, Qirjako Mihali, Lenka Çuko, e “vunë para”, “armikun e popullit” Kadri Hazbiu, të cilit i kërkonin deri në një shpjegime për veprimtarinë e tij, si ministër i Brendshëm dhe i Mbrojtjes, që për ta ishte e dyshimtë. Enver Hoxha nisi t’i kërkojë llogari Kadriut të vënë me shpatulla në mur për Beqir Ballukun, Mehmet Shehun dhe dosjet, të cilat ia kishin dhënë rusëve pa e vënë në dijeni Komitetin Qendror të Partisë. Ai e nis pyetjen e tij për Konferencën e Tiranës, ku ky i fundit kishte paraqitur ide që binin ndesh me rrjedhën e kohës dhe vijën e partisë. Hoxha i tregon se duhet të ishte më vigjilent ndaj proceseve të njerëzve, të cilët kishin deponuar gjëra të rëndësishme. Konferenca e Tiranës do të diskutohej gjatë në mbledhjen e Byrosë Politike. Kadri Hazbiu nuk e kishte shumë të qartë konferencën dhe kërkon prej pjesëmarrësve dhe kryesisht Enveri dhe Ramizi të flasin më shtruar, guxim që dukej i tepruar. Reagoi këtu dhe drejtuesi i mbledhjes, Hoxha, i cili kërkoi më shumë sqarime nga Hazbiu. Ramiz Alia i kujtoi Kadriut se ky duhet t’i hapte herë pas here dosjet që kishte në ministri për të qenë më i kthjellët në deklarimet e tij.
Nomenklatura e lartë partiake kërkoi nga Hazbiu arsyet që ai ra pre e punës armiqësore. Ish-funksionari i lartë kishte devijuar nga rruga e përcaktuar rigorozisht nga Enver Hoxha dhe ishte pre e veprimtarisë armiqësore. Për shumë gjëra që kishin ndodhur në kohën kur Kadri Hazbiu drejtonte Sigurimin e Shtetit, tashmë duhet të jepte llogari. Enveri kërkonte nga vlonjati informacion të hollësishëm rreth ngjarjeve të asaj kohe. Zbulimi i shumë grupeve armiqësore nga partia, kur këta duhet të ishin demaskuar nga organet kompetente ishte dhe dobësia e punës së organeve të Sigurimit.
Puna armiqësore sipas logjikës së përkrahësve të sekretarit të parë të PPSH-së kishte depërtuar edhe në njerëz të besuar të sistemit. Hazbiu, tashmë e kishte radhën të akuzohej për mungesë vigjilence.
Nuk përbën gjë të re, fakti që Enveri dhe Kadriu kishin biseduar rreth çështjes së Teme Sejkos në hotel “Dajti”. Ky hotel mbahet mend si vendi ku raportoheshin gjëra të rëndësishme. Sekretet pëshpëriteshin me zë të ulët. Në pyetje-përgjigjet mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, ky i shpjegon eprorit se pikërisht në këtë hotel, ata kishin biseduar për grupin e Teme Sejkos, i cili ishte vënë në shërbim të grekëve. Në momentin që Hazbiu raportonte me Hoxhën ishte edhe Mehmet Shehu, që më vonë do të shpallej tradhtar i atdheut. Kadri Hazbiu ishte ministri i Brendshëm më jetëgjatë i Shqipërisë komuniste. Ai kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik në Akademinë Ushtarake dhe nga bashkëkohësit njihet si “njeriu i hekurt” i Sigurimit të Shtetit. Ngjitjen në postin e ministrit të Brendshëm, Kadriu e kishte “dhuratë” nga Mehmet Shehu, i cili ia propozoi kandidaturën e vlonjatit Enver Hoxhës.
