| |
Nëse çdo ankesë nga kandidatët humbës apo
subjektet politike do të ndiqte procedurën ligjore që përmbahet në Kodin Zgjedhor për të marrë një zgjidhje, atëherë i bie që rezultatet përfundimtare të këtij procesi zgjedhor të dalin në muajin shtator. Të paktën rregullat që duhet të zbatojë ankimuesi, KQZ-ja dhe më pas Kolegji Zgjedhor vërtetojnë këtë. Gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, edhe pse nuk mund të prononcohen me emër për shkak të pozicionit të tyre, në këtë moment shpjegojnë me detaje se çfarë procedure do të ndiqet për t'u bërë një ankesë dhe për t'u gjykuar. Burime për "Tirana Observer" shpjegojnë se numri i madh i ankesave që kanë mbërritur deri tani në KQZ janë një tregues se procesi mund të përfundojë vetëm në muajin shtator. Gjyqtarët e Kolegjit iu duhet të paktën 10 ditë për të gjykuar dhe arsyetuar vendimin e një ankese.
Ankimi në KQZ
Nëse kandidatët pas bërjes publike të rezultatit nga ana e KQZ-së kanë ankesë për mënyrën se si ka proceduar procesi i votimit apo i numërimit të votave në zonën e tyre, atëherë atë mund ta depozitojnë në KQZ. Kështu e parashikon Kodi Zgjedhor hapin e parë procedurial që duhet të ndjekë çdo kandidat apo subjekt politik që ka pakënaqësi për ditën e zgjedhjeve. Kur kërkesa depozitohet në KQZ, menjëherë kjo kërkesë do të regjistrohet në regjistrin e veçantë që është vetëm për ankesat. 24 orë pas këtij regjistrimi, KQZ-ja ka të detyrueshme përcaktimin me short të relatorit. Pas kësaj, KQZ-ja bën verifikimin paraprak të ankesës dhe vendos nëse do ta shqyrtojë apo jo. Në raste të veçanta kur ankesa ka nevojë për të dhëna të tjera, atëherë ankesa mund të kthehet mbrapsht për t'u plotësuar e më pas për t'u ridepozituar përsëri në këtë institucion. KQZ-ja ka të detyrueshme të shqyrtojë ankesat jo më parë se 24 orë dhe jo më vonë se 48 orë nga data e shpalljes së vendimit të pranimit të kësaj ankese. Kolegji Qendror Zgjedhor ka të drejtë të shqyrtojë disa ankesa njëherësh, nëse këto kanë tematikë të njëjtë, por iu përkasin kandidatëve apo subjekteve të veçanta. Bashkimi i ankesave bëhet edhe në ato raste kur dy apo më shumë subjekte kërkojnë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të njëjtën njësi zgjedhore. Pasi përcaktohet data dhe ora se kur do të zhvillohet ankesa që u pranua për t'u shqyrtuar nga ana e KQZ-së, atëherë palët duhet të jenë të pranishme, nëse nuk janë atëherë seanca zhvillohet pa prezencën e tyre. Pasi KQZ-ja të marrë një vendim mbi ankesën, ankimuesi ka të drejtë brenda pesë ditësh të vendosë nëse do të ankimojë dhe në Kolegjin Zgjedhor apo jo.
Ankimi në Kolegjin Zgjedhor
Kandidatët apo subjektet politike që janë të pakënaqur dhe nga vendimi i KQZ-së, atëherë depozitojnë ankesën e tyre në sekretarinë e Kolegjit Zgjedhor. Pas kësaj, brenda 24 orëve tetë gjyqtarët duhet të mblidhen për të hedhur shortin e parë që përcakton relatorin e çështjes dhe shortin e dytë që përcakton katër anëtarët e tjerë që do të formojnë kolegjin. Edhe në këtë rast vihet re mungesa e palëve, ndërsa është bërë publike data dhe ora e zhvillimit të seancës së shqyrtimit të kësaj ankese që nuk i pengon palët e tjera për të zhvilluar seancën e përcaktuar. Gjyqtarët kanë të drejtë të gjykojnë ankesën brenda dhjetë ditëve, nga dita që ka filluar gjykimi i kësaj ankese.
