Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Elizabeth Worn tregon se si e mësoi lajmin për ngjarjen në vendlindjen e saj
“Si i përjetova sulmet terroriste ”
Anglezja: Menjëherë kontaktova me të afërmit e mi për të mësuar në janë mirë

Dorina TOPOLLAJ

Mban emër tipik anglez. Quhet Elizabeth Worn dhe është një nga 300 britanikët që ndodhen në vendin tonë. I ka ndjekur me mjaft shqetësim sulmet terroriste në Londër, ku ka të afërm e miq. Prej katër vitesh punon në Shqipëri si drejtuese projekti në Organizatën Ndërkombëtare të Migrimit (IOM) dhe e quan veten me fat që në këtë moment është ndodhur në vendin tonë. Në zyrën e saj, nëpërmjet internetit ndjek minutë pas minute çdo lajm që ka të bëjë me ngjarjen dhe mundohet të mbajë kontakt me miqtë apo të afërmit e saj në Angli. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", Elizabeth tregon se si e mësoi lajmin për shpërthimet në vendin e saj, kontaktet me familjarët, si e përjeton ngjarjen dhe mendimi i saj për luftën në Irak.
Si e morët vesh lajmin për shpërthimet në Londër?
Unë mora vesh se diçka kishte ndodhur në Londër, prej një e-mail që po lexoja nga një miku im. Mendova se kjo gjë kishte lidhje me punën, kështu që nuk i kushtova rëndësi. Pashë si gjithmonë te siti i BBC-së, pasi aty informohem vazhdimisht. Ishte ora rreth 10.00 e mëngjesit dhe në sajt, nuk kishte shumë informacion. Aty nga dreka u dha lajmi se ishin rreth 7 shpërthime në disa vende të Londrës. U takova me një shoqen time nga Anglia në kohën e drekës dhe ajo më tha se problemi mund të ishte më serioz nga ç'jepej në BBC.
Çfarë bëtë më pas?
Kontaktova me kushërinjtë dhe të njohurit e mi, që të sigurohesha nëse ishin mirë. Për fat të mirë të gjithë ishin mirë.
Si e përjetuat këtë ngjarje?
Është vërtet shumë shokuese. Në një farë mënyrë pritej të ndodhte ndonjë gjë e tillë pas bombardimit në Madrid dhe fakti që Britania u rreshtua pas Shteteve të Bashkuara në luftën në Afganistan, ka të bëjë me këtë. Ishte një mendim shumë i frikshëm. Një herë në jetën time ka ndodhur diçka e tillë, rreth një vit më parë, kur shpërtheu një bombë në qytetin tim. Ishte shumë e frikshme.
Në çfarë qyteti jetoni në Britani?
Jetoj në Norixh, është rreth dy orë larg nga Londra. Por në Londër kam të afërm, kushërinj. U shqetësova kur e mora vesh ngjarjen, është shumë tronditëse. Kanë bërë shumë krahasime, madje dhe me Luftën e Dytë Botërore, sigurisht që duhet të jetë një presion shumë i madh psikologjik. Njerëzit për herë të parë ndihen të pasigurt në shtëpitë e tyre, jam e sigurt për këtë. Britania nuk ka pasur ndonjëherë eksperienca të tilla me Al-Kaedën. Sipas BBC-së, sulmi ishte i mirëkoordinuar.
Cila është arsyeja e kësaj goditjeje, sipas mendimit tuaj?
Për mendimin tim, kjo vjen si përgjigje për luftën në Irak. Kam dëgjuar se shpërthimet ia dedikonin fitores për Lojërat Olimpike që do zhvillohen në 2010-ën, por personalisht nuk besoj se kjo ka të bëjë me këtë. Madje as me BE-në, por me shtete individualë që kanë dërguar ushtritë në Afganistan. Siç thuhej në deklaratën e Al-Kaedës në internet, dy shtetet e tjera të ardhshme do të ishin Italia dhe Danimarka. Unë mendoj se ky plan është menduar gjatë dhe mendoj se ka të bëjë edhe me mbledhjen e G8-ës. Në vendin ku janë mbledhur drejtuesit e shteteve më të fuqishëm të botës, ata mund të shkaktonin më shumë kaos.
Pas kësaj që ndodhi, kam përshtypjen se ndiheni më e sigurt në Shqipëri
Jam shumë e gëzuar që jam këtu. Faleminderit Zotit. Jam më e qetë.
Çfarë mendimi keni pasur përpara për luftën në Irak dhe çfarë mendimi keni pas këtij sulmi?
Kam të njëjtin mendim. Që në fillim kam menduar se ajo luftë është e gabuar, ne nuk kemi pse të përzihemi me të.