Detyra
Detyrën tepër të rëndësishme në drejtimin e Ministrisë së Brendshme e mori në vitin 1953. Dokumente sekrete thonë se Kadri Hazbiu ishte një nga ministrat e Brendshëm më inteligjentë, njohës i mirë i psikanalizës dhe gëzonte reputacion të padiskutueshëm. Megjithatë, edhe ky njeri kishte pjesën e vet të fajit në ushtrimin e diktaturës. “Shpata” e Hazbiut me urdhër të Enverit ra mbi shumë “armiq të popullit” si: Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Liri Belishova, Koço Tashko, Maqo Çomo, Tahir Kadareja, Hulusi Spahiu, Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Rahman Përllaku, Sadik Bekteshi, Abdyl Këllezi, Kiço Ngjela, Koço Theodhosi, Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Dashnor Mamaqi dhe shumë të tjerë, figura të njohura të luftës dhe drejtues të lartë shtetërorë pas çlirimit të vendit. Në mbledhjen e 8 tetorit të vitit 1982, Enver Hoxha i kundërvihet ashpër, duke u shprehur: “Kadriu herë e paraqet veten ‘viktimë’, herë ia hedh fajin euforisë dhe një farë kulti që kishte krijuar për Sigurimin e Shtetit dhe që në fakt ishte krijuar, herë thotë se ka vepruar nën presionin e Mehmet Shehut, Beqir Ballukut e vartësve të vet, Mihallaq Ziçishtit e Feçor Shehut me shokë; se ka pasur familjaritet me këta e vartësit e tjerë. Po ne a na ka imponuar gjë Mehmet Shehu?!. Jo, s’ka mundur të na imponojë. Pra, nuk është e drejtë të thuhet “edhe unë kisha besim te Mehmet Shehu, siç kishit edhe ju”. Ka një diferencë të madhe në këtë çështje, dhe kjo shpjegon arsyen pse Kadriu i është nënshtruar presionit të Mehmet Shehut, Beqir Ballukut me kompani…. Kur erdhi Mehmet Shehu kryeministër dhe Kadriu ministër i Brendshëm në vitin 1954 u krijua një situatë krejt ndryshe, krejt e re në favor të Sigurimit Sovjetik. Këshilltarët rusë kanë ardhur duke u shtuar pas vdekjes së Stalinit dhe Kongresit të 20-të të Bashkimit Sovjetik. Ne e dimë që në krye të kësaj agjenture, ku je implikuar edhe ti Kadri, kanë qenë: Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako dhe oficerë të tjerë të lartë, spiunë të KGB-së sovjetike dhe të shërbimit informativ të ushtrisë”. Kadri Hazbiu nuk ishte dakord me shpalljen e tij si armik dhe i implikuar në grupin e Mehmet Shehut. Në gjyq kur e pyesin se a ishte rrahur e torturuar në hetuesi, Kadriu përgjigjet: “Shoku gjyqtar, më ke thirrur për të shpjeguar që jam tradhtar i partisë dhe atdheut, apo për të treguar se sa herë më ka rrahur policia shqiptare…”.
Shkarkimi
Pas vdekjes së Mehmet Shehut, nisi plani për eliminimin e gjoja një komploti të madh, që kishte në krye një “poliagjent” si Mehmet Shehu. Alibia e Hoxhës arrinte deri aty sa të servirte edhe qëllimin e “grupit armiqësor” që “ishte as më shumë e as më pak,- thoshte ai,- për eliminimin e udhëheqjes kryesore të PPSH-së, likuidimin e socializmit në Shqipëri dhe vendosjen e kapitalizmit”. Kështu, në tetor 1982, Enver Hoxha nuk kurseu prangat për Kadri Hazbiun, ish-ministër i Mbrojtjes në atë kohë. Para kësaj, ai u kritikua rëndë në mbledhjen e Sekretariatit të KQ-së së PPSH-së. Aq keq u denigrua ai njeri, sa askush nuk i përmendi, si më parë, meritat e tij në luftë dhe pas çlirimit të vendit. Në mbledhjen e Byrosë mendohet edhe se si do t’i servirej popullit vendimi i marrë për shkarkimin nga detyra të Kadri Hazbiut dhe emërimin e Prokop Murrës, ministër i Mbrojtjes.