Të dhëna
- 8 janë gjyqtarët që janë përzgjedhur me short për të shqyrtuar ankesat e kandidatëve apo subjekteve politike për parregullsi në procesin zgjedhor
- 5 janë gjyqtarët që formojnë kolegjin për të gjykuar ankesën
- 1 relator ka kolegji që kryeson gjykimin e çështjes së ankesës
- 5 ditë ka në dizpozicion ankimuesi i cilit nuk i është pranuar ankesa në KQZ për t'u ankuar në Kolegjin Zgjedhor
- 24 orë pasi është regjistruar ankesa në sekretarinë e Kolegjit Zgjedhor duhet të hidhet shorti
për gjykim
- 10 ditë kanë në dizpozicion gjyqtarët për të dhënë vendimin për një ankesë nga dita që ajo ka mbërritur në sekretari
- 30 ditë mund të zgjasë gjykimi i një çështjeje vetëm në raste
të veçanta
Neni 167/1.
Përjashtimi i gjyqtarit
nga gjykimi i çështjes
- Palët në gjykimin përpara Kolegjit Zgjedhor kanë të drejtë të kërkojnë përjashtimin nga gjykimi i çështjes të ndonjërit prej gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
- Përjashtimi bëhet nëse rezulton se gjyqtari ka ndonjë interes për çështjen, ka qenë më parë punëdhënës, punëmarrës, këshilltar, përfaqësues ose avokat i ndonjërës prej palëve, ka lidhje gjinie ose marrëdhënie krushqie të afërt me ndonjë nga palët, ose rezulton se ai nuk mund ta kryejë detyrën në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pa favorizuar asnjë prej palëve.
- Përjashtimi i gjyqtarit nga gjykimi i çështjes bëhet nga Kolegji Zgjedhor. Të gjithë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor vendosin së bashku mbi vlefshmërinë e kundërshtimit ndaj ndonjërit prej gjyqtarëve.
- Kërkesën për përjashtim paditësi e paraqet së bashku me kërkesëpadinë, sipas nenit 169 të këtij Kodi, kurse palët e interesuara e paraqesin brenda dy ditëve nga marrja e njoftimit, sipas nenit 170 të këtij Kodi.
- Kërkesa për përjashtim përmban arsyen specifike pse nuk është e përshtatshme që një gjyqtar i caktuar i Kolegjit Zgjedhor të gjykojë kërkesëpadinë.
- Kërkesat për përjashtim të gjyqtarit, të paraqitura jashtë afateve dhe procedurave të këtij neni, nuk merren në shqyrtim.
Neni 168
Afati i ankimit në gjykatë
- Ankimet, sipas këtij Kodi, paraqiten në Gjykatën e Apelit Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor.
- Ankimi për të gjitha vendimet që KQZ-ja merr në periudhën, e cila fillon 48 orë pas dekretimit të zgjedhjeve të pjesshme ose të përgjithshme deri në përfundim të shqyrtimit administrativ të ankimeve zgjedhore ose të kalimit të afateve të ankimit për zgjedhje, bëhet brenda 5 ditëve nga shpallja e tyre. Për vendimet që KQZ-ja merr jashtë kësaj periudhe afati i ankimit në Kolegjin Zgjedhor është 30 ditë.
Ankesat në KQZ
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë dorëzuar gjithsej 238 ankesa paszgjedhore. Ankesat e para erdhën pasi procesi zgjedhor kishte përfunduar dhe po vazhdohej me numërimin e votave. Megjithëse procesi zgjedhor u zhvillua sipas standardeve, numri i madh i ankesave tregon se kontestojnë rezultatet e zgjedhjeve. Animimet e para kanë ardhur nga Partia Socialiste dhe kandidatët e saj, por nuk kanë munguar dhe ankimimet dhe nga partitë e vogla. Ndërsa numrin më të madh të ankesave e kanë partitë e vogla, të cilat kërkojnë në shumicën e rasteve rinumërimin e votave në proporcional. Një numër ankesash janë kthyer pas për plotësim, pasi sipas anëtarëve të KQZ-së nuk i plotësonin kushtet ligjore për t'u pranuar. Deri dje, vetëm një numër i vogël ankesash janë shqyrtuar. Për të shmangur volumin e punës, Komisioni Zgjedhor më i lartë në vend, është detyruar që një pjesë të ankesave kur ato kanë si objekt të njëjtat kërkesa të shqyrtohen në grup. Komisioni i Zonave Zgjedhore ka të drejtë që të bëjë publike vendimet mbi ankesat . Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi, deklaroi se nga ana e tij dhe komisionit që ai drejton, ankesat do të shqyrtohen me seriozitet
dhe profesionalizëm. |