Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
Kristo Luarasi Korrik 1934

Në korrik 1934 mbylli sytë veprimtari i shquar i rilindjes, Kristo Luarasi, njëri nga themeluesit e shtypshkronjës “Mbrothtësia”, ku shtypeshin librat shqip. Ai u angazhua në luftë kundër pushtuesit turk me çetat e Bajos dhe Çerçiz Topullit, ishte pjesëmarrës në kryengritjen e përgjithshme të 1909-1912, si dhe dha një ndihmesë të madhe për përgatitjen dhe zhvillimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës.
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX botohen organe të reja të shtypit shqiptar, që luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Në kushtet e regjimit absolutist të sulltan Abdyl Hamitit, gazetat dhe revistat shqipe nuk mund të botoheshin në Shqipëri, prandaj nxirreshin jashtë në kolonitë shqiptare të mërgimit. Shumica e tyre nxirreshin në gjuhën shqipe, disa ishin dygjuhëshe. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur patrioti ynë Kristo Luarasi, i cili ka drejtuar së bashku me patriotin e shquar, Mithat Frashërin, gazetën “Liria” e të përkohshmen “Dituria” në Sofje. Ishte në krye të shoqërisë “Dëshirë” në Sofje ku luajti një rol të rëndësishëm në shtypin shqiptar jashtë kufijve, duke trumbetuar padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar.

 

 

MEDIA

 

“THE NEW YORK TIMES”

Kanë filluar shirat e parë në Florida që vijnë nga uragani “Denis”, ndërkohë që stuhia është përqendruar në Gjirin e Meksikës. Parashikuesit e motit kanë paralajmëruar banorët nga Florida në Luiziana që të përgatiten të presin uraganin të dielën. Qendra Kombëtare e Uraganeve ka paralajmëruar se “Denisi” është që tani shumë i rrezikshëm. Në Florida, në disa pika shitjeje karburanti nuk ka ç’të shitet më, pasi pjesa më e madhe e njerëzve janë pajisur me karburant dhe janë larguar nga zona.

 

“THE GUARDIAN”

Njerëzit e thjeshtë të publikut janë bërë kameramanë dhe reporterë, duke krijuar një “botë të re” të medias, gjatë shpërthimeve terroriste që ndodhën në Londër. Duke përdorur çdo mjet të mundshëm që nga telefonat celularë me kamera, kontributi i publikut në mbulimin e përgjithshëm mediatik ka prodhuar materialin më të efektshëm të ditës. “Kjo tregon se mes audiencës dhe nesh ka një nivel të lartë besimi”, është shprehur drejtoresha e lajmeve në BBC, Helen Boden.

 

“HÜRRIYET”

Rriten kushtet e sigurisë në aeroportin “Ataturk”, si pasojë e sulmeve terroriste që goditën Londrën. Duke pasuar sulmet e Londrës, aeroporti “Ataturk” i Stambollit ndodhet në kushtet maksimale të sigurisë. Zbuluesit metalikë në hyrje të aeroportit janë shtuar dhe qentë e policisë po përdoren për të nuhatur bagazhet e pasagjerëve. Të gjitha makinat që hyjnë në territorin e aeroportit po kontrollohen me imtësinë më të madhe për vendosjen e mundshme të ndonjë eksplozivi.

 

“IL CORRIERE DELLA SERA”

Që prej ditës së premte nuk ka gjurmë të 31-vjeçares italiane që jeton në Angli. Duket se një qytetare italiane mund të ketë vdekur në sulmet që ndodhën në Londër. Në Ministrinë e Jashtme italiane është raportuar se një italiane 31 vjeçare që punon në Londër nuk po gjendet gjëkundi. Ka qenë punëdhënësi londinez që ka denoncuar zhdukjen e italianes, e cila nuk është paraqitur në zyrë. Italiania e kishte zakon t’u telefononte familjarëve një herë në ditë, por që të enjten ata nuk kanë komunikuar me të.

 

 

Ngjarje të rralla

 

Delet kryejnë kërcimin e vdekjes

TURQI – Së pari një dele është hedhur nga shkëmbi. Më pas barinjtë e shushatur turq, të cilët e kishin lënë kopenë të kulloste ndërsa hanin mëngjes, kanë parë dhe 1500 delet e tjera që e kanë ndjekur duke kërcyer nga i njëjti shkëmb. Në fund të këtij kërcimi vdekjeprurës 450 dele kanë rezultuar të ngordhura. Ato që kanë kërcyer më vonë kanë shpëtuar, pasi grumbulli ishte më i lartë dhe rënia më e butë. Çdo familje në fshatin Gevas në lindje të Turqisë kishte nga 20 dele, por tani shumë pak familjeve u kanë mbetur dele.

Policët e rremë grabisnin të sapomartuarit

ITALI – Tre rumunë të specializuar për të shkatërruar pushimet e çifteve që kalonin muajin e mjaltit në Romë kanë rënë në pranga. Skenari ishte gjithmonë e njëjti. Njëri prej tyre shtirej si turist dhe u afrohej viktimave, duke u kërkuar informacion me një anglishte të pastër. Më pas, ai u paraqiste një hartë të qytetit dhe dy bashkëpunëtorët e tij që shtireshin si policë afroheshin dhe merrnin në pyetje grupin. Në fund, paratë së bashku me keqbërësit zhdukeshin. Të preferuarit e hajdutëve ishin orientalët, anglo-amerikanët dhe evropianët e veriut.

Puthje për 12 mijë persona

HUNGARI – Në urën “Elizabeta” në Budapest është realizuar rekordi botëror i puthjeve. 12 mijë persona të mbledhur në natën finale të festës qytetare të Shën Ivanit kanë shkëmbyer puthje, duke thyer kështu rekordin botëror të vendosur vitin e kaluar në Filipine kur 5327 çifte janë puthur në të njëjtën kohë për dhjetë sekonda. Ka qenë gazetari i njohur, Znes Bulvar, që ka ftuar njerëzit të vinin e të thyenin rekordin e puthjeve që mbahej nga Filipinet. Ftesës i janë përgjigjur 12 mijë persona dhe në urën e mbushur me njerëz kanë realizuar rekordin e puthjeve.

70–vjeçari japonez shëtit botën i vetëm

JAPONI - Që Japonia është një nga shtetet me përqindjen më të lart të popullsisë mbi moshën 65-vjeç kjo dihet. Edhe që të moshuarit janë në formë fizike të mirë për shkak të dietës së pasur me peshk dihet. Por që një japonez 71 vjeçar ka lundruar përreth botës i vetëm në një jaht për 234 ditë kjo nuk dihej. Minoru Saito është lundruesi më i vjetër që i ka rënë botës përqark, duke hyrë kështu në librin e rekordeve “Gines”. Ai ka synuar ashtu si në librin e Vernit “Rreth botës për 80 ditë” të lundronte përreth botës për një kohë të caktuar prej 180 ditësh.

 
 
HISTORI & MEDIA
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005