Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 

Qeveria shqiptare miraton marrëveshjen me qeverinë italiane

Italianët japin 25 milionë euro kredi për biznesin


Mirvjena DIZDARI

Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje me qeverinë italiane për realizimin e programit të zhvillimit të sektorit privat. Pala italiane është angazhuar të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri me një hua të butë prej 25 milionë eurosh për të ngritur një linjë krediti. Me një hua të butë prej 2,5 milionë eurosh për krijimin e një fondi garantimi, si dhe një grant prej 2,5 milionë eurosh në formën e asistencës teknike. Programi i zhvillimit që parashikohet të realizohet sipas kësaj marrëveshje synon që në terma konkrete të mbështesë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes financimit të bizneseve dhe krijimit të fondit të garantimit të kredive. Programi mbulon tre komponentë kryesore, së pari linjat e kredisë, së dyti fondin e garantimit, si dhe grantin. Linja e kreditimit do të funksionojë duke kredituar SME-të në bazë të prioriteteve të përcaktuara në strategjinë afatmesme dhe kryesisht do të përqendrohen në mbështetje të sektorëve të prodhimit. Do të seleksionohen një grup bankash private, të cilat duhet të plotësojnë kriteret teknike sipas marrëveshjes. Ndërsa fondi i garantimit të kredive do të ndihmojë për të zbutur riskun e drejtpërdrejtë të bankave private në rastin e kolateralit të pamjaftueshëm nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Po kështu, në kuadrin e grantit parashikohet asistenca teknike e ekspertizës së huaj/italiane për fazën fillestare dhe për monitorimin e programit.

Vendimet e keshillit te ministrave

Miratohen ndryshime në pagesën e të punësuarve të Portit detar Durrës
Miratohet fond për shpenzimet e kurimit të fëmijëve Reni dhe Erina Likaj në Turqi
Miratohet fond për shpronësimet nga lidhja me sistemin e
nënstacionit 220/110 KV, Rrashbull
Marrëveshje me qeverinë italiane për kreditimin e biznesit me 25 milionë euro
Projektligj për krijimin e lehtësirave për trafikun ndërkombëtar detar
Projektligj për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim në Evropë
Bashkëpunim policor ndërmjet Shqipërisë dhe misionit të administratës së përkohshme të Kombeve të Bashkuara, në Kosovë
Projektligj për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime Albtelekom
Miratohet rregullore e teknikës së sigurimit për përdorimin civil të lëndëve plasëse në RSH

Miratohet projektligji për Albtelekomin

Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin për ratifikimin e kontratës për blerjen e aksioneve të shoqërisë anonime Albtelekom. Kontrata në fjalë është një marrëveshje e lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë turke "Calik Enerji Telekomunikasyon A.S". Kompania turke është pronarja e 76 për qind të aksioneve të gjigantit të telefonisë fikse në Shqipëri, ndërkohë që hapi i fundit që do mbyllë këtë shitje do të jetë votimi në Parlament. Por duket se vendimi i qeverisë do të mbetet pezull, pasi do të jetë Parlamenti ai që do të vendosë fatin përfundimtar për privatizimin e kësaj kompanie. Partia Demokratike ka kundërshtuar privatizimin e Albtelekomit.

Marrëveshje për emigrantët ilegalë

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian, për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim. Sipas këtij vendimi, nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit me Komunitetin Evropian në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe trafikut të qenieve njerëzore në mënyrë sa më efektive, duke synuar kështu zhvillimin e një qëndrimi të përbashkët, koherent dhe të balancuar për këtë çështje.

 
 
EKONOMI




 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005