Lajmet, të kufizuara

"Më bën përshtypje fakti që mediumet britanike nuk japin shumë informacion për ngjarjen" thotë Elizabeth. Ajo tregon se i ndjek më shumë lajmet nëpërmjet internetit, por ka vënë re që gazetat apo stacionet që janë me emër në vendin e saj, kanë qenë të kufizuara në informacion. Oficerja e projekteve në IOM, është e etur të dijë gjithçka ndodh në vendin e saj, dhe madje duket se i ka mësuar përmendësh rresht pas rreshti raportet e BBC-së. Asaj i referohet më së shumti për të dhënat që ka mësuar. "Lexova dhe gazetën "The Guardian", por as aty nuk kishte shumë informacion. Më shumë të dhëna për ngjarjen në Londër, mund të gjej te faqja shqiptare balkanweb" thotë ajo duke shtuar se ndoshta kjo bëhet për të mos përhapur panik në qytetarët britanikë.

300 anglezë në Shqipëri

Në vendin tonë jetojnë rreth 300 shtetas të Britanisë së Madhe. Pjesa më e madhe e tyre punojnë me projekte të ndryshme në organizata ndërkombëtare, të tjerë si misionarë apo dhe për punë të tjera. Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë i ka shokuar, pasi pjesa më e madhe e tyre, atje kanë familjen. Ata gëzojnë jo vetëm mbështetjen e ambasadën britanike, por edhe atë të autoriteteve shqiptare.

50 mijë shqiptarë në Angli

Sipas statistikave të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, në Britani jetojnë rreth 50 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre nuk i kanë dokumentet e rregullta. Sipas ambasadorit tonë në Londër, Kastriot Robo, asnjë shtetas shqiptar nuk është ndodhur në vendet ku kanë shpërthyer bombat plastike. Ndërkohë, megjithëse nuk jepen hollësi, thuhet se tre kosovarë kanë gjetur vdekjen, ndërsa udhëtonin në metronë e Londrës.

Londër, në kërkim të të humburve nga shpërthimi

Vazhdojnë kërkimet në galerinë e metrosë. Nëpër rrugë kanë filluar të shfaqen fotografitë e njerëzve që kanë humbur gjatë shpërthimit. 24 orë mbas shpërthimit në Londër, bilanci i të vdekurve është i vështirë për t'u përcaktuar përfundimisht. Sipas informacioneve të fundit të policisë londineze, numri i të vdekurve i kalon të 60-at. Por deri tani, numri i trupave të gjetur është 49. Një ditë pas tragjedisë, duket se numri i viktimave vjen duke u rritur. Policia po kërkon trupa të tjerë në tunelin e metrosë dhe në qytet duken mesazhe të improvizuara ku kërkohet informacion për njerëz që rezultojnë të humbur. Imazhet e katër mesazheve të kujtojnë 11 shtatorin. Të afërmit e viktimave nga shpërthimi i dy kullave binjake vendosnin fotografitë e të humburve, duke kërkuar informacion për ta. Shifrat zyrtare të policisë londineze të japin pamjen e ngjarjes, identifikimin e viktimave, si dhe vendin ku ndodheshin në çastin kur shpërthimi terrorist u ka marrë jetën. Shefi i policisë londineze, Ian Blair, në një konferencë për shtyp deklaroi se ka ende trupa që kanë mbetur në tunelin midis King's Cross e Russel Square. Ai deklaroi se po punohet për të nxjerrë trupat që nga tuneli. Midis viktimave ka persona të ardhur nga: Sierra Leone, Australia, Kina, Portugalia dhe Polonia.

Operacion i madh në kërkim të sulmuesve

Policia po patrullon rrugët e qendrës së Londrës, ndërsa ka filluar operacioni në kërkim të personave që kryen një radhë sulmesh me bomba të mërkurën në sistemin e transportit të kryeqytetit. Sipas të përditshmes "The Star" mbi 60 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën kur në tre trena nëntokësorë të sistemit të transportit shpërthyen bombat. 45 persona mbetën të plagosur rëndë dhe në gjendje kritike, disa janë gjymtuar. Forca e njërit prej shpërthimeve, në njërin prej trenave, hapi një vrime në murin e tunelit nëntokësor. Bomba që shpërtheu në një autobus dykatësh, shkatërroi katin e tij të sipërm dhe muri i një ndërtese aty pranë u spërkat me gjak. Të gjitha bombat shpërthyen pa paralajmërim në orët e hershme të mëngjesit, kur njerëzit nxitonin për në punë. Sulmet çrregulluan pothuaj plotësisht sistemin e transportit në qendër të Londrës.

 
 
INTERVISTA


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005