“Nesër duhet të bëjmë edhe atë, që duhet të dërgojë Adili nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Vendimin e Byrosë Politike për Kadriun, e kemi formuluar kështu: Byroja politike e Komitetit Qendror vendosi: Kadri Hazbiu të shkarkohet nga detyra e ministrit të Mbrojtjes Popullore, për mungesë të theksuar vigjilence dhe për gabime të rënda, në kundërshtim me vijën e partisë dhe me interesat e shtetit, gjatë kohës që ka punuar si zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pra, këto dy motivacione po vëmë tani: “mungesa të theksuara vigjilence dhe gabime të rënda në kundërshtim me vijën e partisë dhe interesat e shtetit”. Prokop Murra, deri tani sekretar i parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Tiranës, të emërohet ministër i Mbrojtjes Popullore. Ky do të jetë dokumenti i Byrosë Politike, kurse nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, për publikun do të themi që Kadriu shkarkohet për arsye shëndetësore ose si ta mendojmë, apo thjesht, shkarkohet nga detyra”, tha njëri nga anëtarët e Byrosë.
Grupe armiqësore dhe
armiq të popullit
6 maj 1947
U shkarkua ministri Sejfulla Malëshova
20 nëntor 1947
Vdiq Nako Spiru
28 nëntor 1948
U arrestua Koçi Xoxe dhe i ashtuquajturi grupi i tij
17 qershor 1955
Dënohet veprimtaria e Tuk Jakovës e Bedri Spahiut.
26 - 28 qershor 1973
Plenumi i 4-t i KQ të PPSH-së, u dënuan Fadil Paçrami e Todi Lubonja
25 - 26 korrik 1974
Plenumi i 5-të i KQ të PPSH-së, diskutohet Beqir Balluku dhe të tjerë
10 tetor 1974
Mbledhja e Byrosë Politike, dënohet veprimtaria e Beqir Ballukut
16 - 17 dhjetor 1974
Plenumi i 6-të i KQ të PPSH-së, u dënuan Hito Çako dhe Petrit Dume
26 - 28 maj 1975
Plenumi i 7-të i KQ të PPSH-së, u dënua veprimtaria e Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit
Tetor 1975
Plenumi i 8-të i KQ të PPSH-së, u dënua Kiço Ngjela
17 dhjetor 1981
Vdes kryeministri Mehmet Shehu
Tetor 1982
Arrestohet Kadri Hazbiu
Ekzekutimi i Kadri Hazbiut
Nga janari i vitit 1982 deri në gusht 1983 u zhvillua gjyqi ndaj të ashtuquajturit grup armiqësor i Mehmet Shehut. Akuzën në këtë proces e kryesonte Rrapi Mino dhe vendimin do ta jepte kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. Grupi i parë i të arrestuarve kryesohej nga Kadri Hazbiu. Gjyqi ndaj tij dhe të tjerëve u zhvillua në ambientet e Burgut 313 dhe zgjati jo më shumë se 15 ditë, ndryshe nga gjyqi i grupit të dytë që u zhvillua te Gjykata e Lartë dhe zgjati vetëm 4-5 ditë. Kadri Hazbiu akuzohej se kishte dashur të përmbyste pushtetin popullor dhe kishte sjellë bandën e Xhevdet Mustafës për të vrarë Enver Hoxhën. Në momentin që iu komunikua kjo akuzë, Hazbiu është përgjigjur: “Unë vras 500 si ty, por dorë tek Enver Hoxha nuk vë. Përkundrazi, unë shuaj dynjanë për atë njeri, aq shumë e dua”. Edhe pse mbi të ishin ushtruar tortura aq sa plagët, pasojë e kësaj të fundit ai i tregoi në sallën e gjyqit. Në përfundim të gjyqit, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, LLambi Peçini dhe Llambi Ziçishti u dënuan me vdekje, ndërsa të tjerët me dënime me burg që arrinin deri në 25 vjet. I vetmi që nuk u dënua, ishte Halit Bajrami, njeriu i “Bandës Xhevdet Mustafa” që dëshmoi kundër Kadri Hazbiut. Pas përfundimit të gjyqit, në mesnatën e 15 shtatorit të vitit 1983, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini e Llambi Ziçishti, u morën në fshehtësi nga qelitë e Burgut 313 dhe u ekzekutuan diku në periferi të Tiranës, afër fshatit Linzë.
|