Ky është një krim i tmerrshëm dhe tragjik, që ka marrë shumë jetë të njerëzve të pafajshëm. Unë kam mbledhur menjëherë qeverinë në një mbledhje urgjente dhe kam ngritur një komitet për emergjencat që do të kujdeset për situatën e krijuar. Tashmë kam në dorë një raport të plotë nga ministrat dhe zyrtarët përgjegjës, në lidhje me atë që ka ndodhur. Do të bëhet një njoftim i shpejtë në lidhje me shumë shërbime të bllokuara, ndërkohë ne po punojmë dhe kemi si prioritet që metroja dhe trenat të vihen menjëherë në punë e të jenë sa më shpejt të përdorshëm e të sigurt. Unë do të doja që t'u shpreh sërish keqardhjen time të thellë, familjeve të viktimave dhe atyre që u plagosën në këto akte terroriste. Gjithashtu do të doja të falënderoja shërbimet e ndërhyrjes së shpejtë, që nuk kursyen asgjë dhe që meritojnë respektin tonë. Tani për tani, sigurisht do të kemi një shërbim sigurie dhe një polici më intensive, kjo e fundit duhet dhe do të bëjë të mundur nxjerrjen para drejtësisë të atyre që shkaktuan këtë akt. Unë u jam borxhli stoicizmit dhe qëndresës së londinezëve, që reaguan ndaj kësaj ngjarjeje në një mënyrë mjaft të mirë, tipike e tyre.
Nga ana ime e kam mirëpritur qëndrimin dhe deklaratën e Këshillit Mysliman, i cili dënon aktin dhe pohon se ata njerëz kanë vepruar gjoja në emër të Islamit, por ashtu dhe po aq sa ne, edhe pjesa më e madhe e myslimanëve pret që ata të dënohen dhe të nxirren para ligjit për të marrë dënimin e merituar.
Nëpërmjet terrorizmit, përmes të cilit ata kryen këtë akt të tmerrshëm, ata njerëz treguan "vlerat" e tyre dhe është koha që ne të tregojmë vlerat tona.
Unë mendoj, dhe në fakt ne të gjithë e dimë, se çfarë duan të bëjnë ata njerëz. Ata po përpiqen që përmes kësaj kasaphane të njerëzve të pafajshëm, të na frikësojnë, të na trembin që ne të mos bëjmë ato gjëra të cilat kemi ndërmend të bëjmë, të na ndalojnë që të shkojmë të bëjmë punën tonë normalisht ashtu siç jemi mësuar dhe le ta dinë se s'mund dhe s'do të kenë sukses.
Kur ata përpiqen të na frikësojnë, ne nuk do të trembemi, kur ata të tentojnë të ndryshojnë vendin tonë, mënyrën tonë të jetesës me këto metoda, ne nuk do të ndryshojmë. Ata do të përpiqen të ndajnë njerëzit tanë, të dobësojnë qëndresën tonë, ne nuk do të ndahemi dhe qëndresa jonë do të jetë më e fortë. Ne do të tregojmë me shpirt dhe me dinjitet, me qetësinë e forcën që kanë treguar gjithmonë britanikët, që vlerat tona do të jetojnë më shumë se të tyret.
Qëllimi i terrorizmit është të përhapë panik te njerëzit, por ne nuk do të biem në panik. Dhe një herë do të shpreh simpatinë dhe keqardhjen time për ato familje që do t'i kalojnë këto ditë në zi. Këto do të jenë ditë të këqija për popullin britanik, por ne do të mbahemi fort në mënyrën e të jetuarit si britanikë.
Është shumë e qartë, ka pasur një seri sulmesh terroriste në Londër. Sigurisht prej kësaj ka një numër të plagosurish, shumë njerëz kanë vdekur dhe mjaft të tjerë janë të plagosur rëndë. Mendimet dhe lutjet tona janë tani vetëm për viktimat dhe familjet e tyre. Unë kam lënë mbledhjen e G8-s, kam marrë kontakt të drejtpërdrejtë me policë, me njerëzit e ndërhyrjes së shpejtë, me të gjithë ata që u morën me këtë çështje dhe do të kthehem sërish në mbledhjen e rëndësishme. Sidoqoftë, vullneti i liderëve të G8-s është që ta vazhdojnë atë takim edhe pa mua, pasi ne do t'i bëjmë diskutimet për të cilat jemi mbledhur dhe do t'i marrim vendimet të cilat duhet t'i marrim. Secili prej vendeve të ulura në atë tavolinë të rrumbullakët e ka një eksperiencë për efektet e terrorizmit dhe të gjithë liderët janë të bashkuar dhe na përkrahin, ashtu siç do ta tregojnë edhe më vonë, në luftën tonë kundër terrorizmit. Është padyshim barbare, që ky akt ndodhi pikërisht në atë ditë kur do të zhvillohej mbledhja e rëndësishme, që do të diskutonte për zbutjen e varfërisë në Afrikën e varfër dhe për problemin e rëndësishëm të ngrohjes globale e të ndotjes së mjedisit.
Ashtu siç duket qartë, bëhet fjalë për një sulm terrorist apo një seri sulmesh terroriste. Është gjithashtu e qartë që ato janë programuar që të ndodhnin pikërisht në të njëjtën kohë, kur do të zhvillohej edhe mbledhja G8-s.
Ne do të flasim dhe do të dëgjojmë për këtë edhe më vonë. Sot është e rëndësishme që të theksojmë se ata që programuan dhe kryen këto akte të tmerrshme terroriste të kuptojnë se vendosmëria jonë për të mbrojtur vlerat dhe mënyrën tonë të jetesës është më e madhe, më e fuqishme se sa vendosmëria e tyre për të shkaktuar dhimbje, katastrofa dhe vdekjen e njerëzve të pafajshëm apo me dëshirën e tyre për të në imponuar ne dhe botës ekstremizmin. Çfarëdo të keqeje që ata të bëjnë, ne jemi më shumë se të vendosur që nuk do t'i lejojmë të shkatërrojnë atë që ne e cilësojmë si shumë të dashur dhe që e mbrojmë me të gjithë forcat tona në këtë vend dhe në të gjithë shtetet e tjera të qytetëruara.
Fjalimi i kryeministrit të Britanisë së Madhe, Toni Bler, pas akteve terroriste në Londër
|